Ja ku duhet të shkojnë 1 miliard eurot e shqiptarëve

802
Prof. As Alqi NAQELLARI
Për nismën 1 miliard euro që ka ndërmarrë qeveria shqiptare dhe të interpretuar publikisht nga Kryeministri Rama, ka mjaft diskutime. Një pjesë e ekonomistëve e mbrojnë dhe argumentojnë se do ketë impakt të dukshëm në rritjen e ekonomisë ndërsa një pjesë tjetër e konsiderojnë si një shpenzim që vetëm do rritë borxhin publik, do t’i shërbejë oligarkëve apo do bëhet pastrim parash i njerëzve pranë qeverisë. Ka dhe grupe të tjera që provojnë të argumentojnë, se kjo ndërmarrje është një risi, e pa eksperimentuar më parë, që nuk do rriti borxhin por do t’i japë shtytje ekonomisë. Unë i takoj grupit të optimistëve, i takoj grupit që shikon ekspansionin si mundësi reale të rritjes ekonomike. Pra, e mbështes plotësisht nismën e Qeverisë dhe të Kryeministrit Rama, por kam edhe objeksionet e mia, të cilat do t’i rendis më poshtë.

1. Përse kredia do merret në euro dhe jo në lekë. Në Shqipëri janë bërë dhe bëhen gabime që kanë fituar qytetari. Konsideroj një gabim të madh që në një analizë apo diskutim të përdoren të dhëna në lekë, në dollar dhe në euro. Këto gabime i bëjnë me dashje për tu parë si evropianë, si njerëz të ditur, me informacion dhe që japin mendime të vlefshme, si qeveritarët ashtu edhe gazetarët apo analistët e të gjitha krahëve. Nuk jam kundër përdorimit të tyre por ato duhet të përdoren kur bëhet fjalë për krahasime me vendet e tjera të rajonit e botës për ti bërë treguesit të matshëm e të krahasueshëm. Për arsye të tjera jam 100% kundër përdorimit të tyre sepse monedhë zyrtare në Shqipëri është leku dhe jo dollari dhe euro. Lejimi i përdorimit të tyre në statusin e lekut i ka sjellë dëme të mëdha ekonomisë shqiptare në krahasim me të mirat. Nëpërmjet përdorimit të tyre fshihen të vërtetat dhe kufizohet analiza reale. Gjykoj që kredia që do të lëshojnë bankat e nivelit të dytë për këtë projekt të jetë në lekë dhe jo në euro. Duke qenë në lekë është me më shumë mundësi dhe ka më shumë hapësira për ta shlyer atë. Është më e vështirë për ta shlyer atë kur është në euro sepse nuk ka burime të sigurta të kësaj monedhe. Po të analizosh prurjet dhe daljet e valutës sipas burimeve të dalin përpara shumë pikëpyetje në mundësitë e shlyerjes së saj.

2. Cilët persona do të bëjnë shpërndarjen e kredisë sipas objekteve. Sot nga ana e qeverisë po bëhen me qindra shkarkime, po bëhen ndryshime drastike në administratë dhe në riorganizimin e gjithë sistemit të qeverisjes që nga ndryshimi i numrit të Ministrive, bashkimet, thithjet apo shkrirjet dhe deri në shkurtimet e zakonshme nga puna. Atëherë kur ka probleme të cilësisë së punonjësve të administratës shtetërore pyetja është fare normale: cilët njerëz, cilët specialist do ti analizojnë dhe vlerësojnë projektet që do të zbatohen nga firmat? Këta specialist që do futen rishtazi në punë apo ata që kanë qenë? Do ta aplikojnë ata specialist që kanë ndërruar drejtorinë nga një Ministri te tjetra apo do vendosen të rinj. Këta që do bëjnë analizën dhe vlerësimin e projekteve a dinë gjë se çfarë është një projekt dhe si vlerësohet ai? Unë jam 100% i sigurt se nuk janë plotësisht të aftë. Kjo sepse duke përjashtuar Mesdhetarin në asnjë Universitet tjetër të Shqipërisë nuk bëhet lënda “Analiza Ekonomike e Projekteve”, analiza e investimeve në ekonominë reale. Teksti Investimet ka pak lidhje me investimet reale sepse më së shumti merret me analizën e produkteve financiare. Bëhet kudo lënda e Menaxhimit të Projekteve në të cilën bëhen pjesë për vlerësimin dhe analizën e projekteve. Po të shikosh edhe Udhëzimet e Ministrive përkatëse(ish Ministria e Ekonomisë) për Vlerësimin e Projekteve ka mjaftë materiale. Projekti kalon në 3 faza me mbi 15 hapa ku përshkruhen me dhjetëra parime. Në këtë Udhëzim nuk ka asnjë shembull konkret, por gjithçka ju lihet në dorë personave që do kryejnë analizën, persona që janë me njohuri jo të plota në fushën e analizës specifike të projekteve. Nuk bëj fjalë për zbatimin nga ana e firmave por për analizën dhe vlerësimin e projekteve sepse është pjesa më e rëndësishme që do përcaktojë edhe afatin e kthimit të investimeve. Kam parasysh investimin në Rrugën Durrës -Kukës. Qeveria e reklamoj si një investim që do sillte një rritje të madhe ekonomike, që do ta shlyente veten shumë shpejt, që do ndikonte në zhvillimin e zonave ku do kalonte etj, etj. Po çfarë ka ndodhur, kur do kthehet ky 1 miliardë, në cilin vit. Përgjigja ime ka qenë qysh kur filloj, negative, ky investim nuk do kthehet asnjëherë. Nuk po flas për punësimin sepse kostoja e një të punësuari të përhershëm ka kaluar çdo lloj imagjinate. 

3. A do merren në konsideratë zhvillimi i qëndrueshëm rajonal apo do investohet në turizëm e bujqësi? Cilës zonë dhe kujt biznese do ti shërbejë kjo kredi? Nuk jam kundra përfundimit të investimeve të filluara që janë të domosdoshme dhe të shpërndara thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë, siç është rruga e Arbrit, Rruga e Kardhiqit për Delvinë, Rruga Bënçë -Kuç, Bajpasi Fierit, Vlorës etj. Por nuk jam dakord të ndërtohen aerodrome apo vepra të kësaj natyre para rrugëve rurale, apo investimeve të tjera të domosdoshme. A do të jenë investime për infrastrukturë apo do ketë edhe investime prodhuese? Duhet parë mirë raporti midis investimeve në infrastrukturë dhe investimeve prodhuese. Kur bëjmë fjalë për rritje ekonomike nuk marrim në konsideratë të gjithë elementët e shpenzimeve qeveritare. Kështu jo të gjitha shpenzimet ndikojnë në këtë rritje. Në këtë rritje ndikon më pak se gjysma e tyre. Prandaj duhet menduar mirë në përcaktimin e strukturës së tyre. Shpenzimi që kalon drejtpërdrejt në rritje ekonomike është ai i investimeve private ndërsa dy të tjerët C dhe G kanë më së shumti ndikim indirekt. Qeveria nuk duhet të trembet nga investimet prodhuese. Nuk duhet kaluar nga sistemi plotësisht i centralizuar në sistem plotësisht të decentralizuar, por duhet marrë në konsideratë Modeli Kinez. Uzinat, Minierat, Fabrikat e përpunimit duhet të rikthehen në gjendje pune. Të privatizohet përpunimi i lëndëve të para të tyre që i takon industrisë së lehtë. Uzina e përpunimit të Bakrit në Rubik përse të mos vihet në punë nga Qeveria? Përse duhet lejuar ky shpërdorim i pasurive kombëtare në mënyrën më të turpshme dhe në mënyrën më të paskrupull? Të ringrihet Uzina e telave të bakrit në Shkodër me lidhje direkt me këtë Uzinë duke realizuar një cikël të mbyllur. Në mënyrë graduale të kalohet në Uzinat e Kromit, hekurit etj. Kështu do kemi zhvillim rajonal të balancuar dhe njerëzit nuk do zbarkojnë në Tiranë apo të kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Me aeroporte dhe me ndërtim sheshesh, me turistë e me kala nuk bëhet Shqipëria. Duhen hedhur sytë nga Faktorët Ekonomikë, nga Burimet Ekonomike’ të cilat nuk na mungojnë’ por duhen vetëm të vlerësohen realisht. Ku do shitet ky prodhim mund të pyes ndokush. Përgjigja ime është aty ku shitej dikur, Brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ambasadorët tanë të jenë ambasadorë ekonomik, të vëzhgojnë tregjet e huaja, t’u krijojnë mundësi bizneseve tona të lidhen me të huajt dhe të mos shikojnë vetëm ndeshje futbolli. Të kalohet në ndërtimin e rrugëve rurale, në Rrethin e Korçës, të Kukësit e Dibrës. Nuk ka arsye që të vuajnë fermerët e Kukësit dhe të Dibrës për rrugë dhe prodhimet e tyre të kalben, qepët e Shishtavecit apo mollët e Korçës kanë marrë dhenë. Qeveria vetë të krijojë mundësi frigoriferike dhe ndërmarrje grumbullimi. Mos u çudisni kur them qeveria sepse Qeveria është subjekt ekonomik, ashtu siç janë individi dhe firmat. Ndokush mund të thotë ky dashka të na kthejë në socializëm. Ata që kanë këtë mëndje nuk e njohin fare as kapitalizmin dhe as ekonominë socialiste. Në Kapitalizëm ka Plane më të hollësishme dhe më të sofistikuara se në socializëm,. Nuk ka ndërmarrje apo qeveri të eci pa plane që nga Amerika e deri në Japoni. Ndryshimi i planeve të socializmit me kapitalizmin konsistojnë ndër të tjera: në formën e pronësisë shtetërore, në parimet e planifikimt socialist dhe në Planin Unik Shtetëror të cilat nuk ekzistojnë në Sistemin Kapitalit. Prandaj hartimi dhe zbatimi i planeve në mënyrë efektive është domosdoshmëri në këtë sistem sepse ndryshe falimenton. Këtu ka institucion falimentimi, koncept fitimi. Në kapitalizëm secili punon për vete, por punon edhe për shoqërinë, në këtë mënyrë është përgjegjës ndaj vetes dhe pastaj ndaj shoqërisë, e kundërta e socializmit ku interesi i përgjithshëm vihej mbi atë personal. Është fare normale që për çdo sektorë të ekonomisë të krijohen me dhjetëra grupe pune të përbëra nga Pedagogë të Universiteteve, nga Shkencëtarë, nga Akademia e Shkencave, nga Institucione të tjera shkencore shtetërore apo private sipas drejtimit të tyre, bujqësi, industri dhe shërbime. Këto grupe specialistësh të analizojnë dhe të vlerësojnë këto projekte. Të shkëputemi nga Këshilli Kombëtar i Ekonomisë i cili është një organizëm që ka pak figura që meritojnë të jenë në këtë Këshill. Ka emër të madh por pak njerëz të mëdhenj. Ka ardhur koha e shkencëtarëve, ka ardhur koha që gjithçka të bëhet transparente. Çdo projekt të mbrohet publikisht në televizion në lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarin. Komentet dhe lidhjet në fejsbuk apo tuiter janë pasion, kalim kohe dhe shfryrje ndaj streseve të punës. Nuk mund të konsiderohen ato se zëvendësojnë parimin e zërit të masave apo vijës së masave. Vija e masave ish parim i planifikimit socialist është pjesë e modifikuar e Menaxhmentit të Lindjes së Largët dhe jo e Menaxhmentit Anglofon. Analiza e Projekteve t’iu jepet Universiteteve Private dhe Shtetërore dhe të zgjidhet ai që jep mënyrat dhe teknikat më optimale të vlerësimit të treguesve ekonomiko-financiar.

4. A janë dakord bankat e nivelit të dytë ti japin kredi biznesit me garanci qeverinë? Ky është problemi. Mirë që Qeveria e ka marrë këtë nismë por a janë të gatshme Bankat e Nivelit të Dytë të bashkëpunojnë në realizimin e tij? A kanë ato besim te qeveria se do realizojë në kohë kthimet përkatëse sipas afateve. 

E para, eksperienca e deritanishme nuk ka qenë pozitive pavarësisht se Qeveria Rama e rriti masën e kthimit në krahasim me qeverinë e mëparshme. 

E dyta, masa e kredive të këqija që kanë bankat. Jo të gjitha bankat kanë tregues të njëjtë sa i përket kredive të këqija. Ka Banka që fitimi i tyre nga momenti i privatizimit ka rënë deri sot në mënyrë drastike. 

Së treti, nëse është ulur përqindja e kredive të këqija ndaj totalit kjo ka ardhur më së shumti nga nxjerrja jashtë bilancit e një pjese të tyre apo nga ristrukturimi dhe jo prej shlyerjes. 

Së katërti, nëse do jepet në euro cilat do të jenë garancitë që do japi qeveria sepse nuk i ka mbetur gjë për të privatizuar.

5. A kanë bankat e nivelit të dytë një studim mbi riskun e kësaj kredie? Është shumë e rëndësishme kjo analizë sepse kjo do ti japi fund gjithçkaje. Është e rëndësishme që këtë analizë ta bëjnë persona me integritet dhe jo të punësuar rishtazi sepse nuk do fusin vetëm bankën në rrugë të gabuar por do kenë problem më së shumti me depozituesit. Të mos harrojmë një nga bankat ku 5% e kreditorëve ka marrë 80% të kredive. Këto lloj bankash pa një shpërndarje racionale janë të destinuara të falimentojnë. Këtu duhet të jetë edhe ndihma e Bankës Qendrore me specialistët e saj. Në përfundim shpreh bindjen se Qeveria do ta marrë në konsideratë një pjesë të mendimeve të mia. Jam dakord siç e theksova në fillim me këtë risi në fushën e investimeve, sepse pa sakrificë nuk ka zhvillim por duhet efektivitet dhe transparencë, gjithëpërfshirje dhe analizë shkencore. Sa i përket pastrimit të parave dhe oligarkëve nuk kam asnjë koment, sepse ato janë për mua vetëm për propagandë. Kur etiketohet ndokush si oligark, një veprim si pastrim parash pa dhënë argumentet përkatëse, humbet besueshmëria tek ata që i thonë dhe jo tek ata për të cilët thuhen. 
Sigal