Ëngjëll Musai: Bashkim Hoxha, “Mjeshtri i Madh” festoi 21-vjetorin e emisionit “Koha për t’u zgjuar”

61
Ëngjëll MUSAI
Drejtor i “Telegraf”
Historia e 7366 ditëve të komunikimit telefonik me qytetarët, të cilët denoncojnë abuzimet, padrejtësitë, korrupsionin, hallet, gëzimet dhe, mbi të gjitha, kanë shpresë se Bashkim Hoxha dhe emisioni tij pa frikë vlen sa i gjithë parlamenti me deputetët aktualë dhe 840 deputetët që janë zgjedhur në këto 21 vite të emisionit “Koha për t’u zgjuar”, por edhe të 6 qeverive nga 2007-2018 dhe 111 ministrat e privilegjuar të këtyre viteve. Ndaj mëngjesi i djeshëm ishte padyshim dita e publicistit, gazetarit, romancierit, dramaturgut dhe moderatorit cilësor të mirënjohur, mikut tim dhe të gjithë shqiptarëve kudo në botë, Bashkim Hoxha. Sikurse e thërrasin shokët, miqtë por edhe telefonuesit Baçi, e hapi dje emisionin e tij “mbarëpopullor” me telefonatën e 105 mijë e 70 të emisionit të tij “Koha për t’u zgjuar”! Bashkim Hoxha nis komunikimin me njerëzit, me sloganin: “Alo, Bashkim”! Është bërë aq i afërt e i afërm, i dashur e i besueshëm për shqiptarët ky emision dhe përmes tij Bashkim Hoxha, sa çdo mëngjes shqiptarët brenda Shqipërisë dhe ata jashtë Shqipërisë sipas orëve lokale të vendeve ku jetojnë e punojnë, ditën e nisin duke çuar televizorin “Te Bashkimi”. Ata që janë në kafene, i kërkojnë kamerierëve ta çojnë stacionin “Te Bashkimi”. Ata që janë në udhëtim e çojnë radion “Te Bashkimi”, ata që ndjekin mediat nëpërmjet telefonave celularë, klikojnë “Te Bashkimi”. Dëgjojnë titujt e gazetave, por edhe bëhen pjesë e emisionit “Koha për t’u zgjuar”… 
Çdo mëngjes prej 21 vitesh: Mbi 105 mijë e 70 herë “Alo Bashkim”! 
Çdo mëngjes, qysh prej 21 marsit 1997, njerëz të shumtë të profesioneve, kategorive, komuniteteve e grupimeve sociale të çdo lloji, të tejlodhur nga hallet që u ka shkaktuar e vazhdon t’u shkaktoj prej 25 vitesh politika dhe qeverisjet me tranzicionin masakrues, të shpërfillur nga administrata shtetërore, të shfrytëzuar nga punëdhënësit për “një copë bukë”, të kërcënuarit nga krimi i rrugës, të varfëruar deri në vetë-vrasje, të viktimizuar nga prapësitë dhe hajdutëritë e shërbimeve publike, “trokasin” me telefonatat e tyre të sinqerta te emisioni “Koha për t’u zgjuar”, me atë thirrjen “O Bashkim!” Dhe Bashkimi, me atë zërin e tij të butë, me atë shpirtin e tij paqësor, me atë durimin e “hekurt” dëgjon çdo zë që denoncon, ankon, kërkon, paralajmëron e kërcënon për hakmarrje ndaj “iks” e “ipsilon” politikani, shtetari, ministri, deputeti, kryebashkiaku, drejtori…, që nuk i hap telefonin, që i kanë mashtruar për punësim, për ndërtimin dhe riparimin e rrugës së fshatit, të ujësjellësit, qendrës shëndetësore, të shkollës e shumë halle të tjera, ashtu siç edhe flasin gjithë pasion për partitë politike dhe liderët e tyre. Denoncojnë e mallkojnë deputetët dhe kryebashkiakët, që u kanë marrë votat dhe nuk u shkojnë më në zona e as i presin në zyra, që nuk u përgjigjen në telefona, që kanë punësuar familjarët e tyre nëpër zyrat dhe punët e shtetit, që së bashku me ministrat vjedhin fondet e investimeve lokale dhe lejojnë kthimin e qendrave të banuara në qendra plehrash. Në mëngjeset e 21 viteve të këtij emisioni, “Mjeshtri i Madh” Bashkim Hoxha, ka dëgjuar mbi 105 mijë “Alo, Bashkim”, që kanë shkuar në “veshin” e tij nga shqiptarët brenda e jashtë vendit deri në SHBA, Kanada e Australi. Por, siç thotë Bashkim Hoxha, çdo ditë, javë, muaj e vit, janë dhjetëra, qindra e miliona përpjekje për t’u lidhur çdo mëngjes me telefonin e emisionit “Koha për t’u zgjuar”! Bashkim Hoxha prej 21 vitesh ofron mirësinë, qetësinë, profesionalizimin dhe guximi e gazetarit për të realizuar këtë ballafaqim publik popull-politik-qeveri, dhe kurrë nuk u bë pjesë e ‘kazanit” të pushtetarëve … 
“Alo Bashkim”, u ideua në mbrëmjen e 20 marsit 1997, në një kioskë në Durrës
Emisioni “Koha për t’u zgjuar”, u ideua në mbrëmjen e datës nisi në datën 21 mars 1997, në marsin e tërbimit të shqiptarëve të ngritur në rebelim “anti-shtet” për shkak të humbjes së lekëve në firmat piramidale. Por u u ideua në mbrëmjen e 20 marsit 1997, së bashku me Gëzim Domin. Nisi në atë mars të tmerrshëm, kur nuk shkoje dot as për të blerë bukën e fëmijëve, nuk ngjiteshe dot as në çati, nëse të futej shiu, nuk guxoje as të shkoje në ceremoni mortore të familjarëve, nuk guxoje të shkoje as në spital për urgjencë mjekësore jetike. Gazetari Bashkim Hoxha guxoi e nisi publikisht, komunikimin me qytetarët, nga ekrani i “TV-Teuta”. Bashkim Hoxha ka deklaruar: “Koha për t’u zgjuar”, ka nisur rrugëtimin e tij në qytetin e Durrësit, brenda një kioske të vogël, ndërkohë që jashtë “kioskë studios televizive”, bëhej luftë pa asnjë kuptim, ndërkohë që shkollat ishin mbyllur, mediat ishin bllokuar me urdhër qeverie, kudo shikoje turma e njerëz që edhe në kafene dhe spital futeshin të armatosur, që zyrtarët çoheshin në punë me tanke! Ishte një televizion dhe emision që nisën si një mendim, ide, dëshirë dhe vullnet rastësor që vazhdoi e rezistoi. Në datën 13 mars 1997, sipas Bashkim Hoxhës, së bashku me kameramanin Gëzim Domi, me një antenë të marrë borxh, ai nisi sinjalin e parë të transmetimit nën logon “TV-Teuta”. Ndërsa vetëm 7 ditë më pas, në mbrëmjen e datës 20 mars 1997, që është fiksuar edhe si data e “lindjes” së emisionit “Koha për t’u zgjuar”, nisi ky emision, që dje mbushi 21 vjet pa u ndalur qysh prej mëngjesit të datës 21 mars 1997! Dhe në këto 21 vite shqiptarët në vend të ziles së sahatit, kanë tashmë “patentën me siglën” e emisionit të Bashkim Hoxhës, “Koha për t’u zgjuar” duke u treguar të gjithëve, se ora është 7:00 e mëngjesit.