Jakup B. GJOÇA / Xhaferr Dobrusha, kryesindikalisti i Arsimit, shtojcë politike e qeveritarëve

661
Sigal

Heshtja sindikaliste e kryetarit Dobrusha, për përjashtimet e mësuesve, dëshmon  lidhjet e interesave të tij me politikën

Viti i ri shkollor që sapo ka filluar, që në ditët e para ka shfaqur problematikë shqetësuese, qoftë për mësuesit, qoftë për nxënësit e studentët, por edhe për mungesën e theksuar të ambienteve të përshtatshme e të domosdoshme për mësimdhënie, në të gjitha stadet e arsimit publik në Shqipëri. Mësues të shumtë, gati në të gjitha qarqet e vendit, kanë filluar me ditë mësimin në shkollat përkatëse, por pas disa ditësh, u jepet urdhri i pushimit nga puna, për shkaqe politike, e ndërsa në vend të tyre emërohen militantë partie, në të shumtën e rasteve pa arsimin përkatës e pa profilin profesional. Mungojnë ambientet shkollore, probleme me tekstet por edhe me përmbajtjen e tyre. Të vetmit që heshtin janë sindikalistët e arsimit, me kryetarin  e kësaj sindikate, Xhafer Dobrusha. Madje, në kontaktimin me “Telegraf”, zoti Dobrusha pohoi se, nuk di asnjë rast që mësuesit të jenë pushuar nga puna, pasi kanë filluar vitin shkollor, sepse,  sipas kryesindikalistit të Arsimit, mësuesit nuk janë …ankuar te sindikata e tij ( në kuptimin  se sindikata e tij është pronë vetjake). Kjo dëshmon që Kryesindikalisti i Arsimit Xhafer Dobrusha nuk ka asnjë njohje të realitetit të Arsimit publik. Ose, ( kjo më e pranueshme) që të ketë dijeni, por hesht, pasi është i lidhur me interesa nepotike me politikën. Kryesindikalisti Dobrusha, duke mos mbrojtur mësuesit që pushohen nga puna për shkaqe politike, shpreh interesat e qeveritarëve dhe saboton kauzën sindikaliste të Arsimit publik. Natyrisht, këtë ” shërbim sindikalist” në ndihmesë të qeveritarëve zoti Dobrusha nuk mund ta bëjë pa u shpërblyer.  Si mund të jetë kryesindikalisti i Arsimit, një njeri, që edhe për arsye të moshës madhore, është mbi 70 vjeç, nuk ka asnjë lidhje me arsimin sot? Pastaj, një ish-pedagog i historisë të PPSH-së, a mund të luajë rolin e kryesindikalistit në demokraci? Kryesindikalisti Dobrusha është kaq totalitar si dikur sekretari i Partisë Komuniste, në rolin që ushtron në sindikatën e Arsimit,  saqë zv/kryesindikalisti Fatmir Bezani, nuk mund të prononcohet pa lejen e zotit Dobrusha. Thjesht sindikata që kontrollon zoti Dobrusha është një levë politike nga qeveria, që kontrollon reagimin e mësuesve, dhe mbyt revoltën e mësuesve ndaj çdo padrejtësie në dëm të mësimdhënies e të personelit arsimor. Me një kryetar sindikate si Xhafer Dobrushi, qeveria  e ka më të lehtë që të zbatojë çdo politikë partiake në Arsim, të zbojë këdo mësues që nuk është i partisë qeveritare,  të emërojë militantët partiakë, edhe pse pa arsimin përkatës, të çdo mungese ambienti e kushtet e vështira të mësimdhënies, shkurtimin progresiv të fondeve për Arsimin publik,  pasi e di paraprakisht, që reagimet e revoltat do t’i mbysë roli “sindikalist” i kryetarit Dobrusha.