Frank SHKRELI/ Urime, Shqipëri!

79

Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) vendosën t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat.  Ky është një vendim i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejtë anëtarësimit të plotë eventual të Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Kjo, sigurisht, nuk do të jetë një rrugë e lehtë siç vihet në dukje edhe në njoftimin e BE-së, pasi Shqipëria, sipas Këshillit të Bashkimit Europian gjithnjë ka nevojë për reforma në administratën qeveritare dhe në gjyqësorin, për luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe për marrjen e masave kundër trafikut të qenieve njerëzore.  Dhe mbi të gjitha, theksohet si faktor i rëndësishëm, në mos jetësor, dialogu me opozitën dhe zhvillimi normal i diskursit politik midis palëve.   Megjithëse Shqipëria mund të jetë ende larg nga anëtarësimi i plotë i saj në BE-ën, vendimi i sotëm pasqyron në sytë e Europës, përparimin e bërë deri tani si dhe vullnetin e Shqipërisë për të bërë edhe më shumë progres në këtë drejtim dhe në fushën e reformave të nevojshme, të cilat kërkohen nga të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE.  Megjithëkëtë, Shqipëria meriton urimet tona për këtë hap të rëndësishëm drejtë Europës – aty ky e ka vendin, rreth sofrës së përbashkët me kombet e tjera europiane.  Urimet tona të gjithëve, qeverisë së tanishme dhe qeverisë së mëparshme, pasi progresi i bërë dhe i  njohur nga BE-ja në dhënien e statusit-kandidat që u njoftua të martën, është një përfundim i një pune të gjatë dhe është meritë e të gjithëve, dhe jo vetëm e palëve politike, por e të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe institucionet e tjera shtetërore dhe jo qeveritare. Pasi jemi në atmosferën e botërorit, nuk vërejmë së në ndeshjet për çmimin e madh të botës në futboll të ketë vetëm një lojtar që të dalë fitues kundër një skuadre të tërë. Burri i mirë me shokë shumë, thotë një fjalë e vjetër. Prandaj, edhe arritjet e deritanishme të Shqipërisë drejtë BE-së janë merita dhe përfundim i kontributeve që kanë dhënë të gjithë gjatë viteve në këtë drejtim e të cilat rezultuan, në njoftimin pozitiv të BE-së për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.  Është e natyrshme që njëra ose tjetra palë politike të përpiqet të marrë kredinë për këtë arritje. Por fakti është se ky vendim i Europës, as nuk ishte marrë dje dhe  as nuk do të angazhohej Europa që të vazhdonte për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet drejtë anëtarësimit të plotë të saj në BE, po të besonte se progresi i bërë deri tani të jetë vetëm meritë e njërës ose tjetrës palë.  Në të vërtetë, Shqipëria nuk mund të shkojë drejtë e Europës e përçarë dhe as nuk do të pranohet si e tillë nga Europa.  Edhe në njoftimin e djeshëm, BE-ja theksoi si gjithherë më parë, dialogun politik midis palëve si një faktor i rëndësishëm, duke e ngritur atë në të njëjtin nivel me luftën kundër korrupsionit dhe me reformat në administratën qeveritare dhe në gjyqësor – duke nënvizuar se dialogu i qëndrueshëm politik është jetësor për konsolidimin dhe vazhdimin e reformave.  Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që klasa politike e Shqipërisë të jetë e bashkuar me mendime dhe në qëllimet e objektivave të interesave kombëtare të shqiptarëve.  Anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Europian është në interesin e kombit shqiptar, drejtë të cilit duhet të punojnë të gjithë pa marrë parasysh animet ose interesat politike. Besoj se asnjë shqiptar, kudo qofshim të përhapur nëpër botë dhe në trojet e veta në Ballkan nuk mund të fshehë kënaqësinë dhe gëzimin për vendimin njëzëri të  njoftuar dje nga Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke aprovuar raportin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat.  Është ky një hap i madh për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar dhe si i tillë edhe duhet të vlerësohet.  Është një vendim që vërteton parimet, qytetërimin dhe kulturën e kombit shqiptar si pjesë dhe në përputhje të plotë me vlerat europiane.  Është ky një vendim gjithashtu i cili përputhet plotësisht me synimet dhe objektivat e Gjergj Kastriotit-Skënderbe dhe të Rilindësve të kombit, të cilët treguan rrugën që duhet të ndjekë kombi shqiptar për tu ulur në të njëjtën tavolinë me kombet europiane, me nder, me përgjegjësi dhe privilegje të barabarta me vendet më të përparuara të botës.  Uroj që ky moment në historinë e kombit shqiptar të shënojë perëndimin e politikave të errëta dhe të fatkeqësive kombëtare të së kaluarës dhe njëkohësisht edhe të dëshmojë fillimin e një hovi të pranverave të reja për kombin shqiptar, si pjesë përbërëse dhe e pandarë e një Europe në paqe, të lirë e demokratike, por pa u larguar  dhe pa u zhveshur  kurrë nga traditat dhe kultura e shëndosh stërgjyshore e shqiptarizmës. Drejtë Europës, me virtytet shqiptare.

Urime, Shqipëri!

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azine