Prof. Dritan SPAHIU/ A e kemi “shpëtuar” ne Ajnshtajnin nga nazistët?

1414
Sigal

Në këtë vit që po mbyllim, në shtypin tonë të shkruar si dhe në anglisht, por edhe në një film dokumentar të përgatitur nga RTSH, bëhet fjalë për  një vizitë të hamendësuar të Ajnshtajnit në Shqipëri, për pajisjen e tij me pasaportë shqiptare, duke i dhënë një dokument që ai e ka përdorë për udhëtimet e tij nga Europa në Amerikë dhe kështu thuhet se ne e kemi “shpëtuar” nga nazistët. Por në fakt këto shkrime janë të mbushura me të pa vërteta dhe trillime, që i serviren publikut shqiptar, por edhe të huajve. Thuhet se në vitin 1931 Ajnshtajni ka qenë i rrezikuar nga nazistët, të cilit i paskan rrëmbyer pasaportën e tij gjermane dhe i kanë bllokuar paratë në bankë. Këto janë krejtësisht të pavërteta; dihet se nazistët kanë ardhur në pushtet në mars të vitit 1933 dhe Ajnshtajni deri në prill të atij vitit ka qenë anëtar i Akademisë Prusiane të Shkencave dhe punonte në mes të Berlinit, kryeqytetit të Gjermanisë, me kushte shumë të favorshme. Ai ishte njëherazi edhe profesor i Universitetit të Berlinit dhe si profesor ai ishte krejt i lirë të mbante leksione për probleme të Fizikës moderne jo në mënyrë të detyruar, por si të dëshironte ai vetë. Këto masa favorizuese iu dhanë Ajnshtajnit në mënyrë që ai të punonte krejtësisht i lirë për studimet e veta shkencore. Këto privilegje ai i pati të paprekura deri më 1 prill të vitit 1933, ditë kur nazistët filluan bojkotin e plotë të hebrenjve në Gjermani. Ai është lejuar të shkonte 3 muajt e dimrit në Amerikë nga viti 1930 deri në vitin 1933 pa u penguar nga askush, duke u pajisur me vizë nga konsullata amerikane, e cila ia çonte dokumentet e udhëtimit në shtëpi. Pra askush nuk beson se para vitit 1933 Ajnshtajni paska qenë i rrezikuar nga nazistët dhe ne shqiptarët e paskemi shpëtuar atë. Me rastin e 50 vjetorit të lindjes së Ajnshtajnit, më 1929, Bashkia e Berlinit deklaroi se do t’i bënte dhuratë një vilë që do të ndërtonte ajo në periferi të Berlinit me fondet e saj. Meqenëse gjetja e fondeve po vonohej Ajnshtajni e falënderoi Bashkinë për qëllimin e mirë  dhe me leje të rregullt e ndërtoi vetë vilën. Pra nuk mund të pranohet thënia se Ajnshtajni paska qenë i rrezikuar kur në këtë periudhë ai ka ndërtuar vilën në një zonë të bukur të Berlinit. E vërteta është se Ajnshtajni është rrezikuar nga nazistët pas datës 1 prill të vitit 1933, kur ai dha dorëheqjen nga Akademia Gjermane dhe kur la nënshtetësinë gjermane; që nga ajo kohë nuk e ka përdorur as pasaportën gjermane, të cilën nuk ia ka rrëmbyer askush, sepse Ajnshtajni nuk hyri në Gjermani pas janarit të vitit 1933. Pas kësaj date filluan rreziqet e vërteta të Ajnshtajnit tashmë nga nazistët në pushtet. Si hap të parë ata i konfiskuan shtëpinë dhe gjithçka gjetën brenda; gjithashtu i konfiskuan llogaritë bankare me pretekstin se këto pasuri do të përdoreshin për të financuar një organizatë komuniste; artikujt dhe librat e Ajnshtajnit u dogjën në një shesh pranë godinës së Operës së Berlinit, së bashku me libra të ideologjisë komuniste. Në maj të atij viti u botua në Gjermani një album me fotografitë e kundërshtarëve të nazizmit, i cili hapet me fotografinë e Ajnshtajnit dhe poshtë saj shkruhej: “Akoma nuk është varë”. Qeveria gjermane pati vënë shumën prej 50 mijë markash gjermane për atë që do ta vriste. Pra sapo u kthye Ajnshtajni nga Amerika në mars të vitit 1933 filluan rreziqet e vërteta për jetën e tij, por rreziqe të tilla ai nuk ka pasur më parë. Mbrojtjen e tij nga këto rreziqe ia siguroi Familja Mbretërore e Belgjikës, duke e strehuar në një vilë në bregdetin e fshatit Lë Kok, ajo i ka siguruar Ajnshtajnit një mbrojtje të plotë 24 orëshe me dy bodigardë që e ruanin vazhdimisht. Pra Ajnshtajni ishte i sigurt dhe nuk kish nevojë për ndihmë tjetër. Ajnshtajni në viti 1901 ka marrë nënshtetësinë zvicerane dhe e ka ruajtur atë deri sa ka vdekur në vitin 1955. Ai thoshte se jam krenar që jam nënshtetas zviceran, si qytetar i republikës më të vjetër të Europës. Në tetor të vitit 1933 ai ka përdorur pasaportën zvicerane kur ka hyrë në Amerikë. Ky ka qenë udhëtimi i fundit i Ajnshtajnit nga Europa dhe ai nuk është kthyer kurrë më në Europë. Këto janë të vërtetat e jetës së Ajnshtajnit në vitet 1930–1933. Ato janë paraqitur shumë saktë në biografinë e Ajnshtajnit të shkruar nga fizikani i njohur Filip Frank, mik i afërt i Ajnshtanit, që e ka botuar këtë libër në të gjallë të Ajnshtajnit dhe që është përkthyer edhe në shqip. Në qoftë se në këtë libër do të kishte të pavërteta Ajnshtajni nuk do ta kishte miratuar botimin e këtij libri. Bota flet duke i argumentuar  thëniet me fakte. Ajnshtajni deri në vitin 1933 nuk ka pasur fare nevojë për ndihmën e askujt. Prandaj në qoftë se ne u themi të huajve “historira” të tilla se Ajnshtajni ka ardhur në Shqipëri, (në mënyrë krejt të fshehtë), se ka marrë një pasaportë shqiptare dhe kështu ne e kemi ndihmuar atë me një dokument identifikimi që i mungonte për të shkuar në Amerikë, të huajt, në rastin më të mirë, me një buzëqeshje na kthejnë shpinën dhe ne duhet ta kuptojmë gjestin e tyre. Këto sajesa dhe thënie krejt të pa vërteta nuk na bëjnë ne shqiptarëve që të krenohemi. Prandaj unë mendojë se “Atdheu ynë i dhembshur”, siç thoshte i madhi Lasgush Poradeci, nderohet nga ata që thonë të vërteta dhe jo nga ata që flasin me vite të tëra për gjëra të pa vërteta, pa sjellë asnjë argument të saktë. Deklarata të tilla të bujshme se Ajnshtajnin e kemi ndihmuar dhe e kemi shpëtuar ne nga rreziqet që po i vinin atij nga nazizmi nuk na bëjnë krenar para botës. Përkundrazi insistimi për këto pretendime të pavërtetuara bën efektin e keq se të tjerët do të na konsiderojnë mashtrues dhe falsifikator. Vihet re edhe një përpjekje tjetër për të paraqitur një pasaportë që gjoja paska marrë Ajnshtajni me emër shqiptarë. Ky do të ishte një falsifikim shumë i rëndë sepse i atribuohet Ajnshtajnit një cilësi krejtësisht e pavërtetë, ajo e mashtrimit. Këtë pasaportë Ajnshtajni nuk do ta përdorte dot, sepse bota e njeh atë nga fotografitë e tij karakteristike dhe çdo punonjës kufitar do ta kuptonte lehtë mashtrimin. Bota i njeh shumë mirë historitë e jetës së Ajnshtajnit dhe për problemin që po diskutojmë kjo duket qartë edhe në deklaratën e botuar në shkurt të vitit 2014 nga Znj. B. Wolff, Drejtoreshë e Arkivave të Ajnshtajnit që ruhen në Universitetin e Jerusalemit. Aty duket qartë një farë revolte kur ajo thotë prerazi se Ajnshtajni nuk bën pjesë në atë numër të madh hebrenjsh që vendi ynë ka ndihmuar dhe ka shpëtuar nga nazizmi. Gjithashtu kjo revoltë ndihet edhe kur thotë “Sipas dokumenteve origjinale që kemi në arkivat tona ne mund të … vërtetojmë lehtësisht se Ajnshtani nuk ka qenë as në Vienë as në Shqipëri në prill të vitit 1931, se pasaporta gjermane nuk i është rrëmbyer Ajnshtajnit, por ai e ka përdorë këtë pasaportë gjermane kur ka hyrë në ShBA në vitin 1931 dhe nuk ka pasur nevojë të përdori ndonjë pasaportë shqiptare para ose pas vitit 1931”. Prandaj duhet të tregojmë më shumë respekt për të vërtetat, që dëshmohen nga specialistë dhe që argumentohen plotësisht. Nga ana tjetër, edhe në Arkivin tonë Shtetëror nuk ekziston ndonjë dokument zyrtar që të vërtetoj se Ajnshtajni ka ardhur në Shqipëri, qoftë edhe në mënyrë të fshehtë  dhe këtë gjë e kanë dëshmuar dy drejtorë të nderuar të këtij institucioni. Gjithashtu dihet mirë se administrata e Mbretërisë Shqiptare të asaj kohe kryente shërbime shumë të sakta dhe cilësore dhe nuk mund të ndodhte kurrsesi që hyrje – daljet e Ajnshtajnit në Shqipëri të mos ishin regjistruar diku. Këtu dua të informoj se adjutanti i Mbretit Zog, Hysen Selmani, njeriu më besnik dhe që ka shoqëruar vazhdimisht Mbretin, ka shkruar një libër voluminoz me 720 faqe, të titulluar: “Nga Notimet e Zogut I – Mbretit të shqiptarëve”; në këtë libër nuk dëshmohet asgjë për ndonjë vizitë të Ajnshtajnit në Shqipëri. Po të kishte ardhur Ajnshtajni në Shqipëri dhe ta kishte takuar Mbretin Zog (qoftë edhe me fshehtësinë më të madhe) patjetër Kolonel Hyseni do ta kishte deklaruar këtë takim si një nderim të Mbretit tonë për Ajnshtajnin. Pra jo vetëm arkivat e huaja nuk dëshmojnë asgjë për ndonjë vizitë të Ajnshtajnit në Shqipëri, por edhe në arkivat e shtetit tonë nuk ka asgjë që ta dokumentojë këtë fakt. Gjithashtu dihet se nga shkurti i vitit 1931 e deri në shtator të vitit 1933 Herman Bernstein ka qenë ambasador i Amerikës në Shqipëri. Në fokusin e veprimtarisë së tij H. Bernstein ka pasur studimin e lëvizjeve të hebrenjve nëpër shtetet e Europës. Në Shqipëri Bernsteini ka njohur dhe admiruar popullin tonë për cilësitë fisnike që ka, sidomos për të ndihmuar njerëzit në nevojë, pavarësisht bindjeve fetare të tyre. Këtu ai ka konstatuar atë trajtim jashtëzakonisht miqësor që shqiptarët demonstronin për familjet hebraike që banonin nëpër qytetet shqiptare, si në Vlorë, Elbasan etj. Ky diplomat që interesohej për hebrenjtë nuk ka dëshmuar asgjë në se Ajnshtajni ka ardhur në Shqipëri. Po të kishin qenë të vërteta ato që thuhen sot i pari që do t’i kishte dëshmuar ato do të ishte ambasadori H. Bernstein. Ambasadori ynë në Londër Z. Mal Berisha, i ftuar nga Instituti i Studimeve Hebraike në Nju Jork para pak kohësh ka mbajtur një referat shumë të bukur në nder të H. Bernstein dhe nuk ka dëshmuar asgjë për ndonjë vizitë të Ajnshtajnit në Shqipëri. Por edhe vetë Ajnshtajni, që dallohej për mirësjellje do ta kishte falënderuar Mbretin me një dokument që do të ishte ruajtur nga sekretarja e tij shumë e rregullt dhe e saktë H. Dukas. Kështu pra pa gjetur dokumente të tilla nuk është aspak e hijshme të bëjmë deklarata se ne e kemi ndihmuar Ajnshtajnin në një moment kur vërtetë atij i rrezikohej jeta. “Zhurma” për ardhjen misterioze të Ajnshtajnit në Shqipëri, që po përhapej edhe jashtë saj, me shkrime dhe edhe me filma dokumentar nuk është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse ne po u japim jo vetëm shqiptarëve por edhe të huajve informacione që nuk po i argumentojmë dot me asnjë dokument të saktë. Prandaj nuk kemi aspak të drejtë të themi se ne e kemi shpëtuar Ajnshtajnin nga nazistët. Një mik më shkruante: “Më mirë të pranojmë një të vërtetë të hidhur se sa të shijojmë një të pavërtetë të ëmbël”.

      “SOM” Ky ka qenë udhëtimi i fundit i Ajnshtajnit nga Europa dhe ai nuk është kthyer kurrë më në Europë. Këto janë të vërtetat e jetës së Ajnshtajnit në vitet 1930–1933. Ato janë paraqitur shumë saktë në biografinë e Ajnshtajnit të shkruar nga fizikani i njohur Filip Frank, mik i afërt i Ajnshtanit, që e ka botuar këtë libër në të gjallë të Ajnshtajnit dhe që është përkthyer edhe në shqip. Në qoftë se në këtë libër do të kishte të pavërteta Ajnshtajni nuk do ta kishte miratuar botimin e këtij libri. Bota flet duke i argumentuar  thëniet me fakte.