CEZ, kapaku që hapi dhe mbylli ‘librin’ e statusit

    425
    Sigal

    Kompania çeke tërhiqet nga arbitrazhi para statusit, Shqipëria i paguan 95 mln euro

    Privatizimi i dështuar dhe konflikti me kompaninë çeke CEZ do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë 95 milionë euro në 5 vitet e ardhshme. Qeveria njoftoi se ka rënë dakord të zgjidhë me mirëkuptim përplasjen me grupin çek duke bërë publike dhe termat e marrëveshjes. Fill pas këtij lajmi, Shqipëria gëzohet me lajmin e marrjes së statusit të vendit kandidat të BE-së. Kompania çeke CEZ duket se është kapaku që hapi dhe mbylli ‘librin’ e statusit për Shqipërinë. Ishte 28 prill 2009, kur, kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, mbërriti në Pragë për të dorëzuar aplikimin për statusin e kandidatit në BE, duke “ia lënë në dorë” aplikimin homologut çek Mirek Topolanek. Që në atë kohë mediat shqiptare shkruan se privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nuk ishte thjesht një procedurë e rastësishme, prapa të cilës fshihej një borxh moral që çekët i detyroheshin shqiptarëve. Qeveria shqiptare sapo i kishte dhënë një copë të majme të ekonomisë kombëtare gjigantit çek të energjetikës ÇEZ, duke u shitur OSSH-në me një çmim fare të ulët. Sot pas 5 vitesh, menjëherë pas bërjes publike nga ana e qeverisë arritjen e marrëveshjes me kompaninë çeke CEZ për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit të krijuar nga heqja e licencës, me kosto 95 milionë euro për taksapaguesit shqiptarë, zbardhet dhe vendimi i BE-së për miratimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Fenomeni ‘deja vu’ shoqëroi edhe mbylljen e negociatave të statusit për Shqipërinë.

    Privatizimi i OSSH-së nga CEZ

    CEZ-i u përzgjodh si fitues nga komisioni tenderues në tetor 2008 dhe kompania filloi të administrohej zyrtarisht nga CEZ më 30 mars 2009. Më 11 mars 2009, qeveria e Shqipërisë dhe CEZ Group hartuan dhe nënshkruan kontratën për përvetësimin e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Vlera e kontratës për shumicën e aksioneve të OSSH është 102 milionë euro. Që prej 1 tetorit 2010 kompania mban emrin “CEZ Shpërndarje”. Dy funksionet thelbësore që CEZ Shpërndarje kryen në aktivitetin e saj janë: shpërndarja e energjisë elektrike me tension të mesëm dhe të ulët (nga 35 KV deri në 04 KV) dhe shitjen e energjisë elektrike te konsumatorët fundorë.

    Kërkesa për statusin kandidat

    Më 28 prill 2009, Kryeministri Sali Berisha ka dorëzuar në Pragë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kërkesa është pranuar nga kryeministri i Republikës Çeke, Mirek Topolanek. “Ky akt shënon dhe ka një domethënie të madhe historike, meqë nënkupton rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve evropiane”, tha zoti Berisha, duke rikujtuar historinë e ngjashme që Shqipëria ka pasur me Republikën Çeke.

     CEZ tërhiqet nga arbitrazhi para statusit, Shqipëria i paguan 95 mln euro

     CEZ tërhiqet nga arbitrazhi. Tre ministra, ai i Energjetikës, Financës dhe i Ekonomisë dolën para medias dje në orën 10:00 për të bërë publike 3 pikat e marrëveshjes së arritur mbrëmjen e së hënës që zgjidh me kompromis konfliktin, për të cilin qeveria sot bën me faj ish kryeministrin Sali Berisha. Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri duke lexuar tre pikat e marrëveshjes tha se kjo zgjidhje ishte më e mira si sa i takon kostos financiare jo vetëm kaq dhe pranoi se një konflikt i tillë kishte përkeqësuar dukshëm marrëdhëniet Shqipëri-Ceki.

    “Nuk dua të komentoj shifra, por është më pak se gjysma e asaj që kërkohej” tha Gjiknuri. Ministri i Financave Shkëlqim Cani bëri të ditur se së bashku me interesin e shlyerjes së detyrimit brenda 4 vitesh kompanisë CEZ do i paguhet është 95 milionë euro.

    Tre pikat e marrëveshjes të lexuara nga Gjiknuri janë:

    1. Transferimin e menjëhershëm të aksioneve në favor të shtetit shqiptar 76 % që zotëroheshin nga CEZ duke i dhënë shtetit shqiptar pronësi të plotë të shoqërisë.

    2. Pala çeke heq dorë nga kërkimi i vlerës prej 103 milionë euro të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes dhe investimeve fillestare.

    3. Shoqëria e re e shpërndarjes e energjisë, pra shoqëria e re që merr aksionet nga pala çeke e kontrolluar tashmë nga shteti merr përsipër t’i paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë euro. Kjo vlerë u dakordësua të paguhet me këste deri në vitin 2018 me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milionë euro mbi principalin e dakordësuar. Ky principal përfaqëson kreditë e mara dhe shumat e faturuara dhe të kërkueshme në çdo kohë nga CEZ.

     Cani: Brenda 4 vitesh 2014-2018, do shlyhen 95 mln euro

    Ministri i Financave Shkëlqim Cani bëri të ditur se së bashku me interesin e shlyerjes së detyrimit brenda 4 vitesh shuma që do i paguhet është 95 milionë euro. “87.1 milionë dollarë do të shlyhen gjatë periudhës 2014-2018 dhe interesi i mbartur për këtë shlyerje me këste në 4 vite është 7.9 mln euro. Të gjitha këto së bashku bëjnë 95 milionë euro që do të shlyhen vit pas viti nga kompania CEZ dhe jo nga buxheti i shtetit”. “Vlera 95 milionë euro, në 4 vite, përfaqëson gjysmën e humbjeve dhe vjedhjeve të energjisë që ka Shqipëria në rrjet”, tha Gjiknuri. Humbjet janë 150 milionë euro në vit. Ndërsa hapësira kohore prej 4 citesh do t’i japë mundësinë dhe aftësinë paguese duke reduktuar humbjen

     Ahmetaj: Kush është përgjegjësi? Sali Berisha

    “Ka vetëm një emër Sali Berisha dhe qeveria e të cilit e la sistemin energjitik në kolaps me falimentim të plotë me borxhe 1.1 milardë. Dhe la operatorin e shpërndarjes CEZ Shqipëria të falimentuar dhe la me qëllim çështjen juridike në disavantazh dhe në mes të rrugës”.

     Deklarata e Zv.drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, z.Dirk Buschle

     “Në emër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe në cilësinë time personale si ndërmjetësues i negociatave midis Shqipërisë dhe CEZ, kam nderin të prezantojë marrëveshjen e arritur ndërmjet të dyja palëve që kanë firmosur dje. Jam plotësisht i bindur se fillimi dhe përfundimi i këtyre negociatave bëhet për mbrojtjen e interesave më të mira të Shqipërisë dhe konsumatorëve të saj të energjisë elektrike. Vitet e neglizhencës në sektorin energjetik e kanë lënë sektorin shqiptar të energjisë në një pozitë shumë të vështirë, me pjesë të konsiderueshme energjie elektrike të papaguar, kompanitë shtetërore me vështirësi serioze financiare dhe me besim shumë të ulët nga investitorët. Në një situatë të tillë zgjidhja e konfliktit me CEZ është veprimi më i logjikshëm i mundshëm. Procedurat e kushtueshme të arbitrazhit me një rezultat të paqartë do të kishin krijuar një periudhë të gjatë pasigurie dhe paqëndrueshmërie. Duke parandaluar reformat shumë urgjente e të nevojshme ai do ta kishte mbajtur peng të gjithë sektorin energjetik dhe do të kishte krijuar probleme shumë herë më të mëdha se ato që u zgjidhën nga marrëveshja e djeshme. Nga bisedimet e shumta të mbajtura këto muaj, jam në dijeni se investitorët privatë dhe institucionet publike gjithashtu do të ishin më ngurrues për ti dhënë mbështetje një vendi me këto vështirësi të pambyllura financiare dhe ligjore. Qëndrueshmëria si dhe reputacioni i mirë i sektorit energjetik në Shqipëri kishin nevojë të rivendoseshin si një hap i parë i domosdoshëm për ta ndryshuar situatën aktuale. Për këtë arsye Komuniteti I Energjisë e ka mbështetur aktivisht negociatat gjatë këtyre gjashtë muajve. Ai do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë përgjatë reformave të ardhshme të cilat tashmë mund të fillojnë. Unë jam shumë lumtur që me përfundimin e këtyre negociatave Qeveria Shqiptare ka vendosur interesat afat-gjatë të vendit përpara dëshirave afatshkurtra për konfrontim ligjore”.

     CEZ, kronika e një privatizimi të dështuar

     Çekët erdhën në shtator të vitit 2008, ndërsa në maj 2009 finalizuan privatizimin e Sistemit të Shpërndarjes (atë të furnizimit me energji elektrike), duke blerë për 102 milionë euro 76% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i takon shtetit. Me një VKM të hartuar para privatizimit, qeveria rriti pronat e patundshme të OSSH-së dhe i hoqi borxhet, duke ia lënë atë buxhetit të shtetit. Çekët e CEZ, fitues të tenderit ndërkombëtar për blerjen e 76 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH), përfituan kështu ulje rreth 60 milionë euro nga çmimi i paracaktuar, ndërsa kishin ofruar vetëm 102 milionë euro për të. Përpos kësaj, janë vlerësuar në qindra milionë euro materialet e magazinuara elektrike të cilat i përfitoi CEZ në momentin e këtij privatizimi. Por qeveria shqiptare nuk mundi të mbrojë interesat e qytetarëve të vet, duke inventarizuar këtë pasuri shtetërore. Nëse deri dje, u konsiderua nga qeveria shqiptare si privatizimi më i madh i suksesshëm, që do të çonte përpara zhvillimin e sektorit, tashmë cështja u mbyll dhe shqiptarët do i duhet akoma t’i paguajnë kompanisë çeke edhe 95 milionë euro për “divorcin”. Kompania CEZ Shpërndarje e la vendin me shumë borxhe që asaj i kanë dhe ajo i ka, me një nivel arkëtimesh tepër të ulët, me humbje rekord negative, etj. Vetë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) ka dalë në konkluzionet se shoqëria “CEZ Shpërndarje” i ka kushtuar ekonomisë dhe sistemit energjetik një humbje prej afro 700 milionë eurosh. Në qershor 2009, kur kompania CEZ mori drejtimin e OSSH (sot “CEZ Shpërndarje”) niveli i humbjeve ishte 30.75%, ndërsa në gusht 2012, sipas raportimeve të paraqitura nga vetë shoqëria, niveli ka arritur në 45.51%. ERE thotë se deri në muajt e fundit të vitit, bilanci i humbjeve në total ka arritur në 50%, që do të thotë se gjysma e energjisë elektrike e hedhur në rrjet nga CEZ nuk paguhet ose vidhet. Kjo ka shkaktuar një dëm financiar për shoqërinë në nivelin e 17 miliardë lekëve, raporton ERE, vetëm për vitin 2012, duke reflektuar më pas gjendjen e vështirë të shoqërisë, deri në pamundësi për të importuar apo mbuluar humbjet, detyrë e cila është realizuar nga KESH, me paratë e buxhetit. Shoqëria nuk i ka punët mirë as me borxhet e akumuluara, si pasojë e të cilave krijoi gjendjen gati të falimentit. Në maj të vitit 2009, shoqëria CEZ gjeti një nivel borxhesh në masën 19.7 miliardë lekë, kurse në tetor 2012, detyrimet arritën në gati 59 miliardë lekë, pra një diferencë e dukshme tejet negative.