Partizan Myftari / Modele të vonuara të pazarakëve

174

Kur ndjehesh ngushtë shpesh kërkon të dalësh nga boshësia e intelektit të mbyllur, si ujdhesa që nuk ka më banorët e saj të mendimit, e kërcënueshëm pret hakmarrjen primitive sepse pushtetin e ndjen si ishullin e tij shpëtimtar.

Në siklet publik më shumë se kush tjetër ndjehen pazarakët tanë politik e sidomos në kulmin e fushatave elektorale. Nuk janë të mjaftueshme formatet e programit, skedarët e takimeve, projektet e propozimeve, përgatitja për idetë rezervë, mobilizimi progresiv i administratës, simpatizantëve gjer edhe tek rrethanat jo ligjore.

Një pushtet i vjetër në ide, në mendime; i mbytur në krim e korrupsion; i kapur peng nga një administratë e paftë për të bërë e propozuar thelbin institucional e profesional të ndryshimit, nuk mund të riformatojë një pushtet të ri.

Të gjitha përplasen në tregun e politikës, ku pazarakët tanë, të bindur si reformatorë, kanë zbritur në tregun politik, jo për shkëmbim idesh, platformash, por thjesht tregtar karrigesh ku secila pjesë premton më shumë.

Por kjo tragji- komedi ka njëzet e tre vjet, që i lodh shqiptarët dhe pazarakët nuk kanë mundur të formojnë:

Modelin e Politikës largpamëse,

Modelin e Parlamentit Juridik,

Modelin e Pushtetit aktiv dhe transparent,

Modelin e Administratës Publike,

Modelin e Funksionarit.

Një gërshetim i tillë, fatkeqësisht, mungon dhe po fatkeqësisht vazhdojmë të dëgjojmë për hapat gjigante të Ndryshimit. Një shtyp skllav i kësaj ideje vazhdon të mbijetojë mizorisht mbi një realitet të fryrë duke harruar një rrënim shpirtëror, duke braktisur mijëra e mijëra familje, rrugë, spitale dhe shkolla.

Demogagjia gjen kohë të pres shirita të vërtetë e virtual, por jo e gjitha është aty…

Kasta e re e pazarakëve politik kaq vite, me shërbëtorët e tyre, të djallëzuar, por jo naiv, vazhdojnë të mbajnë peng ndërgjegjen e një kombi me leksione, me intervista, me tituj shkencor duke harruar krimin tjetër të madh mbi fshehjen e kriminalizuar të korrupsionit. Korrupsioni i Moralit mbi një gjeneratë të re, mbi brezin e së nesërmes me diploma false, ku pesha e zbrazëtisë do të ndjehet nesër si një shkretëtirë mes nesh, ku djeg vetë dielli i hipokrizisë.

Dhe gjithsesi modeli i shqiptarit, i patriotit të sotëm mungon. Cili është modeli ynë?!…

I ndershmi, i thjeshti kurajozi?! Punëtori shkencëtari profesori, intelektuali?! Mësuesi, studenti, punëtori, gazetari?! Sapo del një emër të gjithë goditen brinjë më brinjë. Do të gjendet diçka, do të gjendet dikush, që të mungoj modeli ynë i vonuar. Por në situatat tona, ku politika ka hyrë në shqisat e jetës sonë si një sëmundje e keqe e domosdoshme, klasa politike shihet si një objekt tregu i shitblerjes të vlerave së tyre personale që përfaqësojnë me pretendimin e një niveli modern. Në kërkim të modelit…

Berisha u vetëshpall modeli më i mirë i shqiptarit në një takim elektoral. Duket se i ka vajtur në majë të hundës që s’po ia thoshte askush këtë. Për etik profesionale as këshilltarët e tij nuk kanë pasur kuraje ta merrnin qytetarin Berisha si modelin tonë. Kush ka dy pare mend do të tallej me këta të fundit, natyrisht duke përjashtuar disa “injorantë” politikë që botën moderne e shohin vetëm nën qiellin e Berishës. Fatkeqësisht ai e shumë të tjerë hyjnë në modelin më të keq të qytetarit dhe në modelin më qesharak të pushtetarit.

Kjo e parë në kompleksin e tij aktiv politik, në sjelljet e tij, në raportet me qytetarët, me kundërshtarët politik dhe me Shtetin, si një pushtetar me xhamadan hekuri.

Berisha i monologëve është një humbës i vlerave që mund të ketë pasur, por që kur i mbiu në tru, si ngadhënjim mbi njerëzimin, etja për pushtet, mbolli një të keqe të vogël tek disa njerëz më të vegjël se vetja dhe të gjithë së bashku kultivuan të keqen më të madhe: imoralitetin politik me gjithë pajën e tij të turpit (korrupsioni, krimi, vjedhjet, provincializmi pushtetar, egoizmi mediatik, boshësia tek vlerat njerëzore). Berisha u vetëshpallë modeli i shqiptarizmit kur në nofullat e urrejtjes tret ende mallkime aspak të kohezionit modern.

Berisha jo që nuk është modeli ynë, por imponohet i dhunshëm me një shpurë servilësh për të krijuar “modelin e ri mokratik” me leksione e metoda të vjetra komuniste si një nostalgjik shembullor. Liturgjitë e tij tashmë nuk kanë më korda as virtuale e as reale për të lejuar krijimin e një sonate civile të modelit qytetar. Kordat e tij kanë peshën e sa e sa gabimeve politike, pushtetare gjer tek vrasjet e 21 Janarit.

Një model i vërtetë prej kohësh duhej të kishte kërkuar vet gjykim për vrasjet e pafajshme.

Pushteti nuk lind prej Hiçit, por prej popullit e me votë të lirë. Berisha, popullit i ka vjedhur edhe votën edhe lirinë. Një pushtetar i mirë nuk vret një qytetar me duar në xhepa. Edhe hasmi më kanibal e paralajmëron viktimën e vet. Por kur, ky, vret me pushtetin atëherë kur nuk duhej…?!

Po shkruaj sepse po kërkoj një model politik të vijës së parë.

Aksidentalisht merrem me Berishën sepse është “kampion” i modelit, e shpesh herë më duket humbje kohe. Pozicioni i tij publik përfshirë në kohën që  ka humbur e vjedhur shqiptarëve, përfshin edhe kohën time të qytetarit të thjeshte. Pra ke vjedhur edhe kohën time, edhe të fëmijës tim, edhe të nipërve të mi, edhe…

Ju pazarakë! Pushteti u jep fuqi, servilët ju bëjnë të lumtur.

E për shumë fakte të tjera, ti dhe shumë politikanë, deputet, drejtues pushteti nuk mund të jeni modeli ynë, modeli që kërkojnë shqiptarët e ndershëm.

Ishe duke kërkuar modelin dhe e kam të vështirë për etik të Dhimbjeve Njerëzore të drejtohem me “ju” -në se do të ishte shumë false.

Ndoshta Ramës mund t’i vijë shansi, por është në mes modelesh pazarakësh ashtu si shumë prej jush. Në këto 23 vjet, pasi ra muri i diktaturës ju ngritët muret e korrupsionit dhe të imoralitetit, zgjodhët “fuqinë” tuaj për të mashtruar një popull. Por gjithçka ka një fund. Pas këtij fundi të shpresojmë për modelet politike që i duhen Shqipërisë…

E së fundi për të përkufizuar, raportet, dimensionet, ndryshimet, rilindjet në hapësirë, e në kohë ju jeni në borxhe me popullin tuaj. Më kujtohet miku im shkrimtar Iljaz Kapxhiu, (ndjesë pastë) që kur me sarkazmin e tij therëse shkruante për modelet e kësaj natyre  (“….Mahmuti bëri një krua, as vepër, as sevap iu qua, se e bëri në përrua…”

E ju vini prej shkollës së mahmutëve…