Arben Duka: Libri “Skënderbegasit ndër vite”, një historik i munguar për Shkollën Ushtarake dhe skënderbegasit

282
Që në fillim do të thosha që libri “Skënderbegasit ndër vite”, i autorëve Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzullai është një libër i munguar dhe i shumëpritur për Shkollën e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe për skënderbegasit e mrekullueshëm që ishin e ende janë bërthama e ushtrisë shqiptare dhe shtresa më vitale e shoqërisë sonë. Pa asnjë mëdyshje, për mua, ky libër mund të quhet një historik i kësaj shkolle të lavdishme në Shqipëri. Them kështu jo vetëm për materialin e paraqitur në rreth 800 faqe të tij, por dhe për faktin se ky material është vetëm pjesa e parë e librit që do të pasohet më tej në vazhdim nga autorët… Kjo do të bëjë që historiku i kësaj shkolle, të jetë sa më i plotë për të pasqyruar një nga krenaritë e arsimit shqip për gati gjysmë shekulli, të protagonistëve të dekadave, mësuesve, komanduesve, ish-skënderbegasve që kanë arritur të bëhen ndër vite ministra, deputetë, presidentë, shkencëtarë, artistë e sportistë të kalibrit botëror, duke ia ngritur më lart prestigjin e dinjitetin vendit dhe shkollës ku morën dijet e para e nisën rrugëtimin e gjatë në jetë. Deri më sot, për Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” janë shkruar qindra faqe në gazeta, janë shkruar dhe disa libra, janë prodhuar dokumentarë e ka dhe dëshmi të tjera… Por ky libër, është më i ploti, e përmbi të gjitha, i mbështetur në dokumente zyrtare të pa publikuara deri sot dhe në dëshmi të protagonistëve të kolektivit të kësaj vatre që ndryshe quhet dhe “Fidanishtja e ushtrisë”… Sigurisht, për shkaqe që dihen, dhe ky libër që kemi në duar e që e quajmë më të plotin, mund të ketë dhe ndonjë mungesë… Është më se normale po të jetë dhe kështu… Por fakti që ai është botim voluminoz, me referenca zyrtare e dëshmi të kohës, përfshi dhe pjesë të ditarit origjinal të një mature (vitet 1970-1974), si dhe fakti që historiku i skënderbegasve e Shkollës Ushtarake “Skënderbej” do të pasurohet me pjesën tjetër të librit, është një garanci se prova reale dhe perspektive e një ndërmarrje të guximshme por të suksesshme, do të sjellë atë që duhet. Për më tepër, ky libër që sot kemi në duar, bën që gjithkush të shohë sot ‘drejt në sy’ se kush kanë qenë e janë skënderbegasit dhe shkolla e lavdishme Ushtarake “Skënderbej”. Veçanërisht ndonjë individ apo grupim interesaxhinj që në këto vite tranzicioni kanë hedhur dhe baltë, por pa e përlyer lavdinë e kësaj shkolle e bijve të saj që në më shumë se 7 dekada, kanë lënë gjurmë të arta në histori… Ndaj, një falënderim zemre për autorët Boriçi e Fejzullai, është minimalja që mund të bëhet nga kushdo në këtë rast… Duke pasur fatin ta lexoj këtë libër ende pa u printuar, fare shkurt dua të evidentoj disa detaje, që tregojnë për një punë të stërmundimshme e të përgjegjshme të autorëve për të arritur deri këtu.
1-Struktura e librit. Ndonëse voluminoz e me shumë materiale, libri ka një strukturë të qartë, profesionale e kronologjike në ngjarjet që sillen, gjë që tregon se autorët si profesionistë, njohës të kësaj fushe, e kanë pasur të qartë synimin dhe mënyrën e organizimit e pasqyrimit të ndërmarrjes që kanë realizuar. Njëkohësisht, po me profesionalizëm, kanë ditur të përzgjedhin materialin (arkivor e dëshmitë), në funksion të krijimit të një tabloje të plotë për e rreth objektit… Dhe ja kanë arritur. Libri, qoftë dhe si monografi, qoftë dhe si rrëfim apo përshkrim (ngjarjesh e personazhesh), është i arrirë e mendoj se ka vlerësimin dhe të specialistëve më të njohur të këtyre fushave.
2-Servirja e dokumentit. Në histori, në publicistikën historike, dokumenti origjinal flet vetë. Me rëndësi, është mënyra se si serviret ai në kontekstin e asaj që është apo ka qenë në realitet. Mendoj që një nga komponentët që e bën këtë libër të veçantë, profesional e me vlera historike, është puna e mirë e autorëve me dokumentet zyrtare. Për herë të parë, siç konstatohet në libër, sillen për lexuesin dokumente origjinale nga arkivat për Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe skënderbegasit në mënyrë kaq të organizuar. Bie fjala, sillen pjesë nga “Historiku i Shkollës Ushtarake ‘Skënderbej”, tekstualisht e me faksimile, duke shënuar dhe numrin e faqeve, dosjeve përkatëse, sasinë e fletëve, kohën e përpilimit, deri dhe afatin e ruajtjes. Sillet gjithashtu një listë e mësuesve e komanduesve që kanë punuar në këtë shkollë nga marsi 1945, dita kur u hap shkolla deri në vitin 1992, kur u mbyll aktiviteti i saj. Lista, fatkeqësisht jo e plotë për shkak se dikush është treguar i pakujdesshëm dikur, e ndonjë tjetër ka vënë dorë qëllimisht në këto arkiva, është një gjë e veçantë. Sillet gjithashtu urdhri i mbylljes së Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, tekstualisht, me faksimile të tij dhe dosjes përkatëse. Po kështu dhe dokumente të tjera… Pra, janë dokumente që flasin vetë…
3-Përzgjedhja e dëshmive. Në libër, sillen kujtime të protagonistëve të gjallë, por dhe vlerësime për ata që kanë lënë gjurmë në rreth 50 vite aktivitet të Shkollës Ushtarake “Skënderbej”. Kjo shkollë ka nxjerrë në këto dekada mijëra skënderbegas, rreth 35 mijë, e në këtë institucion kanë punuar me qindra mësues, mësuese, oficerë komandues e punonjës ndihmës. Merita e autorëve qëndron në faktin se kanë përzgjedhur e sjellë dëshmi nga të gjitha maturat, portrete të mësuesve apo drejtuesve më kontribues në dekada, me synimin që në libër të vijë pothuaj në mënyrë kronologjike koha, ngjarjet dhe fenomenet. Synimi është që skënderbegasit të ‘prekin’ jetën e tyre të dikurshme dhe aty ku protagonistë kanë qenë kolegët, ndërsa lexuesi i gjerë, të krijoj një tablo sa më të plotë për këtë institucion të rëndësishëm arsimor në vend dhe protagonistët.
4-Gjithëpërfshirja. Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, historikisht ka qenë jo vetëm “Fidanishte e ushtrisë”, por dhe ‘fidanishte’ e sportistëve cilësorë, diplomatëve me emër, artistëve me famë, heronjve e dëshmorëve, në emër të atdheut, popullit e detyrës që u është besuar. Në libër, me intuitë, njohje e konsultë me dokumentet zyrtare, autorët kanë sjellë ikonat e këtyre fushave, skënderbegasve të famshëm që kanë qenë në dekada e janë në krye të flamurtarëve të këtyre fushave. Në këtë mënyrë, tabloja e emrit dhe historisë së shkollës e skënderbegasve, bëhet më e plotë, më e kapshme për të gjitha kategoritë e lexuesve. Në këtë libër, krahas të tjerave, do të mësohet se në ditën e parë të hapjes së Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, ka pasur dhe femra që erdhën nga fronti i luftës… Dëshmitë e 85-vjeçares Veronika Murzaku, skënderbegases së parë, që u ul në bankat e kësaj shkolle më 28 mars 1945 që jepen në këtë libër, janë shumë interesante dhe me vlera.
5-Fotografitë. Një meritë e autorëve në kompletimin e librit për Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe skënderbegasit, ka dhe përzgjedhja e publikimi i fotove. Pothuaj të gjithë protagonistët, personalitetet, krahas CV-së e publikimit të aktivitetit, kanë në libër dhe fotot e tyre. Ndërsa përfshirja dhe e fotove të kohës apo ngjarjeve në funksion të pasqyrimit sa më të plotë të realitetit në kohë, është bërë me shije nga autorët, duke e bërë më të plotë e më të këndshëm librin. 
6-Karakteri, virtyti dhe personaliteti skënderbegas. Vlerë e veçantë në këtë libër, për shkak të realitetit por dhe profesionalizmit të autorëve, është evidentimi profesional i karakterit, virtytit dhe personalitetit të skënderbegasve në të gjitha pikat kulmore të shoqërisë, shtetit shqiptar, apo dhe aspekte të tjera… Kështu, në libër sillen me profesionalizëm devocioni i skënderbegasve në të gjitha aksionet kombëtare që nga 1945-sa deri në vitin 1992. Sillet kontributi i skënderbegasve në luftën për çlirimin e Kosovës, dëshmorët skënderbegas të kësaj lufte, heroizmi i pilotëve skënderbegas që kanë rënë në krye të detyrës, heroizmi i detarëve skënderbegas, i xhenierëve, etj…
Arti i të shkruarit. Siç përmenda pak më lart, vlerat e këtij libri nuk mund të kuptohen, apo nuk do të ishin të tilla, pa artin në të shkruar nga autorët. Shmangia e deklaratave apo vlerësimeve të tyre (autorëve) për ngjarje, fenomene apo njerëz, duke ia lënë vendin dokumentit apo dëshmisë së besueshme, jo vetëm tregon profesionalizëm, por e bën librin të besueshëm dhe tërheqës për çdo lexues. Kolegu e shoku im skënderbegas Kujtim Boriçi, me një eksperiencë shumë të gjatë e me emër në publicistikën shqiptare, bashkë me autorin tjetër, Fejzullain, kanë sjellë me këtë libër një botim me vlerë, një botim të munguar për skënderbegasit dhe shkollën “Skënderbej”, një vatër e rëndësishme e arsimit shqiptar.
… Pohova më sipër se në ndërmarrje të tilla serioze e me vlerë, është vështirë që të mos konstatohet (qoftë dhe nga një person apo grupim) dhe gjëra që mund të ishin dhënë më mirë. Sigurisht. Por kjo punë e bërë, meriton vlerësim dhe vetëm vlerësim e mirënjohje. Këtë mendim do të krijojë kushdo që e lexon këtë libër për Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe skënderbagesit, të autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzullai… Dhe së fundi, si një skënderbegas i përjetshëm, u shpreh mirënjohjen më të thellë autorëve për këtë ndërmarrje titanike, për të përjetësuar shkollën e lavdishme “Skënderbej”!
Të gjithë duhet ta dinë, se në Shqipëri ka ekzistuar një nga shkollat më të mira, të gjithë botës. Dhe kjo ka qenë Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”.
O prag i kuq që ndrin nga yjet
Të përshëndes, të përshëndes
Të dua gjer në frymë të fundit
Të dua deri sa të vdes!