Nga Adriatik ALIMADHI* / Mid’hat Frashëri, shërbëtori më besnik i kombit shqiptar

620
Sigal

Me rastin e 63-vjetorit të vdekjes së patriotit të madh, Mid’hat Abdyl Frashërit

I lindur bashkë me Lidhjen e Prizrenit dhe rritur me frymën e nxehtë të Ringjalljes Kombëtare, ishte e shpjegueshme që Mid’hat Frashëri të bëhej fanatik i fesë “Shqipëri”. Dhe këtij kulti ia kushtoi tërë jetën e tij për një gjysmë shekulli. Veprimtaria e tij shtrihet në të gjitha drejtimet e jetës kombëtare. Që në rininë e hershme të tij, Mid’hat Frashëri u rrit dhe u edukua me ndjenjat e vyera të atdhedashurisë, me mallin e pashuar për vendlindjen e të parëve të tij. Babai i tij Abdyl Frashëri, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, internohet dhe burgoset, dhe i dënuar me vdekje nuk pranoi t’i lutej Sulltanit për falje jete.  Kështu që Mid’hat Frashëri i vogël vihet nën kujdesin e vazhdueshëm të dy kolosëve të letrave dhe të Atdhetarisë, Sami dhe Naim Frashëri. Mësimet deri në gjimnaz i merr në Janinë dhe Stamboll. Fillon të shkruajë qysh herët dhe në vitet 1906-1907 boton në gjuhën shqipe artikuj rreth pavarësisë kombëtare shqiptare. Ende i ri në moshë, kur ishte 17 vjeç,  Mid’hat Frashëri do të jepte shkëndijën e parë, se kishte nisur të ecte në udhën e ndritur të Frashërllinjve. Në një letër, që ai i dërgonte patriotit, Ibrahim Temos, midis të tjerave do  t’i  thoshte se ai  e pati zgjedhur rrugën e tij, atë të shërbestarit të kombit. Tradita familjare atdhetare e Mid’hatit, do të dukej qartë, kur ai ishte vetëm 28 vjeç dhe u zgjodh në Kongresin e Manastirit, si kryetar i këtij Kongresi. Pjesëmarrja dhe nderimi i tij në këtë Kongres, si dhe botimi në Selanik i gazetës “Liria” në vitet 1908-1910, do të bënin që emri i Mid’hat Frashërit të përcillej tani me respekt, jo vetëm në qarqet intelektuale, por edhe ato atdhetare të Shqipërisë në ato vite. Një ngjarje tjetër kulmore në historinë e popullit tonë, ishte lufta për shpalljen e pavarësisë. Ka qenë veprimtaria e tij kombëtare, ajo që pati lënë gjurmë të thella në qarqet patriotike, që Mid’hat Frashëri, të zgjidhej delegat për në Vlorën e 28 nëntorit të vitit 1912, i propozuar nga tre krahina. Këto krahina të cilat patën për nder të përfaqësoheshin nga Mid’hat  Frashëri ishin: Kosova, Gjirokastra  dhe Përmeti. Më pas ai do merrte përgjegjësitë si Ministër i Punëve Botërore në të parën Qeveri Shqiptare të drejtuar prej Ismail Qemalit. Në fillim të viteve 20, të shekullit që lamë pas, Mid’hat Frashëri do të  kryesonte disa delegacione shqiptare në  Paris, Lozanë, Gjenevë etj. Gjithë kjo veprimtari kombëtare, bëri që në vitet 1923-1926 shteti shqiptar ta emëronte Mid’hat Frashërin në funksionin e Ministrit Fuqiplotë në Athinë.  Mbi 200 nota proteste i ka bërë ai në atë kohë qeverisë greke në mbrojtje të çamëve. Korrespondenca më e madhe e ruajtur e administruar tregon, shpirtin e madh të këtij atdhetari ndaj kulturës dhe çështjes shqiptare. Libraria e tij në Tiranë ishte një shkollë shqiptare, ku ai si një profet i vërtetë jepte për çdo  njeri këshilla të vyera. Guximi atdhetar e nxiti Mid’hat Frashërin të kundërshtonte energjikisht 7 Prillin e zi, pushtimin e vendit  tonë nga okupatori italian. Afroi patriotë të vjetër, afroi të rinjtë e ndezur, afroi arsimtarët, intelektualët dhe iu tha të shtrëngoheshin për një luftë të gjatë. Dy javë pas këtij pushtimi, kur pa se qeveria kukull shqiptare po i shiste  parimet atdhetare, në bashkëpunim edhe me patriotë të tjerë Mid’hat Frashëri ideoi  dhe filloi  nga puna për krijimin e frontit të rezistencës  kundër pushtuesve italianë. Ky front do të mblidhte në gjirin e vet ajkën e patriotizmit, atdhetarët dhe inteligjencën shqiptare, lidhjen gjenetike me familjen kombëtare të Frashëllinjve, kjo përbërje më pas  u quajt: “Organizata  Balli Kombëtar”. Trakti i parë i hedhur nga fronti i rezistencës në ditët e fundit të prillit 1939, i cili titullohej “Nacionalizma Shqiptare” në tetë pikat e saj shprehte se shqiptarët nuk do t’i reshtnin për asnjë moment përpjekjet e tyre për të çliruar atdheun nga okupatori dhe do të ndërtonin më pas një shoqëri demokratike sipas modeleve të Europës së qytetëruar.  Ky atdhetar në pikat e para të “Dekalogut” do të hidhte me penën dhe mendjen e tij se luftojmë për flamurin kuq e zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit Shqiptar, luftojmë për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me bazë shoqërore dhe moderne, luftojmë për një Shqipëri, ku do të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit. Si “Nacionalizma Shqiptare” ashtu edhe “Dekalogu” përcaktuan rrugën dhe përbënë veprim për krejt nacionalizmin dhe kombin shqiptar. Ky nacionalizëm u shfaq si marrëdhënie vëllezërish me të gjithë shqiptarët. Mukja, 2 gushti i vitit 1943, nuk mund të vinte rastësisht, ajo vinte nga fryma e bashkimit të shqiptarëve qysh nga Kuvendi i Lezhës dhe Lidhjes se Prizrenit. Edhe në këto  momente të vështira i biri i Abdyl Frashërit, Mid’hat Frashëri  e pa plotësisht të arsyeshëm bashkëpunimin me komunistët duke kërkuar bashkimin si një trup i vetëm në luftën kundër okupatorit dhe më pas vendosjen e pluralizmit  politikë në Shqipëri. Mid’hat Frashëri u përpoq me të gjitha format edhe mbas prishjes së kësaj marrëveshje  nga sllavo-komunistët që në Shqipëri të mos  ndodhte gjakderdhje, por kjo ishte e pamundur. Sidoqoftë rrjedha e ngjarjeve të luftës së dytë botërore kishin përcaktuar në një farë mënyre fatin e Shqiptarëve. Triumfi i të ashtuquajturit internacionalizëm proletar ishte në krahun e kundërt të nacionalizmit të kulluar shqiptar dhe kjo ka qenë arsyeja, që për t’i shpëtuar barbarizmës komuniste, Mid’hat Frashëri së bashku me dhjetëra nacionalistë të tjerë morën rrugën e hidhur të mërgimit. Në 28 nëntorin e parë në mërgim Mid’hat Frashëri i mbledh shqiptarët në Gruma të Italisë dhe ju tha, “Nga lind dielli gjendet Shqipëria, drejtoni sytë e trupin dhe shpirtin nga atdheu i robëruar”. Në Itali, Francë dhe SHBA, zemra e Mid’hat Frashërit, rrahu me të njëjtin shqetësim për çështjen shqiptare. Më 26 gusht të vitit 1949 zgjidhet në krye të Komitetit “Shqipëria e Lirë” duke dashur të ndikojë sa më shumë në kancelaritë e vendeve demokratike, për të shembur një orë e më parë, telat me gjemba pas të cilave, komunistët e Tiranës dhe ata të Beogradit gjakosnin mijëra shqiptarë. Mid’hat Frashëri, deri në momentin e fundit të jetës ka qenë dhe mbetet shërbëtori më besnik i Kombit Shqiptar. Vetëm vdekja e shkëputi Mid’hat Frashërin nga detyrat e veta të familjes kombëtare të Frashërllinjëve. Kjo shënoi një humbje për ardhmërinë e shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij, tërë ajo çka Mid’hat Frashëri pati bërë për Shqipërinë ka merituar pa dyshim një përcjellje tjetër të këtij burri të shquar të  Frashërllinjve, kemi kërkuar dhe presim që ky 100- vjetor ta gjejë plotësisht të rehabilituar figurën e tij dhe të jetë i vendosur me bustin e tij, përfundimisht në krah të babait të tij, Abdyl Frashërit, xhaxhallarëve Sami dhe Naim Frashëri.

*Kryetar i Partisë Balli Kombëtar