Kastriot Mahilaj / “Po vij të bisedojmë për Qarkun”

261

Këto ditë kur po ndjekim peripecitë provinciale të politikës së madhe shqiptare për tre ligjet e integrimit, m’u kujtua një anekdotë shqiptare. Njëherë një bej pat mbledhur burrat e fshatit për të zgjidhur një hall që i shqetësonte. U ngrit një fshatar dhe dha një mendim të mençur. Mendimi yt është i mirë, -i tha beu, -por nuk pranohet se duhet ta thosha unë. Natyrisht përqasja çalon diçka, sepse dy protagonistët tanë të përjetshëm nuk janë në raportet e beut me fshatarin, por të paktën të beut me again. Gjithsesi është po ajo dukuri qëndrimesh, e cila ka karakterizuar historikun e raporteve qeveri- opozitë këta 20 vjet. Në ndryshim nga beu i dikurshëm që pati sidoqoftë sinqeritetin për ta vlerësuar mendimin e tjetrit, qeveria e injoron atë duke lënë të nënkuptohet: Mendimi yt nuk pranohet se e ke thënë ti. Përsa i takon detyrimit akut për miratimin e tri ligjeve të BE- së, dukuria e mësipërme paraqitet disi më e ndërlikuar dhe me nuanca të reja. Para pak ditësh kryetari i opozitës ftoi PD-në dhe kryetarin e saj të uleshin të bisedonin për të zgjidhur problemin e Qarkut të Fierit. Pardje Pozita, me anë të kryetarit të grupit të saj kuvendor, ftoi grupin kuvendor të PS-së për të zgjidhur po problemet e Qarkut të Fierit. Madje ky i fundit deklaroi se pala e tij ishte gati të bënte edhe lëshime lidhur me Qarkun e Fierit, mjafton që pala kundërshtare t’i përgjigjej ftesës. Tamam si një kacagjelje kalamanësh kryeneçë. Një mentalitet i tillë i ka rrënjët te protagonizmi që jo rrallë shpërfaq raca shqiptare. Ky gen që bie ndesh me demokracinë vjen e plekset me hesapet politike: Marrja e iniciativës nga opozita për zgjidhjen e ngërçit të tre ligjeve të BE- së do të shtonte pikët e saj në bursën e politikës së brendshme dhe asaj europiane. Kësisoj do të ulte bursën e maxhorancës, do të ulte prestigjin e saj, besimin te ajo dhe sidomos do të pakësonte elektoratin.

Prandaj le të vazhdojmë me avazin “hiq e mos e këput”;

Propozimi i opozitës ka përparësi në demokraci, përndryshe kjo demokraci është e dyshimtë. Respekti për të nuk shprehet vetëm duke e mikluar me fjalët “Hajde të bisedojmë”. Dikush e merr iniciativën i pari. Fundja për popullin nuk ka aq rëndësi se kush është ai dikush, por ç’të mira do të sjellë projekti i tij. PD-ja nuk e duron dot që protagonist i miratimit të tre ligjeve të Integrimit të jetë kundërshtari i saj. Nuk ia qas namuzi. Ata që  e përmbysën komunizmin, ata që e futën vendin në NATO, ata duhet dhe ta çojnë në Europë! Prandaj, hajdeni të bisedojmë. Kjo situatë ku kemi rënë është sa dramatike aq dhe komike. Të dy kokat e politikës sonë e duan sinqerisht anëtarësimin e Shqipërisë në Europë, por ama vetëm nën udhëheqjen “time”. Prandaj “hajdeni të bisedojmë”. Diplomatët në Tiranë pothuaj i kanë hequr dorashkat diplomatike dhe po flasin gjithnjë e më drejtpërdrejt. Nuk di çfarë duhet më tepër. Apo liderët tanë presin të vijë vetë Presidenti Obama për t’i bërë kokë më kokë që të pranojnë bashkëjetesën normale? Po ja erdhi sekretarja e Shtetit dhe i këshilloi. Po ashtu ambasadori Arvizu u shpreh pa ekiuvok se, “Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe liderët politikë duhet të bisedojnë sy më sy dhe jo vetëm përmes mediave. Porse përbri hesapit të trembur për të mos e pranuar ftesën, ka dhe një llogari optimiste. Pranimi i ftesës për t’u takuar e biseduar normalisht me opozitën, do të rriste respektin e Europës zyrtare për PD-në, do të ndriçonte imazhin e saj brenda dhe jashtë vendit dhe sidomos, do të shtonte elektoratin. Gjasash lidershipi i PD- së gjendet sot para këtyre dy alternativave, pra të hesapit të trembur dhe të llogarisë së guximshme. Nga zgjidhja e kësaj dileme do të varet në fund të fundit edhe e ardhmja e kësaj force politike. Do të ishte në nderin e saj e të demokracisë sonë që këtë radhë, këtë moment historik të 100- vjetorit të Pavarësisë, ajo të mos i thoshte opozitës “Hajde të bisedojmë”, por “Po vij të bisedojmë”. Sinjale pozitive ka. Kryeministri i ka ulur dukshëm tonet e akuzës ndaj opozitës dhe duket se po i hap zemrën opozitës për nevojën e bashkimit në votimin e tre ligjeve. Populli ka ditë që ka nisur festën e 100- vjetorit, e cila do të kulmojë në 28 Nëntor dhe duket se nuk ka aq kohë dhe nge për t’u marrë me politikën aktuale. Ama kurrsesi nuk e injoron se çfarë pret prej politikanëve të tij këto ditë feste. Kjo është detyra e politikanëve dhe do kryer. Përndryshe ai do të kishte të drejtë t’u hakërrohej:

Harram për gjithçka ju kemi dhënë! Harram Festën e 100- vjetorit!

Përndryshe ai do të shpotiste: “Këta politikanë nuk i bashkon jo më 100- vjetori, por as Ismail Qemali po të ngrihej nga varri”!

Shpresojmë ende që kjo të mos ndodhë.

Prandaj “hajde të bisedojmë”, por edhe “po vij të bisedojmë”.