Vangjush Saro: Partia që punon për pakicën

225
Sigal

“Tashmë votuesit e tyre “ngrohen në diell”. Më parë  PS  kishte kualitetet, tani është bërë paneli i “borgjezisë” së re shqiptare; për më tej, ajo nuk ia doli dot të krijonte një frymë tjetër, një tablo tjetër, një Shqipëri përtej tranzicionit, pavarësisht faktit se mbetet aktori kryesor në jetën politike të vendit, përballë një opozite që nuk i ka punët aq mirë… Dhe kjo është edhe më e trishtë.”

Nëse do ta formulonim duke i besuar të folmes së Shqipërisë së Mesme, i binte pak a shumë të thoshim: S’o Socialiste. (Nuk është Socialiste.) Ajo erdhi nga një parti që ushqente diktaturën, luftën e klasave dhe izolimin, por që drejtonte një vend ku pak a shumë njerëzit ishin njësoj, dallimet mes shtresave ishin të papërfillshme. Duke u shndërruar në PS, ajo dalëngadalë filloi të humbiste “huqet” e vjetra dhe egërsinë për të goditur kundërshtarët, por po ashtu edhe vlerat e pakta të… njëlloj barazie sociale. Ajo tash punon për pakicën. Mbase duhet bërë pak histori(k). Në vitet e para fill pas vendosjes së pluralizmit, ajo parti dhe drejtuesit e saj endeshin fantazmë dyerve të kancelarive dhe organizmave evropiane, me etjen për t’u pranuar si një forcë politike e një vendi që kishte shkelur në demokraci, si një parti politike… krahas të tjerave. U deshën “patericat” e Partisë Socialdemokrate, avokatia e saj, që PS-ja të pranohej në Internacionalen Socialiste, ku bënin pjesë (dhe bëjnë pjesë) partitë e majta. Më kujtohet, shtypi atëherë bëri shumë zhurmë dhe Fatos Nano u muar nëpër gojë paq teksa ishte parë korridoreve të një selie (diku në Vjenë) duke u përshëndetur (në mënyrë të sforcuar) me kolegë e partnerë që ende s’e pranonin, duke lypur takime dhe vëmendjen e partive të tjera të majta; jo se ato ishin të rëna nga qielli, por sepse PS-ja vinte nga një histori e errët dhe që nuk është nevoja ta rithemi këtu. Nga ana tjetër, ç’është e vërteta, PS i kishte kualitetet; një pjesë e mirë e më të rinjve që po militonin atje, tash ishin të shkolluar, me gjuhë të huaja, me mentalitet të ndryshuar njëfarësoj dhe pra, të gatshëm për betejat e ardhshme politike ala pluraliste. Po ashtu, për fatin e saj, PS kishte (dhe ka) mbështetje konstante në elektorat; ajo nuk humbte pothuaj në asnjë betejë elektorale (duke filluar nga zgjedhjet vendore të vitit 1994). Mirë, por përtej historisë dhe historikut… çfarë mund të ofrojë një parti e majtë? Teorinë e dinë të gjithë. Tablonë e sotme po ashtu e lexojnë të gjithë. Ndërsa duhej të luftonte për të zbutur konfliket sociale, polarizimin, Partia që s’o Socialiste, i ka rënduar ato. Vendi jeton probleme të ashpra sa i takon mirëqenies dhe barazisë sociale, që, siç po themi, duhej të ishin parime dhe terma të qëndrueshme në aktet dhe në jetën e një partie si PS. Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon. Dramatikisht, ajo pasohet nga Kosova me 17.6% të popullsisë të varfër, Maqedonia e Veriut me 16.4% dhe Mali i Zi me 15.6%. Serbia ka një nivel nën 10% të personave që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, (një kuotë sa për studime dhe anketa). Por, duke iu referuar “Monitor”, me 32% të mesatares evropiane, Shqipëria mbetet e fundit në Evropë për të ardhurat për frymë për vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat; (të dhënat nuk përfshijnë Kosovën). Problemi tjetër i madh, por që buron e krijohet nga ç’do të themi më poshtë, është humbja e sensit të drejtësisë dhe rregullit. Vendi është bërë xhungël. Akuzat ndaj drejtuesve të PS janë shtuar: herë janë evidente dhe me plot fakte në gazeta a forume, herë të tjera mbase edhe njëlloj bllofi; por gjithsesi, emri i kësaj force politike është ndotur, “kalldrëmi është i lerosur”, siç do ta thoshte A. Kamy. Njerëzit e saj me pozitë janë pasuruar, ata përfyten me njëri-tjetrin dhe me krerët e Opozitës, përpara së gjithash, pikërisht për pasuritë dhe korrupsionin e tyre… Gjer edhe eksponentët që s’janë më në reshtat e para të PS (jo më ministra a deputetë) edhe ata kanë gjetur fondacionet, bordet, universitetet dhe ente të tjera, që i vjelin si jo mirë. Votuesit e tyre “ngrohen në diell”. (“Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve. V. Hygo) Përballë kësaj situate – në të cilën PS dhe njerëzit e saj, më së pari vetë Kryeministri, aktrojnë, bëjnë sikur “u digjet xhani” për popullin – shfaqen mungesa themelore dhe të rënda. Edhe të vetët heraherës formulojnë pakënaqësi dhe kritika. Ju kujtohet se si e përshkruante Erion Braçe para disa kohësh pozicionin e shtëpisë së vet, prej nga nuk dukej më as mal, as qiell? Kjo epidemi kullash dhe ndërtimet gjithfarë e shndërruan atë pushtet dhe atë parti në vrasësen e qytetarëve të vet. Kryeqyteti i vendit gulçon si jo më keq. Por që të mbetemi te parimet – ata do të thoshin “gjërat e rëndësishme” – ja çfarë thekson ish-Ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj: “Ka ardhur momenti që KLGJ, KLP, PP, SPAK, BKH e ILD duhet të marrin përgjegjësitë e tyre publike, përballë qytetarëve. Kuvendi, media e Shoqëria civile duhet të përfshihen shumë më aktivisht në këtë proces.”  Si ishte kjo? Çfarë është bërë prej tyre gjer më sot? Më tej, po ai: “Në pikëpamjen time, ka vend për të reflektuar seriozisht mbi këto përgjegjësi, pasi Kuvendi dhe strukturat e tij nuk janë noteri legjislative dhe nuk mund të shërbejnë si vendi ku bëhen qoka politike e buxhetore apo miratohen ndryshime që plotësojnë ambiciet për më shumë pushtet brenda sistemit të disa drejtuesve të institucioneve të reja të tij ose kërkesave për privilegje shtesë për disa prej tyre apo edhe peng i një procesi formal monitorimi e llogaridhënie të finalizuara me disa rezoluta formale e shpesh të ngjashme nga vitit në vit.” Nuk e besoj se duan koment këto radhë. Hileja është ngritur në normë; dhe PS ka dhënë e jep “ndihmesën” e vet në këto “arritje”. Po e mbyllim. Javët e kaluara, u festuan në Shqipëri dhe në troje të tjera shqiptare e në diasporë 28 dhe 29 nëntori dhe u pa sërish se si ajo që “s’o PS”, prej kohësh përdridhet edhe sa i takon një prej vlerave më të qenësishme të vendit: kontributi i tij në Luftën e II Botërore. Është e turpshme që liderët e kësaj partie u nënshtrohen ekstremistëve dhe broçkullave të tyre për një sërë temash ku ata kërkojnë përmbysje (por sigurisht që do të përmbysen vetë). Liderët e PS nuk ngrihen dot as në nivelin e etikës së të huajve, ambasadorëve bie fjala, që përtej llafeve e çdo përbaltjeje, bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. (“Mos e shiko të shkuarën me tërbim apo të ardhmen me ankth, por shiko përreth me kujdes.” Xh. Thurber)

E pat kjo punë! Partia që s’o Socialiste, është bërë paneli i “borgjezisë” së re shqiptare; për më tej, ajo nuk ia doli dot të krijonte një frymë tjetër, një tablo tjetër, një Shqipëri përtej tranzicionit, pavarësisht faktit se mbetet aktori kryesor në jetën politike të vendit, përballë një opozite që nuk i ka punët aq mirë… Dhe kjo është edhe më e trishtë.