Frank SHKRELI/Amerika për zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri

645
Sigal

Të hënën që kaloi, më 6 Maj, Komisioni amerikan i Helsinkit mbajti një seancë, ku zyrtarë të Departamentit të Shtetit, anëtarë të Kongresit dhe ekspertë të çështjeve shqiptare diskutuan për zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri.    Seancën e hapi Senatori Ben Cardin, demokrat nga shteti Marilend, i cili vuri në dukje se kjo ishte seanca e dytë për të diskutuar për një vend mik dhe aleat të ngushtë të Shteteve të Bashkuara dhe anëtar i OSBE-së dhe njëkohësisht, një vend aleat i NATO-s.   Duke thënë se seanca tjetër e Komisionit amerikan të Helsinkit ishte përqendruar kohët e fundit mbi Hungarinë, Senatori Cardin theksoi se, “është e mundur që me vendet me të cilat jemi aleat dhe miq të ngushtë,  të bisedojmë haptazi dhe sinqerisht në lidhje me përparimin e bërë në procesin e zgjedhjeve, në ndërtimin e institucioneve demokratike, si dhe mbi angazhimet ndaj OSBE-së.”   Qëllimi i kësaj seance,- tha Senatori Cardin,  është që të shprehim shqetësimet tona dhe të përpiqemi të gjejmë mënyra pozitive për avancimin e duhur për zbatimin e parimeve të OSBE-së.  Këtë,- tha ai,- do ta bëjmë edhe me Shtetet e Bashkuara, kur mendojmë se, ato nuk veprojnë në përputhje me parimet e OSBE-së. ”Unë besoj”,- shtoi ai, -“se populli shqiptar meriton zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shqiptarët meritojnë zbatimin e parimeve dhe premtimeve të demokracisë,  në kuptimin e plotë të fjalës, në përputhje me angazhimet e OSBE-së”.

Anëtari tjetër i Komisionit amerikan të Helsinkit, Kongresisti Robert Aderholt republikan nga shteti Alabama, tha se, në Shqipëri ka “mendje të ndritura si në radhët e shumicës ashtu edhe të pakicës,  të cilët duan që vendi i tyre të shkojë përpara”.  OSBE-ja tha ai i konsideron zgjedhjet e qershorit  si shumë serioze dhe kjo seancë synon, -shtoi ai,- që të inkurajojë procesin, kështu që, OSBE-ja të mund të thotë në fund të këtij procesi se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme.

 Kongresmenët filluan dëshmitë duke ftuar zv.ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Filip Riker, i cili foli për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe identifikoi disa prej sfidave që mbeten, sidomos në lidhje me procesin zgjedhor.   Z. Riker nënvizoi mbështetjen historike të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, duke filluar nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.  Ai përmendi periudhën e izolimit komunist duke thënë se, ishte “Zëri i Amerikës”, ai që solli lajmet dhe informacionin, por edhe frymëzimin për liri e demokraci, një Shqipërie tepër të izoluar.   Ai nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të gjitha administratave amerikane -demokrate dhe republikane – për Shqipërinë dhe theksoi rolin pozitiv që Tirana zyrtare luan në fushën ndërkombëtare, duke shtuar se: “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë kontributet e mëdha që Shqipëria ka dhënë drejtë realizimit të objektivave të përbashkëta”.  Diplomati amerikan, gjatë dëshmisë së tij në Kongres, shprehu përkrahjen e SHBA-ve për qëndrimin e  njohur tanimë të Komisionit Europian se zgjedhjet e 23 Qershorit janë një provë kritike për dhënien Shqipërisë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian, duke cituar nga fjalimi i ish-Sekretares së Shtetit Hillari Klinton në Kuvendin e Shqipërisë se, “Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë vendin e tyre në familjen e kombeve europiane”.    Filip Riker, në emër të Departamentit të Shtetit dhe rrjedhimisht në emër të Shteteve të Bashkuara tha se, “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se për zbatimin e standardeve ndërkombëtare, është i nevojshëm respektimi i pavarësisë së institucioneve, se, diskursi politik duhet të mbetet konstruktiv dhe i qytetëruar dhe se, populli shqiptar duhet të ketë besim në procesin si edhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, dhe shtoi se: “Shtetet e Bashkuara janë posaçërisht të shqetësuara në lidhje me pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.    Z. Riker tha se, “udhëheqësit politikë të Shqipërisë duhet të bashkpunojnë, ata duhet të bëjnë kompromis”, kështu që ky institucion- që është përgjegjës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve – të forcohet dhe njëherazi  të gjendet një zgjidhje që bën të mundur që KQZ të ushtrojë mandatin e tij.”    Riker shtoi se, “ne kemi besimin se udhëheqësit shqiptarë do të bëjnë një gjë të tillë”.  Diplomati amerikan, përgjegjës për politikën amerikane karshi vendeve të Ballkanit vazhdoi duke thënë se: “Mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet e 23 qershorit, do të jetë një treguesi rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë se Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të Bashkimit Europian”.

Me një zë të patundur dhe të qartë, Filip Riker theksoi qëndrimin amerikan duke thënë se, ecuria e zgjedhjeve të 23 Qershorit: “Do të ketë ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë.”

Në seancë mori pjesë edhe kongresmeni Eliot Engel, bashkëkryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, mbështeti deklaratën e z. Riker mbi zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dhe si mik i Shqipërisë dhe  i shqiptarëve, ai iu drejtua klasës politike shqiptare me këto fjalë, ndër më seriozet, që kam dëgjuar prej tij: “Unë u bëj thirrje të gjitha partive politike që të zbatojnë premtimet që Shqipëria i ka bërë OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për fushatën që i paraprinë atyre. Zgjedhjet duhet të konsiderohen nga OSBE-ja si të lira dhe të drejta. Një gjë e tillë jo vetëm do t’u jepte legjitimitet rezultateve për elektoratin shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar, por do të ishte një mandate, kështu që të gjitha partitë politike të pranonin rezultatet përfundimtare dhe të zënë vendet e tyre në parlament.  Kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur në të kaluarën”.

Z. Engel u shpreh se: “Amerika nuk ka miq më të mirë se shqiptarët, pa marrë parasysh se ku jetojnë ata në Ballkan.   Ata kanë qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara dhe ne gjithmonë kemi qëndruar pranë tyre”.  Në këtë frymë, Eliot Engel, si mik i vjetër i shqiptarëve, me pasion u bëri thirrje politikanëve të pozitës dhe opozitës në Shqipëri që, ”të ushtrojnë kurajo politike dhe të bëjnë atë që është e drejtë për të ardhmen e vendit të tyre dhe të popullit të vet, që ata aspirojnë ta udhëheqin drejtë Bashkimit Evropian.   Politikanëve, zyrtarëve qeveritarë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarëve të të gjitha niveleve në Shqipëri, u kërkohet që qershorin që vjen të bëjnë, as më shumë as më pak, se ç’pritet prej zgjedhjeve të vendeve të tjera, anëtare të komunitetit euro-atlantik.”

Kongresmeni Engel e pyeti diplomatin Riker nëse udhëheqësit politikë shqiptarë do të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, cila do palë të fitojë?   Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit u përgjigj duke thënë se, shpreson që zgjedhjet do të mbahen bazuar në ligjin dhe ashtu siç i ka hije një vendi anëtar i NATO-s. Politikanët shqiptarë, tha  ai duhet të “tregojnë para popullit të vet, si edhe para aleatëve dhe para botës, se në të vërtetë, ata mund të bëjnë ato që pritet prej tyre dhe se janë të zotët të zbatojnë angazhimet e marra.   Është detyra e udhëheqësve politikë që jo vetëm të sigurojnë ecurinë e rregullt, por edhe të pranojnë dhe të respektojnë rezultatin”.

Zyrtari i lartë Riker përfundoi duke thënë se për Shtetet e Bashkuara, rëndësi ka procesi dhe jo se kush humb ose kush fiton, duke shtuar se: “Është e rëndësishme që të thuhet në këtë ambient të Kongresit se nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara, por edhe populli shqiptar, do të jenë shumë të zhgënjyer, në qoftë se ndodhin manipulime në zgjedhjet ose ushtrim presionesh mbi institucionet siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.   Në qoftë se, ndodhë një gjë e tillë, ne nuk do qëndrojmë në heshtje”, paralajmëroi në dëshminë e tij në Kongres, diplomati amerikan Filip Riker.