Partizan Myftari/ Një vdekje e marrë me qira…

570
Sigal

Ajo nuk është e vetmja, por është lakuar më shumë se të tjerat, e shndërruar, për mendimin tim, padrejtësisht, gati në Legjendë.

Një viktimë e tranzicionit si mijëra viktima që ndërthuren me vdekjen…

Interpretimi i Vdekjes është risi e të gjallëve.

Fillimisht, ka kostumin njerëzor, human e më pas fillon etika e kodifikimit, këndimit, monumentimit gjer në domosdoshmërinë e saj… politike si të jenë domsdoshmërisht në kërkim të heronjve të rinj.

Brezat kanë nevojë për heronj dhe politika shpesh kërkon shpatarë a zjarrtarë si të rikrijojë kompozimin e një legjende me bashkudhëtarët e saj që ndoshta nuk e meritojnë. Por ajo bren, gërryen, të prek ndjenjat njerëzore dhe avitet tek vdekja si të jetë një këmishë imazhi…

 Edhe me vdekjet luhet hipokrizisht…

Rasti më tipik është vrasja e Azem Hajdarit. Një viktimë publike e tranzicionit, ku politika e pistë, ku pushteti i korruptuar, ka kërkuar të luajë me fatkeqësinë e tij…

Fatkeqësi që ia shpunë në derë, apo lojë të cilën nuk mundi ta luante aftësisht vetë?!…

Një lojë e pistë e elementëve të politikës apo skuadrime klanesh mbi pushtetet e errëta?!…

Ka akoma shumë pika të errëta mbi vrasjen e Azem Hajdarit që ende nuk janë zbardhur, që pushteti nuk ka interes t’i zbardhë, por as personazhet e kësaj historie nuk e kanë guximin të dalin hapur…

Unë nuk po kërkoj trima për të mësuar të vërteten, por arsyetoj mbi banalizimin që i bënë kësaj historie politika dhe pushteti…

Duket se kanë marrë një vdekje me qira për të rregulluar moralitetin e tyre të vdekur prej kohësh…

Kur Politika është e zhveshur prej Moralit dhe cinikisht kërkon të ringrejë, të ringjallë vdekjen e saj, i duhet të shpikë heronj, të luajë me viktima për të shpëtuar vetveten (Viktima e Madhe) e Boshësisë së saj pa një shtyllë kurrizore ku mund të mbështetet Morali i një Kombi.

Tranzicioni i gjatë shqiptar ka një numër të madh viktimash. Edhe të natyrës së Azemit, por heshtet..

Ka vdekje të pallogaritshme!

Qindra mijëra heronj të heshtur, të  vrarë në krye të detyrës, në udhëtime, të mbytur në dete, të ngrirë në male, por askush nuk kujtohet për ata…

Harrohen shpejt dhe politika, pushteti me grinë e saj të errët, vazhdon të mbajë me qira apo të interpretojë skenare heronjsh si me rastin e vrasjes së  Azem Hajdarit…

Kush  e vrau me të vërtetë Azem Hajdarin?!

Cilat ishin motivet?!

Kush e vrau Fatmir Xhindin?!

Vdekja e tij (vrasja) do të merret me qira nga maxhoranca e re?!….

A duhet t’i shkohet gjer në fund të vërtetave apo qiraxhinjtë e vdekjeve (politika dhe pushteti) do të vazhdojnë ritualin e rëndomtë, ku fytyra e saj shndërrohet në kufomën e gjallë…

Cikli i vdekjes u takon të gjithëve…

 E parë nga ky këndvështrim unë nuk dua të fyej vdekjen e Azemit (dhe të askujt tjetri) dhe nuk më intereson pasazhi memorial mbi etikën që kërkon t’i mbishkruajë politika, analistët, miqtë, kolegët apo historianët.

Ashtu siç ka një boshllëk të madh mbi të vërtetën e vdekjes, po aq e madhe është edhe hipokrizia mbi super vlerat për përfitime mbi moralin e  politikës e cila në vazhdimësi, në boshllëkun e saj filozofik, ka një rrogoz të së vjetrës, pa ditur të ndajë kufirin estetik të vdekjes dhe përkufizimit moral  që duhet të shkruajë me fytyrën e vet pa mortizimin e vlerave….

Politika  e zhveshur nga thelbi i esencës merr  vdekjet me qira gjersa kërkon të  ridimensionojë ekuilibrin e humbur me argatë shtypi dhe shtyp që nuk hap rrugë mendimi.

Thjesht vdekatarë të gjallë që nxitojnë të shpallin heronj…si të mbushin një zbrazëti historike që nuk kanë mundur ta mbushin për shkak të deformimit gjenetik të mendimit e veprimit që kanë kryer pa iu nxirë aspak faqja, as para kujtimit real të të ikurve…

Vendi më shumë se sa për heronj të vdekur ka nevojë për heronj të gjallë.

Jeta është më e bukur me heronj të gjallë e njerëzorë…që jetojnë mes nesh…