Përparim HALILI / Shqipëria me 150 “lazaratë” e qindra krime, të krijuar prej varfërisë…

60

Pothuajse, përditë dëgjojmë njoftime që dalin nga Ministria e Brendëshme, nëpërmjet të cilëve publikohen “kapje rastësore” ose me “aksione speciale” të kultivuesve, transportuesve e tregtarëve të drogës. Së fundi këto kapje sasie droge, nuk janë me gramë e kilogramë, por me kuintalë e ton. Nuk janë me një autor, por me “banda droge”. Nuk janë me autorë “rrugësh”, por dhe me zyrtarë e specialistë të sektorit të luftës kundër drogës e krimit, punonjës të Ministrisë së Brendshme. Sipas këtyre njoftimeve të muajve të fundit, konfirmohet se droga nuk është më vetëm dukuri “Lazarati”, por një dukuri e shpërndarë në pothuajse krejt vendin. Përveçse nga “Ferma Lazarat”, droga del si “prodhim” dhe nga zona të tjera të vendit, ku kultivohet, paketohet, transportohet e tregtohet në destinacionet e konsumimit brena e jashtë vendit. Ata që e prodhojnë drogën janë “fermerë”. Ata që e transportojnë, ose e shesin, janë “çirakë”. Ndërsa ata që e blejnë dhe e rishesin si produkt, janë trafikantë. Po ndalemi tek prodhuesit. Sipas një “harte” që ka evidentuar Ministria e Brendshme, në Shqipëri janë afro 150 qendra të prodhimit të drogës. Pra, janë 150 “Lazaratë” që “ushqehen” me prodhim-shitjen e drogës, si e vetmja bimë për të mposhtur varfërinë ekstreme që i ka pllakosur, për shkak të braktisjes prej shtetit në aspektin e mbështetjes me politika sociale-ekonomike e investuese. Madje kjo “rrugëzgjidhje”, në fshatin Lazarat ka marrë formën e plotë të një “ferme droge fshatçe” edhe në aspektin e punësimit, mbasi atje shkojnë e punojnë si “fermerë droge” shumë “varfanjakë” nga qytetet Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj e Këlcyrë, të cilët paguhen me mëditje. Ka një fakt: Të gjithë kultivuesit e drogës që kapen prej policisë e gjykohen, deklarojnë se tek droga e mbjellë dhe e shitur tek trafikantët, ata kanë parë si zgjidhje “shpëtimin nga varfëria”. Këtë na e kanë thënë në biseda të lira dhe banorët fshatrave të zonës së Lumit të Vlorës, Fierit, Mallkastrës, Sarandës, Shkodrës, Beratit, Lezhës, Laçit, Tiranës, Mirditës, Dibrës, Elbasanit, Përmetit etj. Sipas Ministrisë së Brendshme, “harta shqiptare” ku mblidhet drogë, tashmë përfshinë afro 150 fshatra e qindra familje, me “seli qendrore” Lazaratin. Ata deklarojnë, se droga është kthyer në “bimë të zakonshme ekonomike” për familjet e atyre që e prodhojnë, transportojnë apo shesin, mbasi njerëzit duhet të jetojnë, të ushqejnë veten, të veshin, të shkollojnë e të mjekojnë fëmijët”. Kryeministri del e broçkullit, se shqiptarët janë “populli më i pasur dhe më i lumtur i botës, mirëqenie e stabilitet ekonomik, me punësim rekord, me paga e pensione më të larta se vendet e BE, shërbim shëndetësor me të mirë se në SHBA, me arsim më të zhvilluar ne në ANGLI, me kushte jetese 10 herë më të larta se në GJERMANI. Po atëherë, përse “varfanjakët” e Lazaratit, të maleve të Tepelenës, Përmetit, Elbasanit, Matit, Librazhdit, Tiranës, Vlorës, Mallakastrës e Dibrës, mbjellin drogë?! Përse adoleshentët dhe të rinjtë e Tiranës, Durrësit dhe qyteteve të tjerë të Shqipërisë, bëjnë krime të të gjithë llojeve, me motiv të vetëm varfërinë ekstreme?! Lexoni dosjet e krimit dhe përgjigja është aty, me dy fjalë: “Jemi pa bukë”! këtë përgjigje kanë marrë edhe ndërkombëtarët që kanë shkuar e kanë inspektuar zonat e “drogës” në Lazart dhe në të 150 “lazaratët” e vendit. Afro 60% e shqiptarëve janë pa bukë. Me varfërinë e instaluar dhe me braktisjen sociale totale, qeveria i nxit njerëzit dhe komunitetet masivisht drejt rrugëve të paligjshme për të mbijetuar, siç është rasti “Fermës së drogës Lazarat”. Pra, droga mbillet dhe krimet e tjera sociale-ekonomike bëhen, sepse njerëzit janë pa bukë. U është hequr e drejta e punës, e drejta e ndihmës ekonomike normale. Po tallen përditë me mashtrime e premtime boshe për jetë luksi, për punësime, për investime, për mirëqenie ta lartë. Qeveria e di shumë se përse mbillet drogë në Lazarat dhe në 150 “lazaratët’ e tjerë në mbarë vendin. Qeveria e di mirë, se përse çdo muaj largohen e nuk kthehen më në Shqipëri afro 200 familje.