Shaban Sulçe/ 21 qershori, dita e ndarjes nga mielli i mykur i lëmoshës

626
Tiranë, 1 Qershor 2015. 
Vapa e madhe duket sikur ngadalëson lëvizjet e njerëzve dhe makinave në rrugë, teksa Tirana pritet ti nënshtrohet pa kushte rritjes së temperaturave të larta. Pasi kaloj pallatin më të njohur të kryeqytetit, Pallatin me Shigjeta, afrohem drejt kompleksit stërvitor “Skënder Halili” ku stërviten futbollistët e Tiranës, e më pas kthehem djathtas. Aty shoh disa godina të vjetra, gjysmë të shkatërruara e të rrënuara. Përshtypja e parë është se koha ka ngecur këtu. Të krijohet bindja se tranzicioni i fillim-viteve 90-të është ende prezent, i shëmtuar, i pisët, pa kurrfarë dëshmie të kohërave moderne që jetojmë sot. Drejtohem tek disa prek magazinave të vjetra që ndodhen përballë, dhe vëmendjen ma tërheq shiriti i vendosur në derën e njërës prej to. “Bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”, shkruhet aty. Jam përpara magazinës së kompanisë së tregtimit të miellit “Agroblend”, e cila është në pronësi të bashkëshortes së kryetarit aktual të Bashkisë së Vorës. 
Sapo hapet dera e magazinës një ajër i rëndë të kutërbon hundët. Në të djathtën time, vëmendjen ma tërheq një sirtar prej druri, i vjetruar, i shëmtuar, i shkatërruar, brenda të cilit sheh disa bidonë të pisët, këpucë të prishura, bluza të grisura, pjesë hekuri të varura, dhe një dritare me dru të kalbur që e lidh me magazinën tjetër. Duket sikur një bombë nga ato që kishte frikë diktatori Hoxha ka rënë këtu. Hapësira e brendshme i ngjan më shumë një bunkeri të rrënuar të tranzicionit. Nuk ka dritare të mirëfilltë, nuk ka ndriçim, ajrimi mungon, dhe në të katër cepat, në tavan, por edhe në dysheme shikimin ta mbulojnë vetëm sasitë e mëdha të mykut, me atë shëmtinë e ngjyrës së bardhë të përzier me jeshillëkun e atyre algave kutërbuese, që enden aty si gjethet e pemëve në hije. Veçse kjo koloni vrastare prej myku, hije i bën produktit bazë që konsumojnë shqiptarët për bukë: miellit. Atë bukë që e ha edhe i varfëri, edhe nëpunësi, edhe gazetari, edhe biznesmeni, edhe politikani. Një tmerr i vërtet. Thasët me miell janë lënë pamëshirshëm aty, pa asnjë mbrojtje, të gatshëm për tu hedhur në qarkullim e për tu kthyer në bukën që Zoti i madh na i fal çdo ditë, e që mbi të gjitha na ruan nga e keqja. Sepse mielli me të cilin ushqehemi, ligësisht, makutërisht është lënë aty mes mykut, helmit dhe sëmundjes. 
Vorë, 4 Qershor 2015. 
Autostrada që lidh Tiranën me Durrësin është e tejmbushur nga posterat gjigant të dy kandidatëve që kërkojnë drejtimin e bashkisë së Vorës, kryetarit të konsumuar aktual dhe Luan Sallakut. Ulem te Kontinentali. Lokali është i tejmbushur. Kryesisht aty qëndrojnë mbështetësit e Luan Sallakut, të cilët janë optimistë dhe entuziastë se tashmë për Vorën ka nisur rruga pa kthim e zhvillimit dhe prosperitetit. Pasi porosis një kafe, navigoj në faqet online të gazetave dhe vëmendjen ma tërheq një lajm me foto, shoqëruar me mbishkrimin dhe firmën e Fiqiri Ismailit: “Arben jepi 100 kg miell për promovim”. Promovim?! Sa e gjetur kjo fjala promovim. Aq e gjetur dhe aq e thjeshtë për tu kuptuar: Miell në këmbim të promovimit të dëshirës së kryetarit të majmur të Bashkisë së Vorës për të ngopur me bukë vetëm për një ose dy ditë, ata pak votues të shkretë e të varfër, të cilët do të marrim miell në këmbim të votës. Po a mund të ngopet stomaku i varfër i disa qytetarëve të varfër me miell të helmuar, me miell me alfatoksinë? A mund të pranojnë ata lëmoshën për të votuar një kryetar që në 12 vjet vetëm pasuroi veten e tij, dhe i la ata në varfëri, në skamje, pa ujë, pa rrugë, pa një qendër shëndetësore? A mund të pranojnë ata të shesin dinjitetin e tyre tek një kryetar që u ka mbyllur dyert e bashkisë, që nuk u ka zgjidhur halle, por vetëm ka shtuar pasurinë e tij???
Vorë, 21 qershor 2015. 
Një ditë e bukur po troket për Vorën. Qytetarët e saj, dhe të Marikajt, Bërxullit, Prezës, Domjes, Gjokjat dhe Muçajt si qytetar të denjë me kulturë demokratike dhe evropiane do tu drejtohen kutive të votimit. Kjo do të jetë një ditë e madhe për ta, për të ardhmen fëmijëve të tyre dhe brezave që do të vijnë. Ata do të dijnë ti përgjigjen pozitivisht, me maturi, zgjuarsi dhe dinjitet të ardhmes së shkëlqyer që e pret bashkinë e tyre të re. Ata do votojnë për projektet e zhvillimit, dhe jo për miellin e lëmoshës, ata do të votojnë për cilësinë e jetës së tyre dhe jo për sëmundjet që përmban miellit poshtërues që shpërndahet për “promovim”. Ata do të votojnë për punësimin dhe jo për varfërimin, ata do të votojnë për Luan Sallakun që nuk shpërndan miell, por ide zhvillimi, që nuk jep lëmoshë, por ofron mundësi punësimi, që nuk mbjell varfëri, por që së bashku me Ilir Metën ka një plan konkret për ta bërë Vorën një qendër të zhvillimit ekonomik dhe një nga Bashkitë me cilësinë më të mirë të jetesës për banorët e saj
Sigal