Prof. Pëllumb Xhufi / “Papagajtë e politikës” dhe politika e vërtetë

97

“Hani pini e rrëmbeni/mbushni xhepa mbushni arka/ të pabrekë ju gjeti dreka/ milionerë ju gjeti darka!

Këto ditë doli në qarkullim libri publicistik i Prof. Ago Nezha, “Papagajtë e politikës”. Në këtë libër autori bën prezente para lexuesit problemet e politikës shqiptare në 23 vjet demokraci, kritikon ashpër qeveritë postkomunsite, që gënjejnë popullin, luajnë me fatet e tij, por edhe të atdheut. Libri ka një frymë patriotike pasi mbështet në analiza konkrete të gjendjes ekonomiko-shoqërore-politike të vendit, ku ai më asnjanësi, por me korrektesë intelektuale dhe përgjegjësi kritikon fjalët boshe të politikanëve sidomos të qeverisë së fundit, ku gjithë puna e saj sidomos dy vitet e fundit ka qenë zhgënjim dhe demagogji.

Mendimet

Dy mendime më erdhën menjëherë pas leximit të këtij libri të ri të Prof. Ago Nezhës. U mundova të përfytyroj se ç’do të mendonte për të një lexues i pas 100 vjetëve. Me siguri do të mendonte se gjenerata jonë do të ketë qenë shumë e palumtur dhe e pakënaqur nga politika dhe nga cilësia e lirisë dhe e demokracisë që ajo politikë i ofroi. Në fakt, ky libër është para së gjithash një kritikë e mprehtë e fshikulluese ndaj politikës dhe politikbërjes së këtyre 20 vjetëve e ca pas rrëzimit të sistemit monist. Politika, thotë Ago Nezha, i ka përdorur dhe i ka shpërdorur aq keq këta vjet të një demokracie të shpresuar por të tradhtuar, saqë njeriut të sotëm i ka lindur një dilemë: a mos vallë ishim më mirë, kur ishim më keq? Në fakt, kjo dilemë është objekt i një libri tjetër të ri të Prof. Nezhës, që do të mbajë pikërisht titullin: “Ishim më mirë, kur ishim më keq”. Por le t’i kthehemi titullit të librin që prezantojmë sot dhe që është po aq domethënës (Ago Nezha shquhet në fakt në gjetjen e titujve tejet efikase për librat dhe për artikujt e tij të botuar në shtypin e përditshëm). Libri mund të quhet një analizë me shumë pamje e mizerjeve të përditshme të demokracisë shqiptare. Ai përbëhet nga një numër i madh shkrimesh, të botuar e të pabotuar më parë, që analizojnë secili aspekte të ndryshme të realitetit të Shqipërisë post-komuniste, aspekte të politikës, të ekonomisë, të moralit, shoqërisë, kulturës, diplomacisë etj., etj.. Secili nga titujt e këtyre shkrimeve mund të ishte përfaqësues dhe të shërbente si titull i krejt librit. Por autori Nezha ka zgjedhur si të tillë titullin e shkrimit “Papagajtë e politikës”. Dhe jo pa qëllim, mendojmë ne, sepse ky shkrim bën fjalë për një nga shfaqjet më negative e dëshpëruese të realitetit politik sot: flet për ata politikanë të rinj, djem e vajza, të cilët janë pritur plot shpresa nga opinioni publik, i lodhur nga “veteranët” grindavecë e gojështhurur të politikës. Por fatkeqësisht, edhe këta djem e vajza të reja, që shpesh herë vijnë nga universitete të huaja dhe me emër të madh, degjenerojnë shumë shpejt dhe vihen në garë për të imituar në të keq, në sharje, fyerje e ulërima shefat e tyre. Dhe përsëritja e këtij cikli vicioz do të thotë se edhe për shumë vjet duhet ta humbim shpresën, do të kemi të njëjtën politikë e të njëjtët politikanë.

Rrugëtimi 20-vjeçar

Libri i Ago Nezhës është një ndjekje këmba këmbës që ai i bën rrugëtimit të Shqipërisë në këta 20 vjet të demokracisë. E thamë qysh në fillim, politika e kësaj periudhe nuk jep shkas për të folur fort mirë për të. Si një qytetar i angazhuar dhe i përgjegjshëm, jeta e të cilit ndahet mes periudhës së diktaturës dhe asaj të demokracisë (apo demokraturës), Prof. Ago Nezha nuk mëton ta akuzojë klasën e politike të ardhur pas vitit 1990, e cila shpërdoroi besimin dhe shpresat për ndryshim që shumica dërrmuese e shqiptarëve vendosi mbi të. Ai citon, me këtë rast, një thënie proverbiale të Zhozef Koradis, sipas të cilit, “në çdo kthesë të shoqërisë njerëzore, pushteti bie në dorë të fanatikëve, mendjengushtëve, intelektualëve dështakë dhe batakçinjve”. Në fakt, autori na kujton disa nga “thagmat”, me të cilat u prezantuan përpara publikut shqiptar të etur për ndryshime, politikanët e rinj të periudhës së re të demokracisë, që e shushatën publikun dhe e rrënuan ekonominë me idetë e tyre të çmendura mbi “terapinë e shokut” e mbi “çekun e bardhë”, që miratuan ligje si ai 7501, që inkurajuan zhvendosjet masive e të pakontrolluara të popullsisë, duke mbjellë konflikte e duke komprometuar sot e për shumë kohë paqen dhe kohezionin social. Si specialist i njohur i shkencave bujqësore, Prof. Ago Nezha kujton me dhimbje masakrimin e blloqeve me agrume e ullishte të Lukovës, Ksamilit e Jonufrës, plantacionet e fiqve të Beratit, më të mëdhatë në Evropë, shkatërrimin e plantacioneve masive të mollëve në Kastriot të Dibrës apo në Dvoran të Korçës, të vreshtave në Shtoj të Shkodrës. Ai na sjell edhe njëherë në mend rrafshimin e pyjeve të Lurës e të Pukës, rrënimin e stacioneve moderne për rritjen e gjedhit, djegien e Institutit Bujqësor e të Bibliotekës elitare të tij. E njëjta pamje e kobshme u ofrua në ato vite edhe në fushat e tjera, me fabrika, kombinate, miniera të braktisura e të plaçkitura deri në tullën e fundit; me shkolla, çerdhe e spitale të shkatërruara. E të gjitha këto ndodhën para syve indiferentë, madje dhe inkurajues të politikanëve-teoricienë të nivelit zero.

Politika zero dhe militantët pa shkollë. Politika deshte të fillonte gjithçka nga fillimi: deshi të krijonte një klasë të re sipërmarrësish e drejtuesish të aktiviteteve ekonomike, por nuk i zinte besë kuadrove të përgatitur në shkollat e komunizmit, dhe ua la në dorë ekonominë njerëzve pa shkollë e pa skrupuj, por militantë të partisë në pushtet, ua la në dorë ekonominë kapterëve, shoferëve e kamerierëve. Këta ishin kapitalistët shqiptarë, të cilët, vetëkuptohet, nuk mundën të krijonin veçse ekonominë dhe kulturën e turpshme të kioskave e të piramidave, e cila nga fusha e ekonomisë tani është shtrirë edhe në fushën e arsimit. Ky 25- vjeçar i parë i demokracisë, na thotë Ago Nezha, do të kujtohet kryesisht për rrënimin e kapaciteteve kolosale në industri, bujqësi, energjetik, miniera, në shkolla, etj.. Në të kundërtën, njeriu e ka vështirë të kujtojë ndonjë fabrikë, uzinë, hidrocentral të ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Të shumëpërfolurat reforma në ekonomi, që do të sillnin ndërtimin e një ekonomie e të një tregu funksional, përqëndrohen vetëm në një aktivitet të vetëm, në atë të privatizimeve e të shitjes së pasurive të vëna me gjakun e djersën e shqiptarëve. Janë shitur për pesë grosh toka, ndërtesa, fabrika, depo, banka, pyje, ndërmarrje, hidrocentrale, reparte ushtarake. Shitja e çdonjërës prej tyre, thotë autori, është një histori më vete korrupsioni.

Përgjegjësia

Thënë kjo, Ago Nezha e drejton lenten e analizës së tij tek përgjegjësi i kësaj kryesor i kësaj gjendje: tek politika, tek institucionet dhe tek sistemi i përçudnuar i ngritur prej saj dhe që ka në qendër politikanin e sotëm të karakterizuar nga egoizmi, cubllëku, ambicia për para e pushtet, mungesa e moralit kombëtar. Motua e jetës së politikanëve janë, sipas Ago Nezhës, vargjet e njohura denoncuese të Ali Asllanit: “Hani pini e rrëmbeni/mbushni xhepa mbushni arka/ të pabrekë ju gjeti dreka/ milionerë ju gjeti darka! Për të përjetësuar vetveten, këta politikanë janë përpjekur të injektojnë fanatizmin politik, fetar, krahinor për të ndarë shqiptarët në llogore dhe për të krijuar kështu feudet e tyre të përjetshme. E kanë ndarë Shqipërinë në Shqipërinë blu e atë rozë, në Shqipërinë e nënës dhe në Shqipërinë e njerkës, duke injoruar e neglizhuar njërën e duke mikluar tjetrën sipas alternimit në pushtet. Klasa politike, thotë Autori, është sëmurur keq nga dy të këqija të mëdha: nga etja për pushtet dhe etja për para. Për të, politikani i sotëm nuk ndalet as përpara humnerës. Për para e për pushtet ai braktis çdo parim ideologjik, moral e profesional, dhe kështu shohim politikanë që shajnë e shqyhen në porno-parlamentin tonë, që kalojnë nga një krah i politikës tek tjetri pa asnjë motiv tjetër, veç atij të ruajtjes së privilegjeve e të interesave personale. Shohim ministra mjedisi, që firmosin pa u dridhur dora projekte për ndotjen e ambientit, për shkatërrimin e pyjeve, për ngritjen e guroreve dhe fabrikave të çimentos, duke shkelur me këmbë çdo normë morale, profesionale e ligjore. Korrupsioni është kthyer në lubrifikantin që vajis ingranazhet e mekanizmave të një qeverisjeje të përçudnuar. Ago Nezha e krahason korrupsionin me një pyll të harlisur, të cilit tashmë s’kemi ç’ti bëjmë më shumë se sa të përpiqemi ta rrallojmë pak nga pak, duke u përpjekur të vendosim ligjshmërinë, së cilës politika e amoralitetit dhe ekonomia e krimit dhe e informalitetit, i trembet si tymi nga temjani.

Dëmet

Ndër dëmet, që ka sjellë kjo lloj politike, autori Ago Nezha përmend edhe atë të përmbysjes së vlerave dhe të prishjes së moralit, që reflektohet në qëndrimin ndaj njeriut në përgjithësi e ndaj femrës në veçanti, në qëndrimin ndaj punës, në prishjen e familjes, në shitjen e dinjitetit dhe, theksojmë, në mungesën e një morali kombëtar. Kjo pikë e fundit e mundon më së shumti Prof. Ago Nezhën, i cili si intelektual dhe si drejtues i një shoqate të madhe patriotike kombëtare, siç është shoqata “Labëria”, ka denoncuar sistematikisht dhe me forcë aktet imorale dhe antikushtetuese të shitjes së interesit e të dinjiteti kombëtar nga klasa politike shqiptare.