Lulzim BASHA/Për Tiranën e të gjithë shqiptarëve!

541
Sigal

Konferenca e “Javëve të Arkitekturës”, nis procesi për Planizimin e ri Urbanistik të Tiranës

*Kryetar i Bashkisë së Tiranës

 Po nisim një proces, i cili do të kulmojë me miratimin e Planit të ri Urbanistik të Tiranës, procesin e konsultimit me qytetarët e Tiranës dhe me grupet e interesit. Kjo pjesë e hartimit të planit urbanistik të Tiranës, procesi në të cilën ne kalojmë është po aq i rëndësishëm, madje shumëkush do të thoshte edhe më i rëndësishëm se rezultati përfundimtar, sepse në përfundim të këtij plani ne ndodhemi para shanseve të mëdha për një ndryshim rrënjësor të qytetit tonë, një ndryshim pozitiv, një ndryshim plot me energji i cili mund dhe do të jetë i tillë vetëm nëse ka vulën dhe aprovimin e banorëve të këtij qyteti. Pjesëmarrja dhe më pas vendimmarrja e qytetarëve, në përfundimin e planit urbanistik që i ka munguar këtij qyteti për 21 vjet, është për mua thelbësore, po aq e rëndësishme sa rezultati përfundimtar i këtij plani dhe është po kështu garancia që rezultati përfundimtar do të jetë i qëndrueshëm dhe jo subjekt i ndryshimeve të herëpashershme të gjendjes shpirtërore burokratike, shtetërore etj, të institucioneve përgjegjëse. Plani urbanistik, në përfundim do të jetë tabloja, piktura, vepra e artit, e përbërë nga mijëra detaje, si një mozaik i vërtetë, në të cilin do të gjejnë veten e tyre qytetarët e sotëm të Tiranës dhe brezat që do të vijnë, por kjo tablo e cila është shumë komplekse nuk mund të trajtohet si një vepër arti “e strukur” në një studio, në duart e një piktori eksentrik, sado i talentuar apo jo mund të jetë. Duhet dhe do të jetë një vepër arti e hapur për kontributin dhe bashkëpunimin e të gjithë kapaciteteve njerëzore intelektuale, profesionale dhe artistike të kryeqendrës së shqiptarëve. Kështu ka nisur procesi dhe kështu do të përfundojë. Bashkia, këtu ka rolin e vet por asnjë pjesë e rolit nuk është më i rëndësishëm se sa të garantojmë se procesi do të përfundojë me transparencë dhe pjesëmarrje të plotë të të gjithë atyre që i thonë Tiranës “shtëpia ime”. I zoti e di më mirë se ku i pikon çatia. Ky është një proverb i lashtë dhe jam i bindur, jo i kufizuar në trevat tona, ndaj edhe ne e nisëm këtë punë duke e bërë të sigurt se asnjë kapacitet njerëzor shqiptar, nuk do të mund të rrinte jashtë dhe i përjashtuar por do të ishte pjesëmarrës dhe kështu ndodhi; arkitektë dhe urbanistë, sociologë e psikologë, ndërtues e grupe të tjera të interesit, që sot e tutje e deri në përfundim të planit çdo qytetar. Nga ana tjetër jo çdokush ka mundësinë apo kapacitetet të ofrojë çka është e nevojshme për këtë proces kompleks, ndaj ne ishim krenarë, që profesionistët e përfshirë në këtë plan, të përfaqësojnë me të vërtetë kulmet e profesionalizimit në fushat përkatëse, nga arkitektura tek urbanistika, nga inxhinieria tek mjedisi.  Jemi sot edhe më krenarë, që si rezultat i kësaj energjie të prodhuar, kësaj energjie pozitive, që qyteti ynë rrezaton jo vetëm për qytetarët e tij, madje jo vetëm për vendin por sot edhe në aktivitete të rëndësishme botërore si Bienalja e Venecias, e rrezaton këtë energji, e përcjell këtë energji, në qytetet e tjera, tek simotrat e saj kudo në Evropë, ne kemi sot të pranishëm në Tiranë, edhe njëherë në këtë hark të shkurtër një vjeçar, zërat më të rëndësishëm të pararojës, avantgardës arkitekturore dhe urbanistike të botës. I kemi të pranishëm fizikisht dhe me punimet e tyre të shkëlqyera, që paraqesin plane dhe projekte, që nesër do të jenë realitet për qytetin tonë dhe pse jo edhe për qytete të tjera. Kjo është valuta më e mirë, shenja më e fortë e besimit që ka projektuar kjo energji e re e qytetit tonë e që do të përkthehet pa dyshim dhe me patjetër në vepra konkrete publike dhe private, për të mirën e qytetit tonë, qytetarëve tanë dhe mbarë vendit. Një falënderim i veçantë i shkon sot, jo vetëm në emrin tim, por në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, atyre që besuan dhe investuan kohën dhe energjinë e tyre, përkushtimin e tyre, nga Roterdami në Tokio, nga Los Angeles në Romë dhe më afër këtu, brenda në shtëpinë tonë, profesorëve, akademikëve, në veçanti studentëve dhe të gjithë  atyre që shndërruan në qendër të veprimtarisë së tyre gjatë këtij viti, punën për të materializuar, nëpërmjet vlerave të tilla profesionale, atë që nesër fare mirë mund të jetë e vërteta e prekshme fizike dhe shpirtërore e këtij qyteti. Ky ekspozim do të ketë shansin të vizitohet nga qindra qytetarë të Tiranës, nga mijëra prej tyre dhe ne do të mundemi kështu, të përfitojmë jo vetëm ekspertizën por edhe vlerën konkrete të punëve, me shpresën e madhe që një ditë, shumë prej këtyre veprave, t’i shohim të realizuara, nga sektori tashmë i provuar i ndërtimit në qytetin tonë, por t’i shikojmë të realizuara edhe në kushtet e garantuara nga Plani i ri Urbanistik, të trajtimit të barazvlefshëm dhe të ndershëm të pronës private, të zgjerimit dhe jo tkurrjes së hapësirave publike, transparencës dhe parashikueshmërisë për të gjithë. Ky është angazhimi i Bashkisë së Tiranës. Me këtë angazhim vij sot këtu dhe me këtë angazhim i përvishemi që sot e deri në përfundim këtij procesi të konsultimit dhe miratimit përfundimtar të Planit Urbanistik të Tiranës.