Kastriot MYFTARAJ/ E gjithë e vërteta mbi “Katovicën”

1551
Sigal

Gorbachevi inicioi spiralen e ngjarjeve që solli rënien e regjimeve komuniste në Europën Lindore e për pasojë edhe shpërbërjen e perandorisë sovjetike dhe të Traktatit të Varshavës

Në vitin 1982, Anatoly Golitsyn, një ish-major i KGB-së që ishte arratisur në Perëndim në 1961 dhe tashmë gjendej në SHBA, i dërgoi CIA-s një letër ku parashikonte praktikisht të gjitha ndryshimet politike që do të ndodhnin në Lindjen komuniste në vitet që pasuan, dhe që u iniciuan me ardhjen e Gorbachevit në pushtet. Ndër parashikimet e Golitsyn që u përmbushën qenë Perestroika dhe Glasnosti (sigurisht përmbajtjen e këtyre proceseve dhe jo vetë emërtimin), tërheqja e trupave sovjetike nga Afganistani, vendosja e pluralizmit politik në vendet komuniste të Europës Lindore dhe në vetë Bashkimin Sovjetik, si dhe kalimi i tyre nga ekonomia e kolektivizuar në atë kapitaliste, lëshimi i vendeve satelite europianolindore nga Moska, rënia e Murit të Berlinit, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik etj. Teza qendrore e Golitsyn ishte se që prej vitit 1959 KGB kishte përgatitur një plan të madh reformash për të mashtruar Perëndimin dhe në radhë të parë SHBA. Por për analistët e CIA-s letra e Golitsyn ishte thjesht tregues i delirit që e kishte rrëmbyer atë nga dëshira për t’ i impresionuar amerikanët, një gjë e njohur kjo tek defectorët si Golitsyn. Letra e Golitsyn as që shkoi në tryezën e zyrtarëve të lartë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Pentagon. Golitsyn i kërkoi CIA-s që të shkruante një libër ku të zhvillonte idetë e paraqitura në letër. CIA nuk kishte kundërshtim. Kështu, dy vjet më pas, në 1984 u botua një nga librat më të jashtëzakonshëm në historinë e spiunazhit “New Lies for Old”, ku Golytsin kishte zgjeruar tezat e paraqitura në përkujtesën e tij. Libri kaloi pa shumë vëmendje, aq e jashtëzakonshme ishte përmbajtja e tij.

Në vitin 1994, Mark Riebling, në librin e tij “Wedge: The Secret War Between FBI and CIA” u bëri një shqyrtim në retrospektivë tezave të Golytsin dhe arriti në përfundime frymëmbajtëse: Në librin e tij Golitsyn kishte bërë 194 parashikime, nga të cilat 139 qenë përmbushur në vitin 1993, kur Riebling ishte duke shkruar librin e tij. Nëntë parashike qenë të gabuara. Për dyzetegjashtë parashikime të tjera nuk mund të thuhej ende nëse qenë të gabuara, në kohën kur ishte duke shkruar Riebling. Shkalla e saktësisë në parashikim e Golitsyn ishte 94%! E të mendohet se bëhej fjala për ndodhi me rëndësi botërore. Ai që mund të quhet si misteri “Golitsyn” nuk ka marrë ende një përgjigje në mënyrë të kënaqshme. Teza se Golitsyn i ka shpikur nga mendja ato që tha në letrën dhe librin e tij, i atribuon këtij njeriu një gjenialitet që shkon deri tek e mbinatyrshmja. Por pika më e dobët në arsyetimet e Golitsyn ishte se ai nuk arrinte që ta bindte CIA-n se përse Kremlini do të udhëzonte KGB-në që të bënte një mega-plan për të mashtruar Perëndimin, sikur po reformohej në mënyrë të pëlqyeshme për të, duke hyrë në një spirale që bartte rreziqe të mëdha dhe që eventualisht çonte në destabilizimin e perandorisë sovjetike dhe të vetë Bashkimit Sovjetik. Në fakt, kur Golitsynit i bëhej kjo pyetje, atij i kërkoi që të bënte punën që duhej ta kishin bërë analistët e CIA-s për çështjet gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Golitsyn nuk kishte një kapacitet të tillë. Por ka një përgjigje për pyetjen së cilës nuk i jepte dot përgjigje Golitsyn. Mega-plani mashtrues i Moskës duket i logjikshëm nëse i shikon gjërat nga pikëpamja e atyre që sundonin në Kremlin. Në vitin 1959, kur supozohet të jetë bërë plani, liderët sovjetikë e kishin kuptuar se miqësisë ideologjike sovjeto-kineze i kishte ardhur fundi. Pikërisht në këtë vit lideri sovjetik Khruschev (Hrushov) bëri një vizitë në Kinë, me ç’rast u qartësua për të dy palët se nuk kishin të ardhme si miq dhe aleatë. Arsyeja ishte se Bashkimi Sovjetik nuk donte apo nuk mundte që ta ndihmonte ekonomikisht Kinën komuniste, në atë masë që kjo të përmbushte ambiciet e saj për t’u bërë një vend i zhvilluar industrial dhe një fuqi bërthamore. Kjo ishte në origjinë të kursit që e çoi Kinën në afrimin me SHBA më pas. Sovjetikët natyrisht se dyshonin që në 1959, se Kina mund të afrohej me Perëndimin. Drejtuesit e Kremlinit qenë shtetarë marksistë-leninistë, por qenë edhe shtetarë rusë. Si shtetarë rusë ata kishin të ngulitur thellë në mendësinë e tyre prej shtetari frikën e përhershme se Perëndimi do të ndihmonte shtete të prapambetura aziatike që të bëheshin të fuqishme dhe pastaj t’i përdorte kundër Rusisë. Kështu kishte ndodhur me Japoninë në fillim të shekullit XX. Disfata në luftën me Japoninë bëri që Rusia të hidhet në krahët e Britanisë së Madhe. (Britaninë e Madhe në fakt e kishte mbështetur Japoninë së bashku me SHBA, për ta përdorur kundër Rusisë, dhe kishte lidhur një traktat aleance me Japoninë, para se kjo e fundit të sulmonte Rusinë.) Në atë kohë Rusia, edhe për t’u bërë e pëlqyeshme për vendet perëndimore ndërmori një fushatë reformash të brendshme politiko-ekonomike. Tashmë liderët komunistë rusë dyshonin se SHBA donin ta përdornin Kinën komuniste në të njëjtën mënyrë siç ishte përdorur Japonia në fillim të shekullit. Pas afrimit kino-amerikan të iniciuar nga vizita e Nixon në Bejing (Pekin) në 1972, ky dyshim erdhi duke u bërë një bindje. Aq më tepër kur Kina hyri në një kurs të zhvillimit të shpejtë ekonomik në fund të viteve shtatëdhjetë. Askush më tepër se liderët rusë në Kremlin nuk ishte i vetëdijshëm se ç’ pasoja mund të kishte fuqizimi i shpejtë i Kinës në kohën që ekonomia sovjetike kishte marrë tatëpjetën.

Ata që sundonin në Kremlin qenë të përgatitur që të bënin gjithçka për të përçarë atë që e perceptonin, dhe jo gabimisht, si aleancë antiruse mes Perëndimit dhe Kinës. Në këtë kontekst, Kremlini urdhëroi KGB-në që të përpunonte mega-planin e reformave, me synim për të mashtruar Perëndimin, ose më saktë për ta bërë këtë të fundit ta ndihmonte Rusinë në një moment dobësie të madhe të saj, në vend që të përfitonte nga dobësia e Rusisë. Nuk mund të pritej nga Golitsyn që ta bënte një analizë të tillë, por nuk mund të mos pritej nga analistët e CIA-s dhe të establishmentit strategjik amerikan në përgjithësi, që ta bënin një analizë të tillë.

Çka thashë më lart janë faktet e pamohueshme. Në Shqipëri, që nga viti 1998 ka nisur të qarkullojë një fletë që supozohet se përmban një fjalim të Ramiz Alisë në një mbledhje të Byrosë Politike në tetor 1989, ku ai i referohet një parashtrese që supozohet se i është dërguar nga shefi i Kremlinit, Gorbachev që në 1987. Nga përmbajtja e fjalimit të supozuar të Alisë del se, në vitin 1987 Gorbachev ka mbajtur një takim sekret me të gjithë krerët e vendeve komuniste të Europës Lindore, ku i ka vënë në dijeni ata për një mega-plan sekret për ndryshimin e sistemit politiko-shoqëror-ekonomik në vendet komuniste të Lindjes, duke përfshirë Bashkimin Sovjetik në vitet e ardhshme. Në fjalimin e supozuar të Alisë nuk përmendet se ky takim është bërë në Katovicë të Polonisë. Kjo ka dalë më vonë. Si qëndron e vërteta? Së pari duhet thënë se deri më sot nuk është publikuar as edhe një dokument i ngjashëm me fjalimin e supozuar të Ramiz Alisë në tetor 1989, që të mbajë autorësinë e homologëve të Ramiz Alisë në vendet komuniste europianolindore, pra të Çausheskut të Rumanisë, Zhivkovit të Bullgarisë, Kadarit të Hungarisë, Jaruzelskit të Polonisë, Honeckerit të Gjermanisë Lindore, Husakut të Çekosllovakisë. Së dyti, duhet thënë se deri më sot nuk është publikuar as fjalimi i supozuar sekret i Gorbachevit në Katovicë. Kjo ka ndodhur se Gorbachev nuk do të bënte kurrë gabimin që të vinte në dijeni liderët e vendeve komuniste të Europës Lindore për zbatimin e planit të përmbysjes së madhe politiko-ekonomike në vendet komuniste. Nëse Gorbachev do t’i kishte vënë në dijeni ata, së paku katër prej tyre do të kishin gjetur mënyrën për ta dekonspiruar planin, ashtu që të nxisnin rrëzimin nga pushteti të Gorbachevit dhe të ekipit të tij të ngushtë reformator. Qëkurse Gorbachevi erdhi në pushtet dhe nisi reformat e tij, ai vuri re se katër liderë komunistë europianolindorë ishin kundër çdo reforme, dhe ai i quajti këta si Banda e të Katërtëve: Honecker i Gjermanisë Lindore, Zhivkov i Bullgarisë, Husak i Çekosllovakisë, Çaushesku i Rumanisë. Por Gorbachev kishte edhe kundërshtime serioze brenda vetë udhëheqjes sovjetike në Kremlin për reformat që ishte duke bërë, çka e tregoi grushti i shtetit që u bë kundër tij në 1991. Gorbachev nuk mund t’u paraqiste udhëheqësve të vendeve komuniste një plan si ai i Katovicës, pa u miratuar më parë në Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Sovjetike. Dhe nëse Gorbachev do t’a kishte paraqitur këtë plan Politbyrosë në 1987, atëherë nuk ka asnjë dyshim se grushti i shtetit që u bë kundër tij në 1981, do të ishte bërë që në 1987.

 Gorbachevi ishte një konspirator gjenial. Ashtu siç e di çdo studiues i konspiracioneve të mëdha, konspiratorët gjenialë, të cilët kanë pushtet të madh për të manipuluar ngjarjet, nuk kanë nevojë që t’u bëjnë me dije planin e tyre të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre. Nga pozicioni i tij në Kremlin, Gorbachev ishte në gjendje që të bënte veprime që do të shërbenin si katalizator për të vënë në lëvizje një zinxhir ngjarjesh në të cilat liderët komunistë të Europës Lindore do të rrëmbeheshin nga spiralja e ngjarja e iniciuar në Kremlin. Mund të përcaktohet me saktësi të plotë dita kur Gorbachevi inicioi spiralen e ngjarjeve që solli rënien e regjimeve komuniste në Europën Lindore e për pasojë edhe shpërbërjen e perandorisë sovjetike dhe të Traktatit të Varshavës. Gorbachev i ftoi liderët e vendeve të bllokut komunist në një mbledhje në Moskë, për bashkëpunimin ekonomik, që u mbajt në 10-11 nëntor 1986. Gorbachevi i habiti homologët e tij të vendeve komuniste, kur u tha se këtej e tutje do të ndryshonin rregullat e lojës, sa u përket marrëdhënieve ekonomike mes vendeve komuniste dhe Bashkimit Sovjetik. Deri atëherë kishte qenë Bashkimi Sovjetik ai që i furnizonte vendet satelitë me naftë, minerale që shërbenin si lëndë të para për industritë e këtyre vendeve, dhe të gjitha këto jepeshin jo sipas çmimeve të tregut botëror dhe as në valutë, por bëhej një shkëmbim sipas një lloj tregtie primitive në natyrë, e njohur jo shumë saktësisht edhe si clearing. Vendet satelite merrnin nga Bashkimi Sovjetik lëndë të para me çmime më të ulëta se ato të tregut botëror dhe e paguanin furnizuesin e tyre duke i dhënë prodhime të tyre industriale e më pak bujqësore, duke e patur kështu si një blerës të garantuar. Bashkimi Sovjetik dilte dyfish i humbur nga kjo “tregti”, se ai mund ta kishte shitur naftën dhe lëndët e para minerare në tregun botëror, ku mund të kishte marrë valutë të fortë perëndimore, dhe pastaj me këtë valutë mund të kishte blerë prodhime industriale të cilësisë së lartë, në vend që të merrte ato mallra me cilësi të ulët nga vendet satelite.

Moska ishte e vetëdijshme për mosleverdinë e kësaj “tregtie”, por e bënte atë për arsye strategjike, do të thotë kjo ishte e vetmja mënyrë që të mbaheshin regjimet komuniste në vendet satelite. Tashmë që Gorbachevit i duhej valutë perëndimore për të kryer reformat e tij modernizuese në ekonomi, ai vendosi t’ i jepte fund kësaj marrëdhënieje ekonomike. Gorbachevi u tha homologëve të tij nga vendet satelite se këtej e tutje duhet t’ i gjenin lëndët e para, duke përfshirë naftën, në tregun botëror, me valutë, dhe atje t’ i shisnin prodhimet e tyre industriale. Gerhard Schurer, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit të Gjermanisë Lindore, i njohur si truri ekonomik i regjimit të Honeckerit, i cili ishte i pranishëm në mbledhje, bëri një koment pas përfundimit të mbledhjes. Schurer, si një nga njerëzit që e rrokën saora plotësisht implikimin që sillte kursi i ri ekonomik gorbachevian tha se Gorbachevi me këtë e kishte vrarë kampin socialist. Një koleg i tij shkoi edhe më tej, duke thënë se: “Ky ishte ekuivalenti ekonomik i tërheqjes së trupave sovjetike nga Europa Lindore”. Shtetet komuniste europianolindore nuk kishin valutë për të blerë naftë dhe lëndë të para minerare për industritë e tyre, dhe as mund të shpresonin të shisnin prodhimet e tyre industriale jokompetitive në tregun botëror. Ishte e qartë se ekonomitë e vendeve komuniste europianolindore do të shkonin me shpejtësi kah kolapsi. Kjo do të sillte protesta dhe trazira që do të çonin në ndryshime politike nëse nuk ndërhynte Moska si në Hungari në 1956, apo në Çekosllovaki në 1968. Gorbachev nuk mund të mos ishte i vetëdijshëm edhe për këtë gjë. Merrej vesh se vendimi ekonomik i Gorbachevit paralajmëronte se ai në të ardhmen nuk do të urdhëronte ushtrinë sovjetike t’ u vinte në ndihmë regjimeve në vendet satelite në një situatë të tillë. Shkurt, mund të thuhet pa pasur frikë se bëhet një spekulim i tepruar, që Gorbachev në 10 nëntor 1986 në Moskë,  bëri me dije se Bashkimi Sovjetik do ta braktiste zonën e tij të influencës në Europën Lindore, dhe se do t’ i linte regjimet komuniste në këto vende në fatin e tyre, çka do të thoshte se rënie e tyre e sigurt.

    Vendimi i Gorbachevit i nëntorit 1986 prekte drejtpërdrejt dhe seriozisht Shqipërinë e cila edhe në atë kohë pjesën më të madhe të tregtisë e bënte bërë me clearing me vendet e bllokut sovjetik. Në 1985, pjesa më e madhe e eksporteve nga Shqipëria (54.8 %) shkonin në këto vende, çka kuptohet se bëhej me lejen e Moskës. Së bashku me 13.1% të eksporteve që shkonin në Jugosllavi, Shqipëria i dërgonte kështu mbi dy të tretat e eksporteve në vendet komuniste të Europës Lindore. Sa u përket importeve, në 1985, Shqipëria i kishte 52.4% të importeve nga vendet e bllokut sovjetik dhe 11.2% nga Jugosllavia. Pra, 63.6% e importeve të Shqipërisë në atë kohë, ose rreth dy të tretat bëheshin me vendet komuniste të Europës Lindore. Ramiz Alia dhe më të zgjuarit ndër udhëheqësit e tjerë komunistë në Tiranë e kuptuan se vendimi i Gorbachevit do ta çonte brenda pak vjetësh në kolaps edhe ekonominë shtetërore të Shqipërisë dhe me këtë edhe regjimin komunist shqiptar, brenda disa vjetësh. Alia sapo erdhi në dijeni për vendimin e Gorbachevit, urdhëroi që disa ekonomistë të bënin në mënyrë shumë sekrete një studim mbi atë se sa mund të mbijetonte ekonomia shqiptare në rrethanat e reja të krijuara nga vendimi i Gorbachevit. Studimi do të ishte në tryezën e Alisë në fillim të vitit 1987. Sipas studimit, ekonomia shqiptare do të pësonte kolaps brenda 3-4 viteve. Tregtia me clearing me vendet e Lindjes komuniste mund të vazhdonte edhe për disa kohë me kushte ndjeshëm më të rënda, nga ana e këtyre vendeve, për shkak se ata tashmë nuk mund ta zhvillonin atë me partnerin e tyre kryesor tregtar, Bashkimin Sovjetik. Studimi praktikisht thoshte se regjimi komunist në Shqipëri do të binte brenda 3-4 viteve. Studimi u mbajt i fshehtë, madje edhe nga anëtarët e Byrosë Politike. Ekonomistët që e kryen atë i përkisnin grupit që në vitin 1991 do të hynte në politikë në nivelet e larta të Partisë Socialiste.

    Në këto rrethana, Alia u afrua me atë që Gorbachevi e quante Banda e të Katërtëve. Këta menduan se mund ta përdornin Alinë në Tiranë për të rrëzuar Gorbachevin në Moskë. Ideja ishte që Alia të denonconte një kinse dokumenti konfidencial të ardhur nga Gorbachevi, ku Alisë i bëhej me dije një plan për ndryshimin e sistemit politiko-shoqëroro-ekonomik në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera komuniste të Europës Lindore dhe i sugjerohej që në bazë të këtij plani të përpilonte dhe planin për ndryshimet në Shqipëri. Banda e të Katërtëve besonte se Alia mund ta bënte këtë gjë pa rrezikuar shumë se në Shqipëri nuk kishte forca ushtarake sovjetike dhe se Shqipëria nuk ishte vend kufitar me Bashkimin Sovjetik. Banda e të Katërtëve i bëri me dije Alisë se Gorbachevi kishte kundërshtarë të fuqishëm edhe në Kremlin, që prisnin vetëm rastin e përshtatshëm për ta përmbysur atë. Por, ndonëse Alia e dëshironte rënien e Gorbachevit nga pushteti, ai i trembej KGB-së për shkaqe që kishin të bënin me kohën që kishte kaluar në Bashkimin Sovjetik si student.

    Në shtator 1989, jo vetëm për Alinë dhe Nexhmije Hoxhën, por edhe për anëtarët më të trashë nga mendja të Byrosë Politike në Tiranë, u bë e qartë se Moska i kishte braktisur vendet satelite dhe regjimet komuniste në to do të binin shumë shpejt. Politbyroistët në Tiranë ndiqnin kanalet televizive italiane. Kështu që Alia dhe ata patën mundësi që ta dëgjojnë me veshët e tyre Doktrinën “Sinatra” që gjashtë javë para se ajo të bëhej e njohur botërisht. Në 7 shtator 1989 zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Genadi Gerasimov i cili gjendej në Itali si i ftuar në Festa Nazionale Dell’ Amicizia të Partisë Demokristiane, merrte pjesë në “Dialogo Est Ovest: un camino per la pace”, që zhvillohej në kuadrin e këtij tubimi. Gerasimov i habiti të pranishmit dhe bëri lajm për gazetat dhe televizionet italiane, kur tha se tani në Bashkimin Sovjetik e kishin zëvendësuar Doktrinën “Brezhnjev” me Doktrinën “Sinatra”, sipas asaj këngës së famshme të tij që secili të bëjë në mënyrën e tij, prandaj tashmë çdo vend i Lindjes mund t’ i bëntë gjërat sipas mënyrës së tij. Por kjo deklaratë kaq e bujshme do të bënte lajm botëror vetëm në 25 tetor të atij viti kur Gerasimov ta përsëriste në një televizion amerikan. Alia dhe të vetët e kuptuan se shumë shpejt Shqipëria do të gjendej vërtet një shkëmb i vetmuar komunist në mes të detit kapitalist, çka nuk kishte qenë e vërtetë deri në atë kohë. Nëse udhëheqja komuniste në Tiranë kishte ushqyer ndonjë shpresë se Moska do të ndryshonte kurs, tani u qartësua dhe u rrëmbye nga paniku. Alia për të shmangur veprime të pakontrolluara kundër tij në trajtën e ndonjë puçi pallati, i bëri me dije udhëheqjes se ngjarjet që po ndodhnin nuk qenë një reaksion zinxhir i pakontrolluar, por një proces që ishte nën kontroll. Prandaj Alia mbajti në Byronë Politike fjalimin që tashmë njihet si platforma shqiptare e Katovicës. Në të vërtetë, fleta që qarkullon nuk ka përmbajtjen e plotë të këtij fjalimi, se fjalimi nuk u transkriptua dhe as u protokollua. Të pranishmit nuk u lejuan madje as që të mbajnë shënime. Fleta përmban thjesht shënimet që ka bërë një nga pjesëmarrësit e takimit më pas. Ai kishte kërkuar që ato të publikoheshin pas vdekjes së tij, dhe në fakt u publikuan në vitin që vdiq ai. Por ata që i publikuan shtuan në tekst fjali që u interesonin atyre dhe që e bëjnë tekstin të llojit që njihet si “parashikimi i së shkuarës”.

    A mund të thuhet se në çerekshekullin që pasoi fjalimin e Alisë ato që ndodhën në Shqipëri qenë zbatim si manual i këtij fjalimi programatik të supozuar? Pyetja më e saktë do të ishte nëse ekzistonin mundësi që gjërat të kishin ndodhur ndryshe. Në 1989 partia komuniste (Partia e Punës) në Shqipëri ishte e vetmja parti në vend, e cila kishte 160 mijë anëtare dhe rreth një të tretën e këtij numri kandidatë. Duke qenë partia sunduese e një shteti diktatorial, që kishte krijuar fatin e njerëzve gjatë disa brezave, pjesa më e madhe e kuadrove, burokracia e madhe e vendit, si dhe oficerët e ushtrisë, Sigurimit të Shtetit, e shihnin fatin e tyre të lidhur me fatin e kësaj partie. Kush mund të krijonte një forcë alternative me këtë parti në Shqipëri? Të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët? Këto dy shtresa interferonin në një masë të madhe, pra nuk qenë dy grupime më vete. Një pjesë e mirë e ish-pronarëve qenë komunistë të lidhur fanatikisht me PPSH, se kishte pasur shumë djem të familjeve të pasura që u bënë komunistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veç kësaj, të përndjekurit qenë të përçarë se gjysma e tyre qenë të djathtë antikomunistë, dhe gjysma të majtë nga familje komuniste, të cilët qenë goditur nga regjimi komunist. Të përndjekurit e majtë, të cilët krenoheshin me antifashizmin e tyre, nuk i shikonin të djathtët si aleatë, se e konsideronin antikomunizmin historik si forcë kolaboracioniste të fashizmit.

Të djathtët (të përndjekur dhe ish-pronarë), e izoluan vetveten që në fillim të ndryshimeve politike në vend, duke qenë se mburreshin se ishin “derë e madhe”, njerëz prej “fisi të mirë”, njerëz me prona, dhe jo zbatharakë, prandaj atyre u takonte të zinin karriget e pushtetarëve dhe të kuadrove komunistë. Pjesa më e madhe e atyre që nuk e donin regjimin komunist u ndjenë të fyer nga kjo mënyrë të foluri atavike  e pinjojve të së djathtës historike, prandaj këta mbetën politikisht të izoluar në shoqërinë shqiptare, si një minorancë politike. Nëse do të kishte qenë për të përndjekurit politikë të djathtë dhe ish-pronarët, në Shqipëri nuk do të kishte ndodhur as ai ndryshim pushteti që ndodhi në 1992, dhe PS, pasuesja e PPSH do të vazhdonte të ishte në pushtet pa ndërprerje deri më sot. Në shoqërinë shqiptare pati një vakuum fuqie çka u lejoi komunistëve që të mos e paguanin shtrenjtë rënien e regjimit të tyre, madje të shtinin në dorë pasuritë e vendit, duke u shndërruar në kapitalistë. Partia Demokratike nuk ishte një forcë politike nga e cila duhej pritur që të kënaqte shpresat e të përndjekurve dhe të ish-pronarëve, se interesat e këtyre shtresave në Shqipëri u cenuan nga një përmbysje e madhe dhe e dhunshme shoqërore në 1944. Prandaj këto interesa mund të restauroheshin vetëm me një përmbysje tjetër të dhunshme, çka në kushtet e Shqipërisë së vitit 1992 do të thoshte luftë civile. Nëse PD do të kishte mbrojtur interesat e ish-pronarëve në 1992 qoftë edhe duke marrë parasysh luftën civile, do të kishte dalë e humbur ajo dhe ish-pronarët. Se raporti i forcave ishte në favor të palës tjetër. PPSH do të dilte si mbrojtëse e interesave të fshatarëve që do t’ u merrej toka dhe do të organizonte kundër pushtetit të ri një kryengritje fshatare, e cila do të mbështej nga rreth 30 mijë oficerë dhe nënoficerë të Ushtrisë dhe Sigurimit të Shtetit, pjesa më e madhe e të cilëve qenë besnikë të PS. Kështu, ajo që ndodhi në 1997, do të kishte ndodhur në 1993, madje në përmasa shumë më të përgjakshme. Më e keqe se zbatimi i një plani të supozuar katovician, do të kishte qenë një politikë e ashtuquajtur antikatoviciane, e cila do të kishte shkaktuar gjakderdhjen e madhe në Shqipëri.

Natyrisht se me këto fjalë nuk dua të apologjizoj atë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtij rreth një çerek shekulli të pluralizmit politik dhe tranzicionit. Epigrami i kësaj periudhe do të ishte: Komunistët, të cilët në 1941 iu betuan shqiptarëve se do të ndërtonin parajsën komuniste në tokë, pasi ndërtuan ferrin diktatorial nga ku njerëzit ikën masivisht nga sytë këmbët kur u hap vendi, morën përsipër më pas që të ndërtonin parajsën demokratiko-kapitaliste dhe e bënë edhe këtë në mënyrën e tyre, duke ndërtuar një realitet të përbindshëm. Ashtu siç Enver Hoxha zbuloi Mehmet Shehun brenda radhëve të partisë së tij, për ta fajësuar për të gjitha të këqijat e regjimit të tij, edhe pasardhësit e Enver Hoxhës në PPSH (PS) zbuluan brenda radhëve të tyre Sali Berishën për ta fajësuar për të gjitha zhgënjimet që do të njihnin shqiptarët në kohën kur komunistët do të provonin të ndërtonin demokracinë dhe kapitalizmin. Pra komunistët shqiptarë dështuan si në ndërtimin e socializmit dhe komunizmit, ashtu dhe të demokracisë dhe kapitalizmit! Të dështuar të mëdhenj në gjithçka, ata nuk dështuan vetëm në një gjë, në lojën e pushtetit.

Kur Gorbachevi e kapërceu “Rubiconin” me vendimin e nëntorit 1986, ai e dinte se kur në vendet europianolindore-satelite të Bashkimit Sovjetik, të ndodhte përmbysje politiko-shoqërore, Moska do të humbte kontrollin mbi to dhe këto vende do të binin nën influencën e SHBA dhe të NATO-s. Prandaj është absurde të mendohet se Gorbachevi bëri një plan që këto vende të vazhdonin të ishin nën influencën e Moskës nëpërmjet elitave të reja politike të krijuara në mënyrë konspirative. Koha tregoi se elitat e reja politike në këto vende, madje duke përfshirë edhe shumë nga ish-republikat sovjetike të pavarësuara, qenë dhe janë proamerikane, ose shtiren se janë kështu, si të djathtët ashtu dhe të majtët. E njëjta gjë ndodhi në Shqipëri. Aq më tepër në Shqipëri, ata liderë politikë të cilët devijuan nga kursi proamerikan në një periudhë të caktuar, e paguan këtë duke bërë burg (Ramiz Alia, Fatos Nano, Nexhmije Hoxha). Nëse Berisha ka devijuar nga kursi proamerikan si Kryeministër, atëherë ai do të shkojë në burg. Si President i Republikës, Berisha pati një konflikt serioz me SHBA, por nuk shkoi në burg pasi doli në opozitë, se amerikanët qenë të vetëdijshëm se Berisha u konfliktua me ta jo se kundërshtonte influencën amerikane në Shqipëri, por për shkak se Greqia po e përdorte lobin greko-amerikan për të shtuar influencën e saj në Shqipëri, edhe nëpërmjet Uashingtonit.