Mimoza Bedini: Auditimi i prokurimeve dhe KLSH

199

Auditimi i prokurimeve,
në fokusin e Kontrollit të Lartë të Shtetit

 

Audituese e Lartë në
KLSH

 

Qëllimi i prokurimeve
publike përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, të cilat kanë synimin e
përbashkët sigurimin e burimeve për kryerjen e objektivave të caktuara. Entet
publike duhet të zgjedhin një furnizues dhe të paguajnë për punët e kryera, mallrat
e dorëzuar ose shërbimet e ofruara. Në shumicën e shteteve anëtare të BE-së,
prokurimi përfaqëson deri në 30% të shpenzimeve publike, ndërsa në Shqipëri
shpenzimet që prokurohen janë 28% e buxhetit të shtetit. Institucionet Supreme
të Auditimit shqyrtojnë  dhe vlerësojnë përdorimin e fondeve publike, por
mandati dhe aktivitetet që kryejnë janë në varësi të ndryshimeve të buxhetit
dhe rregullave të prokurimit publik kombëtar.  Procesi i prokurimit publik
kalon në tre faza kryesore, të cilat janë: përcaktimi i nevojës, procedura e
fituesit të kontratës dhe menaxhimi i kontratës deri në përfundimin e
saj.  Procesi i auditimit fillon në fazë të avancuar të procedurës së
prokurimit, ose kur ajo ka përfunduar.  Mandati i SAI-t i jep të drejtë
audituesve të shqyrtojnë dhe vlerësojnë procesin në të dy fazat. Auditimi i
procedurave të prokurimit përfshin si auditimin e përputhshmërisë, ashtu edhe
atë të performancës. Kriteret e pajtueshmërisë, ndaj të cilave procesi duhet
të  vlerësohet, janë të bazuara në kuadrin ligjor të secilit vend. Në
termat e performancës, audituesi duhet të vlerësojë kur procedura dhe
vendimmarrjet kanë arritur kriterin e “3-E-ve”, ekonomiciteti, efiçenca dhe
efektiviteti. Ekonomiciteti fokusohet në pagesën e çmimit më të ulët për të
mirat dhe shërbimet e ngjashme duke ruajtur cilësinë, ndërsa efiçenca është
marrja e sasisë maksimale të outputit të të mirave ose shërbimeve për një input
të dhënë të burimeve administrative publike (jo vetëm mjet monetar) ose
minimizimi i inputeve të burimeve publike për një sasi të dhënë outputi të mirë
ose shërbimi publik të procedurës së prokurimit. Efektiviteti vlerëson nëse
performanca e arritur nga kjo procedurë është në nivelin e duhur, kur outputi i
të mirave ose shërbimeve të përfituara nga procesi arrin objektivat e caktuara.
Puna audituese është strukturuar për të vlerësuar nëse procesi i përcaktimit të
nevojave për një procedurë specifike është i vlefshëm, procedura e shpalljes së
fituesit është ligjore dhe nëse të mirat publike po shpenzohen në një linjë me
kuadrin rregullator në fuqi. Në praktikë, qëllimet konkrete në përputhje me
rrethanat, mund të jenë mjaft të ndryshme në varësi të fushëveprimit të
objektit të prokurimit, nga ku auditimi synon vlerësimin nëse autoritetet
kontraktore kanë arsyetuar si duhet për shpenzimin e parave publike. Në
përputhje me rrethanat, një auditues analizon llogaritë e autoritetit
kontraktor në funksion të vlerësimit të punës në mënyrë efektive, si dhe për të
parë, nëse në të gjitha ose disa prej procedurave të prokurimit të përfunduara
është ruajtur konkurrenca, vlera më e mirë për autoritetin kontraktor;
besueshmëria se mashtrimi dhe korrupsioni janë penguar; si dhe  auditimi i
procedurave të veçanta për të krijuar besueshmërinë nëse këto procedura janë në
përputhje me kuadrin ligjor. Ndërsa në shumicën e rasteve kriteret e
pajtueshmërisë janë parimisht të qarta, pyetja shpesh mbetet nëse i audituari
ka arritur kushtet më të mira të mundshme në rrethanat e dhëna, në veçanti në
lidhje me çmime të mira. Po kështu, treguesit e çmimeve aktuale të tregut ose
të çmimeve të arritura në procedurat e mëparshme mund të shërbejnë si pikë
referimi. Megjithatë, çdo konkurrim (procedurë) është një ngjarje unike që
ndodh në rrethana shumë të veçanta në kohën e prokurimit në varësi të objektit
të prokurimit, kapaciteteve në dispozicion, progresit teknik, etj. Auditimi
vlerëson nëse procedura e ndjekur është kryer në bazë të programimit të
nevojave të autoritetit kontraktor, kritereve ligjore, specifikimeve teknike të
kërkuara, zbatimin e kushteve të kontratës, etj, për të arritur vlerën e
parasë. Shkeljet e konstatuara nga KLSH për procedurat e prokurimit në entet
publike, janë në rritje, kryesisht në përdorimin e pajustifikuar të procedurave
me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratave, studimin e munguar
të tregut për llogaritjen e fondeve limit, hartimin e kritereve të kualifikimit
dhe specifikimeve teknike, në shmangie flagrante të konkurrencës, transparencës
dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë. Kontrolli i Lartë i
Shtetit, gjatë auditimeve të realizuara në vitin 2015, ka konstatuar shkelje të
dispozitave ligjore shoqëruar me dëm ekonomik në fushën e prokurimeve publike
në shumën 2,621,594 mijë lekë, ose 3.8 herë më i lartë, krahasuar me vitin 2014
ku dëmi i konstatuar ka rezultuar 678,118 mijë lekë. Tendenca në rritje e dëmit
ekonomik në prokurimet publike, konstatohet edhe për vitin 2016, i cili vetëm
për 9 mujorin e këtij viti  ka arritur në shumën 2,315,581 mijë
lekë. Nga vizualizimi i gjendjes nëpërmjet paraqitjes së efektivitetit të
prokurimeve për operatorët ekonomikë për vitin 2014, KLSH ka vlerësuar tre zona
me nivel risku të ndryshëm. Rezultatet e auditimit tregojnë se 35% e
prokurimeve me efektivitet nga 0 deri në 5 % zonë e cila mbart riskun e marrëveshjeve
dhe mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit, 27% e prokurimeve me
efektivitet nga 5 deri në 20 % zonë e cila vlerësohet me nivel të ulët risku
dhe 38% e prokurimeve me efektivitet nga 20 deri në 58 % zonë që vlerësohet me
risk të lartë në mosprogramim të saktë me pasojë mos efektivitet të fondeve
publike.