“Grada” e Kapter Veliut…

1108
Ferit METUKU 
Nuk është përrallë nga e kaluara, por një realitet shqiptar i ndodhur në fillim të viteve të regjimit demokratik. Është një ndodhi e vërtetë, kjo, e dëgjuar në një dasmë. Teksa dasma vazhdonte për shtatë palë qejfe, një grup dasmorësh, filluan të tregonin një ngjarje që iu kishte ndodhur në fshatin e tyre të lindjes. Një herë një mesoburrë në moshë dhe me një shtat të lartë, i cili kishte mbaruar akademinë ushtarake, në atë kohë që sapo kishin filluar edhe gradat në ushtri, bëhet fjalë pas viteve ’90-të, shërbente si oficer në një nga repartet ushtarake të rrethit të Kolonjës. E nisi karrierën e tij me gradën e “Togerit”, duke vijuar më pas, natyrisht edhe në varësi të viteve të punës e të karrierës, ai mori edhe gradën e “Majorit, e kështu, ai do të vazhdonte me gradën e radhës… Dhe, sa herë që ky djalë merrte një gradë më lart, padyshim që ai gëzohej jashtë mase. Por mbi të gjitha, këtë gëzim, ai e ndante edhe me prindërit e tij. Sa herë që gradohej, iu tregonte edhe prindërve: “U gradova!”,- u thoshte ai atyre. Prindërit nuk gëzoheshin dhe aq shumë, sa gëzohej djali i tyre. Njëri nga të pranishmit në dasmë, pyeti se përse nuk gëzoheshin prindërit, kur djali i tyre merrte gradë të lartë? Sepse në atë fshat, ku banonin ata, ishte dhe një bashkëfshatari i tyre, me emrin Veli, i cili punonte edhe ai në ushtri, në një repart ushtarak, por jo tek reparti ku punonte dhe shërbente djali i tyre. Ai nuk ishte me gradë madhore si djali tyre, por ishte me gradën e kapterit dhe punonte si magazinier ushqimesh. Dhe, sa herë që ai shkonte në shtëpinë e tij në fshat, e mbushte çantën e ushtrisë plot e përplot me ushqime. Ndërsa djali i tyre, me gradën e “majorit”, “nënkolonelit”, “kolonelit” … etj. shkonte në shtëpinë e tij, me duar…bosh ! Një ditë prej ditësh, prindërit e djalit të graduar, nuk e duruan këtë “realitet dhe kontrast”, mes bashkëfshatarit të tyre, Veliut, me gradën e kapterit, dhe djalit të tyre, me grada madhore. Ndërkaq, ata morën dhe “guximin” dhe iu drejtuan djalit të tyre, duke i thënë:

– Ore djalë, atë gradën e Veliut, kur do ta marrësh? 
– Pse, – pyeti djali? – Si, pse? 
– Sa herë që vjen Veliu në shtëpi, vjen me çantën plot, ndërsa ty, të rroftë grada! 
– Më mirë me gradën e kapterit dhe me çantën… plot, se sa me grada madhore dhe me duar… bosh, i thanë ata djalit të tyre. 
Sigal