Frank SHKRELI/ Rusia e re si Rusia e vjetër

205

Ndërsa gjëndja në Ukrainë sa vjen e keqësohet dita ditës, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një raport që botoi të martën mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe në Krime — e cila deri muajin e kaluar ishte një rajon autonom i Ukrainës — bëri thirrje për  marrjen e masave për të kundërshtuar urgjentisht mbjelljen e urrejtjes  dhe përhapjen  e informacionit jo të saktë, e të cilat në situatën e tanishme në Ukrainë, sipas OKB-së përdoret si propagandë e njëanëshme për të shkaktuar rrëmujë e dhunë.  “Është e doemosdoshme që të vendoset se cilat janë faktet e vërteta mbi ato që po ndodhin në Ukrainë,  me qëllim që të  mënjanohen  interpretimet radikale të gjëndjes së krijuar e të cilat po përdoren për qëllime politike”, tha Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay.  Ajo shtoi se, “njerëzit kanë nevojë për lajme dhe informacion të besueshëm për të kundërshtuar informacionet e rreme si dhe deklaratat plotë urrejtje të cilat nxisin armiqësitë në baza kombëtare, fetare dhe raciale.”  Kësaj fushate informacioni të rremë, sipas  gazetës New York Times, iu bashkua edhe Presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cila dy ditë më parë ka shkruar në faqen e tij elektronike se, “Në Ukrainë, përsëri po derdhet gjaku” dhe paralajmëron se Ukraina po “kërcënohet  me luftë civile.”  Për vërejtësit e politikës ruse, nuk është koincidencë njoftimi  kohët e fundit nga regjimi i Kremlinit për të ndaluar transmetimet e lajmeve nga perëndimi, përfshirë edhe transmetimet  e Zërit të Amerikës në gjuhën rusisht, vendim ky që e kam pasqyruar më heret në shkrimin me titull: “E vërteta është gjithmonë viktima e parë”.  Dihej se diçka po vlon, se diçka po përgatitej aty.  Kjo është një shenjë e keqe se nëqoftse agresioni i Putinit kundër Ukrianës del me sukses në planet e tija djallëzore në Ukrainë realizohen – me luftë ose me kërcënime — ai nuk do të ndalet me aq. Ja tani, Kombet e Bashkuara me raportin e tyre të ditëve të fundit vërtetojnë fushatën e keq-informimit të ndërmarrë nga autoritetet e Moskës mbi ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë dhe njëkohësisht i bëjnë thirrje Rusisë që të ndalojë propagandën e urrejtjes.  Kështu pra, siç thotë edhe gazeta  New York Times, për autoritetet ruse fillon edhe një ditë tjetër informacioni të rremë, ekzagjerimesh dhe teorishë  konspirative, retorikash hiperbolike dhe shpesh përhapje të drejtë  për drejta gënjeshtrash mbi krizën politike dhe gjëndjen në Ukrainë, fushatë kjo e drejtuar dhe e koordinuar nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore të Kremlinit, duke përdorur rrjetin televiziv shtetëror  të Rusisë dhe media të tjera nën kontrollin e tyre, që orë pas ore, ditë pas dite dhe javë pas jave,  t’ua mbushur mendjen rusëve me versionin e tyre të ngjarjeve se ata janë të kërcënuar. Por, ndryshe nga ato që pretendon Moska, raporti i Kombeve të Bashkuara, i cili u botua të martën, thotë se korrupcioni, mungesa e pavarësisë së gjykatave dhe zgjedhjet jo të lira, janë arsyet  kryesore që çuan në protestat popullore — që tani Kremlini po i përdor për qëllime të veta — e të cilat përfshinë Ukraininën nga Nëntori i vitit të kaluar e deri në Shkurt të këtij viti, dhe nuk u shkatuan trajtimi i keq i pakicës ruse nga autoritetet ukrainase.  Në raport theksohet se gjatë atyre protestave mbetën të vrarë 121 veta, numër i cili, sipas raportit mund të shkojë deri në 150, shumica prej tyre protestues, ndërkohë që sipas raportit, ka patur edhe shumë raste ku protestuesit ukrainas janë torturuar dhe trajtuar shumë keq, ndërsa qindra të tjerë janë detyruar të shtroheshin në spital nga plagët që kanë marrë nga policia, disa prej të cilëve janë në gjëndje tepër serioze. Raporti  i OKB-së u njoftua gjatë një jave takimesh dhe kontaktesh diplomatike në përpjekje për të qetësuar gjëndjen dhe për të ulur tensionet në Ukrainë, duke filluar me takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të djelën që kaloi, ku Ndihmës Sekretari i Përtgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Oscar Fernandez-Taranco paralajmëroi se Ukraina përballet me një përkeqësim serioz të situates, ndërsa grupe të armatosura ruse, të mirë organizuara dhe të koordinuara, tha ai, po marrin nën kontroll ndërtesat qeveritare në qytetet anë e mbanë Ukrainës lindore.  Edhe Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, sipas një njoftimi për median të OKB-së, pati një bisedë me Vladimir Putinin gjatë së cilës ai i shprehu atij shqetësimet e tija të thella mbi gjëndjen e  krijuar në Ukrainën lindore, duke i theksuar se çdo përkeqësim i krizës atje është i dëmshëm për të gjithë dhe se është detyrë e të gjithëve për të vepruar për uljen e tensionit I ka thënë Ban Ki Moon udhëheqsit rus.   Edhe presidenti Obama, gjatë një bisede telefonike me Putinin të hënën, sipas Shtëpisë së Bardhë, i ka shprehur atij shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara mbi agresionin rus në Ukrainë, ndërkohë që është njoftuar se Nënpresidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë kryeqytetin e Ukrainës më 22 prill.   Ndërkohë që, gjatë ditëve të fundit në kryeqytete të ndryshme u zhvilluan përgatitjet për bisedime të ënjtën në Gjenevë, në të cilat pritej të merrnin pjesë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, Ministri i Jashtëm  rus, Sergey Lavrov, Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Deshchytsia dhe Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton.  Vërejtsit diplomatikë dhe ushtarakë nuk presin ndonjë përparim në bisedimet e Gjenevës për uljen e tensioneve në Ukrainë, sepse sipas tyre, Putini tani e kontrollon situatën dhe e drejton si të dojë vetë.  Madje  gjenerali amerikan në pension Montgomery Meigs  i tha rrjetit  të televizionit amerikan NBC se megjithse Putini ka vendosur  rreth 40.000 ushtarë në kufirin me Ukrainën, ai nuk do t’i përdor ato, pasi Kremlini, sipas tij, po realizon objektivat e veta duke shkaktuar frikë e kaos me forca speciale dhe  militantë pro-rus që i ka futur në Ukrainë. Mendohej se shekulli i kaluar i luftërave më të përgjakshme në historinë e njerëzimit u mbyllë me shpresën se po fillonte një shekull i ri me norma dhe standarde të reja  në marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në marrëdhënjet shtet me shtet, duke shpresuar se normat e vjetra dhe luftërat në Europë do i përkisnin një periudhe tjetër.  Madje ish-presidenti amerikan George Bush me euforinë e tij, pas rënjes së komunizmit në kontinentin europian, paralajmëroi për një Europë të re, të  tërë e të bashkuar, në paqë. Por kujt do ia merrte  mendja se pak më shumë se 20 vjet pas rënjes së komunizmit dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, megjithë vuajtjet e shkaktuara nga regjimet totalitare të shekullit të kaluar, ja sot Europa dhe bota gjënden përballë një agresioni dhe një lufte tjetër të mundshme,  drejtuar nga një pinjoll i atij regjimi komunist që robëroi kombet europiane për më shumë se një gjysëm shekulli. Paqa në Europë po kërcënohet edhe njëherë nga një diktator — pjellë dhe ish agjent i një sistemi komunist i cili me dekada skllavëroi popullin e vet dhe robëroi e nënshtroi edhe popujt e tjerë europianë  — tani po kërkon të përsërisë historinë dhe të rivendosë famën dhe të lartësojë lavdinë e Rusisë së madhe, në kurriz të popujve të tjerë europianë.  Për ata që e dinë historinë e Europës, në këtë mes nuk ka asgjë të re, sepse   Rusia e re vetëm po sillet si Rusia e vjetër sovjetike.