Nesër do të lexoni/ Voskopoja, një qytetërim shekullor, një turizëm përrallor

625
Flet Kryetari i Njësisë Administrative Voskopojë, Bashkia Korçë, z. Luan Fidani: Në Voskopojë më 1720-n u ndërtua shtypshkronja e dytë në Perandorinë Osmane 

Albert Z. ZHOLI

Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 5 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Voskopoja sot është njësi administrative që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit.

Sa banorë, sa ndërtesa dhe çfarë përfaqëson në vetvete njësia administrative e Voskopojës?

Voskopoja aktualisht vetëm si fshat ka 1 mijë banorë, kurse si njësi Administrative me 3 fshatra ka 2 500 banorë. Shumica e banorëve janë në emigrim në shumë vende të Evropës por 4 vitet e fundit po shihet një kthim i madh në vendlindjen e tyre. Aktualisht në Voskopojë kemi shumë ndërtime të reja dhe shumë familje të reja apo dhe familje të ikura që tashmë kërkojnë të ndërtojnë një shtëpi të dytë në Voskopojë ose për përdorim vetjak ose për hotel-turizëm. Voskopoja sa vjen dhe po zgjerohet si fshat. Po mendohet dhe po punohet që Voskopojës t’i kthehet ndriçimi i dikurshëm, duke pasur parasysh historinë në të kaluarën si dhe bukuritë e rralla natyrore.