Çlirim HOXHA/Vlora në ndërtim, një tokë e dashur për të gjithë shqiptarët

287

Qytetet shqiptare gjatë këtyre 20 viteve të fundit kanë marrë një pamje tjetër. E kam fjalën për qytetet turistike bregdetare, të cilat qëndrojnë me fytyrë nga perëndimi. Një nga këta qytete, ndoshta më joshësi, më i bukuri, më historiku dhe më panoramiku është qyteti i Vlorës, zemra e çdo shqiptari të vërtetë.

Po, si ka shkuar Vlora në këto 22 vjet demokraci? Padyshim që Vlora ka ndryshuar dhe është modernizuar për shkak të ndërtimeve shumëkatëshe dhe me një arkitekturë elegante. Përpara se të shikojmë me kujdes se si ka ndryshuar Vlora këto 22 vjet, le të shikojmë se çfarë trashëgoi Vlora në fushën e ndërtimit.

Vlora është një qytet si të gjitha qytetet shqiptare që hyri në shekullin e 20 me një trashëgimi arkitektonike që anonte nga orienti, me disa element të stilit perëndimor për shkak të qëndrimit italian pas viteve 1914. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Vlorën me godina që nuk i kalonin tre katet. Ato ishin të amortizuara nga koha, ndërkohë që në brendësi të lagjeve të vjetra ndesheshe me gërmadha, ose shtëpi të ulëta me mure me kallam. Pas çlirimit të Shqipërisë nisën të ndërtoheshin pallate të stilit socialist, me atë mundësi që kishte ai shtet i sapo dalë nga lufta. Dikush me të drejtë mund të pyes: Si është e mundur që Shqipëria nuk ka trashëguar qytete me godina si shumë qytete italiane, apo diku tjetër, ku kullat, kambanarët, statujat, shatërvanët, pëllumbat mbizotërojnë qytetet dhe sheshet. Shqipëria ka qenë gjithmonë, për shkak të pozicionit strategjik midis lindjes dhe perëndimit, fushëbetejë për ushtritë e huaja. Askush nuk duhet ta harroj dhe ata që nuk e dinë duhet ta mësojnë se, inkursioni i ushtrisë pushtuese romake të drejtuar dhe udhëhequr nga Perandori Pal Emili shkatërroi, madje rrafshoi me tokën 70 qytete nga më të lulëzuarat e Ilirisë. Këto qytete nuk u ndërtuan më në stilin e dikurshëm, pasi Perandoria Romake qëndroi në këto vise, jo pak, por rreth 700 vjet, kohë e volitshme për të dal dhe përgatitur një numër të konsiderueshëm perandorësh romak me origjinë ilire. Pas shuarjes së perandorisë romake të perëndimit shqiptarët ranë nën influencën e perandorisë romake të lindjes, pra të Bizantit dhe shumë pak kohë iu deshën për paqe, ndërkohë që nga veriu dhe lindja mbërritën sllavët gjakatar dhe pas tyre hordhitë osmane mbuluan gadishullin ilirik për 500 vjet. Këta të fundit veçse e rropën këtë vend e këtë popull, duke e sunduar me pashallarë dhe vezirë të dal nga vet raca shqiptare. Pra, gjatë këtyre pushtimeve pati vetëm shkatërrime dhe jo ndërtime dhe lulëzime si në vendet rreth nesh. Në këto kushte, pas sistemit socialist të ndërtimeve të thjeshta, me pak përjashtimi për madhështoren, (piramida, Pallati i Kongreseve, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Gjergj Kastrioti Skënderbeut etj.) përgjithësisht Shqipëria trashëgoi një situatë ndërtimesh të dala mode, ku hera herës për shkak të nevojave të ngutshme për strehim, u ndërtuan pallate me apartamente si kuti shkrepësesh për nga hapësira, ku pati edhe paradokse të tilla sa që dy familje punëtorësh ndanin së bashku një apartament. Kaq të etur ishin shqiptarët për shtëpi saqë të gjithë emigrantët që çanë ferrën dhe u larguan drejtë perëndimit, kur u kthyen ndërtuan shtëpi të reja, vila e pallate. Në këto kushte ishte e domosdoshme që në Vlorë, ashtu si në të gjithë vendit, të kishim një bum ndërtimesh dhe kërkesash për ndërtime. Pikërisht këto ndërtime të reja zhdukën gërmadhat e vjetra dhe pa ndonjë vlerë arkitektonike, arkeologjike apo historike të së kaluarës, dhe u dhanë hapësirën e nevojshme dhe modernitetin qyteteve tona, përfshi këtu edhe Vlorën. Por, sot dëgjojmë rëndom kritika të tilla si; po e betonizojnë Vlorën, po e shkatërrojnë Vlorën, po e mbysin Vlorën?! Është për t’u çuditur se si njerëzit, ca nga mentaliteti i së kaluarës, ca nga xhelozia dhe smira, rreken të kritikojnë çdo gjë dhe aq më shumë kohën dhe lirinë e ndryshimit dhe ndërtimit. Vlora trashëgoi nga e kaluara lagje të mbushura me shtëpi të vjetra gërmadhë, geto të kohëve të errëta, një pjesë e të cilave janë edhe sot e kësaj dite. A nuk duhej ndërtuar Vlora në stilin modern perëndimor?! Nuk e kam fjalën për atë stil të vjetër, por për ta ngritur qytetin në lartësi, paçka se Vlora është qytet sizmik dhe cilësia e materialeve të ndërtimit duhet mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm. Gjatë këtyre 22 viteve demokraci dhe hapje ndaj botës, nuk kemi dëgjuar ndonjëherë kritika për betonizimin e Manhatan në Nju Jork, të Hon Kongut etj., qyteteve që janë në breg të detit, paçka se ato ndërtime gërvishtin qiellin, ndërkohë që e quajmë Vlorës qytet që po betonizohet?! A s’jemi ne për lejimin e ndërtimeve moderne në bregdet, pa ja zënë frymën atij? Pikërisht këtë gjë kanë patur dhe kanë drejtuesit e sotëm të Bashkisë Vlorë, për ti dhënë qytetit përmasat e qyteteve në zhvillim përball detit. Sa dëshirë do të kisha që Vlorë të ngjante një Monte Karlo, një Manhatan në miniaturë, një qytet kozmopolit, një zonë e lirë ekonomike, ku zhvillimi të merrte përmasa të madha në shërbim të gjithë Shqipërisë. Po hapësirat e gjelbra ku janë, do të pyes dikush?! Vlora si qytet rrethohet nga kodrat dhe malet nga të tre anët e horizontit, mbuluar me ullinj dhe gjelbërimë gjithëvjetor dhe nga perëndimi ka përball detin, pa llogaritur këtu pyllin e Sodës dhe atë të Zvërnecit. Në këtë aspekt nuk mund të flitet për mungesa të hapësirave të gjelbra, kur kemi një park lojërash dhe dëfrimesh, siç është ai “Aulona”. Kemi lulishte të gjelbra, siç është ajo përpara Bashkisë, ajo në të hyrë të qytetit, ajo tek shtatorja e Avni Rustemit, ajo tek Sheshi i Flamurit e deri poshtë në breg të detit ku ka një lulishte të re për s’lodhje dhe argëtim e deri tek lungomarrja që sapo ka nisur të ndërtohet dhe që do të krijoi një mjedis të këndshëm për këdo.

Ku shkuan premtimet e zotit Sali Berisha qysh në fillimet e demokracisë, se do të ndërtonte apo lejonte zonat e lira ekonomike, ku një ndër to do të ishte edhe Vlora?! Po ku të lenë more zotëri monopolet e tua të ndërtosh apo lejosh ti zona të lira ekonomike! Mungesa e krijimit të zonave të lira ekonomike favorizoi disa persona, të cilët u pasuruan dhe vazhdojnë të pasurohen përmes monopoleve, por i lë qytetarët e tu fukarenj pas shkatërrimit të asaj që ishte ngritur dhe ndërtuar përpara viteve ‘90?!

Shumë zona ekskluzive ekonomike sot në botë janë kthyer në dragonj ekonomikë. Të tillë janë Hong Kongu, Singapori, Tajvani, Korea e Jugut etj., pasi aplikuan me shumë sukses zonat e lira ekonomike. Në Shqipëri asnjëherë nuk u vu në zbatim një metodë apo praktikë e tillë rezultateve, çka i ka bërë shqiptarët të rropaten në kufijtë e mbijetesës, falë listave nëpër dyqane.

Veç “bum”-it të ndërtimeve, që për fat të keq këto vitet e fundit po përjeton vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së shitjeve (një nga shkaqet kriza në Greqi dhe Itali), Vlora gjatë një viti kalendarik jeton një gjallëri të justifikueshme, pasi kultura dhe sportet kanë qenë gjithmonë në avangard të zhvillimeve. Qendra e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve motivuar nga Ilir Metaj ka krijuar mundësi të shumta për gjallërimin e jetës kulturore në qytet. Sjellja e grupeve të shumta muzikore, festivalet, koncertet dhe aktivitetet e tjera në funksion të turizmit dhe kulturës i kanë dhënë qytetit të Vlorës atë gjallëri që është mirëpritur vazhdimisht nga komuniteti. E njëjta gjë duhet thënë edhe për Klubin Shumë-sportesh “Flamurtari” të drejtuar nga Roland Dervishi, ku gjallëria e një jete që vlon të ndjek kudo. Rikrijimi i ekipeve me vajza të reja të volejbollit të “Flamurtarit”, është një kthim në traditën e bukur që Vlora ka pasur në vitet e shkuara, ku vajzat e basketbollit, kampione me tapi të kupave dhe kampionateve i kanë dhënë tonin sportit në Vlorë dhe Shqipëri. Nuk po përmend këtu sportet e tjera, pasi ato dihen, por në Vlorë vazhdon të ruhet tradita, paçka se vështirësitë financiare dihen. Një tjetër element në kulturën e qytetit të Vlorës dhe që ka marrë patentën e organizimit të festivaleve folklorik, është padyshim “Aulona Folk Festival” i drejtuar me pasion nga Sejmen Gjokoli, drejtor i QK. “Bilbili”, një emër i njohur ky në fushën e flokut kombëtar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të mos harrojmë atë gjallëri dhe atë patriotizëm që u krijua në Vlorë me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë, ku Sejmen Gjikoli dirigjonte të gjithë grupet e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia, që koncertonin në rrugët dhe sheshet e Vlorës, gjë e paparë dhe dëgjuar më parë.

Vlora është një qytet në ndërtim dhe zgjerim, ndaj duhet mbështetur financiarisht nga Qeveria, që për hir të së vërtetës faqeziu i qeverisë e la në hije në 100- vjetorin e Pavarësisë, kur në fund u kujtua, për shkak të presionit, të lëshonte me zor 39 milionë lekë vetëm për sheshin e Flamurit dhe vetëm kaq?! Nesër pas 23 Qershorit, kur opozita të vijq në pushtet, me siguri socialistët dhe Edi Rama do bëjnë më shumë për Vlorën, këtë qytet të dashur për të gjithë shqiptarët. E mira nuk ka fund, por Vlora meriton më shumë mbështetje dhe përkujdesje dhe një të ardhme më dinjitoze ekonomike.