Shqipëria me paga të ulëta, çmime të larta

1477
Evdal Nuri 

Shqipëria me pagat minimale e mesatare më të ulëtat në Evropë….! 
Është folur e premtuar shumë për pagat. Janë rritur e do rriten për arsimin e shëndetësinë thonë… T’i lëmë këto e t’i krahasojmë me Evropën dhe me vendet e Ballkanit e pastaj të flasim.

1-Pagat minimale
Ja disa shifra të besueshme për të kuptuar situatën reale në Shqipëri. Vendet e Ballkanit kanë pagat 15 herë më të ulëta se vendet e BE-së. Pagat minimale mujore në vendet e rajonit të Ballkanit janë ndër më të ulëtat në Evropë. Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, paga minimale në Kosovë shkon nga 130 deri 170 euro. Në Maqedoni paga minimale mujore është 131 euro. Në Shqipëri 149 euro, ndërkohë që në Serbi minimalja mujore është 174 euro. Nga vendet tjera të rajonit paga minimale mujore në Malin e Zi është 193, sa është edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Minimalja më e lartë në Bashkimin Evropian është në Luksemburg, 1.923 euro, që është 15 herë më shumë nga paga më e ulët minimale në Ballkan, e cila është rreth 130 euro. Paga minimale është shuma minimale kontraktuale e të hollave që punëdhënësi duhet të paguajë për orarin me ligj të caktuar gjatë një jave. Sa i përket pagës sonë minimale, ajo është në fundin evropian. Por nuk është më e ulëta, në rajon pagën më të ulët minimale e gjejmë në Maqedoni, Kosovë, ndërkohë pagën edhe më të ulët minimale se ne, kanë edhe disa vende të BE-së. Shqipëria renditet në radhët e vendeve me paga më të ulëta në Evropë së bashku me Ukrainën e Moldavinë. Këto janë tri vendet ku për vitin e shkuar janë regjistruar pagat më të ulëta. Në anën tjetër, minimalen më të lartë në rajonin e Ballkanit e kanë qytetarët e Kroacisë, ku paga minimale, është 396 euro. Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, pagat minimale mujore në Bashkimin Evropian shkojnë nga 184 euro në Bullgari deri 1.923 euro në Luksemburg. Në shtatë vendet e BE-së paga minimale është mbi 1000 euro. Kështu qytetarët në Britani të Madhe marrin një pagë minimale prej 1.379 euro, pasojnë Franca me 1.458 euro, Irlanda 1.462 euro, Gjermania 1.473 euro, qytetarët e Belgjikës dhe Holandës marrin pagën minimale prej 1.502 euro, ndërsa 1.923 është paga më e ulët minimale në Luksemburg.

Çmimet rriten, pagat jo!
Shpesh tek ne raportimi në shifra ka ndikim politik. Rritja e pagës minimale lidhet me konsumin e përditshëm dhe kjo tregohet edhe në shifra. Një problem tjetër mbetet që një pjesë e madhe deklaron pagën minimale e në fakt paguan më shumë. Paga minimale duhet të rritet kur kemi parasysh edhe varfërinë ekstreme të vendit. Çmimet rriten, ndërsa pagat jo. Kriza ekonomike ka bërë që të thellohet edhe më tej hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri. Këtë e tregojnë edhe statistikat. Gjatë krizës, të pasurit janë pasuruar më shumë, ndaj kërkohet një politikë e caktuar për të pasur një shpërndarje edhe më të drejtë. Nëse rritet paga minimale zvogëlohet hendeku mes atyre që janë në majë dhe atyre që janë në fund. Në vendin tonë hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve konsiderohet shumë i lartë. Kjo harrin në raportin 1 me 10 . Më kujtohet se në diktaturë ky raport nuk ishte më tepër se 1 me 3. Paga minimale është paga më e ulët që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj. Përveç shifrës në vlerë nominale më të ulët, ajo që penalizon punëtorët shqiptarë është se kjo pagë nuk përkon me shpenzimet dhe çmimet e produkteve e shërbimeve më të cilat përballen shqiptarët, që janë shumë më të larta se vendet e rajonit. Për këtë mjafton të përmendim vetëm çmimin e naftës, që është më i larti në Ballkan. Krahu i lirë i punës në vendin tonë dëshmon dhe një tjetër tregues negative. Kjo në fakt sjell mundësi më të mirë në thithje të investitorëve të huaj. Studimi më i fundit mbi nivelin e pagës minimale në vend, në Ballkan dhe në vendet e tjera të Evropës, referuar në burime zyrtare, tregon se niveli i pagës minimale në vendin tonë është shumë i ulët. Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë renditet i 36-ti nga 39 shtete me 347 euro. Kosova e 36 me 405, Maqedonia e 37 me 372. S’ka më keq ! E para Zvicra me 4421 euro

2- Po pagat mesatare? 
Shqipëria ka pagat më të ulëta mesatare në Evropë. Sipas të dhënave të përpunuara nga Wikipedia, bazuar në informacionet e marra nga FMN, Banka Botërore dhe institucionet përkatëse statistikore vendase, në Shqipëri, paga mesatare neto (pas taksave) është 347 euro në muaj, sipas të dhënave që janë përditësuar në tremujorin e parë 2017. Në këtë nivel, paga mesatare është më e ulëta në Evropë, me përjashtim të Bjellorusisë, Moldavisë dhe Ukrainës me 190 euro. Wikipedia i referohet të dhënave të INSTAT për pagën mesatare në sektorin shtetëror, që ishte 56,500 lekë në fund të tremujorit të parë, ndërsa të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se paga reale në ekonomi, përfshirë edhe sektorin privat është akoma më e ulët. Sipas INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas grup-profesioneve dhe gjinisë në fund të vitit 2016 ishte 45,845 lekë, pra rreth 334 euro bruto dhe 290 euro neto. Këtu ka ndikim edhe fakti që informaliteti i pagës në sektorin privat është shumë i lartë dhe një numër i madh subjektesh nuk deklarojnë pagën reale për të punësuarit e tyre (shënim i Monitor). Në krahasim me një vit më parë, paga mesatare në ekonomi ra me 2.1% në vitin 2016. Kosovë, paga mesatare neto është më e lartë se në Shqipëri, ajo luhatet në rreth 405 euro. Në rajon, sipas Wikipedia, pagën mesatare më të lartë e ka Mali i Zi, me 509 euro në muaj, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 439 euro, Bullgaria me 423 euro, Serbia 407 euro, Kosova 405 euro dhe Maqedonia 372 euro. Edhe e matur sipas metodës së fuqisë blerëse, ku të ardhurat përshtaten me shpenzimet e jetesës, paga në Shqipëri është sërish më e ulëta në Evropë, me rreth 1000 dollarë. Madje në këtë renditje, Shqipërisë ia kalon edhe Bjellorusia, që ka pagë mesatare më të ulët sesa ne. Më të lartë pagën sipas fuqisë blerëse e kanë Mali I Zi, që me 1422 dollarë ia kalon edhe Portugalisë, Bullgarisë dhe Rumanisë dhe Kosova (1251), që ia kalon dhe Serbisë e Bosnjës. Në të dy këto shtete, kosto reale e jetesës është më e lirë, rroga është më e mjaftueshme për të blerë produkte të ndryshme, në krahasim me Shqipërinë, apo shtete të tjera të rajonit. Në Evropë, vendi ku ke mundësi të marrësh më shumë të ardhura përmes pagës është Zvicra me 4,421 euro në muaj, të ndjekura nga Islanda me 3,430 euro, Norvegjia (3,405), Danimarka (3,270), Luksemburgu (3,159), Suedia (2,713). Kjo është gjendja . Shifrat janë kokëforte . Pse kaq keq ? Me këto probleme të merret politika e jo me fjalë pa “bereqet” me the e të thashë me të cilat jemi ngopur ditë dhe natë .

3- Pse kjo gjendje e dëshpëruar?
Këtë shqetësim kam pasur, që nga koha kur arrita të kuptoj për botën, shtetet, regjimet, ekonominë, politikën. E njoh mirë historinë e vendit tim, mbasi për të kam studiuar. Jam i shqetësuar: “Pse punët në vendin tim ecin keq?” Unë di që vendi im është mjaft i begatë. Me një klimë për t’u admiruar! Edhe pse me një sipërfaqe pak më tepër se 28.000 km2, rrallë gjen të ndërthurura malet, kodrat, fushat, luginat, lumenjtë, liqenet, detet! Me pasuri mbi e nëntokësore, që s’i gjen diku tjetër! Pse kaq të varfër atëherë? Pushtimi 500-vjeçar otoman na la shekuj pas, në krahasim me shumë shtete të tjera të Evropës. Ai ndoqi një politikë: “Përça e sundo”. Më tepër se gjysmën e popullsisë e ktheu në myslimanë, të tjerët mbetën të krishterë, por ky popull nuk u shkombëtarizua. Nuk humbi identitetin e tij. Ruajti gjuhën, kulturën, zakonet, traditat. Kjo ishte merita e tij! Pas Pavarësisë, kemi luftën e Parë Botërore. Vendi ynë u kthye në shesh lufte. Iu bënë shumë padrejtësi nga qëndrimet shoviniste të shteteve fqinjë për zaptim tokash. Gjendje e mjerueshme! Regjimi zogist na la në një shtet feudalo-borgjez. Ekonomi shumë e prapambetur, kur Evropa kishte mbi një shekull që kishte kaluar në marrëdhëniet kapitaliste. Regjimi diktatorial 45-vjeçar me “mburrjet” e tij: Shqipëria “fanar ndriçues” në brigjet e Adriatikut, përfundoi në skamje e mjerim. Po në demokraci? Kemi 27 vjet që jetojmë një politikë konfliktuale midis forcave kryesore politike. Kur bëjnë fushatë, çfarë s’premtojnë! Do ulim taksat, do rritim pensionet, do bëjmë këtë dhe atë! E kanë pasur nga 12 vjet pushtetin, si e majta dhe e djathta, pse na kanë mashtruar e s’i kanë realizuan…? Mendoj e shqetësohem! Pse në arritje jemi të fundit, kurse në të kundërtën jemi të parët. Fjala vjen: Në rritje ekonomike, korrupsion, drejtësi, nivelin e pagave, pensionet, turizëm, arsim, shëndetësi, mjedisin…e tjerë, zëmë vendin e fundit? Mjafton të përmendim se 46% e familjeve jetojnë me 5 USD në ditë. Në 25-vjet na janë larguar 40% e popullsisë, pra 1.2 milionë banorë! Deklarohet se 1 milion janë të pa punë. Më tepër se kaq janë pleq e fëmijë. Atëherë kush punon tek ne? S’ka më keq!
Sigal