Frank Shkreli/ Gjermania: hapni dosjet!

55
Të martën që kaloi, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman mori pjesë në ekspozitën “Diktatura dhe demokracia në epokën e ekstremeve: Fasha drite mbi historinë e Europës së shek. XX“, në Galerinë e Artit “Edward Lear” në Berat. Sipas ambasadës gjermane në Tiranë, ekspozita e cila është shfaqur edhe në Tiranë fund vitin që kaloi, tregon Europën e shekullit të XX, si një histori dramatike mes lirisë dhe tiranisë, mes demokracisë dhe diktaturës. Në njoftim thuhet se shkas për këtë bëhet edhe njëkohshmëria e ngjarjeve historike, të cilat ilustrojnë më së miri ndërthurrjen e historive kombëtare në “epokën e ekstremeve”, siç ishte Lufta e Parë Botërore që shpërtheu në vitin 1914. Gjermania pastaj filloi Luftën e Dytë Botërore në vitin 1939. Në nëntor 1989, me shëmbjen e Murit të Berlinit filluan dhe revolucionet paqësorë duke i dhënë fund ndarjes së Europës dhe në vitin 2004 Bashkimi Europian pa valën e parë të zgjerimit drejt lindjes ish-komuniste. Të gjitha këto ngjarje dhe zhvillime patën pasoja të menjëhershme edhe për Shqipërinë, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në Tiranë, me rastin e hapjes së ekspozitës në Berat, e që është e bërë e mundur nga Instituti i Mynihut për Historinë Bashkëkohore, Radion gjermane Kultura, Fondacioni Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED dhe me mbështetjen e Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman e përdori rastin e hapjes së kësaj ekspozite për t’u bërë thirrje përsëri autoriteteve shqiptare nga qyteti i mbi 1000 dritareve që të hapin dosjet, pasi sipas diplomatit gjerman, me të vërtetë ka ardhur koha për një gjë të tillë. Kryediplomati gjerman në Tiranë u shpreh se “në gjykimin tim personal mendoj që ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ai proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme”. 
Por, fatkeqsisht ky proces në Shqipëri nuk ka filluar ende seriozisht, ndonëse gjatë 25-viteve të fundit, është folur e përfolur për këtë problem, madje janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, por procesi për të cilin ambasadori gjerman shpreson se do të “përmbyllet me sukses” në Shqipëri, nuk ka gjasë të përfundojë askund, do të mbetet në hava – as me sukses as pa sukses. Kjo sepse për t’u përballur me të kaluarën e egër komuniste, në atë vend nuk ekziston vullneti i mirë as dëshira politike. Për t’u marrë me dosjet e komunizmit, njëkohësisht ka munguar edhe guximi politik, moral dhe njerëzor nga të gjithë krahët politikë, institucionet përkatëse të qeverisë dhe të shtetit si dhe nga protagonistët kryesorë të politikës shqiptare, të periudhës së ashtuquajtur post-komuniste, të çerek shekullit të kaluar.
Ambasadori Hellmut Hoffman, ambasador i një vendi të rëndësishëm në Europë, ndryshe nga ambasadorët e tjerë perëndimorë, ka treguar një interesim të veçantë në lidhje me çështjen e dosjeve të ish-Sigurimit të regjimit komunist shqiptar, ç’prej ardhjes së tij në Shqipëri në vitin 2013. Kjo ekspozitë që fillimisht është shfaqur në Tiranë fund vitin e kaluar, siç duket ka për qëllim të njohë shqiptarët me përvojën gjermane të ballafaqimit me të kaluarën e saj naziste dhe komuniste. Por njëkohësisht duhet të sensibilizojë dhe të inkurajojë politikën shqiptare dhe opinionin publik në Shqipëri me qëllim që më në fund të nxisë zhvillimin e një debati të hapur dhe serioz rreth mënyrës se si duhet trajtuar historia e tiranisë komuniste dhe trashëgimisë së saj në në atë vend, i cili, siç është shprehur ambasadori Hoffman, “për pothuaj një gjysëm shekulli ka pësuar një diktaturë staliniste të paskrupullt, me të gjitha tragjeditë dhe vuajtjet njerzore që mund të mbartë ajo”. 
Por, ai është shprehur njëkohësisht se debati dhe përballimi me të kaluarën dhe me trashëgiminë komuniste të vendit, “nuk mund t’u imponohet shqiptarëve, pasi janë ata vetë që duhet të zhvillojnë këtë debat mes vetes”.
Ambasadori gjerman, me mbështetjen që është duke i dhënë hapjes së dosjeve të komunizmit në Shqipëri – si përfaqësues i një vendi të rëndësishëm në Europë dhe në botë – ai shpreh politikën dhe vullnetin e Gjermanisë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë duke i bërë thirrje Tiranës zyrtare për përmbylljen me sukses të këtij procesi, siç është shprehur ai. Duhet të lavdërohen deklaratat si dhe veprimtaria e ambasadorit gjerman Hellmut Hoffman, si dhe gatishmëria e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë në lidhje me këtë çështje, të cilën ai e ka cilësuar si të vështirë, por tepër të nevojshme për vendin. Kryediplomati gjerman në Tiranë ka shprehur në shumë raste bindjen e tij për hapjen e dosjeve dhe për nevojën e ballafaqimit me historinë 50-vjeçare të komunizmit shqiptar si dhe me trashëgiminë e njërit prej regjimeve komuniste më diktatoriale të botës. 
Fund vitin që kaloi Ambasadori Hoffman u shpreh se, “këtë Nëntor festohet me krenari të përligjur 70-vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit gjermanë, por nga ana tjetër nuk mund të imagjinohet se ata dhanë jetën e tyre apo ata që vuajtën gjatë luftës, të kenë dëshiruar për pothuaj gjysëm shekulli, sistemin e një diktature në përbuzje të njeriut”. 
Nga ish kampi i të burgosurve të ish regjimit të Enver Hoxhës në Tepelenë, ambasadori gjerman theksoi, nëntorin që kaloi, se pa marrë parasysh, të gjitha viktimat duhet të përkujtohen, “prandaj është e rëndësishme të thërrasim në kujtesë viktimat e diktaturës së Enver Hoxhës dhe njëherazi të përballemi hapur me të shkuarën e dhimbshme”. 
Tirana zyrtare duhet të përdor rastin dhe vullnetin e mirë të këtij ambasadori me ndjenja përgjegjësie morale si individ por edhe si përfaqësues i një vendi mik, i cili duket se është gati t’u vejë autoriteteve shqiptare në dispozicion përvojën e tij personale në këtë fushë si historian, por për më tepër ai është duke ofruar përvojën e suksesshme të vendit të tij në procesin e hapjes së dosjeve të shërbimit famëkeq të sigurisë, Stasi të Gjermanisë Lindore, ish-komuniste.
Përfaqësuesi i lartë diplomatik i Gjermanisë në Tiranë ripohoi gjatë qëndrimit të tij në Berat të martën, atë që e kanë thënë shumë historianë dhe ekspertë të ndryshëm gjatë këtyre 25-viteve të fundit se hapja e dosjeve të ish regjimeve komuniste të Europës Lindore, është tepër e rëndësishëme për një vend siç është Shqipëria, duke theksuar se, “nëse një komb nuk di të kaluarën e tij, ai e ka të vështirë të dijë të sotmen”. Synimi i kësaj ekspozite pra ka thënë ambasadori Hoffman, “është që të ndihmojë sadopak që të kuptohen më mirë tragjeditë e tmerrshme të shekullit të shkuar, arsyet pse u arrit deri aty dhe mbi të gjitha, që njerëzit të mësojnë se angazhimi konstruktiv dhe bashkpunimi paqësor mund të sjellë frute madje edhe kur pengesat janë të mëdha”. 
Kontrasti nuk mund të jetë më i madh se ai që ekziston në gatshmërinë për t’u përballur me të kaluarën se ç’është dallimi i theksuar mbi këtë çështje midis Gjermanisë, një vendi i cili i ka hapur dosjet dhe është përballur dhe vazhdon të përballet me të kaluarën e saj naziste dhe komunist nga një anë, dhe Shqipërisë nga ana tjetër, një vend i cili ngurron të hap dosjet e regjimit komunist dhe refuzon të shqyrtojë ndërgjegjen gjë që do të rezultonte nga një përballim serioz me trashëgiminë e saj komuniste. Gjermania, një vend i zhvilluar me një prej ekonomive më të forta në botë mundi, që nepërmjet hapjes së dosjeve dhe të përballimit me të kaluarën e saj të tmershme, të sigurojë një paqë shoqërore dhe begati ekonomike si rradhë ndonjë vend tjetër. Shqipëria, nga ana tjetër, një vend ish-komunist që refuzon të përballet seriozisht me të kaluarën dhe me trashëgiminë komuniste, pjesë e të cilës është edhe hapja e dosjeve, por që qytetarët e së cilës të lodhur e të dëshpëruar nga situata e krijuar në shoqërinë e tyre, po braktisin vendin duke ia mësyrë me mijëra veta, pikërisht Gjermanisë, këtij vendi i cili është përballur me historinë e vet dhe e ka pëmbyllur këtë proces me sukses. (Megjithëse nuk është subjekt i kësaj teme, largimi në masë i shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, është një fenomen i trishtueshëm dhe pasqyron dështimin moral të politikës që po ndiqet. Është një çështje drejtësie dhe përgjegjësi morale e kësaj klase politike që më në fund të vejë gishtin në ballë dhe të reflektojë mbi shpërnguljen që po ndodhë anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan. Ndoshta hapi i parë duhet të jetë, pikërisht që të merren parasysh thirrjet e kohëve të fundit të ambasadorit gjerman në Tiranë për hapjen e dosjeve dhe këshillat e tij për një përballim serioz me të kaluarën dhe njëkohsisht të përcaktohen përgjegjësitë, pasi kjo, sipas një ankete të kohëve të fundit, është edhe e dëshira e pjesës dërmuese të qytetarve shqiptarë). 
Kjo thirrje e diplomatit gjerman duket se ka mbështjetje të fortë në radhët e shqiptarëve. Bazuar në firmën e “The Pacific Institute of Research and Evaluation” që citohet nga Birn, rreth 83 qind e shqiptarëve mbështesin hapjen e dosjeve të Sigurimit afër 71 për qind e qytetarëve shqiptarë janë në favor të “lustrimit”, duke shprehur kështu besimin e tyre, në mënyrë dërmuese, se institucionet publike të vendit duhet të pastrohen nga ish-agjentët dhe bashkëpuntorët e mbetur të ish Sigurimit. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman ka theksuar përvojën e vendit të tij në këtë fushë, duke u shprehur se përveç dobive të mbrendshme shoqërore, “Kjo lloj përballje me të shkuarën, për gjermanët ishte një mënyrë për të vendosur edhe një herë besimin tek fqinjët e vet në Europë”. Për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ambasadorit Hoffman, është një mënyrë që viktimave – të gjallë e të vdekur – të atij regjimi “t’u këthehet një pjesë e dinjitetit të tyre”. 
Unë do të thosha që me përballimin me të kaluarën komuniste, duke hapur dosjet dhe me ligj për lustracionin – me punë të përbashkët dhe në solidaritet – përveç viktimave të komunizmit, do t’i kthehej dinjiteti dhe nderi mbarë kombit shqiptar, do të luftohej korrupsioni dhe do të de-kriminilizohej shoqëria dhe institucionet shtetërore – ashtu që shqiptarët përsëri ta ndjejnë veten krenarë dhe të ndërtojnë të ardhmen e vet në paqë e mirëkuptim me njëri tjetrin, aty në trojet e veta mijëra vjeçare. Kjo është dëshira e miqve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për më tepër kjo është edhe dëshira e pjesës dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një domosdoshmëri ndër prioritetet kombëtare, që kërkon vëmendjen urgjente të autoriteteve kompetente të vendit.