Prof. Dr Bajram Hysa/ Që pushteti të mos abuzojë me pushtetin

616
Sigal

Madhështia e një qeveritari nuk matet me pallatet e karrocat, kuajt, shërbëtorët që ka, por me besimin e popullit”, thoshte Sami Frashëri. Opinioni publik shqiptar është në favor të reformave për drejtësinë të iniciuara së fundi nga maxhoranca qeverisëse, të aksionit për ndëshkimin e vjedhësve të energjisë dhe shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, por këto aksione, në “frymën e vijës së masave”  nuk mjaftojnë për të zhdukur krizën e  besimit, e cila në rreth 24 vite tranzicion, ka shkaktuar një hemorragji të madhe intelektuale, eksod të trurit shqiptar, duke ftohur stafet akademike, punonjësit e arsimit dhe kërkimit shkencor. Në diskursin politik haset rëndom termi “ndërtim institucionesh”, apo deklarimet plot emfazë “do bëjmë shtet”, por në praktikë po bëhet fare pak. Krijimi i institucioneve të pavarura është çështje e vullnetit politik, i kompromisit. Para së gjithash dhe në mënyrë absolute, që një situatë e tillë të mos degradojë dhe të bëhet abuzive, duhet të respektohet nocioni e barazisë para ligjit dhe, nga ana tjetër, duhet të funksionojë maksimalisht pavarësia e institucioneve. Ky është mësimi më i rëndësishëm që del nga përvoja evropiane, drejt së cilës pretendojmë të shkojmë, dhe ku nuk mund të shkojmë me mendësi të kaluara ose me eksperimente shartuese.

Diga kundër autoritarizmit

Problemi më i rëndësishëm për një shtet demokratik është se si i shtrëngojnë qeveritë individët dhe si këta të fundit i kufizojnë qeveritarët. Një problem i tillë sot në vendin tonë nuk mund të zgjidhet pa kopjuar modele bashkëkohore, duke përfituar nga përvojat e përparuara perëndimore, të cilat nuk lejojnë abuzime me pushtetin. “Me qëllim që pushteti të mos abuzojë, shkruante Monteskjë, duhet që, nga dispozicioni i gjërave, pushteti të ndalojë pushtetin”. Kjo është një çështje e së drejtës. Prandaj rruga më e mirë është ajo e ndarjes së pushteteve dhe funksionimit real të tyre. Ekzekutivi të bëjë punën e tij. Gjyqësori të vetën, e kështu me radhë. Ndryshe do të ketë vetëm amulli dhe jo një digë kundër autoritarizmit, korrupsionit dhe paligjshmërisë.

Një konglomerat i frikshëm

 Ende sot pushteti politik ngatërrohet me atë ekonomik dhe është vështirë të thyhet bashkimi i tyre. Ky konglomerat i frikshëm dhe asfiksues favorizon interesat vetjake të klasës politike. Sistemi ekonomik në Shqipëri është kthyer në një makinë pa jetë, pa aftësi të brendshme për të ndryshuar, përshtatur, rritur e për të riprodhuar vetveten, për t’i dhënë trajtë të ardhmes së vet. Veprimtaritë ekonomike janë pakësuar duke krijuar kriza sektoriale të papritura ose depresione kronike. Si mund të zhvillohet ekonomia jonë kur nuk ka pavarësi e legjitimitet, kur institucionet ligjore kushtetuese nuk janë të lira prej ndërhyrjeve dhe kontrolleve politike? Kjo politikë nuk mund të ushqejë aspirata sociale dhe politika të reja, që  lejojnë të përfytyrosh më mirë për të krijuar një shoqëri më të mirë në qëndrime dhe sjellje.

 S’ka demokraci pa opozitë dhe shoqëri civile

Përse kaq shumë spektatorë për aksionet qeveritare?- lind një pyetje. Sa mirë do të ishte që aksionet qeveritare të mos “pleqëroheshin” vetëm me “organizatat bazë”, por të diskutoheshin  më parë me opozitën, me specialistët përkatës, me stafet dhe qendrat akademike – shkencore, me përfaqësues të shoqërisë civile, që të ndërgjegjësoheshin të gjithë. Për të zbërthyer gjithë këtë eufori, le të marrim parasysh përsëri një thënie të Samiut: “Nuk ka gabim më të madh se sa të ngarkosh me punë të mëdha ata që mezi bëjnë punë të vogla dhe me punë të vogla ata që bëjnë punë të mëdha”. Duke pasur njerëz të shkolluar në Perëndim, specialistë me dy fakultete që të marrin gjak në vetull, njerëz injorantë e mediokër të “tregojnë arat” në krye të punëve më të rëndësishme të qeverisë. Sfida që shtrohet sot para Shqipërisë është pikërisht se si të përfitojë nga vëmendja ndërkombëtare. Kjo sfidë është shumë e madhe dhe zgjidhja e saj nuk mund të jetë monopol vetëm i forcave qeveritare. Ende nuk jemi shkëputur nga mentaliteti që qeveria i ka në dorë të gjitha. Ky mentalitet është një sëmundje e rëndë. Pse inteligjenca shqiptare ka mbetur në rolin e spektatorit dhe e pafuqishme për të ndikuar, çfarë duhet bërë për të dalë nga ky impas regresiv? Në diskursin politik haset rëndom termi “ndërtim institucionesh”, apo deklarimet plot emfazë “do bëjmë shtet”, por në praktikë po bëhet fare pak. Por, e ritheksojmë, krijimi i institucioneve të pavarura është çështje e vullnetit politik, i kompromisit. Ndaj autoritetet e larta të shtetit dhe qeverisë duhet t’i drejtohen të dyja palëve, për nisma dhe reforma të përbashkëta. Reformat duhet të jenë strukturale, të prekin thelbin e korrupsionit dhe të ofrojnë mundësi të shpejta për integrimin dhe mirëqenien e qytetarëve. Si një lider vizionar dhe i paanshëm, zoti kryeministër, në këtë gjendje të vështirë për vendin, duhet ta përdorë më me efikasitet pushtetin ekzekutiv që i jep ligji. Zoti Rama është nga ata që i besojnë pushtetit të fortë ekzekutiv . Por është e domosdoshme që ai të ndjekë rrugën më të zgjuar politike, atë të mirëkuptimit me opozitën, me gjithë spektrin politik dhe atë të shoqërisë civile, rrugën e qetësimit dhe të konsultimit.

Të pranohen rregullat e lojës

 Për këtë, mes forcave politike parlamentare  duhet të ketë një klimë të re vullneti dhe besimi të mirë, ku secili të japë maksimumin e vlefshmërisë së vet për reformat, për korrigjimin e atyre gabimeve fatale që na largojnë nga Evropa dhe qytetërimi. Vetëm kështu mund të ndërtohen themelet e një realiteti të ri progresiv, duke guxuar të hyjmë në një rrugë të re, në rrugën e duhur, vetëm kështu do të kemi përmbushur përgjegjësitë tona njerëzore. Në një mënyrë integrimi europian duhet të shmangë gabimet e demokracisë sonë kombëtare.

 Diskriminimi social

Çfarë mund të thuhet sot për nocionin e “kontratës sociale”? Ka shumë qytetarë që luftojnë thjesht për mbijetesën; në jetën e përditshme të tyre shfaqen vështirësi ekonomike e sociale, që rrezikojnë të sjellin pasoja tepër negative, si analfabetizmi dhe braktisja e shkollave, braktisja e angazhimeve qytetare etj.. Maxhoranca duhet tëpropozojë  amendamente dhe projektligje, që i japin fund diskriminimit  social. Qeveria duhet të bëjë të munduar të krijojë një solidaritet të prekshëm edhe për çështjen kombëtare dhe atë të integrimit, duke dhënë shembuj qytetërimi dhe duke forcuar imazhin për familjen dhe traditën shqiptare. Ajo duhet të insistojë në ngritjen e një bashkësie ekonomike dhe kulturore të përbashkët me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, zgjerimin e prodhimit kombëtar, grumbullimin e prodhimeve të fermerëve, shfrytëzimin e tregjeve kombëtare dhe heqjen e barrierave shtrënguese doganore.

Luftë monopoleve!

Qeveria po heq gjembat më të vegjël në rrugën e individit, por kërkon të bëhet zotërues absolute i lirisë dhe jetës së qytetarëve, duke i terrorizuar madje dhe me gjoba fallso, duke i diferencuar përpara ligjit, dhe nuk interesohet të lehtësojë pozitën e qytetarëve duke nxitur iniciativën e lirë, duke goditur pa mëshirë monopolet, nga të cilat lëngon tregu dhe gjithë shoqëria shqiptare. Në më shumë se një vit qeverisje nuk shohim të ketë ndonjë iniciativë konkrete për të shkatërruar monopolet, të cilët veprojnë  pa hezitim në shtimin e amullisë ekonomike tregtare dhe situatës bllokuese të tregut. Qeveria duhet të luftojë që të gjithë aktorët e tregut t’i nënshtrohen një konkurrence të pashmangshme, me qëllim që gjithë ekonomia jonë të jetë në lartësinë e sprovës, për t’iu përshtatur rrethanave të reja globale.