Post-Olimpiada, koha për ndryshim…

108

Ka vetëm pak ditë që Olimpiada e Londrës u mbyll. Natyrisht, gjithkush ka mbetur i supermreklluar nga ajo  garë, veprimtari sportive madhore e mbushur me krenari, e organizuar pothuaj në mënyrë perfekte. Nuk besoj se ka shqiptar, që nuk ka qenë pjesë e ndjekjes së këtij spektakli sportiv mbarëbotëror. Ne, pjesa që për të mirën, apo të keqen tonë, jemi lidhur me sportin, pas shijimit të spektaklit përpiqemi të bëjmë edhe ndonjë analizë  modeste. Në rastin tim, gjithçka është e përjetuar “live” gjatë qëndrimit në Londër dhe zhvillimit të Lojërave olimpike atje. Nuk e di përse ndihesha edhe keq, por edhe mirë në këtë Olimpiadë, sepse themeluesi shqiptar Vangjel Zhapa ishte sa prezent, po aq i degdisur, sa nga ne  shqiptarët, po aq edhe nga bota sportive, i harruar si themeluesi real i Lojërave Moderne Olimpike. Por, titulli themelues i jepet padrejtësisht, ky simbol Olimpik modern me pesë rrathët me ngjyra të ndryshme, ashtu sikurse edhe flamuri olimpik, u propozua nga Pjer de Kubertin në vitin 1914. Pesë rrathët e ndërthurur përfaqësojnë pesë kontinentet e jetuar nga njerëzit në rruzullin tokësor (kontinenti Amerikan konsiderohet si një i vetëm). Ndërthurja e rrathëve është shenjë e përgjithshmërisë së Lojërave Olimpike, ku atletët e mbarë botës mblidhen së bashku. Të gjithë janë në Olimpiadë: aty është gara, flamuri, krenaria kombëtare, imazhi. Aty ndodhet politika, marketingu, administratorët, vullnetarët dhe mbi të gjitha sportistët; garuesit e vërtetë. Nuk e kam fjalën këtu për gjysmëgaruesit, sikurse ishte një pjesë e ekipit olimpik shqiptar, të cilëve u ka plasur cipa e shkojnë atje me “medaljen” se janë partiakë apo dështakë permanent të një gare kaq të shenjtë.

* * *

Olimpiada, edhe përse zhvillohet një herë në katër vjet (ajo verore), në gjithë botën moderne funksionon e përgatitet për gjatë gjithë kohës, ndërsa në finale shkohet për të bërë më të mirën. E nënvizoj këtë fakt sepse ne ende vazhdojmë ta konsiderojmë Olimpiadën thjesht në një afat kohor të shkurtuar, pa vizion, duke u marrë vetëm me llafe e jo punë. Kjo “sëmundje” i ndodh që nga presidenti i vendit e deri tek aktori sportiv më i thjeshtë. Disa priren nga interesimi minimal administrativ sportiv, dikush tjetër për një detyrë shtetërore, ndërsa të tjerë për të rrëmbyer një thelë, për të shkuar atje në Olimpiadë si “garues turistë”, sa të dopuar e sa të dëmtuar. Madje, shpesh, duke sulmuar ashpër KOKSH-in, i vetmi institucion shqiptar, i cili, sipas meje, e përjeton atë event madhor sportive njësoj; si tashmë që ka përfunduar e deri në zhvillimin e Olimpiadës së ardhshme. Siç e nënvizova më lart, Olimpiada tek ne duhet të fillojë me themeluesin e saj real, shqiptarin e madh Vangjel Zhapa. Kombësia e tij duhet të na ndërgjegjësojë për një rezultat edhe më të mire në këtë veprimtari globale sportive shërbejë si shembull frymëzimi për suksese.

* * *

Politika? Edhe në drejtim të Olimpiadës, ajo është si kudo në sferat e jetës; ajo e pushton dhe gllabëron Olimpiadën e olimpistët. E bën këtë ose për imazh, ose për të shpërblyer militantët e saj. Ndonjë prej tyre ishte prezent në Londër gjoja për të garuar, por në fakt u pa qartë se kjo ndodhi vetëm për të shijuar Olimpiadën si “turist-olimpist” me paratë e taksapaguesve shqiptarë, më tepër për të prishur punë, si në rastin e Majlinda Kelmendit (do ta trajtoj një herë tjetër këtë problem). Shikoni me kujdes si u degjenerua Olimpiada “Londër 2012” nga politika: dorëzimin e flamurit Romela Begajt nuk ia bëri Presidenti i Republikës, sipas një protokolli shumëvjeçar, por ministri i MTKRS-së! Rastësi, apo shprehje e sportit shqiptar të nëpërkëmbur nga politika? Shikoni me kujdes politikanët që erdhën në Londër, e vizituan ekipin tonë olimpik, mbajtën para tij fjalime. U bë aq shumë politikë me këtë moment sportiv sa u falënderua ish-ambasadori i Britanisë në Shqipëri (për të u fol 11 minuta, kurse për sportin vetëm 2 minuta). Dhe pastaj “i lamë duart”, bëmë “adetin” sportiv, lamë detyrat dhe kaq. Dorëzimi i flamurit në atë mënyrë që u bë ishte dështimi i parë real i kësaj Olimpiade për Shqipërinë në aspektin sportiv e politik, po të kujtojmë pastaj se ai nuk u prit në kthim në “Rinas”. Nuk besoj të ketë turp më të madh në aspektin sportiv kombëtar braktisja e këtyre sportistëve kur u kthyen në atdhe. Nuk e kam fjalën për ndonjë olimpiste-turiste, që e meriton braktisjen, por për Majlindën, Romelën, Sidnin, Albanin e ndonjë tjetër. Me fotoreporterin sportive shqiptar, Fred Hazizllarin, kemi përjetuar ardhjen e Ministrit për të parë Majlindën në orën 14.30, kur ajo kishte mbaruar garën në orën 11.00. Nuk ka faj aspak ministri, por ambasada, ose vartësit e tij, që nuk e informuan as për këtë orar, kur dihet se e vetmja shpresë për medalje ishte Majlinda Kelmendi. Shkurt, politika nuk ka vizion për një sport që të na sigurojë medalje, por thjesht mendon si t’ia heqë pavarësinë sportit në funksion ose të militantizmit, ose të interesave meskine partiake, që nuk kanë lidhje në botë me objektivat për medalje olimpike.

* * *

KOKSH-i? Çfarë të themi e stërthemi për të. Ai vazhdon pa President, pas largimit të Agim Fagut, por duhet të vlerësohet maksimalisht si një institucion serioz, menaxhues i suksesshëm dhe shumë i përgjegjshëm për zhvillimin e sportit mbarëkombëtar. Në aspektin administrativ dhe organizues ka treguar se është shumë më përpara se të gjitha federatat shqiptare, sepse ai e kupton rolin e vet dhe bën një zbatim rigoroz të statuteve të CON-it, ashtu edhe të gjithë ligjshmërisë sportive të vendit tonë. Pa dashur të hyj në emra e punë konkrete, KOKSH-I, edhe pse ka “shkopinj nën rrota”, sa politike, po aq edhe nga presidentë federatash që “u digjet shpirti” për sportin, deri tek ndonjë sekretar dështak e trutharë, po aq edhe nga varfëria ekonomike e intelektuale e shumë aktorëve të tjerë negativë, ka bërë më të mirën, më seriozen. Në ato pak çaste që i pashë dhe takova në Londër ishin institucionalë, seriozë, menaxherë e organizatorë dinjitozë. Ata kishin respektin e organizatorëve të Lojërave Olimpike të Londrës. Natyrisht, janë organizatorë dhe menaxherë, por opinioni i ndonjë mjerani drejtues, apo sekretar federate, që mendon dhe gjykon se ata janë teknikë apo trajnerë, që duhet të sigurojnë rezultate, nuk ka vend në këtë analizë. KOKSH-i ka bërë e bën më të mirën për të menaxhuar e ndihmuar të gjitha sportet në Shqipëri, por ai kurrë nuk mund të sigurojë rezultate teknike, qoftë me përzgjedhjen e sportistëve, qoftë me trajningun e tyre. Këto gjëra i kanë për detyrë federatat sportive dhe dikasteri përkatës qeveritar. KOKSH-i siguron dhe zhvillon sportin kombëtar, masivitetin dhe cilësinë, por rezultatet teknike janë mision e përgjegjësi e federatave.

* * *

Nuk e di, por edhe pse i lashë për në fund, federatat sportive janë baza e sigurisë së medaljeve, apo paraqitjes dinjitoze në një Olimpiadë. Ku jemi dhe çfarë bëjnë ato? Sa janë ndërgjegjësuar për funksionimin e tyre dhe sigurimin e cilësisë? Çfarë strategjish kanë federatat për paraqitjen në Olimpiada Verore? Si funksionojnë ato? Do të mjaftonin vetëm këto dy raste, që të ndërgjegjësohen federatat, po aq edhe MTKRS-ja. Nuk ka më turp kombëtar se sa për të kënaqur vajzën e një punonjëseje të Drejtorisë së Sporteve në MTKRS, kampionati kombëtar i skive të zhvillohet në Maqedoni? Atje ku në terrenet sportive bucet thirrja: “Shqiptari më i mirë është shqiptari i vdekur”!!!!! Pra, turizmi nuk bëhet në Dardhë apo Shishtavec, nuk mendohet për kursimin, nuk mendohet për të promovuar turizmin shqiptar, por një Kampionat Kombëtar zhvillohet jashtë vendit. Këto janë vizionet qesharake të federatave dhe vetë ministrisë. Përpara disa kohësh, një sekretar federate u fut në burg për trafik vizash… Natyrisht, një pjesë e sekretarëve të federative sportive janë për t’i respektuar, por një pjesë janë militantë partiakë, në vendin e gabuar dhe me CV të dyshimta e dështake. Më ka rënë rasti ta paragjykoj dhe Nikolin Dionisin, por për sekretar të tillë kemi nevojë. Është një zgjedhje e duhur, e bërë nga Gjergj Ruli tek Federata e Atletikës, sepse ata për një vrapim kodrinor i morën shtetit nja 300 mijë dollarë, që nëse do t’i kishte KOKSH-i, natyrisht do të na siguronte një medalje. Në fund fare, media, si një pjesë e rëndësishme, besoj se ka bërë më të mirën jo vetëm me kritikat, por edhe me mbështetjen që u ka dhënë sportistëve tanë. Por ajo për vete është me të njëjtat probleme dualiste, në armiq e miq, sepse ajo nuk ka shoqatën e vet funksionale. Sepse drejtuesve u intereson shoqata që ta ftojnë në dreka e darka, në vizita jashtë shtetit, jo të merret me problematikën e pafundme të gazetarëve sportive në Shqipëri.

REZULTATET NË “LONDËR 2012”

NOEL BORSHI

(Not, 100 metra delfin)

Vendi i 40-të nga 42 sportistë

Theu rekordin kombëtar në këtë stil

ARBEN KUÇANA

(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)

Vendi i 20-të nga 44 sportistë

MAJLINDA KELMENDI

(Xhudo, pesha 52 kg)

U eliminua në 1/16

ROMELA BEGAJ  

(Peshëngritje, pesha 58 kg)

Rezultati: 216 kg në dygarësh

Vendi i 11-të nga 19 sportistë

BRIKEN CALJA    

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Vendi i 9-të nga 24 sportistë

DANIEL GODELLI           

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Nuk u klasifikua në dygarësh

 

SIDNI HOXHA                    

(Not, 100 metra stil i lirë)

Vendi i 37-të nga 60 sportistë

Theu rekordin kombëtar në këtë stil

ADRIATIK HOXHA          

(Hedhje gjyle)

Vendi i 37-të nga 40 sportistë

ENDRI KARINA    

(Peshëngritje, pesha 94 kg)

Vendi i 14-të nga 21 sportistë

ARBEN KUÇANA  

(Qitje, 50 metra pistoletë)

Vendi i 37-të nga 38 sportistë

KLODIANA SHALA          

(Atletikë, 200 metra)

U tërhoq nga gara për arsye dëmtimi

HYSEN PULAKU

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

U përjashtua nga Olimpiada pasi rezultoi pozitiv me doping