Gjermania duhet të shpallet partnere strategjike…!

188
Sigal

Nga Prof.Dr. Kastriot Islami

Lokomotiva gjermane nuk do të lejojnte në asnjë rast që besimi i të rinjve shqiptarë, i formuluar në slloganin “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa..” të nëpërkëmbej. Se angazhimi dhe kontributi 30-vjeçar gjerman nuk do të lejonte që sakrificat e të rinjve shqiptarë në 1991 për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri të hidheshin në erë dhe Shqipëria të rikthehej në monizëm e autoritarizëm.

Ripërsëris për të tretën herë këtë propozim duke insistuar edhe njëherë publikisht, sidomos në këto momente kur lufta në rajon është më afër se kurrë… Por me shënimin që po e vendos që në krye të këtij shkrimi, thjesht për t’i hequr çdo mundësi/alibi manipulatorëve sharlatanë e spekulantëve mediokër për të deklaruar, si hileqarë e tinëzisht, se ky propozim është kundër SHBA: Për arsye të shumta që lidhen ndër të tjera me dinjitetin, sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë, por jo vetëm, si dhe me vendosjen e zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, dhe kryerjen e të gjithë reformave demokratike e integruese, Gjermania duhet të shpallet partnere strategjik, por duke mos vendosur aspak në dyshim e madje pa ngacmuar faktin që të gjithë partitë e qeveritë e Shqipërisë, në programet e tyre partiake e qeveritare, e kanë shpallur SHBA si Partenere Kryesore Strategjike, sepse ky është një vendim i pacënueshëm që shpreh vullnetin e shumicës së qytetarëve, pra të sovranit që nga vitit 1991…Vendimi për të shpallur edhe Gjermaninë si Partnere Strategjike do të mbështetej në argumentat e mëposhtëm:

 Së pari:

qëndrimet e Gjermanisë kanë qënë të rëndësishme, që me hapjen e ambasadave në korrik të vitit 1990 dhe më tej në vitin 1991, pra për vendosjen e demokracisë e të pluralizmit në Shqipëri… Qëndrimet e Gjermanisë janë edhe sot shumë domethënëse e vendimtare për Shqipërinë , në këto momente kur Edi Rama në krye të sektit të tij po dëmton rëndë themelet e demokracisë, rrënon pluralizmin dhe tinëzisht po çon vendin e rajonin ose drejt një qëndre rajonale lindore ose drejt një përplasje militare të rrezikshme.

Së dyti:

shqiptarët vlerësojnë maksimalisht konseguencën e Gjermanisë që nga 1991 e deri më sot, si për progresin demokratik të vendit, vendosjen e shtetit ligjor dhe kryerjen e të gjithë reformave të rëndësishme… pa harruar ndihmën e madhe në zhvillimin ekonomik të vendit…

Së treti:

shqiptarët nuk do të mund të harrojnë kontributin e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e veçanërisht angazhimin e saj serioz e tejet specifik për integrimin në BE, duke qënë në ballë të mbështetjes së BE për hapjen e negociatave me BE…pavarësisht sulmeve të turpshme të Ramës…

Së katërti:

qytetarët shqiptarë dhe shqiptarët në rajon vlerësojnë kontributin e veçantë e të palëkundur të Gjermanisë për “mosndryshimin e kufijve në rajon” duke shmangur kështu cënimin e integritetit e të pavarësisë së Kosovës dhe destabilizimin e Shqipërisë e të rajonit… Veçanërisht shqiptarët kudo në rajon mbështesnin qëndrimet e qarta të Gjermanisë për t’i dhënë përgjigjen e merituar lojrave për copëtimin e Kosovës dhe hedhjes në erë të stabilitetit e sigurisë në Ballkan përmes nismave të ndryshimit të kufijve, minishengenit apo të Ballkanit të Hapur….

Së pesti:

qytetarët shqiptarë shprehnin bindjen e tyre të palëkundur se Gjermania ka qënë gjatë të gjithë kohës një ndihmëse aktive në luftën kundër trafiqeve të drogës e kultivimit të marijuanës në Shqipëri dhe kanë besimin e palëkundur se të gjithë informacionet e zotëruara prej tyre për implikimin e zyrtarëve të nivelit shumë të lartë në trafiqet e drogave të forta do të vihen në dispozicion të drejtësisë shqiptare për të ndëshkuar dhe shkatërruar lidhjet e krimit e të trafiqeve me qeverisjen…

Së gjashti:

qytetarët shqiptarë janë besimplotë se lokomotiva gjermane nuk do të lejojnte në asnjë rast që besimi i të rinjve shqiptarë, i formuluar në slloganin “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa..” të nëpërkëmbej. Se angazhimi dhe kontributi 30-vjeçar gjerman nuk do të lejonte që sakrificat e të rinjve shqiptarë në 1991 për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri të hidheshin në erë dhe Shqipëria të rikthehej në monizëm e autoritarizëm.

 Së fundmi:

qytetarët shqiptarë do të dëshironin përmes këtij vlerësimi realist, t’i dërgonin  një mesazh të qartë shtetit dhe qytetarëve gjermanë në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët… por edhe për rajonin që duket është shumë pranë një konflikti të armatosur. Sepse drejtuesit autoritarë e të korruptuar të disa vëndeve të rajonit po i hedhin qëllimisht benzinë zjarrit të konflikteve në rajon, duke u fshehur tinëzisht pas tezës së Ballkanit të Hapur, lojrave me lobistët të paguar majmërisht dhe aplikimin e ethshëm të “diplomacisë së kanabisit” (më synime, mjete dhe metoda korruptimi të njëjta me “diplomacinë e kavjarit”…) për të zbatuar projektin e Serbisë së Madhe, me ose pa luftë, thjesht dhe vetëm për të forcuar pozitat e pushtetit të tyre personal.