Frank SHKRELI/ Pritshmëritë nga vizita e Papës në Shqipëri

563
Sigal

Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Vatikani

Shenjtërimi i Nënë Terezës

Emërimi i një kardinali shqiptar

Në Tiranë, ditën e enjte u njoftua axhenda e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, ku  ndër aktivitete të tjera, fillimisht do të takohet me udhëheqësit më të lartë politikë të vendit,  me udhëheqësit e Kishës Katolike Shqiptare si dhe me krerët më të lartë të besimeve të të tjera të shqiptarëve. Kisha Katolike shqiptare njoftoi, gjithashtu, se Papa Françesku, në vizitën e tij Shqipërisë, do të shoqërohet me 70 gazetarë të huaj.

Shenjtëria e Tij, Papa Françesku njoftoi në qershor se, kishte zgjedhur Shqipërinë si vendin e parë europian për ta vizituar më 21 shtator, me qëllim për t’i dhënë kurajo e guxim e atij populli, i cili vuan për një kohë të gjatë pasojat e ideologjive të kaluara, ka thënë Papa.  Në njoftimin e tij, ai natyrisht iu referua vuajtjeve gjatë dekadave të regjimit diktatorial komunist që e kishte izoluar Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës.  Vatikani ka thënë se Papa Françesku donte që vizita e tij e parë në Europë të bëhej në një vend me një histori persekutimesh, për të nderuar ata që kanë vuajtur nën regjimin komunist dhe në një vend, i cili gjithnjë vuan nga varfëria. Kjo, sipas Vatikanit, është arsyeja se pse Papa vendosi të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Europë.

Siç dihet, ish-diktatori komunist Enver Hoxha kishte marrë vendimin absurd duke shpallur Shqipërinë si shtetin e parë ateist në botë në vitin 1967 dhe si rrjedhim mbylli ose shkatërroi xhamitë dhe kishat dhe persekutoi e vrau shumë klerikë të tri feve, por sidomos e kishte në shënjestër për zhdukje Kishën Katolike Shqiptare dhe përfaqësuesit e saj.  Fatbardhësisht, kjo çmenduri mori fund, në fillim të 90-ave, atëherë kur gënjeshtra u nda prej së vërtetës, gjë që më në fund bëri të mundur vizitën e parë të një pape në Shqipëri, Papës Gjon Palit të II më 1993. Prandaj, për Papa Françeskun, Shqipëria është një destinacion aq i natyrshëm për ‘të sa është edhe i rëndësishëm në këtë periudhë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Papa Françesku deri tani nuk njihet si një Papë që i pëlqen të udhëtojë, pasi deri tani ka bërë vetëm dy vizita ndërkombëtare, një në Brazil dhe tjetrën në Lindjen e Mesme. Duke njoftuar vizitën e tij në Shqipëri, qershorin që kaloi, Papa Françesku u shpreh para mijëra pelegrinëve në Sheshin e Shën Pjetrit dhe para botës duke thënë se, “Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për Kishën Shqiptare dhe njëkohësisht të dëshmojë inkurajimin dhe dashurinë time për një vend, i cili ka vuajtur aq shumë dhe aq gjatë nga pasojat e ideologjive të kaluara”.  Duke iu përgjigjur ftesës nga Kisha Katolike e Shqipërisë dhe nga udhëheqësit politikë të vendit, Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë me 21 shtator.

Shqipëria dhe shqiptarët kudo po presin këtë vizitë si ndër më të shënuarat që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, përfshirë edhe vizitën e paraardhësit të tij Papa Gjon Palit të II në vitin 1993. Para dy javësh isha për një vizitë të shkurtër në Shqipëri dhe në biseda me shumë vendas vihej re një pritje me padurim për vizitën e udhëheqësit të Kishës Katolike në tokën e Arbërit: për ta takuar e për t’u përshëndetur, për të marrë bekimet e tij dhe për të dëgjuar fjalët dhe këshillat e tija baritore. Edhe qeveria shqiptare është vënë në lëvizje për të bërë një pritje madhështore për Papa Françeskun në kryeqytetin e shqiptarëve.

Pa asnjë dyshim, me 21 shtator, Papa do të pritet në Tiranë ashtu si e kanë më së miri traditë shqiptarët, pa dallim e së bashku, si gjithmonë, si përfaqësues të tri besimeve, si vëllezër e motra të një gjaku, të një gjuhe e të një fisi. Ata së bashku me Papën do të falënderojnë Zotin se më në fund, kombi shqiptar gëzon lirinë dhe pavarësinë, në radhë dhe krah për krah me vendet e kontinentit europian, aty, ku gjithmonë e kanë patur vendin shqiptarët.

Është kjo një vizitë e një Pape në një vend, si asnjë tjetër në Europë. Jam i bindur se Papa Françesku është i vetëdijshëm se më 21 shtator, ai viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, i cilësuar nga paraardhësit e tij si, “Atlet i Perëndisë”, “Kalorës i Pathyeshëm” dhe një “Burrë me një madhëri të pabesueshme shpirti”, dhe si “I gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithherë mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të besës, të nderit e të burrërisë”.  Ati i Shenjtë, në vizitën e tij të parë në Kontinentin Europian, me të drejtë ka zgjedhur të ndalojë në tokën e “Mbrojtësit të Europës”, si dhe në Mëmëdheun e bijës së kombit shqiptar dhe të Nënës së botës, bamirëses me famë botërore dhe murgeshës shqiptare, Nënë Terezës. Edhe shqiptarët, nga ana e tyre, besoj se janë të vetëdijshëm për ndjenjat e veçanta të Vatikanit të ruajtura ndër shekuj ndaj kombit shqiptar. Siç ka thënë edhe një para-ardhësi Papa Françeskut, Papa Pali i VI, me rastin e festimeve të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe më 1968 në Romë, “Selia Apostolike gëzohet se bën pjesë me miqtë e vjetër të Atdheut tuaj, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë nuk i dolën fjale.”

Vizita e Papa Françeskut në Tiranë është pra një vazhdim i kësaj miqësie midis papëve të Romës dhe kombit shqiptar që ka ekzistuar që prej kohës së Gjergj Kastriotit – Skënderbe. Andaj kombi shqiptar pret që kjo vizitë jo vetëm të avancojë këto lidhje, por t’i çimentojë ndër shekuj.  Urat e bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe Selisë Shenjtë, megjithëse, të forta, do të përforcoheshin edhe më shumë, sikur vizita e Papa Françeskut në Tiranë të rezultonte në disa njoftime konkrete, sidomos mbi tri çështje me rëndësi, të cilat janë në mendjen dhe në zemrën e shumë shqiptarëve, ndërkohë që, po afrohet ardhja e Papa Françeskut në Tiranë. Ato janë të karakterit fetar dhe kombëtar për shqiptarët. Ai kombëtar, ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, vendim i cili pritej të merrej duke pasur parasysh ndërhyrjen kritike të Papa Gjon Palit të II me udhëheqësit perëndimor, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton, në mbështetje të shqiptarëve gjatë luftës kundër ushtrisë dhe policisë terroriste të Serbisë. Ndërsa nga pikëpamja fetare, shqiptarët katolikë dhe të tjerë, presin ndonjë njoftim për përshpejtimin e shenjtërimit të Nënë Terezës si dhe emërimin e një kardinali shqiptar, për njërën prej kishave më të vjetra, në mos më e vjetra, në kontinentin europian, e cila tani për tani nuk ka një udhëheqës kishtar në atë nivel.

Duke njoftuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Vatikani gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar dhe duke mbështetur përshpejtimin e procesit të shenjtërimit të Nënë Terezës, si dhe duke  deklaruar gatishmërinë e Selisë Apostolike për të emëruar një kardinal shqiptar, Ati i Shenjtë do të realizonte objektivin që ai vet ka përcaktuar për vizitën e tij në Tiranë, siç ka thënë,për të “vërtetuar mbështetjen për Kishën Shqiptare dhe njëkohësisht të dëshmojë inkurajimin dhe dashurinë  për një vend, i cili ka vuajtur aq shumë dhe gjatë nga pasojat e ideologjive të kaluara”.

Kombi shqiptar ka nevojë për lutjet dhe ndihmën e Papa Françeskut në këtë moment të historisë së tij. Ndihmë më të madhe nuk besoj se mund të jepte. Mbështetja e këtyre tre propozimeve gjatë qëndrimit të tij në Tiranë do të kulminonte në suksesin e vizitës dhe në realizimin e plotë të objektivave të përcaktuara nga vet Vatikani për vizitën e Atit të Shenjtë në trojet e shqiptarëve.

Për më tepër, një gjë e tillë do të njihte konkretisht meritat e shqiptarëve për rolin ndërtues dhe paqësor që shqiptarët kanë luajtur dhe luajnë në Ballkan si dhe për faktorin e tolerancës fetare dhe shoqërore midis tyre, duke i inkurajuar shqiptarët, të cilët Papa Pali VI i kishte cilësuar si, “para-ardhësit e  komunizmit modern”, kështuqë  pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbe   në këtë rrugë të vazhdojnë  të jenë shembull për të gjithë dhe kombi shqiptar të shënojë, jo përçarje e mospajtim, por  triumfe të reja dhe një shpërthim fuqishëm ringjallëse, duke i dhënë vetes dhe botës një dëshmi të pashoq të dinjitetit politik, shoqëror dhe kombëtar.