Kushtrimi u dha, por veprimi po vonon!

3272
Sigal

Meditim pas lëvizjes së ambasadorit të SHBA-së, Alëksandër Arvizu, nën moton: “Vepro  tani!”

Në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi 100 parti dhe po kaq Shoqata e Organizata të ndryshme.Të gjithë e dëgjuan ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, kur inicioi lëvizjen ACT NOW! (Vepro tani!), por me fashitjen e mëpasme ne treguam se askush nuk e ka kuptuar. Jeta  në Shqiperi zhvillohet e vaket. Jemi popull që durojmë më shumë nga të gjithë. Mbase nuk është me vend ose krahasimi mund të çalojë, por unë do të sjell këtu një përshkrim tronditës.

Këtë durim “shembullor” të shqiptarëve e përshkruan mirë një ushtar serb i quajtur Vuksanoviq për masakrat e ushtrisë serbe në Kosovë, ku ndër të tjera shkruan: ”Kur trupat  serbe shkatërruan fshatin Topojan (fshat i Lumës) për dy ore asgjesuan 500 shpirtëra… Shqiptarët e“egjër”ushtarët tanë të zënë rob i çarmatosnin dhe i lëshonin, kurse ushtria jonë e “kulturuar”e shekullit XX po i vret edhe fëmijtë e tyre….” dhe vijon: ”Shqiptarët në fillim i vritnim me pushkë dhe patllake, por së shpejti erdhi urdhri se nuk kishte leverdi të shpenzohej municioni, prandaj shqiptarët do të theren me thika. Dhe kështu ndaheshin në grupe grupe…, rreshtoheshin në rreshta me fytyra të kthyera kah njëri-tjetri dhe atëherë oficerët dhe nënoficerët i thernin shqiptarët një nga një në qafë. Këta njerëz fatkëqinj as që luanin nga vendi, as nuk bërtisnin, as nuk mbroheshin, thuajse nuk ishin qenie njerëzore të vetëdijshme, por shikonin të qetë si i therrej shoku pranë dhe thika po ia shpërthente fytin e tij. Nuk mund ta merrja me mend një gjakftohtësi dhe qëndrueshmëri të këtillë njerëzore, të cilët e shikonin vdekjen me sy.”

Përshkrim më rrëqethës nuk mund të ketë. Siç duket edhe Qeveria jonë e paska lexuar këtë ditar dhe e konsideron popullin si kope. Apeli i ambasadorit amerikan përmbante pikërisht këtë mesazh: Popull, zgjohu se në shekuj Populli shqiptar e ka siguruar mbijetesën me shpatë në dorë, kemi fituar lirinë me pushkën partizane, në Demokraci po tegoheni si komb dështak.

 Kudo janë krijuar hapësira boshe, asnjë masë nuk merret për të ndryshuar situatën, administrata shtetërore është mbushur me të paaftë, ndërsa tek njerëzit e ndershëm e të aftë profesionalisht është ushqyer indiferentizmi. Qeveria po mashtron popullin me sllogane dhe me dredhira, bërtet e çirret se jeta do të jetë më e mirë dhe në realitet ajo keqësohet. Në popull është  rritur pakënaqësia, por si rezultat i konfuzionit mendor, nuk ka mundur të organizohet e të reagojë as spontanisht. Qeverisja e sotme çdo nisme që merr niset nga nevojat praktike pa iu referuar asnjë modeli kombëtar dhe as përvojës teorike. Organizimi i  sotëm nuk ka humanizëm, i cili deri tani është në nivelin zero. Partitë që kanë bërë rrotacionin e pushtetit këto 20 e shkatërruan pasurinë kombëtare të vënë me gjakun dhe djersën e popullit. Gjendja duhet parë ashtu siç është, pa zbukurime, ashtu si e shohim ne atë përditë. Numri i madh i të rinjve si dhe numri i madh i të papunëve është në gjendje të bëjë mrekulli. Por deri tani rininë tonë e tërheqin partitë politike  në pushtet ose në aleancë me pushtetin, të cilat kërkojnë reforma por pa shkatërruar instalimin e sistemit spekulativ që sjell fatkeqësi. Edhe lëvizjet e reja të kohëve të fundit kërkojnë ndryshim të kuajve të karrocës por jo të sistemit. Metoda e deritanishme duke fajësuar njëri tjetrin dhe të tjerët nuk ka sjellë dobi.

Sikur të kishim qenë të zotë dhe të mos i armiqësonim të gjitha shtresat e popullsisë dhe të inteligjencës, sikur të kishim qenë më largpamës në qëllimin tonë kryesor, sikur të kishim menduar për të riorganizuar mënyrën e prodhimit nisur nga perspektiva, sikur të kishim gjetur një mënyrë për t‘i lënë të kuptonin se të gjithë do të kenë një rol për të ardhmen e vendit, vendi dhe populli nuk do të ishin në këtë situatë që jemi sot.

Populli e ka në dorë dhe kurdoqoftë që të vendosi ta fusi veten në luftë për të ardhmen më të mirë të tij, ka për të mësuar se shumica është me të dhe e keqja shporret shumë shpejt. Për të ndryshuar drejtimin e rrjedhës kryesore duhet që inteligjenca aktive patriote të gjejë mënyra për të orientuar rrjedhën, duke u përqendruar në interesat dhe objektivat e përbashkëta.

Luftën kundër “terrorizmit dhe trafiqeve” qeveria e përdor si fasadë mashtrimi, pasi synimet janë të tjera. Demokracia parlamentare është në kolaps të plotë për shkak të vjedhjes së votës, plaçkitjes, krimit e korrupsionit.

Në Shqipërinë e sotme dhunohen edhe varret, ndërsa njerëzit janë bërë si mall tregu, shiten e blihen. Toka nuk punohet pasi është e pushtuar nga jo pronarët dhe zotët e vërtetë të saj. U braktisën fshatrat. U ringjall hakmarrja dhe gjakmarrja ku shumë familje në Shqipëri nuk guxojnë të shkelin më në tokën e tyre të pushtuar nga frika e gjakmarrjes. Të ngujuarit jetojnë pa burime jetese. Nuk dalin dot në treg. Nuk shkojnë në shkolla. Nuk marrin pjesë në gëzime të përbashkëta. Ekranet e televizioneve dhe gazetat janë mbushur plot me kronika të zeza. Por do të vije një ditë që ndërmjet vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, ata do të zgjedhin këtë të dytën plumbin . “Të gjitha veprat e këqija në Shqipëri e kanë autorin, edhe pse qeveria nuk i tregon, autorësia dihet, sepse njerëzit e këqinj vetëm vepra e këqija bëjnë. Sot historiografia shqiptare është e detyruar të shkruajë histori suksesi për njerëz të pasuksesshëm. Brezat që do të vijnë do të na gjykojnë nga veprat jo nga fjalët. Por dihet se historia nuk e fshin dot turpin.

Kaosi, korrupsioni, mafia dhe krimi janë bërë një kërcënim i ri edhe për sigurinë në gjithë vendin. Kjo situatë ka krijuar dyshim e frikë në opinionin e jashtëm e atë të brendshëm. Frikën ndaj këtij rreziku e tregon më së miri ardhja e njëri pas tjetrit të politikanëve të lartë perëndimorë në Tiranë dhe lëvizjet jashtë vendit të drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar kohët e fundit. Mediat e huaja paralajmërojnë se në vendet e rajonit po forcohen lidhjet mbi baza etnike dhe fetare si dhe ndërmjet krimit të organizuar me elitat politike. Me përjashtime të vogla në shtetet e këtij rajoni ka zhvillim të ngadalësuar të demokracisë, pasi në këto shtete nuk sundon ligji por kaosi.

Konferencat e shpeshta ndërkombëtare që jane zhvilluar e që po zhvillohen tregon se punët nuk po ecin mirë, se janë shtuar konfliktet, janë acaruar marrëdhëniet midis shteteve. Opozita shqiptare është e paorientuar politikisht dhe kombëtarisht. Deri më sot Opozita nuk ka treguar as shkallën më të ulët të gatishmërisë për t’u ballafaquar me maxhorancën, as në parlament e as në shesh. Qeveria është “sulmuar” disa herë, por pa një plan të organizuar e pa një objektiv të qartë edhe pse ambasadori i SHBA-së bëri thirrje “Koha për veprim është tani”. Protestat, mitingjet, janë të modës për Kryeminstrin, ato janë “zilet e tufës” që ai vet i ruan dhe i menaxhon. Këto “zile” “bariu Kryeministër” i rregullon sipas gustos së vet. Me ankesa, peticione, memorandume, letra të hapura, programe kombëtare dhe letra me premtime çështja kombëtare po groposet çdo ditë. Është jashtë çdo dyshimi se politika aktuale shqiptare do të pësoi një disfatë të plotë – në planin kombëtar, ekonomik dhe social.

Lëvizjet e tanishme në Europë e në botë janë dëshmi të forcimit të aspiratave të njerëzve për bashkim mbi një bazë etnike ose fetare. Shtet fqinje por sidomos Serbia e Greqia nuk lenë pas dore asnjë mjet për të përçarë e provokuar shqiptarët.

Duhet ta kuptojmë rrjedhën e re që kanë marrë ngjarjet, bashkësia ndërkombëtare disponon mjete solide presioni dhe ata nuk do të lënë rast pa ndërhyrë e pa penguar prosperitetin e kombit shqiptar. Lufta e informacionit po bën kërdinë. Imazhi i shqiptarëve është dëmtuar, po shfaqen në shtyp, “hetime të mirëinfomuara” mbi trafikun e drogës, të grave, aktivitete kriminale çuditërisht deri tani të toleruara nga qeveritarët shqiptarë dhe nga ndërkombëtarët, me rezidencë në Qeveri.  Po nuk guxuam sot; kur do ta themi fjalën tonë apo të themi si Naimi” “E ç’e desha trimërinë kur s’mu gjend për Shqipërinë?!”

Ne duhet t’u bëjmë anatominë ngjarjeve dhe jo të mjaftohemi me autopsinë të kërkojmë vetëm fajtorët. Erdhi koha të heqim dorë nga mëdyshjet, e t’i themi gjërat troç, mos të luajmë rolin e të paditurit e të themi u zumë në befasi.