Medvegja nuk harrohet nga Presidenti Ilir Meta

693
Refik HASANI

Medvegja është komuna më pak e zhvilluar, me më së paku në përfaqësimin e shqiptarëve ndër institucione lokale dhe qendrore, madje më e diskriminuara. Është më e anash-kaluara nga Beogradi, pasi aparatin shtetëror e ka vetëm përmes, policëve, ushtarëve dhe xhandarëve të shumtë të instaluar. Kjo Komunë edhe nga Prishtina dhe Tirana zyrtare është harruar dhe nga askush nuk e ka vizituar e aq më shumë të investohet diçka konkretisht. Vizita e filluar sot duhet përshëndetur, pasi Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T. Ilir Meta, në prag të festave të Nëntorit është në një vizitë vëllazërore dhe jo kalimthi, se i ka rënë rruga andej. Vizita është enkas për Medvegjën, me çka ajo përballet, me vështirësitë e shumta nga më të ndryshmet. Popullata shqiptare e kësaj Komune, sigurisht e priti këtë vizitë në mënyrë madhështore dhe tepër me emocione, pasi krijon një mbështetje, së paku morale për shqiptarët e kësaj Komune. Kjo vizitë që bëhet në festën më të madhe që kemi ne, është shumë domethënëse. Presidenti që sivjet ka marrë detyrën e ka filluar atë mirë e mbarë, që të vizitojë Komunën më të skajshme shqiptare që ende po mbahet e populluar me shqiptarë, kjo është shumë me rëndësi. Mbesim me shpresë, që deri në fund të mandatit do të interesohen dhe me një përkushtim do të investohet në këtë Komunë. Opinionin e kujtojmë që Presidenti aktual sa ishte në cilësinë e Kryediplomatit shqiptar kishte bërë disa lëshime e që me këtë vizitë, në njëfarë mënyre, ka ndryshuar qasjen dhe diskursin ndaj Medvegjës. Tani kjo është vizita e parë që dikush nga dy Presidentët, Kryeministrat apo Kryetarët e dy Parlamenteve të dy shteteve shqiptare bëjnë këso vizitash. Uroj që të vazhdohet me vizita, investime e përkujdesje nga Prishtina e Tirana zyrtare për Medvegjën, Bujanocin dhe Preshevën. Sivjet më 7 mars 2017, me rastin e Ditës së Mësuesit, në Komunën e Bujanocit dhe të Preshevës ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani, iu bëri po ashtu një vizitë historike këtyre dy komunave, por jo edhe Medvegjës e tani sikur kjo po përmirësohet nga Presidenti i Shqipërisë SH.T. Ilir Meta. Vizita vëllazërore uroj të mos mbetët vetëm si e tillë, por të afrojë mbështetje, pasi Shqipëria ka obligim kushtetues, moral e institucional të ngrejë zërin, të mbrojë dhe përfaqësojë të drejtat individuale dhe kolektive, jo vetëm në Medvegjë, por edhe në Bujanoc dhe Preshevë që përbëjnë hapësirën tonë etnike shqiptare. Tirana në bashkërendim me Prishtinën zyrtare do të duhej të ndërtojnë një qëndrim, platformë a strategji që t’i paraqesin e artikulojnë kërkesat e ne shqiptarëve nga kjo pjesë në të gjitha instancat dhe mekanizmat të BE-së dhe OKB-ës.
Sigal