Prof. Dr. Remzi PËRNASKA, Prof. Dr. Emil LAFE/ Spiro Floqi – Gjuhëtar i shquar shqiptar

1521
Sigal

Punën kërkimore-shkencore e nisi në lëmin e dialektologjisë

Lindi më 20 gusht 1920 në Korçë, në një familje me tradita atdhetarie, nga trungu i së cilës kanë dalë figura të shquara si Thanas Floqi, Kristo Floqi, etj. Në vitin 1936 fillon mësimet në Liceun Kombëtar të Korçës, shquhet pothuajse çdo vit për rezultate të larta sidomos në gjuhën franceze dhe latine. Në vitin e dytë fiton çmimin e parë të Liceut në latinisht. Përjashtohet për një vit sepse, në një rast, nuk përshëndeti drejtorin në mjediset jashtë shkollës. Vitin tjetër kalon dy klasa brenda një viti shkollor dhe arrin kësisoj ta mbarojë Liceun në 4 vjet. Gjatë atyre viteve gjen dhe shoqen e jetës, nxënësen Efigjeni Vaso të Institutit Femëror të Tiranës.

Më 1948 pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, studentët shqiptarë u transferuan në Bashkimin Sovjetik dhe në shtete të tjera të quajtura atëherë demokraci popullore. S. Floqi me të shoqen i vijuan studimet në Universitetin “Lomonosov” të Moskës në degët përkatëse, duke i përfunduar me rezultate të larta. Në vitet 1952-1954 punon për mbrojtjen e aspiranturës. Paralelisht me studimet, në vitin e fundit punon edhe si përkthyes për emisionet e përditshme në gjuhën shqipe që transmetoheshin nga Radio Moska, si dhe për përkthimin dhe redaktimin e filmave rusë që vinin në Shqipëri.

Më 1954, me mbarimin e studimeve, kthehet në Shqipëri dhe fillon punë në Sektorin e gramatikës dhe të dialektologjisë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, ku punoi pa ndërprerje për 26 vite rresht, deri sa doli në pension, më 1980. Këtu zhvilloi një veprimtari të ngulët shkencore, mori pjesë gjallërisht si në jetën e Sektorit ashtu edhe të Institutit, qe anëtar në komisione e redaksi revistash e përmbledhjesh shkencore të këtij Instituti. Punonjësit e rinj kishin te S. Floqi një koleg të gatshëm për t’u dhënë pa kursim çdo ndihmë të mundshme.

 Spiro Floqi është ndër gjuhëtarët e paktë shqiptarë që kanë kryer studime të plota universitare për gjuhësi jashtë vendit. Është njëri ndër gjuhëtarët e pasluftës, që e pasuroi gjuhësinë shqiptare me mjaft punime me vlerë për kategori të ndryshme gjuhësore, me ide e mënyra të reja vështrimi e hetimi në studimet tona gjuhësore, sidomos sintaksore. Ai ka dhënë, kësisoj, ndihmesë të vyer për formimin dhe qëndrueshmimin e teorisë sintaksore në gjuhësinë tonë.

 Spiro Floqi dialektolog

Punën kërkimore-shkencore e nisi në lëmin e dialektologjisë; ka qenë për disa kohë edhe përgjegjës i Sektorit të dialektologjisë. Është ndër gjuhëtarët tanë të parë që lëvroi këtë fushë të re të gjuhësisë shqiptare, ku punoi në dy kahe: 1) Për hartimin e një Pyetësori dialektologjik për mbledhjen e materialeve në terren gjatë fazës së hetimit të përgjithshëm të të folmeve e të dialekteve të gjuhës shqipe (1956), botuar disa vite më vonë (1971). Ky pyetësor udhërrëfyes, që shërbeu për një kohë të gjatë si bazë kryesore për mbledhjen e materialit dialektor, ndikoi shumë për cilësinë dhe plotësinë e skicave dialektore që u hartuan në fazën e parë të hulumtimeve dialektologjike në Shqipëri. Pyetësori qe një udhërrëfyes shumë i vyer, për mbledhjen e materialit dialektor në terren nga dialektologët e rinj të sektorit dhe bashkëpunëtorët e jashtëm;  2) Në hulumtimet që bëri vetë në terren për të folmen e Dangëllisë së Përmetit, sidomos me monografinë e gjerë që hartoi për këtë të folme (1958). Në këtë monografi janë përshkruar gjerësisht mjaft dukuri sintaksore të gjuhës së folur të asaj krahine dhe në përgjithësi të toskërishtes juglindore. Si në Pyetësor, ashtu edhe në monografinë E folmja e Dangëllisë jepen elementet e para për mbledhjen e materialeve nga sintaksa popullore. Më vonë, në aksionin kombëtar për mbledhjen e thesareve gjuhësore nga goja e popullit, që organizoi Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nën drejtimin Prof. Androkli Kostallarit, do të zinte një vend të merituar edhe sintaksa e ligjërimit popullor.

 Spiro Floqi sintaksolog

Është kënaqësi të vëresh se veprimtaria shkencore e Spiro Floqit është kurorëzuar me shumë arritje të rëndësishme në disa drejtime: në studimin e ndërtimit sintaksor të gjuhës shqipe e posaçërisht të shqipes letrare a standarde; në studime dialektologjike; në fushën e kulturës së gjuhës; në çështje të përgjithshme të gjuhësisë shqiptare. Por gjuhëtari ynë është para së gjithash e mbi të gjitha studiues i ndërtimit sintaksor dhe zhvillues i teorisë sintaksore, është sintaksolog i mirëfilltë.

Puna e tij kërkimore-shkencore për hetimin e ndërtimit sintaksor të gjuhës shqipe ka qenë frymëgjatë, e frytshme dhe e një cilësie të dorës së parë. Ajo zë një vend të nderuar në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare. S. Floqi është autor i rreth pesëmbëdhjetë studimeve, që kanë natyrën e monografive, për ndërtimin sintaksor të fjalisë dhe të periudhës (frazës a fjalisë së përbërë) me nënrenditje. Ato janë botuar kryesisht në revistën Studime filologjike, nga viti 1955 e deri më 1992. Le të theksojmë me këtë rast se Spiro Floqi është i pari ndër gramatikanët shqiptarë që harton një varg monografish të tilla të plota për ndërtimin sintaksor të gjuhës shqipe. Ato flasin për njohje të mirë të lëndës që nden gjuha shqipe e njësuar për sintaksën, dallohen për dije të thella e kulturë të gjerë shkencore, për trajtim teorik të vetëdijshëm të ngritur, për stil shkencor tejet të qartë. Ato mund të shërbejnë edhe sot si gjedhe pune për studiues të tjerë, pavarësisht se qëndrimet teorike mund të jenë të ndryshme nga ato të autorit që përkujtojmë sot me nderim. Gjithashtu, nuk është e tepërt të theksohet se, nga njëra anë, këto trajtesa tregojnë që autori i tyre qe i vetëdijshëm për nevojën e studimeve në sistem, e jo shkëputurazi, ndaj tërësia e këtyre monografive i ngjan një tufe me lule, dhe, nga ana tjetër, që ato janë të ndërmarra sipas një metodologjie të vijueshme: nga ndërtimet me më shumë shenjues që lehtësojnë hetimin dhe parashtrimin e lëndës (periudha, fjalia e përbërë, fraza e përbërë), në ato që kanë më pak shenjues se të parat (fjalia, gjymtyrët).

Shkrimi i tij i parë për sintaksën e shqipes është “Rreth disa çështjeve të fjalisë së përbërë në gjuhën shqipe” (1955), të cilin e vijon me “Fjalia e përbërë e bashkërenditur në gjuhën e sotme shqipe (1956). Me këto ai vendon kësisoj kuadrin e përgjithshëm teorik dhe lëndor për të vazhduar mandej me trajtimin e tipave të tjerë funksionalë dhe ndërtimorë.

 Spiro Floqi pedagog

Mjeshtëri i hetimeve sintaksore, nuk e ndau punën kërkimore-shkencore nga arsimi, mësimdhënia. Pati punuar si mësues në fshat në rini të tij, punoi për një kohë të gjatë si pedagog i dialektologjisë dhe i sintaksës së gjuhës shqipe, me cikël të plotë ligjëratash, në Degën e gjuhës shqipe (1955-1957) në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës dhe mandej në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku u shqua për dijet e tij të gjera gjuhësore, për formim teorik të mirë, për aftësi pedagogjike dhe për qartësi të madhe në parashtrimin e të dhënave të gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë shqiptare.

 Kjo pasqyrë e përmbledhur e veprimtarisë studimore e mësimore të Prof. Spiro Floqit,  na lejon të pohojmë me bindje të plotë se ai është njëri nga gjuhëtarët shqiptarë me formim kulturor të gjerë dhe të shëndoshë, sidomos me njohuri teorike të gjera dhe të thella gjuhësore, ka sjellë qasje e vështrime të reja, ka trajtuar tema të paprekura më parë dhe ka dhënë një ndihmesë të vyer për formimin e teorisë sintaksore në gjuhësinë shqiptare. Ai zë tashmë një vend nderi të merituar në historinë e gjuhësisë sonë, në radhë të parë si sintaksologu me ndihmesa më të shumta, më të gjithanshme e themelvënëse.

Pas vdekjes, është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasës së parë. Mendojmë se është detyrë dhe në nderin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku ka punuar për më shumë se 28 vite, të propozojë që kjo figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare të nderohet me ndonjë shenjë nga më të lartat nga Presidenti i Republikës.