Fatos Çoçoli/ Integriteti si “kanceri” i korrupsionit

553
Sigal

Qeveritë e vendeve të ndryshme hartojnë strategji dhe programe të veçanta për luftën kundër korrupsionit. Vihet re, jo vetëm ne rastin e Shqipërisë, se shumë qeveri tentojnë të anashkalojnë forcën dhe incizivitetin e punës së organeve të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm publik të financave publike, në garën për të rrëmbyer sa më shumë pikë në strategji e qasje kundër korrupsionit. Mirëpo, korrupsioni goditet në zemër të tij vetëm në rastet kur luftohet gjeneza nga lind, kushtet që e bëjnë të lulëzojë. Vetëm parandalimi, llogaridhënia dhe transparenca, që janë asetet kryesore të integritetit të një institucioni shtetëror, mund të hyjnë në zemrën e korrupsionit si “kancer” dhe ta mposhtin atë. Pse korrupsioni ka aq shumë koka, sa sado koka t’i presësh, ai sërish lulëzon e zhvillohet. Këtë qeveria e sotme duhet ta ketë të qartë. Me gjithë përpjekjet e saj, strategjia e re anti-korrupsion, hapja e një faqeje në internet për të denoncuar veprimet korruptive, ndjeshmëria e shqiptarëve se shteti ynë është i krimbur në korrupsion do të vijojë, përderisa ai nuk do të luftohet nga rrënjët. Dhe rrënjët duhen gjetur në të gjitha institucionet publike, të cilat duhet të fillojnë katarsisin e vërtetë, pastrimin nëpërmjet instrumentit të integritetit. Por lind pyetja: kur quhet një institucion me integritet? Integriteti nuk është një koncept i thjeshtë për t’u përcaktuar. Ai i referohet virtytit, etikës publike, moskorruptimit dhe gjendjes së të qenit i papërlyer. Kontrolli, auditimi i tij është një sfidë e veçantë, por thelbësore për një institucion publik. Prej këtej nis lufta më efiçiente dhe e plotë kundër korrupsionit, pse e godet atë në fillesat e tij. Një program shumë i mirë vetëvlerësimi të integritetit (i quajtur Into-Saint) është zhvilluar nga Gjykata Holandeze e Auditimit në vitin 2012. Ndonëse ky program ju adresua fillimisht institucioneve të auditimit suprem (ndërmjet të cilave dhe KLSH-ja jonë), ai vlen për çdo institucion shtetëror. Kontrolli i Lartë i Shtetit u njoh me programin Into-Saint në vitin 2012 dhe vendosi zbatimin e tij. Periudha deri në fund të vitit 2013 ishte periudhë e njohjes më të thelluar të Programit dhe e vlerave të tij. Gjatë vitit 2014 dhe këtë vit, institucioni po provon vetëvlerësimin e integritetit të vet, me ndihmën e organizatave të shoqërisë civile, ndër më seriozet e të angazhuara në luftën për transparencë dhe kundër korrupsionit. KLSH është i ndërgjegjshëm për problematikat e integritetit në radhët audituesve të tij dhe se i ngelet shumë punë për të realizuar integritetin e plotë në institucion. Por të paktën, ai e ka nisur vetëvlerësimin e integritetit brenda vetes. Gjatë tre viteve 2012-2014, KLSH ka synuar një ekuilibër mes parandalimit të shkeljeve dhe marrjes së masave ndëshkimore nga njëra anë, dhe inkurajimit të vlerave të integritetit tek kontrollorët e vet, nga ana tjetër. Në këtë institucion është çrrënjosur praktika e mosndëshkueshmërisë, gjë që e gjen rrallë në institucione të tjera shtetërore. Për çdo shkelje të integritetit, të zbuluar dhe hetuar, janë ndërmarrë masa ndëshkimore deri në ndjekje penale për ish-kontrollorë. Kjo qasje duhet kërkuar me forcë nga qeveria jonë qendrore, por dhe nga pushteti vendor, që të kryhet e plotë në strukturat e tyre. Institucionet shtetërore më të rëndësishme të Shtetit, nga ministritë deri te drejtori qendrore, bashki dhe ndërmarrje publike në formën e shoqërive aksionare, ku luhen me dhjetëra miliona euro para të taksapaguesve shqiptarë dhe ku, nga shkeljet e abuzimet, edhe dëmi ekonomik është po ashtu në nivele miliona euro, duhet të njihen dhe në mënyrë taksative ta zbatojnë instrumentin e vetëvlerësimit, procesin dhe programin Into-Saint. Në luftën kundër korrupsionit janë të përfshira në front të parë institucione të posaçme si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Prokuroria, Departamenti i Parandalimit të Krimit Ekonomik, Departamenti i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Policia e Shtetit etj. Të gjitha këto institucione duhet ta njohin dhe përvetësojnë teknikën e programit Into-Saint. Asnjë institucion shtetëror nuk është në gjendje të luftojë me efiçiencë korrupsionin, në rast se me një proces transparent dhe korrekt vetëvlerësimi, nuk del me integritet të lartë për vete. Korrupsioni përfaqëson rrezik serioz për parimet dhe vlerat bazë të Bashkimit Evropian ku duam të futemi. Ai minon besimin e qytetarëve tek demokracia, gërryen shtetin ligjor, përbën mohim të të drejtave të njeriut dhe pengon zhvillimin normal shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë. Nëse nuk ia gjejmë “ilaçin” apo “kancerin” kësaj dukurie shkatërruese, do të jemi gjithnjë në trenin e fundit dhe asnjëherë anëtar me vlera të Evropës së Bashkuar. Niveli i lartë i indiferencës dhe mungesës së besimit të qytetarëve në institucione është shkaktuar nga një qeverisje pa llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri. Këto vlera, një institucion si Kontrolli i Lartë i Shtetit po përpiqet fort t’i kthejë në nivelin e duhur në institucionet publike që ai auditon (praktikisht të gjithë ngrehinën e Shtetit dhe qeverisë), por, i vetëm, ai nuk mund të arrijë rezultatet që presim të gjithë si qytetarë. Nëse shoqëria civile dhe opinioni publik bashkohen me të dhe rrisin kërkesën e llogarisë, edhe Kuvendi e qeveria do të mund të kenë ndër duar instrumentin “vrasës”, “kancerin” e korrupsionit, procesin që e rikthen të plotë integritetin në moralin dhe mjedisin tonë publik.