Kristo Mërtiri: Lumo Kolleshi, një poet i vërtetë në Përmet…

1128
Sigal

Mbrëmjeve, kur nata bie urtësisht e ulet këmbëkryq mbi gjithësinë dhe shtrydh pak e nga pak atë vesën e padukshme që veson a pikon pa zhurmë yjet e agut të mëngjesit, kur Vjosa papritur e pa kujtuar sikur këndon nën zë ninananën e fundit dhe bën zgjimin e qytetit lule harbuar (ritual shekullor i veçantë që zgjon ujërat, pyjet e malet), një dhome të thjeshtë banimi shpesh nuk i shuhet drita elektrike. Nuk i shuhet as frymëzimi dhe as shënimet e njoma në ditarin e mësuesit të Letërsisë, e as vargjet poetike pa mbarim. Ka vite që udhëtojnë bashkë që nga malësitë e Pukës në Veri e gjer te fshatrat Bënjë, Novoselë e Katundishtë të Dëshnicës. Dhe sot në qytetin e Përmetit, në gjimnazin e mirënjohur “Sami Frashëri”. Është poeti mësues Lumo Kolleshi, që pret e përcjell me penë në dorë vargje e rima, motive e rrëfime të shumta nga jeta. Ashtu në heshtje e pa zhurmë, kurrë nuk bërtet e as sokëllet. Me një modesti të adhurueshme e angazhim krijues skrupuloz, zgjedh e gdhend fjalën e qëruar, të latuar si gur qosheje. Që kundërmojnë erë borziloku e trëndeline nga livadhet malldjegura në Mërtinj, Frashër, Kokojkë, Qarrishtë, Trebeshinë, Dhëmbel, Nemërçkë… Se ekranet e shumtë televizivë në metropol nuk paskan nge e as këllqe të vërteta profesionalizmi, që të merren siç duhet me poetët e talentuar në “provinca”. Opinioni i gjerë publik ka vite që bombardohet pa mëshirë me informacione të rëndomta, qesharake e kulpërake nga brenda e jashtë Shqipërizës sonë. Duke e ushqyer brezin e ri shpesh me modele e ideale kallpe e groteske, përmes një lakuriqësie të shëmtuar në veshje, këngë, fjalor e komunikim banal dhe tepër larg kulturës së vërtetë tradicionale e moderne. Frytet e tyre dhe ato të arsimimit publik e privat, në fund të fundit, janë të (pa)ndezura në praktikë. Fryte thartirë që herë-herë të ngjethin mishtë e të zhysin në meditime të trazuara e trishtuese. Dhe harrojnë që “artin e botës e udhëheq poezia”… Fjala vjen, në rininë time të hershme publicistike, unë u njoha e u miqësova me Et’hemin (vëllai i Lumos), mjekun e papërtuar, të dashur e të respektuar në mjaft familje të Përmetit e Këlcyrës, Dëshnicës, Malëshovës, Cerjes, Dangëllisë, Shqerisë e Rrëzës. Studiues vullnethekurt që arriti të mbrojë titull shkencor në zemër të Kryeqytetit e në mes të ajkës elitë të Neurologjisë! Një rast i rrallë e që flet shumë. Njohës i mirë i tallazeve njerëzore, por edhe nxitës i veçantë i poezisë së Lumos.

Përmeti im i dashur! Sa shumë bij e bija nga kjo trevë e shquar atdhetarie e kulturëdashëse dhanë shpirtin e talentin e tyre për Historinë faqendritur të kombit; për letërsinë; gjuhësinë; artin Figurativ e Monumental; Arsimin; Teatrin e Kinematografinë; Këngët e meloditë qytetare popullore; shkencën; gazetarinë etj. Në raport me popullsinë, ndoshta është nga nahijet e rralla që ka aq shumë “Artistë të Popullit” ose “Artistë të Merituar”, ustallarë jo dosido e që brezi i ri fare pak ua di rrënjët përmetare e mëmëdhetare. Konkretisht, nuk duhet harruar kurrë shembulli i vetëm në botë: Tre Vëllezërit Frashëri, tre pishtarë nga një derë në krye të Rilindjes Kombëtare Shqiptare! Emrin e tyre shkëlqimtar po e mban lart dhe me dinjitet e vetmja Shoqatë Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare, me qendër në qytetin e bekuar buzë Vjosës. Ose më tej. Mjaft Heronj e Dëshmorë të djeshëm e të sotëm kanë fituar nderimin e përjetësinë edhe nga peneli, dalta e vargu i bijve të kësaj treve pjellore. Ndërsa këto ditë shqiptarët në Maqedoni po presin librin e ri të Lumos, libër që po radhitet e lidhet në Shtypshkronjën e Tetovës. Se krijimtarinë e tij e kanë lëçitur herët: Në vigjilje të pluralizmit(1989) fitoi Çmimin e Dytë Kombëtar në poezi. Dhe në Prishtinë (Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini poetik”,2014), fitoi Çmimin “Vepra letrare”. Pa u ndalur këtu për vlerësimet e diplomat në Itali, Greqi etj.

Mirëpo, nuk thoshte kot i mençuri: “Poeti është si kudhra që po nuk e godite nuk lëshon shkëndija”. Edhe kjo tufë e bukur me vjersha, si një tufë lulesh përmetare mbi tavolinën time në këtë fillim marsi, e tregon natyrshëm burimin: Vendlindja, fëmijëria, djepi i përjetshëm i Mërtinjit; njerëzit më të dashur, të vdekur e të gjallë; plisat e lisat, zilet e këmborët, blegërimat e vetëtimat; gurgullimat shushurimë të krojeve dhe zërat drithërues të zogjve shtegtarë; vreshtat dhe ugaret që derdhin avuj e djersë kur hyn e del parmenda a traktori; vogëlushët që recitojnë Abetaren dhe fjalët e ëmbla të Naimit; kuvendimet llagar si pikë loti e pa qibër me luftëtarët e Dritës së Diturisë, me mësuesit që bëjnë orë të tëra me këmbë për të ndriçuar të ardhmen. Në cingërimë a përcëllimë… Te ai gjimnaz ku dikur do të hapte udhën e gjerë të arsimimit, të ëndrrave e lirikave djaloshare, përballë bankave ku shuante etjen për dije, ish-nxënësi i urtë e kokëplotë, Lumo Kolleshi, sot shkon çdo mëngjes si mësues i Letërsisë, por edhe si poet fjalëhollë. Tashmë, ai di të qëmtojë mjeshtërisht edhe nga gazavaji i kabasë së famshme të Laver Bariut, e mbi të gjitha nga poeti popull. Pa kopjuar e pa imituar, larg vulgares e lakmisë tamahqare! Aromën e nektarit poetik të mirëfilltë e ndien gati në çdo poezi të tij. Poezi që nuk të lodh e as të dhuron shushamë a ngrica. Përkundrazi, të ngroh e të lëvrin gjakun në deje, të ndez meditimin e, pse jo vetë reflektimin shpirtëror qytetar te lexuesi i ri e i moshuar. Sepse Koha dhe Njeriu janë binom i përhershëm te pena e Lumos. Kjo devizë, mendoj unë, është edhe shtylla kryesore në biografinë e tij poetike, ku dallon qartë individualitetin e pacenueshëm e origjinal. Ka të drejtë miku ynë, Ilirian Zhupa që këmbëngul e thotë shpesh, se poezia “është si dashuria, nuk ka moshë…”

Faleminderit, Lumo, që na sjell, jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe kthjelltësi e bukuri mendimi, dashuri të pa matë për Njeriun e thjeshtë, për çdo grusht dheu në Përmet e përtej tij! Se poezia jote nuk të përkund me lule e pekule të vjetruara e monotone. Veç të tjerave, ti më sjell në Tiranë një kupë qielli nga viset e mia, gjurmë nga shtigjet e udhët ku pata fatin të hidhja mjaft hapa të sigurt në jetën time qytetare, profesionale e familjare. Gjurmë që na shoqërojnë si magji të pathinjura kudo e na mbajnë gjallë deri në frymëmarrjen e fundit! Ethet e mundimit e të krijimit tënd janë të prekshme, aspak hermetike. Për sot, nesër e pasnesër. Dhe tani, po ua lemë radhën lexuesve…

————————————————

Poezi nga libri “Mbahem te një fije bari” të poetit Lumo Kolleshi

Mos ik!

Dritëroit

 

Mos ik, se dimri sivjet ish i vonuar,

Se pjergullat ende s’i kemi krasitur,

Se ca kalldrëme janë ende pa shtruar,

Ca shpella në rrugë s’i kemi lëvizur!

 

Mos ik, se ca ferra s’i kemi prerë mbi gërmadha,

Se ca fjalë të egra në buzë nuk i kemi zbutur,

Se ca koka të mykura, të thara

Ende i kemi peshqesh nga karvani yt i mundur!

 

Mos ik, se atdheun s’e kemi bërë ende të bukur!

—————

 

I vonoi dimri mimozat…

 

Nuk di pse këmbët më çuan në park,

Apo era më kish hequr pas xhakete,

Veç pranë mimozave ndalova pak,

Grindeshin degët me fshikujt, për vdekje.

 

Dhe ishte një grindje e çuditshme,

Dimrin po e shanin përmbi lumë,

Lot të verdhë kishin nëpër sythe,

Me lot mimozash të qaja edhe unë.