Selman Meziu/ Butrinti përballë mafiozëve shkatërrimtarë

1244
Pas dhjetë vjet luftë të përgjakashme, Troja ra përfundimisht. Ishte viti 1104 para Krishtit. Trojani Enea la aty gruan e vrarë. Gjithashtu edhe shumë gjak nga plagosja në gju. Mori baban, plagëshumë, krahaqafë dhe fëmijën e tij për dore dhe u largua. Varkat e drujta me vela arrijnë në Butrintin ilirik. Porta e madhe pesë metërshe, me hark mahnitës gur latuar, u hap. Ai e quajti qytetin, Troja e dytë. Ndërsa portën e thirri Shea (sipas Virgjilit: Emigrantët e ardhur nga Troja). U mikëprit biri dardan me bujari. Jetoi disa dhjetëvjeçarë por sot kjo pasuri me vlera të pallogaritshme historike, natyrore e burim mirëqenie për popullsinë përreth, rrezikohet të shkatërrohet. Ky nuk është Enea legjendar. Jo ky është biri i këtij trualli. Socialistit Koço Kokëdhima. Edhe pse etimologjia e mbiemrit do të thotë: dhimbje koke. Në fakt atij ajo i prodhon ide shkatërrimtare. Një ide e re me rrënjë të vjetra i ka lindur. Të krijoi për vete e 15 biznesmenët një koperativë bujqësore. Po e realizon. Në Ministrinë e Bujqësisë doli fituesi i tendrit. Ky është një ndër deputetët që si dhemb koka për popullin. Por që i pjell prapështi për t’u pasuruar për vete. Kuptohet duke grabitur tokat, pasurinë e të tjerëve. Duke shkatërruar natyrën apo duke thurur plane e hartuar projekte për të rrëzuar ide e projekte të nivelit botëror. A e kuptuat tani apo jo? Kuptojeni se dardha e ka bishtin prapa. Ajo ka edhe dinakërinë. Edhe kafshimet gjak-derdhse. Për njerëzit, ndoshta vuajtje, ndoshta braktisje të trojeve, ndërsa për shpendët migratorë gjakderdhje, humbje jete, krim ekologjik, krim shkatërrimtar mjedisor e njerëzor. Enea derdhi gjak e shpalosi virtyte atdhedashurie e njerëzore, për qytetin e tij madhështor në kodrat e Bunarbashit në Azinë e Vogël. Ndërsa personazhi i sotëm politik, derdh dinakëri e vepron si pushtues i tokës së huaj. Si despot autokton. Lufton të vetët, në vend që të përkrah projektin e Bankës Botërore mbi Parkun Kombëtar të Butrinitit.
Cilat janë treguesit e vlerat e parkut?
Do të duhesh të ngjiteshim në shkallët e amfiteatrit të viteve 2000 për ta zyrtarizuar e ligjëruar: “…vlerat e larta shkencore, arkeologjike, turistike, shoqërore e rekreative, të cilat thuren me një biodivesitet natyralistik të rëndësisë kombëtare e ndërkombëtare”, (Zonë e mbrojtur natyrore, parqet kombtare të Shqipërisë, f. 115, Tiranë 2004) shpallet: “Park kombëtar arkeologjik”. Gjithashtu është zonë e trashëgimisë së UNESCO-s, si dhe Zona Ramser, mjedis ujor e tokësor për shpendët migratorë. Të tjerët e kishin vlerësuar 60 vjet të shkuara. “Në të vërtetë, shkruan arkeologu Guido Kalca, shpatet e kodrës së Butrintit shquhen me vështrimin e parë për një vegjetacion të mrekullueshëm, të dallueshëm nga kodrinat përreth (Le vie d’italia f. 647-648. Agosto 1943). Ndërtimi i tij në mes dy lumenjve, Bistricë e Pavllos, (në antikitet Xanta e Simoenta) është tregues i historisë së ngjashme të një populli shumë të lashtë, por plot respekt për kulturën, natyrën, qytetërimin, sepse edhe Mesapotamia e lashtë ka qenë ngritur në mes lumenjëve Tigri e Eufrati, (Iraku i sotëm). Kujtojmë qytetet egjiptiane pranë Nilit, lulëzimin e tyre të cilin e kemi zili sot. Prandaj “Butrinti, qendër antikiteti në Shqipërinë Jugore, në mes lagunës me të njëjtin emër, ngjitur me kanalin e Korfuzit, në kufirin e sotëm me Greqinë. Themeluar sipas traditave të shkruajtura nga Eleni, djali i Priamit. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë një mur rrethues, akropolin, amfitetatrin dhe statuja prej mermeri (Enc. di gjeogr. f.207 Novara 1996). Në zonën natyrore veçanërisht të mbrojtur, ndodhet dhe Kanali i Çukës, gjiri dhe ishujt e Ksamilit, ku përveç bimësisë mesdhetare mjaft të pasur, nën ujë rriten bimët: ‘Halophyla stipulacea’ dhe ‘Pina nobilis’. Ndërsa në rrethinat e qytetit antik, tanimë të zbuluar pothuajse plotësisht, ruhen njolla tipike të florës mesdhetare, ku vegjetojnë Ilqe (Q. ilicis), Rrënja (Q. ruber), Verriu ( A. glutinosa), Vidhi (U. campestris), Frashëri (Fr. Angustifolia), Dafina (L. nobilis) etj. Rriten mjaft shpendë dhe inskete. Në ujërat e ëmbëla rritet edhe lundërza. Ndërsa në zonën ‘Pagane’, Kepi i Stillos, krahas bimësisë së shumëllojshme rritet edhe një lloje breshke (Testuda maginata). Me karakteristika bilologjike e morfologjike të veçanta. Tokat buzë detit, janë shpallur pjesë e parkut si vend pushues i shpendëve të ndryshme që kthehen në pranvere në këto zona ose që në vjeshtë largohen, si vend pushimi, ngrënie e shlodheje të përkohshme. Peizazhi natyror sëbashku me atë ujor, reflekse e dhuratë e natyrës janë të domosdoshme për jetesën e banorëve të ndihmuara nga bujqësia e blegtoria. Të gjitha këto duhet të vihen në dispozicion të turizmit që ka peshë të rëndësishme falë zbulimeve arkeologjike të kryer nga ekspedita italiane 1927 – 1935 dhe ajo shqiptare më pas. Ruajtja e tyre, mbështetja e këtyre burimeve natyrore, arkeologjike, në projekte serioze, të kryera nga ekspert kombëtar e ndërkombëtar përbën motorin e një zhvillimi të gjithanshëm të fshatrave Xarë e Musri. Dhe për mbajtjen të paprekura të 13500 ha sipërfaqe pyjore, ujore, tokash bujqësore e sipërfaqe me vlera arkeologjike dhe të gjitha së bashku do të sillnin, vërshime turistësh dhe mirëqenien e banorëve.
Sadizmi politik dhe miopia
Në kuadrin e një fushate të egër e të tensionuar, Kokëdhima merr inisiativën të nxjerr nga sirtarët e vjetër një metodë qeverimi të gjysmës së shekullit të kaluar. Të zbatuar me ‘shumë sukses’ në Shqipëri. Me kthetrat e tij të një pushtetari e politikani, hedh poshtë projektin e fuqishëm të Bankës Botërore dhe e merr me konçesion gjithë tokat bujqësore, të cilat parashikojnë heqjen nga fondi i Parkut Kombëtar të Butrinitit të tyre. Dhe tjetra që është ende më provokuese, shkatërruese natyrale dhe ekonomike, tharjen e gjithë ligatinave prej disa dhjetra hektarësh të brezit bregdetar pranë Butrintit dhe kthimin e tyre në tokë bujqësore. Pra nëse “fshatarët t’i lejnë për natyrën dhe shpendët migratore tokat e tyre që mbulohen nga batica e detit”, thuhet në letër dërguar Bankës Botërore në janar 2015. Latifondisti Kokëdhima i than ato krejtësisht duke kryer bonifikimin e tyre, rrjedhimisht nuk do të kryej funksionin si bazë migratore e mijëra e mijëra shpendëve. Pra ai është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare mbi ruajtjen e shpendëve migratorë, kjo marrëveshje është firmosur në Iran më 1971 nga 138 vende nga mbarë bota. Ndërhyrjet në park kryejnë një çorganizim në mbarëvajtjen natyrale e ndërhyrjet silvikulturore të personelit pyjore administrator duke zvogëluar fondin e gjelbërt, paralizuar veprimtarinë e prodhuese e mirëmbajtëse të parkut. Dhe ja, disa media raportuan javën e kaluar me imazhe të qarta të prerjeve të drurëve brenda hapësirave arkeologjike, me qëllim të shitjes së tyre në Sarandë, Mursi dhe Xarrë. (Letër, po aty). Fshatarësia ndihet e revoltuar për këtë ndërmarrje të pa studiuar grabitëse e të pandershme ndaj tyre dhe nga kjo ndodhën edhe disa protestat që u bëmë të dhunshëm prej policisë lokale, që u përpoq t’i frikësonte. Kuptohet qartë revanshi i Koços është i përmasave të mëdha, i rrënimit të gjithanshëm, mjedisor, kulturor, jetesës së bashkëfshatarëve. Qeveria edhe pse nga Banka Botërore ka disa muaj që pret përgjigje, nuk tundet nga vendi, por me dashje ka rrëshqitur krejtësisht në korrupsion, duke pregatitur, një katastrofë ekologjike, arkeologjike dhe ekonomike. Si do ta ndalim oreksin oktapodian të deputetit të kësaj krahine?
Ndal revanshit 
Natyra përqark këtyre kodrinave megjithë elementët e saj, ka qenë e pranishme, e respektuar, burim mirëqenie, shëndeti dhe arti. Dhe ja disa shembuj: Batistero Bizantino ka 16 kollona graniti, dyshemeja e gjitha mozaik që paraqesin edhe kafshët. (L.Ugolini, L’Ant. Alb., f. 67. Roma 1927). Dhe më tej vazhdojmë leximin: Dy kaproj në një çezmë, një vazo ku skaliten degëza me vila rrushi e gjethe, ku në këto pushojnë dy pallonj me bukuri mahnitëse (Ugolini, f. 66- 70). Këto janë dokumente, dëshmi të pakundërshtueshme të pasurive natyrore që ndodhen përreth qytetit, në epokën Bizantine afërsisht dymijë vjet më parë. Të krijuara me frymëzim nga artistët e atëhershëm marrë nga natyra e pasur dhe e bukur që gjendej në rrethinat e këtij qyteti në lulëzim të plotë. Tregues i nivelit kulturor të këtij vendbanimi. Prandaj UNESCO e ka futur në statusin e saj në mbrojtje e si pasuri trashëgimore botërore. Këto pasuri të çmueshme historike duhen ruajtur, duke mbrojtur e respektuar natyrën përreth sipas normave, statuteve ndërkombëtare dhe jo sipas orekseve e koncepteve arkaike te politikaneve të sotëm, në rastin konkret Kokëdhima. Duhet që gjithsecili të ushqehet e shëmbëllejë epokave të lashta, kur natyra është ruajtur, respektuar e shërbyer si burim estetik, shpirtëror por edhe mirëqenie materiale e burim jetese. Kështu që edhe në këtë rast fshatarët e Xarrës, Mursisë dhe banorët e Sarandës dhe më gjerë, duhet të mbrojnë këto interesa, të cilat janë udhëhequr e vendosur nga Banka Botërore dhe UNESKO. Kjo është në dobi të të gjithëve kur me një politikë të drejt nëpërmjet projekteve, silvi kulturore, bujqësore, mbarështimi të shpendëve, kafshëve të tokës e ujërave, hapësirave arkeologjike, pra mbarë ekosistemi të funksionojë si një i vetëm. Pikërisht kështu ai zhvillohet në harmoni të plotë me interesat e banorëve përqark. Këto janë dy argumentet bazë, ku duhet të mbështetet lufta me të gjitha format kundër revansheve gllabëruese të politikanëve të sotëm që sjellin vetëm shkatërrim të mjedisit natyror dhe atij arkeologjik. Kjo mund e duhet të realizohet kur të përfshihen strukturat shtetërore, politike nga baza deri në qendër me një luftë frontale e me efikasitet deri në shembjen e ideve, projekteve e orekseve të këtij deputeti të zonës së bashku me kryetarin e komunës së Xarrës Dhimo Koten. Pasuria natyrore mijëra hektarshe, tre muret rrethuese historikisht me kufij kohorë qindravjeçarë, me shtatë portat gjigande, akropolin, mozaikët, teatrin, kalatë veneciane dhe ajo e Ali Pashe Tepelenës, duhet të ruhen me kujdes, të administrohen si pasuri mbarëkombëtare, në unitet me pasuritë natyrore dhe peizazhet e larmishme. Të gjitha këto janë burim të ardhurash e mirëqenie ekonomike për vendasit. Enea me bashkëqytetarët u larguan, sipas poetit të madh Virgjilit (70 p.k – 19 p.k) drejt Italisë ku ngritën qytete të tjera, ndërsa Butrintin e lanë në lulëzim të plot. Kështu që duhet të ndalojmë cilindo qoftë që të dëbojë popullsinë duke i mbjellë skamjen e mjerimin e të jetoi këtu vetëm Koçua me një grusht njerëzish. Pra ky kërkon të bëjë të kundërtën, pas mijëra vjetësh. 
Bibliografia:
1. La luce di duemila anni, p.5-37 in: Il giarino d’Esculapio. Milano 1930.
2. M. Dida, N. Dragoti, G. Kromidha, Gj. Fierza: Zonat e mbrojtura natyrore; parqet kombëtare të Shqipërisë, Tiranë 2004.
3. L’Acropoli di Butrinto, Guido Calzo in. Le vie d’Italia p.647-652 Milano 1943.
4. Rrezikohet integriteti i Parkut Kombëtar të Butrintit dhe statusi i UNESCO-s, gazeta “Telegraf”, 13.04.2015.
5. Luigi M.Ugolini, L’Antica Albania, Roma 1927.
Sigal