Prokuroria apelon vendimin e lirimit të Gjikës: S’është i sëmurë!

542
Sigal

VLORE – Prokuroria e Vlorës, ka apeluar vendimnin për lirimin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Në kërkesën e saj, drejtuar Gjykatës së Apelit Vlorë, Prokuroria ka renditur tetë argumenta se ku ka gabuar gjykata e shkallës së parë në zëvendësimin e masës së sigurisë për personin e dyshuar.

Sipas Porkurorisë Gjika nuk është më i sëmurë, por ndodhet në gjendje të mirë, duke shtuar se epikriza ka treguar se parametrat jetësorë të kryebashkiakut të Vlorës janë tashmë në parametra normalë.
 
Po ashtu sipas Prokurorisë, vendimi për lirimin e Gjikës nga ana e Gjykatës është i paarsyetuar, duke shtuar se nga ana e tyre togat e zeza nuk kanë analizuar asnjë provë të paraqitur nga organ ii akuzës për arrestimin e kryebashkiakut Gjika.

Prokuroria e Vlorës ka apeluar vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor, e cila zëvendësoi masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “detyrim për paraqitje” për shtetasin Shpëtim Gjika, me funksion kryetar i Bashkisë Vlorë, i dyshuar për konsumimin e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës….”; “Fallsifikimit të dokumentave…”, “Ndërtim i paligjshëm…” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Më poshtë komunikata e plotë e Prokurorisë së Vlorës:
1. Gjykata nuk e ka arsyetuar vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë, në kundërshtim me nenin 142 të Kushtetutës dhe nenin 112 të Kodit të Procedurës Penale. Në bazë të Kodit të Procedurës Penal, një vendim i paarsyetuar përbën shkak për pavlefshmërinë e vendimit.
2. Gjykata ka zbatuar gabim nenin 383 të Kodit të Procedurës Penale, duke mos analizuar asnjë provë të paraqitur nga prokurori, e për rrjedhojë vendimi është i pavlefshëm. Në nenin 383/1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale është sanksionuar se vendimi përmban “parashtrimin e përmbledhur të rrethanave të faktit dhe provat mbi të cilat bazohet vendimi, si dhe arsyet për të cilat gjykata i quan të papranueshme provat e kundërta”. Nga studimi i vendimit të ankimuar, del qartë se gjykata nuk ka parashtruar asnjë prej provave mbi të cilat ka bazuar vendimin e saj për zëvendësimin e masës së sigurimit. Provohet se Gjykata, duke u bazuar vetëm në shpjegimet e mbrojtësit të të arrestuarit dhe në kartelën mjekësore të të arrestuarit është mjaftuar me pranimin e kërkesës për zëvendësim mase sigurimi. Këto rrethana janë çmuar gabim nga ana e Gjykatës, pasi përmes këtyre rrethanave nuk mund të provohet gjendja shëndetësore veçanërisht e rëndë . Përkundrazi mbi bazën e kartelës mjekësore të paraqitur nga mbrojësit u provua fakti se i arrestuari ndodhet brenda parametrave normal jetësor. Gjithashtu u provua në seancë gjyqësore se i arrestuari kurohet dhe trajtohet në ambjentet e Spitalit të Burgut Tiranë, por nga Gjykata nuk është vlerësuar dhe marrë në konsideratë kjo provë.
3. Gjykata ka interpretuar dhe zbatuar gabim nenet 230/2 dhe 248 të K.Pr. Penale. Në nenin 248/2 të K.Pr. Penale është sanksionuar se: “Nëpërmjet marrjes në pyetje gjykata verifikon kushtet e zbatimit të masës së arrestit dhe nevojat e sigurimit. Kur këto kushte nuk ekzistojnë, gjykata vendos revokimin ose zëvendësimin e masës”. Gjatë shqyrtimit gjyqësore të marrjes në pyetje të të arrestuarit Shpëtim Gjika, u provua se kushtet dhe kriteret mbi të cilat Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr. 63 datë 06/02/2015, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim Shpëtim Gjika, janë po ato kushte dhe kritere mbi të cilat është vendosur kjo masë sigurimi. Ky fakt provohet si nga provat e shqyrtuara në seancën gjyqësore të caktimit të masës së sigurimit ashtu edhe gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore të marrjes në pyetje të të arrestuarit. Por gjykata, gjatë zhvillimit të kësaj seance gjyqësore ka keqintrepretuar si përmbajtjen e nenit 248/2 ashtu dhe përmbajtjen e nenit 230/2 të K.Pr.Penale. Gjykata, gjatë seancës së pyetjes së të arrestuarit ka marrë dhe rolin e ekspertit duke përcaktuar vetë nëse jemi apo jo para gjendjes shëndetësore veçanërisht të rëndë. Në këtë kuptim gjykata ka shkelur nenet 178 e vijues të K.Pr.Penale, pasi ka marrë rolin e ekspertit, duke marrë të mirëqenë se vetëm fakti se i arrestuariu ndodhet i shtruar në një spital privat, përben në vetvetë gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë. Ndërsa Gjykata e Lartë, ka theksuar se vetëm mbi bazën e një akti ekspertimi mundet që të konkludohet nëse i arrestuari mundet që të përballojë kushtet e izolimit. Në asnjë prej provave të administruara gjatë seancës gjyqësore nuk provohet se i arrestuari ndodhej në një gjendje shëndetësore veçanërisht të rënde, përkundrazi, nga epikriza e administruar dhe kartela mjekësore rezulton se parametrat jetësor të të arrestuarit janë normal.
4. Kriteret shëndetësore nuk janë kritere që përbëjnë shkak për zëvendësimin e masës së sigurimit sipas nenit 260 të K.Pr.Penale. Provohet se që nga data e caktimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” që është data 06/02/2015, e deri në datën e zëvendësimit të masës së sigurimit, që është data 08/02/2015, nuk ka ndryshuar asgjë. Zëvendësimi i masës së sigurimit mund të kërkohet vetëm në dy raste, së pari kur nevojat e sigurimit zbuten dhe së dyti, kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet. Në rastin konkret provohet se nevojat e sigurimit nuk janë zbutur, pasi vazhdojnë te ekzistojnë po ato nevoja sigurimi që kanë qenë në momentin e caktimit të masës së sigurimit. Gjithashtu provohet se masa e zbatuar i përgjigjet rëndësisë së faktit dhe dënimit që mund të caktohet, pasi në rastin konkret nuk ka ndryshuar asnjë e dhënë që nga momenti i caktimit të masës së sigurimit që është data 06/02/2015.
5. Gjatë seancës gjyqësore të marrjes në pyetje të të arrestuarit Shpëtim Gjika, nga vetë Gjykata janë konstatur kushtet dhe kriteret e caktimit të masës së sigurimit, por në kundërshtim me ligjin dhe me provat gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurimit.
6. Gjykata ka mbajtur qëndrime të ndyshme për raste të njëjta gjatë pyetjes së të arrestuarve. Procedimi penal nr. 1264 i vitit 2014 është regjistruar në ngarkim të shtetasve Shpëtim Gjika, Artur Haxhi dhe Doriana Sulaj. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimet e datës 06/02/2015, ka vendosur masat e sigurimit “Arrest në burg” për të tre personat nën hetim, konkretisht për shtetasit Shpëtim Gjika, Artur Haxhi dhe Doriana Sulaj. Edhe gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarve Artur Haxhi dhe Doriana Sulaj, seanca të zhvilluara më datën 07/02/2015, Gjykata ka konfirmuar masat e sigurimit për këta të arrestuar.
7. Gjykata referon sentencat unifikuese të vendimit nr. 7 datë 14/10/2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por në kundërshtim me këto sentenca ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurimit. Nga ana e Gjykatës, pasi është pasqyruar në pjesën e vendimit fjala e mbrojtësit të të arrestuarit, janë pasqyruar sentencat unifikuese të vendimit nr. 7 datë 14/1/2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por pa bërë lidhjen ndërmjet rrethanave të parashtruara dhe detyrimit të gjykatës për të arsyetuar masën që do të caktohet. Gjykata është mjaftuar vetëm me shprehjen “Gjendja shëndetësore e të arrestuarit Shpëtim Gjika inponon ndryshimin e masës së sigurimit”. Por në fakt, bazuar në provat dhe në ligjin procedurial penal, rezulton krejtësisht e provuar se gjendja shëndetësore e të arrestuarit nuk përbën shkak për zëvendësimin e masës së sigurimit, e aq më pak, kur kjo gjendje është krijuar vetëm pas zbatimit të masës së sigurimit dhe se kjo gjenmdje shendetesore nuk është provuar me akt ekspertimi apo më shkresë të Spitalit të Burgjeve Tiranë..
8. Gjykata referon sentencat unifikuese të vendimit nr. 1 datë 08/01/2009 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por që në rastin objekt shqyrtimi nuk gjejnë zbatim. Nga ana e Gjykatës janë referuar sentencat unifikuese të vendimit nr. 1 datë 08/01/2009 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por që në rastin konkret nuk gjejnë zbatim këto sentenca unifikuese. Përmes këtij vendimi është interpretuar dhe sqaruar përmbajtja e nenit 246/6 të K.Pr.Penale, i cili nuk gjen zbatim në rastin objekt shqyrtimi. Kjo për faktin se masa e sigurimit “Arrest në burg” është caktuar nga gjykata në datën 06/02/2015 dhe më datën 08/02/2015, po nga kjo gjykatë është vendosur zëvendësimi i kësaj mase sigurimi. Shkaku i zëvendësimit të kësaj mase sigurimi, ka qenë pikërisht gjendja shëndetësore e të arrestuarit, ko referuar arsyetimit të vendimit dhe jo diligjeca në hetim.