Prof. Tritan Kalo/ Të fundit që ndërtojmë një shoqëri demokratike

177
“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” (S. Frashëri)… Këto tre komponentë kohore ka edhe e shumëfolura “Reformë në Drejtësi”. Në konceptin genetik, duhet presioni i tre brezave, që një ndryshim i jashtëm, fenotipik, të ndikojë në një ndryshim të brendshëm, genotipik, me një fjale duhen tre breza që “Vesi = Drejtësi e vonuar = Drejtësi e cenuar = Drejtësi e munguar”, të bëhet një Drejtësi Normale, që ne të kemi një shoqëri ku Ligji të jetë i Barabartë për të gjithë, që Partitë apo Forcat e ndryshme politike si dhe Mafia, të mos mundën të influencojnë mbi këtë Drejtësi…DURIM vëllezër e motra shqipfolës të ALBANISTANIT, sepse kështu si e kemi nisur më 31.03.1991 dritën jeshile në fund të tunelit të tranzicionit, do të kemi shansin ta shohim në krye të 75 viteve të tjerë…Kalojnë shumë shpejt, sikundër kaluan 25 vitet e para të “zhagitjeve demon-kratike”, ku ne punuam e luftuam për një sistem të ri socio-politiko-ekonomik me më shumë frymëmarrje dhe dobiprurje për të gjithë, por që solli vetëm pasurimin e një pakice nëpërmjet krimit, korrupsionit, drogës, prostitucionit, ryshfetit, tjetërsimit të pronës, tenderave e konçensioneve, e ndërkohë popullata e vendit nën “rrëzitjen e dritës së zhvillimit demon-kratik”, pati një “avullim” në një të tretën e saj, si dhe varfërim, tharje të të ardhurave…

Në këto 75 vitet e tjera të “studimit, sqarimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi”, pasunarët e sotëm, “ish-brekëgrisurit e djeshëm”, do ta shtojnë dhe mbarështojnë edhe më shumë pasurinë e tyre dhe për ne xhepat do të na mësohen sikundër tani të kenë “peshë të lehtë”…Ne “trimat luftëtarë”, që “të marrim gjak në vetull”, që “vrasim shoqi-shojn për një fjalë goje, për një tullë muri apo për një hu gardhi” do të vijojmë të kënaqemi duke bërë lloqeboshe rreth filxhanit të kafesë apo gotës së rakisë, si dhe duke diskutuar në pafundësi për “birbot e politikës”, apo “qarë hallet e botës”…Bizantinizmi i mendjeve dhe shpirtrave tanë do kohë të çrrënjoset dhe ne të emancipohemi, si një gjindje me të kaluar jo pak të lavdishme, por me një të tashme shpejt për t’u harruar, si dhe me shpresën, eh ku e ka adresën kjo e shkreta shpresë, se do ta gjejmë më së fundmi udhën e duhur, në të cilën duhet jo të ecim, por të vrapojmë për të fituar kohën e humbur!…Zgjohuni nga gjumi, nga letargjia ju bashkëkombësit e mi!…Ikën koha e pakthyeshme dhe duhet të fillojë të na skuqet sadopak cipa e fytyrës, sepse ishim të fundit që u larguam nga Perandoria Osmane, ishim të fundit që shembëm sistemin totalitar dhe jemi përsëri të fundit në Europë, që po ndërtojmë një shoqëri me tipare dhe frymëmarrje demokratike!