Kristo Mërtiri: Deputetët e majtë e të djathtë,të dorëzojnë vilat,pallatet,dhe pasuritë që kanë përfituar

1606
Sigal

Le të mirëkuptohemi qysh në fillim: Nuk është fjala vetëm për ajkën a gardën e Opozitës, por edhe për atë të Maxhorancës. Dhe as thjesht për parlamentarët e sotëm dhe zyrtarët e tjerë të lartë në metropol a në provinca. Më shqip, edhe për poste-rënët që nga majat e Shtetit e të Pushtetit, të Polit(h)ikës e të Ekonomisë, të Legjislativit e të Ekzekutivit. Tashmë shumicën e tyre i njohim me zë e me figurë. Majtas e Djathtas! 3 dekada nuk janë pak në krijimin e një rrethi vicioz tragjikomik, rreth që po ngjan përditë e më tepër me një rrotullame litari që të kall datën në qafën e sfilitur të popullit fukara. Popull që shushatet e tulatet nga daullet e çara të moralit të ndryshkur nëpër tribuna, foltore sallash e në sheshe ku shiten përsheshe me okë “përgjërimesh”, betimesh, deklarimesh e përgjimesh pa fund. Rrofshin mjetet elektronike që hargalisin e gudulisin Prokuroritë, Policitë, Partitë, Median mediokre e përtace, vetë opinionin e çartallosur përballë ekraneve të mbarsur nga dosjet “sekrete” të mirë-paguara nëpër skutat e Drejtësisë uloke e marroke. Drejtësi që ngopet e velet me volumet madhore me përgjime e thërrime, me dialogë rondokopë e harakope, me ordinerë e kalanderë që mbajnë gjallë borderotë e pagave me gjyqtarë e prokurorë qyqarë. Kur i shikon volumet e fryra mbi tavolina, në pamje të parë i thua vetes: “O boboo, çfarë pune titanike hetimore e gjyqësore është bërë, hallall u qoftë! Dhe të bëhet sikur dëgjon dhjetëra e qindra dëshmitarë (të gjallë e të vdekur) nëpër ballafaqimet sy më sy në zyra e qelira. Por përgjithësisht, kjo ndjesi njerëzore mbetet thjesht një ëndërr a përrallë nazike në të dalë të dimrit. Dhe përgjimet lumë, shpesh mbulojnë paaftësinë, profesionalizmin e vetë gjurmët pa gjurmë të korrupsionit galopant e sfidant. Mirëpo ato vërshime paradoksale një ditë kthehen në ortekë thashethemnajash juridike, mediatike e politike. Ama, kur hyn e ulet këmbëkryq kjo e fundit, hetimi dhe gjykimi i vërtetë marrin porropinë. Nëpër sallat e Gjykatave fryn e shfryn era e rëndë e Polit(h)ikës së ditës, erë që lëkund si kallam Drejtësinë dhe jep mesazhe të qarta anësie, larg ndershmërisë profesionale, intelektuale e qytetare. Në ato salla hije e fasada shkëlqimtare, ndoshta ndihet mungesa e thirrjeve të hapura mitingashe e partiake.

-Ore babam, për ne miqtë e tu që jetojmë te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit, protestat më mbushamendëse e më të pastra për çdo shqiptar të zakonshëm do të ishin ato që rrethojnë vilat private të pushtetarëve e opozitarëve; pallatet e tyre; dyqanet e apartamentet e shumta luksoze; bankat që mbajnë me kimet kartat e tyre me llogari të majmura mbi kurrizin e “shtresave të paprivilegjuara” etj. Pa përmendur këtu sojin e sorollopin e tyre ku fshihen mjaft pisllëqe të dukshme e të padukshme, duke groposur Transparencën për të cilën bëjnë sikur hidhen në “zjarr” përditë! Se pacipëria e këtij Tranzicioni rrumpallë po arrin kulme të padëgjuara: Nga balli i mitingjeve partiake e fluturake, por edhe nga podium i tempullit të demokracisë në Parlament, u drejtohen fukarenjve rrip shtrënguar e të uritur me një fjalor përulësie e hipokrizie të pashoqe, i furnizojnë me shashka e bujashka elektorale për të ruajtur me thonj e me dhëmbë favoret e privilegjet vetjake e familjare. Dhe pas çdo zallamahie, ecin me kokën lart përmes turmës dhe mbyllen nëpër vila e apartamente vezulluese evropiane. Ndërsa njerëzia e thjeshtë plot halle që përleshet me ruajtësit e Rendit Publik, i heqin këmbët zvarrë e të uritur dhe mbyllen zëngjirur e të sfilitur nëpër shtëpitë e mbytura nga varfëria! Vallë, vërtet i besojnë ende politikanët e kamur me rroga shteti?… Tjetër. Fjala vjen, 5 ditë më parë si s’na ra damllaja, kur kënduam një haber-zezonë në media. Vetëm një fjali që mund të plasaritë gurin e drurin, por edhe çdo njeri me mish e me gjak në këtë botë jallane: “Në katër vitet e fundit në vend janë vetëvrarë mbi 650 persona, kurse dukuria e flijimeve në burgjet shqiptare ka nisur të bëhet shqetësuese”(?!). Asnjë politikan e shtetar nuk pipëtiu. As nëpër fejsbuqe e ulluqe. Të gjithë vrapojnë për të kapur e mbajtur pushtete ku burojnë para të thata e të njoma, paçka se qelben kokë e këmbë. Me sa duket, shifra të tilla ulërimë, për kupolën e sotme politike të Shqipërizës sonë do jenë bërë si “bukë e djathë”. Gjer më sot (larg qoftë!), asnjë politikan nuk ia ka hequr vetes! Megjithëse idealit të vërtetë mëmëdhetar i kanë falur me kohë arratinë dhe mjaft punonjës të Drejtësisë janë katandisur si limonë të shtrydhur në karakter, jo në pasuri…

Gurët e mullirit të Pseudodemokracisë shqiptare po punojnë më tepër në boshllëk. Hajdutëria, mjerisht po bëhet mënyrë jetese e pushteteve që vijnë e shkojnë kaluar ! Pa ndëshkueshmëria e krerëve të kupolës pluraliste u ka futur thikën në kockë fukarenjve, djalërisë që po ikën nga sytë këmbët nëpër udhët e botës, nëpër detet e zhgënjimit e të dëshpërimit biblik. Duke lënë prapa halle të mëdha në familje e në shoqëri, duke u ndarë për së gjalli me prindërit që u dridhen buzët dhe duart nëpër tregje e kafene dhe belbëzojnë hidhur me veten. Parmbrëmë, dy miq të mi zagoritë te Bërryli, shkrepën një polemikë për mullinjtë me erë dhe ata me ujë në politikë, për shpenzimet e mëdha e pa bukë në fasada pedonalesh, në mitingje e lobingje brenda e jashtë vendit, në varavingot me taborë show nëpër rrethe (majtas e djathtas). Më në fund, plasi pakëz humor i natyrshëm. Më thinjoshi i vuri kapak muhabetit me një tip të shkurtër anekdote:

-“ Njëri, kur pa një mulli me erë, u çudit ngaqë s’kishte parë ndonjëherë dhe pyeti se çfarë ishte.

– Mulli me erë, -iu përgjigjën.

– More, që është mulli me erë e mora vesh, po nga i vjen uji?…”.

Gënjeshtra, jo gjithmonë i ka këmbët të shkurtra. Mungesa e shtetit të vërtetë ligjor në praktikë, sidomos përballë politikanëve të çdo ngjyre e istikami, po e than realisht besimin popullor që shpërtheu optimist e gjer në ekstazë 30 vite më parë. Me këtë kupolë drejtuese, Shqipëria jonë do të lëngojë gjatë! Dhe nuk është vetëm bindja ime personale. Përkundrazi. Atë që ata mbollën në vite, po e korrin njerëzit e thjeshtë hallexhinj. Një amanet i Hygoit të pavdekshëm, nuk harrohet: “Miqtë e mi, mbajeni mend mirë: Nuk ka as barëra të këqija, as njerëz të këqij, ka vetëm kultivues të këqij!”. Mirëpo, mbi këtë tokë lahen si të mirat dhe të ligat në jetë e në politikë. Por më mirë se kushdo i pastron Shteti i së Drejtës që ëndërrojmë. Për shembull, a e dini cila ishte një nga akuzat ditët e fundit ndaj një ish-politikani italian 72 vjeçar? “ Dreka dhe darka luksoze, shëtitje me jaht dhe një vilë në Sardenjë”(!) E tha saktë një analisti ynë, “vështirë të ketë kushtuar më shumë se disa vila në Gjirin e Lalëzit apo në rrethinat e Tiranës”. Po sa u dënua në këtë fundshkurti? 5 vjet e 10 muaj burg! Në emër të një “reforme spitalore” në Lombardi, rrihte gjoksin e kapardisej si maçoku në thekër vite me radhë. Veçse “nëpërmjet fondacioneve dhe shoqërive të regjistruara jashtë vendit, i kishte rrëmbyer arkës së shtetit mbi 78 milionë euro” Mashtrues jo dosido që dikur ia hodhi paq deri edhe stuhisë së mirënjohur “Duar të Pastra”. E morët vesh nga i buronin paratë? E deklaroi një prokurore trime: “ paratë vinin nga ilaçet e hequra të sëmurëve”. Krahasojeni me Prokurorinë tonë topalle që nuk i ngre hiç sytë nga tavani! Dashuri e dhembshuri apo paaftësi e hipokrizi lapidare? Minimalisht, le të dëgjojnë atë aforizmën e bukur agolliane: “Po të kujdesesh vetëm për tavanin, kalbet dyshemeja…”