Dr. Blenard Nonaj, profili i kandidaturës model të LSI-së për Skraparin

1211
Sigal

Deklaratat e ish-ministrit Naço për largimin tek Rilindja, të cilat u pasuan dhe me publikimin e një video joshëse të kryeministrit Rama në drejtim të tij, duket se nuk patën ndonjë impakt të madh elektoral. Ato shërbyen më shumë si material për lëndë të parë për memexhinjtë e Facebook, të cilët prodhuan qindra meme, foto dhe video ironizuese, që dominuan fuqishëm rrjetet sociale.
Lëvizja e Ish-ministrit Naço, nuk e gjeti aspak të papërgatitur Monika Kryemadhin, partia e së cilës pritet ti prezantohet elektoratit shqiptar në zgjedhjet e 25 prillit, me kandidatura të përzgjedhura cilësore; djem dhe vajza të reja, profesorë, akademikë si dhe profesionistë të spikatur në sektorët më të rëndësishëm të vendit.

E tillë është dhe kandidatura e doktor Blenard Nonaj për LSI-në në rrethin e Skraparit dhe Qarkun e Beratit për zgjedhjet e 25 prillit.

I lindur në qytetin e Çorovodës më 19 shkurt 1973, doktor Nonaj kreu studimet e larta në periudhën 1991-1997 në fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe kreu më pas specializimin për Obstetrikë-Gjinekologji në periudhën 1998-2002.
Doktor Blenard Nonaj shërben prej afro 20 vjetësh si gjinekolog në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, institucion të cilin gjithashtu ai e drejtoi sukseshëm dhe me profesionalizëm nga viti 2013-2017.

Prej 20 vjetësh doktor Blenardi vijon të përçojë vlerat e çmuara të traditës familjare për t’ju shërbyer njerëzve me përulësi dhe përkushtim, ashtu dhe si babai i tij, Muharrem Nonaj, një doktor shumë i dashur për popullin e Skraparit, i kudondodhur dhe i kurdogjendur në çdo familje të Çorovodës, në çdo fshat për çdo hall shëndetësor.

Në të njëjtin rrugëtim si babai i tij, dr Blenard Nonaj ka fituar respektin, mirënjohjen dhe zemrat e njerëzve, sepse nuk është ndalur asnjëherë për t’ju shërbyer dhe ndihmuar ata në çdo moment.

Humanizmi, profesionalizmi, dashuria për njerëzit, dhe ndihma e pakursyer për ta janë vlerat e mëdha dhe të patjetërsueshme, që kanë shoqëruar çdo ditë të punës së tij, gjatë 20 viteve karrierë si mjek gjinekolog.

Tashmë ka ardhur koha që këto vlera dr. Nonaj ti përçojë dhe në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, që prej vitesh vuan mungesën e vlerave të tilla dhe kaq shumë të domosdoshme për të ndryshuar gjendjen e mjerueshme, në të cilën politika shqiptare gjendet aktualisht.

Dr. Blenard Nonaj i përket Gjeneratës së Artë të Studentëve të Dhjetorit, për aspiratat e të cilëve luftohet ende sot, 30 vjet më pas, sepse Shqipëria ende nuk është demokratike, ende nuk është si Europa, ende vuan nga varfëria, mungesa e shpresës dhe largimet masive të të rinjve shqiptarë!

I paangazhuar ndonjëherë më parë në funksione partiake dhe politike, Blenard Nonaj është gjetja e duhur e LSI-së për Skraparin, opinioni i gjerë i tē cilit e ka pritur me entuziasëm kandidaturēn e tij. Populli i Skraparit ka nevojē për një deputet që të jetë pranë tyre me dashuri dhe thjeshtësi, që të përfaqësojë denjësisht zërin e tyre dhe të mos ndalet në asnjë moment për zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve të qyetarëve.

Ka entuziasëm sepse gjithashtu dr. Blenard Nonaj është modeli i një profesionisti dhe familjari të shkëlqyer dhe të përkushtuar.

25 prilli do të jetë një ditë e madhe për Shqipërinë, jo vetëm sepse atë ditë do të firmoset largimi i sektit të Rilindjes, por edhe sepse do të jetë dita kur Parlamenti shqiptar më në fund do të ketë në përbërjen e tij vlerat dhe potencialet intelektuale, humane dhe profesionale të munguara prej vitesh!
Parlamenti shqiptar ka nevojë ulëritëse për asete profesionale, qytetare dhe njerëzore dhe kandidatura e Blenard Nonaj është një aset i tillë, madje e çmuar!

 Nga Dritan Lamçe