Çlirim HOXHA/ Ah kjo matematika…

609
Sigal

Plot 10 mijë nxënës rrëzoi matematika në provimet e Maturës Shtetërore, duke dëshmuar se kjo lëndë e bukur, por e vështirë, nuk kapërdihet dot nga të gjithë. Nuk kapërdihet dot nga të gjithë, por si do t’i vejë halli?! Pas kësaj “kasaphane” shumëkush ka nxituar të jap komente, deklarata dhe receta, por ajo që është shumë e rëndësishme duhet parë nga një këndvështrim më realist. Dihet se, matematika si shkencë ekzakte nuk mund të jetë atribut i të gjithëve, por i atyre që kanë prirje për këto lloje shkencash. U tha se, nga rreth 45 mijë maturantë që iu nënshtruan provimit të matematikës në Maturën Shtetërore, 10 mijë prej tyre u “kositën”, ndërkohë që 2000 maturantë morën notën 10. Pra vetë këto shifra na tregojnë se këta 2000 maturantë janë të lindur për këtë lloj shkence ekzakte, pjesa tjetër janë aty afër tek 9 dhe 8-ta, tek 7-ta dhe 6-ta, tek 5-sa me shumë sforco. Po me10 mijë maturantët e tjerë çfarë do bëhet?! A thua se në vjeshtë këta do kalojnë?! Kjo është e vështirë të thuhet, pasi matematika nuk është letërsi. Jam i mendimit se edhe 10 vjet rresht t’i marrësh në provim këta 10 mijë maturantë, ata përsëri nuk do të jenë në gjendje ta marrin provimin, me ndonjë përjashtim të vogël. Dëgjova zonjën Ledi Shamku, e cila fajësonte mësuesit e matematikës për këtë nivel paraqitje të maturantëve në provimin e matematikës. Në fakt zonja Shamku ka të drejtë, pasi gjatë këtyre 24 vjetëve demokraci arsimi në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë në vlerat e mësimdhënies, ku procesi është kthyer në shumë raste në pazar midis mësuesit dhe nxënësit, ku presionet e mësuesve të caktuar të matematikës ndaj nxënësve për të marrë pjesë në kurse u bë bajat dhe e degradoi shkollën shqiptare të traditës. Veç kësaj, shumë mësues matematike dolën përmes blerjes së diplomës, përmes politikës apo paaftësisë së universiteteve, të cilët për të krijuar numrin e nevojshëm të studentëve në këtë lëndë me qëllim ngarkimin e pedagogëve me orë mësimi, pranuan aty studentë me nivel të ulët në fushën e shkencave ekzakte?! Por unë përsëri këmbëngul se matematika është talent, është prirje e veçantë dhe si e tillë duhet trajtuar me kujdes. Jo pa qëllim u eksperimentua me vite të tëra ndarja e nxënësve të shkollave të mesme sipas prirjeve të tyre. Jo pa qëllim shkencat ekzakte, dhe ato shoqërore, morën në administrim nxënësit sipas këtyre prirjeve. Mendoj se përgatitja e nxënësve për lëndën e matematikës duhet bërë qysh herët, duke filluar nga tekstet e përqasura me ato të vendeve të zhvilluara të Europës, përgatitja e mësuesve të matematikës nga ana profesionale, pedagogjike, ndarja e nxënësve sipas prirjeve dhe jo sipas asaj që duam ne. Një njeriu të thjeshtë, dhe pa shumë pretendime, sot i duhet të dijë të mbledh dhe të zbresë, të shumëzojë dhe të pjesëtojë. Kjo është elementarja e një njeriu të shkolluar, i cili nuk pretendon se mund të zgjidh probleme dhe ushtrime, ndërkohë që talentet e matematikës, apo nxënësit korrekt në të gjithë lëndët, këtyre po, këtyre u duhet kërkuar më shumë. Ka ardhur koha që Ministria e Arsimit dhe Sporteve të nis pastrimin e shkollave nga të paaftët, nga mësuesit që nuk dinë se çdo të thotë proces mësimdhënie. Duhen verifikuar diplomat, pasi sipas informacionit jo zyrtar që kemi, ka mësues që kanë përfunduar studimet e larta pa përfunduar më parë shkollën e mesme?! Si mund të zgjidhet ky problem? Mendoj se është fare e thjeshtë, por edhe e vështirë nëse duam të pastrojmë terrenin dhe shëndoshim procesin e mësimdhënies në këtë vend. E para, drejtoritë arsimore duhet të bëjnë verifikimin e diplomave të mësuesve, duke verifikuar më parë diplomat e shkollave të mesme. Ku e ka përfunduar shkollën e mesme një mësues matematike, ose i një lënde tjetër. Në diplomën e shkollës së mesme shkruhet emri i shkollës së mesme në filan qytet apo fshat. Drejtoria Arsimore i kërkon shkollës në fjalë të hap regjistrin dhe të gjej numrin e amzës të filan nxënësi. Nëse kjo konsiderohet e vështirë nga drejtoritë arsimore, atëherë kjo detyrë i ngarkohet krimit ekonomik të Policisë së Shtetit në komisariate dhe drejtoritë e qarqeve. Është thelbësore të pastrohet arsimi shqiptar nga të paaftët, të korruptuarit dhe injorantët, pasi kusuri do të rëndojë mbi të ardhmen e këtij vendi. Megjithatë, duke u kthyer tek Matura Shtetërore, dhe posaçërisht tek provimi i matematikës, mendoj se Ministria e Arsimit dhe Sporteve duhet të gjejë një zgjidhje për 10,000 maturantët që nuk e morën provimin e matematikës. Ka aty nxënës që e kanë për herë të dytë apo të tretë, por kjo kategori nuk ka për ta marrë kurrë sepse nuk e kuptojnë dot këtë lëndë të bukur, por të vështirë. A duhet që këtyre nxënësve t’u mohohet shkolla e mesme?! Unë mendoj se jo, sepse pas dy apo tre tentativave këta duhet të kalojnë në anën tjetër të kordonit, por absolutisht të pranohen në universitete, ose në degët e shkencave ekzakte si deri tani. Po jap një shembull qesharak. Para tre vjetësh në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës u çel një degë e re e quajtur “Akuaristikë”. Mësuesit në shkollat e mesme u rekomandonin maturantëve që në formularin e lëndëve me zgjedhje të përfshinin edhe këtë degë, si degë e re, por edhe e lehtë. Ata nuk e kishin fare idenë se përse bëhej fjalë. Dhe a e dini se çfarë ndodhi? Pas përfundimit të maturës në degën e Akuaristikës ishin regjistruar nxënësit mbetës në matematikë, kur kjo lëndë kishte vetëm matematikë. Por është e pamundur sot për sot të kontrollohen këto gjëra në mënyrë rigoroze, kur në universitetet private ligjin e bënë leku. Sidoqoftë, mendimi im personal është që, kush shkon deri në provimet e Maturës Shtetërore, nuk mund t’i mohohet shkolla e mesme sot. Ndërsa nesër kur arsimi shqiptar të reformohet dhe kur nxënësit që kanë mbushur gjimnazet e vendit, pavarësisht aftësive dhe prirjeve të tyre, të kanalizohet drejtë arsimit profesional, situata do normalizohet. Jam i bindur që për këtë po punohet vrullshëm nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe me siguri shqiptarët do të kenë një produkt arsimor të vlefshëm sa më shpejtë.