Serbia masakruese e shqiptarëve- kërkohet të njohë pa kushte Kosovën

239

Dr. Qemal Lame

Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është me të drejtë temë e nxehtë e ditës për politikën e brendshme, si dhe asaj ndërkombëtare të angazhuara për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet serbo-shqiptare e ato ballkanike, evropiane e amerikane. Serbia natyrisht kërkohet të reflektojë në të kaluarën dhe të reagojë më e ndërgjegjshme për realizimin sa më parë të marrëveshjes me Kosovën. Është vetë Serbia, në radhë të parë, që ka të nevojshme marrëdhëniet normale me Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Integrimi evropian ka qartësuar domosdoshmërinë e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, si kusht për anëtarësimin në bashkësi. Evropa nuk pranon politikën e vjetër shoviniste të Qeverisë dhe Kushtetutën e Serbisë që vazhdon në mënyrë të paligjshme të ruajë formulimin, se Kosova është pjesë e Serbisë. Shqiptarët kanë treguar se janë të përkushtuar për marrëveshje, bashkëpunim dhe miqësi me serbët, por nuk pranojnë imponimin e interesave të njëanshme të Qeverisë së Serbisë, të cilat cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Me dëshirën dhe vizionin e së ardhmes së përbashkët, serbëve u janë njohur e garantuar me Kushtetutë e ligje të drejta e standarde nga më të lartat që njeh historia e deritanishme e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kujtojmë, se shqiptarët etnikë në Serbi, janë të nënvleftësuar dhe nuk kanë të garantuara në masën e nevojshme të drejta e tyre të domosdoshme. Njohja e përgjegjësive të së kaluarës dhe e realitetit politik e gjeografik aktual, mbetet sfida që kërkohet të përballojnë Qeveria dhe Parlamenti dhe Presidenti i Serbisë. Politikanët dhe populli serb është e domosdoshme të jenë më objektiv në kërkesat e tyre dhe të veprojnë më me përgjegjshmëri në marrëdhëniet e tyre me shqiptarët, të cilët i kanë masakruar, gjenociduar, shfarosur, shkombëtarizuar e dëbuar.

Për bërë më konkrete përgjegjësinë dhe sensibilizuar opinionin publik për domosdoshmërinë e reflektimit ndaj së kaluarës shoviniste, kujtojmë masakrat e realizuara në vitin 1912 nga Qeveria e Serbisë kundër shqiptarëve. Leo Freundlih, hebreu austriak, studioi krimet e kryera barbarisht nga Serbia dhe botoi librin “Golgota Shqiptare”, ku protestonte kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913, E njëjta ushtri vrau mbi gjysmë milion shqiptarë. Libri i tij “Akuza që ulërijnë” është dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian para atij hebraik. Mbi 250 mijë shqiptarë të masakruar vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtës e vitit 1912. Kopja e vetme e librit të Freundlih “Akuza që ulërijnë”, i cili përmban protestën ndaj Evropës që nuk reagoi në mbrojtje të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të pjesës më të madhe të popullit shqiptar në Ballkan, dihet se është gjetur në bibliotekën e Universitetit të Harvardit në SHBA, në vitin 1982, nga studiuesja Safete Juka, me banim në Amerikë. Shkrimtari hebre Leo Freundlih me banim në Vjenë është njëri ndër intelektualët e paktë që mbajti koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës, që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysmë milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. Krimet serbe janë makabre. “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundnin t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ata ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të” –i përshkruante masakrat mizore serbe ndaj shqiptarëve Leo Freundlich në librin “Golgota shqiptare, Vjenë 1913.

 

Në këtë libër dokumentohen edhe masakrat ndaj shqiptarëve në Maqedoni, për të realizuar kolonizimin me sllavë, si dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve të krishterë ortodoksë për të krijuar popullsinë sllavo-maqedonase. Nga dëshmitë e asaj kohe, vërtetohet se: “Afër Shkupit, 2000 shqiptarë myslimanë dhe 5000 të tjerë jo larg Prizrenit u masakruan. Shumë fshatrave u ishte vënë flaka dhe banorët e tyre ishin masakruar. Kur shtëpitë ishin kontrolluar për armë, shqiptarët vriteshin në mënyrën më të thjeshtë, edhe pse kurrfarë arme nuk kishin gjetur në shtëpitë e tyre. Serbët bënë të qartë se shqiptarët myslimanë duheshin zhdukur dhe çrrënjosur. Ata pohonin se kjo është mënyra më efektive për ta qetësuar vendin”. Pasi u krijua artificialisht popullsia sllavo-maqedonase dhe u falsifikuan regjistrat e statistikës demografike, Josif Broz Tito, në vitin 1945, krijoi padrejtësisht Republikën e Maqedonisë, duke diskriminuar shqiptarët në Maqedoni dhe bërë Kosovën pjesë të Serbisë. Masakrat e Serbisë kanë vazhduar me të njëjtën egërsi edhe në periudhën e ish-Federatës së Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj, në Serbinë e udhëhequr nga diktatori Sllobodan Millosheviç, deri në kohën që Kosova u çlirua me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.. Vuk Drashkoviç, udhëheqësit e Lëvizjes për Ringjalljen Serbe është distancuar nga politika shoviniste e gjenocidiste e Serbisë dhe me guxim ka ngritur zërin për të sensibilizuar popullin serb të indoktrinuar nga politika dhe feja zyrtare. Për këto arsye, ai ka theksuar se ka ardhur koha që Serbia dhe serbët të mësojnë të vërtetën. “Nuk ka asnjë serb i vetëm që është gjykuar në Hagë, dhe që në sytë e shumicës dërrmuese të njerëzve nuk është hero. Sllobodan Millosheviç është përgjegjës për politikën e humbjeve të tmerrshme dhe krimet. Ministrat e adhurojnë atë edhe në varr dhe thonë për të se ishte zgjedhur nga vetë Perëndia”, ka thënë ndër tjera Drashkoviç. Drashkoviç thekson se po heshtet në lidhje me të vërtetën, dhe se shumica e krimeve në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë janë kryer nga pala serbe. Me qartësi politike dhe ndjenjë përgjegjësie kombëtare, Drashkoviç thekson se Serbia duhet të pranojë humbjen dhe, se asgjë nuk mund të justifikohet. “Politika e re duhet të pastrohet nga politika e mëparshme e disfatës dhe krimit dhe të gjitha armiqësitë e luftës duhet të kthehen në miqësi. Këtë e kanë bërë gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore dhe e shohim se ku janë sot. Këtë duhet ta bëjë edhe Serbia. Serbia duhet që armiqësinë me shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët ta shndërrojë në miqësi. Sigurisht ende ka dhimbje për viktimat e bombardimeve të NATO-s, por numri i këtyre viktimave është shumë më i vogël se sa të themi, numri i viktimave të vrarë nga bombat serbe vetëm në Sarajevë. Për tre vjet, janë vrarë afër 12.000 civilë, nga të cilët më shumë se 2.000 fëmijë. Njohja e përgjegjësisë për krimet e së kaluarës do të ndërgjegjësojë politikanët dhe popullin serb për domosdoshmërinë e njohjes pa kushte të pavarësisë dhe shtetit sovran të Kosovës, bashkëpunimin me status të barabartë e pa paragjykime, nevojën e dobitë që do të kenë nga miqësia me shqiptarët autoktonë në trojet e tyre etnike dhe ndërtimin e të ardhmen më të mirë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Presidenti Aleksandër Vuçiç do ta ketë më të besueshme fjalimin që pritet të mbahet së shpejti para kombit serb, në fund të muajit qershor 2018, në rast se do të reflektojë me objektivitet në përgjegjësitë e së kaluarës, realitetin aktual, kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, pozicionimin e drejtë në marrëdhëniet tradicionale me Rusinë dhe Bashkimin Evropian, si dhe detyrat që ka shtruar koha sot për serbët dhe shqiptarët që të jetojnë në paqe e miqësi dhe të ndërtojnë të ardhmen me vizionin evropian.