Frank Shkreli/ Neni që ndalon hetimin e krimeve të komunizmit

157
Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shkodër, Pëllumb Sulo njoftoi të hënën që kaloi se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani mori pjesë në veprimtarinë përkujtimore me rastin e 71-vjetorit të revoltës historike anti-komuniste të Malësisë së Madhe. Gjatë ceremonisë që u zhvillua në Koplik, Presidenti Nishani nderoi Kryengritjen Antikomuniste të Malësisë së Madhe, janarin e 1945, me Dekoratën e Artë të Flamurit me këtë motivacion: “Në vlerësim të lartë ndaj revoltës popullore të organizuar nga burra kuvendi të shquar për urtësi dhe autoritet, të cilët me heroizëm të pashoq, me pushkë në dorë e me besën e shqiptarit, luftuan pa kompromis kundër vendosjes së diktaturës së pashpirt komuniste, deri në sakrificën sublime të vetëmohimit për një Shqipëri vërtetë të lirë dhe demokratike”. Në fjalimin e tij me këtë rast, sipas Zërit të Amerikës, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani kritikoi ashpër atë që ai e quajti, “tentativë me kurajo të paimagjinueshme për rishfaqjen e simboleve të egra të diktaturës”, kohët e fundit. Presidenti Nishani theksoi gjithashtu nevojën për dënimin e krimeve të komunizmit dhe të ish- sigurimit të shtetit. Udhëheqësi shqiptar shprehu gjithashtu shqetësimin e tij se, “Dosjet e krimeve të komunizmit kanë 71 vjet që mbeten pa hetuar dhe pa gjykuar”. Ai u duk, se shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij për mos-zbatimin e ligjit të dosjeve ndërsa shtoi se, “Ligji për hapjen e dosjeve, ndonëse dhe i paplotë, ende nuk ka filluar të zbatohet. Ligji i hapjes së dosjeve nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë kurrë i plotë pa ligjin e lustracionit”, ka thënë Presidenti Nishani në fjalimin e tij. “Hetimi i krimeve të komunizmit dhe i sigurimit të shtetit nuk është çështje revanshi dhe hakmarrjeje”, ka theksuar udhëheqësi shqiptar, por “është pazgjidhshmërisht i lidhur me çështjet e interesit të sigurisë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik”. Si i tillë, nënvizoi Presidenti Nishani, “E quaj të pa-pranueshme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ekspertë të reformës në drejtësi, për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që e ndalon një herë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit”. Ai tha se i konsideron këto si përpjekje për të provokuar, “përsëri Shqipërinë dhe shqiptarët me tendenca për të rehabilituar ideologjinë, platformën dhe figurat e asaj kohe kriminale”. Unë nuk jam në dijeni të ndonjë kushtetute tjetër në botë që haptas, me ligj dhe kushtetutë të ndalojë hetimin e krimeve të komunizmit, ose të krimeve të çfarë do lloji tjetër qofshin, ose të lirive të shtetasve të vet, me përjashtim të ligjit mbi ndalimin e fesë në Shqipërinë komuniste. Në vend që të dënohen krimet e komunizmit, Shqipëria jonë pas 25 vitesh të shembjes së Murit të Berlinit, jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë masë gjatë kësaj periudhe për të denoncuar dhe dënuar zyrtarisht krimet e diktaturës komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, por në vend të kësaj propozon miratimin e një neni kushtetues që do të ndalonte përgjithmonë hetimin e krimeve të atij regjimi diktatorial. Të një regjimi, i cili për pothuaj një gjysmë shekulli vrau, burgosi, torturoi dhe dërgoi në kampet e përqendrimit mijëra shqiptarë, jo se ata kishin bërë ndonjë krim, por vetëm e vetëm, sepse i konsideronte ata si kundërshtarë të tij politikë, të cilët aspironin një të ardhme tjetër për Atdheun e tyre. Të një diktature komuniste që karakterizohej nga krime dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, një sistemi, i cili për të ruajtur pushtetin mbi popullsinë ka bërë më shumë se vrasje të personave të caktuar dhe masakrime të ndryshme. Në të vërtetë ishte një sistem, aktivitetet kriminale të të cilit ishin bërë pjesë e pandashme e sistemit qeverisës. Është i pabesueshëm fakti, se përpilimi i këtij draft-neni përflitet dhe propozohet nga qeveria shqiptare në kuadër të reformës në drejtësi! Reformë në drejtësi, për të ndaluar hetimin e krimeve të njërit prej regjimeve më kriminale në Europë e ndoshta në botë. Këta propozues të këtij neni duhet të detyrohen të vizitojnë Spaçin dhe të gjitha burgjet komuniste dhe qendrat e përqendrimit anë e mbanë Shqipërisë, kështu që, ndonëse ka kaluar një kohë, të shohin me sytë e vet natyrën kriminale dhe jo legjitime të regjimit enverist. Këto ishin krime kundër njerëzimit dhe si të tilla në bazë të ligjeve ndërkombëtare nuk kanë afat të caktuar për dënimin e kriminelëve dhe të abuzuesve që kryen krime në emër të atij regjimi. Mos hetimi dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit u mohon të drejtën e viktimave të komunizmit, në qoftë se besohet se ata kishin ose kanë ndonjë të drejtë. Përpjekje të tilla për një “reformë” të tillë në drejtësi, në një shoqëri demokratike, sado të brishtë, jo vetëm që nuk reformon sistemin e drejtësisë në Shqipëri, por e përçudnon atë. Një shoqëri demokratike duhet të jetë e zonja që të dënojë krimet e komunizmit dhe jo t’i mbrojë atë me ligj. Ideologjia dhe krimet komuniste që kanë shkaktuar aq shumë vuajtje dhe mjerim në Shqipëri dhe anë e mbanë Europës, me sjelljet dhe krime e tyre kriminale, kanë qenë dhe janë në kundërshtim të plotë me Konventat e ndryshme Europiane dhe ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, përfshirë Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut. Për më tepër, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës dhe Bashkimi Europian, të cilit Shqipëria aspiron t’i bashkohet, nëpërmjet rezolutash të ndryshme kanë dënuar ish-regjimet komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore dhe u kanë bërë thirrje ish-vendeve komuniste që të rivlerësojnë historinë e komunizmit dhe të dënojnë ish-regjimet komuniste, në përpjekje që ajo histori të mos harrohet nga brezat e ardhshëm. Janë caktuar data mbarë europiane për të kujtuar viktimat e komunizmit dhe janë ndërtuar monumente kushtuar këtyre viktimave, jo vetëm anë e mbanë Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Është qesharake që Shqipëria pretendon t’i bashkohet Europës, ndërsa njëkohësisht propozon nene me të cilat do të ndalojë hetimin e krimeve të komunizmit. Kësaj i thonë, jo vetëm politizim i historisë, por edhe mohim i historisë dhe i drejtësisë për të gjallët dhe të vdekurit, të cilët e pësuan aq rëndë nga regjimi komunist. Duket se inati kundër viktimave të komunizmit ende vazhdon në shoqërinë shqiptare. Çfarë mund tu bëhet më shumë këtyre viktimave – të cilët fundi i fundit ishin shqiptarë dhe jo të huaj. Shqiptarët po pajtohen me armiqtë shekullorë të shqiptarëve, por nuk pajtohen dot me njëri-tjetrin! Viktimat e komunizmit nuk ishin as robër lufte, as serbë, grekë turq ose italianë, por vëllezër të një gjuhe, të një gjaku të një kulture, e të cilët regjimi komunist i viktimizojë, vetëm e vetëm, sepse kishin një ide tjetër për të siguruar lirinë dhe demokracinë e vendit të tyre. Se çfarë poshtërimi tjetër mund tu bëhet këtyre viktimave ndoshta iu përgjigj më së miri, Profesor Sami Repishti, intelektuali i njohur shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur politik i komunizmit enverist, në një komunikim dërguar Drejtorit të ISKPKSH( Institutit të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa, Profesor Repishti reagoi ndaj draftit të qeverisë shqiptare që do të ndalonte hetimin dhe ndëshkimin e krimeve komuniste, duke shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tij të thellë ndaj nenit të propozuar: “Ky paragraf ashtë shumë shqetësues” ka thënë Profesor Repishti. “Po të vërtetohej do të ishte një nga turpet ma të mëdha në ish botën komuniste, dhe një njollë e pashlyeshme për të gjithë ne shqiptaret të rezistencës anti-komuniste. Edhe të vdekurit nga varri do ta protestonin këtë padrejtësi monumentale. Tashti, ajo që mbetet nga sulmi pro-komunist ashtë kërkesa për ri-arrestimin tonë për “fajet” e se kaluemës….E pabesueshme!, përfundon Profesor Repishti mesazhin e tij dërguar Agron Tufës. Me të vërtetë e pabesueshme! Njeriut i mungojnë fjalët për të reaguar ndaj një absurditeti të tillë. Është njësoj sikur vdes një i ri dhe njeriu nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjet për humbjen e madhe. Njësoj mungojnë fjalët për të përshkruar dhimbjet tona për ‘vdekjen’ e drejtësisë në demokracinë re e të brishtë shqiptare. Njeriut i mungojnë fjalët për të reaguar ndaj një absurditeti të tillë. Por ishte një kohë, 25 vite më parë, kur shpresonim për një Shqipëri ndryshe nga ajo e 50-viteve më parë nën regjimin komunist. Fatkeqësisht, drafti i nenit të qeverisë shqiptare për të ndaluar hetimin e krimeve të komunizmit dhe personave që i kryen ato të bindë se, përveç pallateve të mëdha, pronë e oligarkëve të ri, asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitet as në moral nga periudha komuniste. Shpresohej se një brez i ri udhëheqësish shqiptarë do bënin ndryshimet e nevojshme të kërkuara nga shoqëria shqiptare e shumëvuajtur dhe nga miqtë e Shqipërisë, mbi të gjitha ndryshimet në drejtësi, pasi ajo është baza e çdo zhvillimi tjetër të shoqërisë. Kjo nuk ka ndodhur! Në qoftë se mohohen krimet dhe në qoftë se me ligj ndalohet ndëshkimi i këtyre krimeve të bëra nga shqiptarët kundër shqiptarëve, si mund të kërkohen zbulimi, hetimi dhe ndëshkimi i krimeve të shumta, që historikisht, janë bërë kundër shqiptarëve nga armiqtë e tij gjatë shekujve në mbarë trojet shqiptare në Ballkan? Por megjithë dhimbjen dhe pesimizmin me të cilin të mbulon një lajm i tillë, dhe me gjithë kohën e kaluar ç’prej shembjes së atij regjimi, nuk është vonë kurrë për t’u përballur me krimet e komunizmit, me drejtësinë për viktimat e tij, si dhe me dilemat dhe sfidat që paraqet historia fatkeqe e kësaj të kaluare totalitare për të ardhmen e kombit shqiptar. Por pa një angazhim të tillë serioz për rivlerësimin e asaj historie – përfshirë krimet dhe ndëshkimin e tyre – kam drojë se shoqëria shqiptare nuk do të gjejë paqen, për të cilën ka aq shumë nevojë për të ecur përpara me vendet e tjera si motra europiane.