Prof.Dr.Lufter Xhuveli/“Bimët dhe shqiptarët” një libër koherent

266

 Fati historik i ka vendosur shqiptarët të jetojnë në vendet më të bukur të planetit

 Bimët dhe njeriu kanë një histori të përbashkët e të pandashme bashkëjetese. Kjo histori është po aq e lashtë sa dhe vetë ekzistenca e njerëzimit. Gjurmët e fillesave të kësaj bashkëjetese janë diku thellë në tisin e mjegullt të mijëvjeçarëve, ndërsa vazhdimi i saj, si një spirale e pafund. Fati historik i ka vendosur shqiptarët të jetojnë në një nga vendet më të begatë e më të bukur të planetit, me diell e ujë, me male, lugina dhe fusha, me lumenj dhe dete, në një vend ku rriten mbi 3200 lloje bimësh dhe me një gjelbërim gjithëvjetor. Brez pas brezi shqiptarët kanë jetuar mes bimëve. Ato janë bërë pjesë e ADN-së së tyre. Paraardhësit tanë të Neolitit, kur mësuan të mbjellin e të rrisin bimët, hoqën dorë nga jeta endacake, u ngulën në vendbanime të përhershme dhe nisën rrugën e gjatë të qytetërimit. Por a mund të ndodhte kjo pa bimët?  Me bimët jemi në marrëdhënie simbiotike të ndërsjella, ju shërbejmë dhe na shërbejnë. Bimët me ciklin e tyre të përjetshëm të përtëritjes dhe shumëzimit bimë – farë – bimë, janë pjesë e jetës tonë materiale dhe shpirtërore. Shqiptarët i duan e i adhurojnë bimët si askush tjetër. Për të dëshmuar lidhjen e fortë dhe të veçantë të shqiptarëve me bimët do të mjaftonin vetëm dy fakte. Në vitin 1908, në prag të Kongresit të Manastirit ku do të vendosej për alfabetin e gjuhës shqipe, poeti popullor Simon Çurçia nga Shkodra, shkroi një këngë në të cilën për çdo germë të alfabetit kishte një strofë dhe çdo strofë e këngës i kushtohej një luleje të veçantë. Zor se mund të shprehet me më shumë ndjenjë dashuria, malli dhe lidhja e fortë e shqiptarëve me vendin e tyre, me bimët dhe burimet e ujit, se sa në këngën e trimave të Tragjasit të Vlorës, të cilët aty nga viti 1800, të internuar nga pushtuesit osmanë, larg familjeve dhe fshatit te tyre, thurën këngën:

“Më muar malli më muar, për Sirotic’ e Izvuar, për të dy rrepet në krua…..”

Kur vëren lidhjen e fortë të shqiptarëve me bimët, natyrshëm lindin disa pyetje. Cilat kanë qenë bimët e para të kultivuara në Shqipëri dhe kur ka ndodhur kjo? Ku, si dhe në ç’rrethana ka lindur bujqësia në Shqipëri? A kanë marrë pjesë shqiptarët në zbutjen (domestikimin) e bimëve? Cilat janë bimët më të rëndësishme që janë kultivuar në Shqipëri gjatë periudhave të ndryshme historike deri në ditët e sotme dhe nga kanë ardhur ato? A kemi humbje nga erozioni gjenetik i bimëve dhe si mund të shmanget ai? Cili është ndikimi i bimëve në komponentët etno-kulturore të shqiptarëve dhe si shprehet ai?  Në këtë libër, përmes tre pjesëve të tij, ku përfshihen 21 krerë, bëhen përpjekje që pyetjet e mësipërme të marrin përgjigje. Në pjesën e parë të librit, të titulluar “Origjina e bimëve të kultivuara në Shqipëri”, në 11 krerë shtjellohet origjina e 138 bimëve bujqësore më të përhapura të cilat kultivohen në vendin tonë, duke filluar nga Neoliti i hershëm deri në ditët tona. Kjo periudhë 8000-9000- vjeçare, bazuar në zhvillimet historike është ndarë në tre etapa: Etapa e parë nga Neoliti deri në Erën e Re gjatë të cilës janë kultivuar 31 bimë bujqësore; Etapa e dytë nga shekulli i parë deri në fillim të shekullit të XVI-të, gjatë të cilës në kultivimin e bimëve kanë patur ndikim marrëdhëniet e Ilirëve me fqinjët, qarkullimi i ushtrive, karvaneve të tregtarëve dhe udhëtarëve të ndryshëm përmes “Rrugës së Mëndafshit” dhe “Rrugës Egnatia”, pushtimet romake e sllave dhe ndikimet bizantine. Në këtë periudhë janë futur nën kulturë edhe të paktën 19 bimë të tjera. Etapa e tretë nga fillimi i shekullit të XVI-të deri në fillimin e shekullit XXI. Kjo etapë dëshmon ndikimin e fuqishëm në kultivimin e bimëve, të ngjarjeve të tilla të mëdha siç ka qenë zbulimi i Amerikës më 1492 e pasuar nga periudha e “Shkëmbimit Kolombian”, pushtimi osman i Shqipërisë në dekadat e fundit të shekullit të XV-të dhe zhvillime të tjera. Gjatë kësaj kohe në Shqipëri janë futur nën kulturë të paktën edhe 88 bimë bujqësore të tjera. Për përcaktimin e origjinës dhe periudhës së futjes së bimëve nën kulturë në Shqipëri janë përdorur disa kritere siç janë: zbulimet arkeologjike, farërat e karbonizuara dhe material bimore të kohës së Neolitit; bimë të vjetra të gjalla 3000 dhe 2000 vjeçare të ullirit në Prezë dhe Lanabregas të Tiranës; studime të autorëve shqiptarë dhe të huaj; dokumente e libra shkencorë si dhe libra të tjerë e kronika si ato të shkruara nga Jul Çesari, Evlija Çelebiu, Luçia Nadin, Eduard Lir, Frang Bardhi, regjistrat kadastralë të kohës osmane; informacione që zbulohen nga mozaikë të lashtë, epitafi i Gllavenicës, piktura të Onufrit, etj.. Janë shfrytëzuar toponimitë dhe të dhënat gjuhësore; prania e florës dhe farefisëve të egër të bimëve të kultivuara si dhe ngjarjet historike. Kur nuk janë gjetur dëshmi dhe burime të drejtpërdrejta informacioni, i kam lejuar vetes të përdor për analogji metodën krahasuese. Në pjesën e parë të librit arrihet në përfundimin se disa bimë si shega, ulliri, hardhia e ndonjë tjetër, janë zbutur (domestikuar) në Shqipëri në mënyrë të pavarur nga qendra të tjera.  Në pjesën e dytë e titulluar “Resurset gjenetike të bimëve”, pasqyrohet situata dhe erozioni i resurseve gjenetike të bimëve që ka ndodhur në Shqipëri, ruajtja e gjermoplazmës vendase në koleksione dhe në Bankën  Gjenetike, riatdhesimi i gjermoplazmës me origjinë shqiptare e ruajtur në bankat e vendeve të tjera, si dhe dokumentime të rezultateve të misioneve koleksionuese kombëtare dhe ndërkombëtare. Në pjesën e tretë të librit e titulluar “Bimët dhe shqiptarët” evidentohet një dimension i veçantë i marrëdhënieve të shqiptarëve me bimët, ai i ndikimit të shumanshëm të bimëve në jetën e shqiptarëve dhe në komponentët etnokulturore të tij. Në kreun për toponiminë evidentohen 246 fshatra, të cilët mbajnë emra bimësh nga rreth 3000 që ka gjithsej në Shqipëri. Në krerë të tjerë jepet ndikimi dhe pasqyrimi i bimësisë në këngë dhe poezi, në artet figurative, në veshjet popullore, në mite, legjenda dhe proverba.