Elida BUÇPAPAJ/ S’ka dilemë për të zgjedhur midis republikës së hashashit apo shtetit ligjor

539
Sigal

Lazarati shkoi shumë mirë – faleminderit Zotit, pa viktima dhe ngjarje tragjike. Për këtë duhet falënderuar policia e shtetit dhe pushteti lokal.

Tani po thonë se Lazarati nuk është metropoli i marijuanës në Shqipëri. Se metropolet e marijuanës janë tjetërkund, andej nga Vlora për shembull. Ok, le t’i marrin me radhë. Modelin tashmë e kanë.
Tani po thonë se, bosët e marijuanës janë në Tiranë. Shumë mirë që i kanë aty afër. Këtë gjë në fakt gjithkush e ka ditur. Po problem është se si t’i çojnë përpara bankës të të akuzuarve, kur sistemi i drejtësisë është kokë e këmbë i korruptuar. Ta zëmë se Policia e Shtetit i prangos shkelësit e ligjit, por nga ana tjetër, drejtësia i liron. Ose, nëse nuk i ç’prangos drejtësia, i fal një ish-President i Republikës me dekret e pastaj del në media e thotë se nuk ishte përgjegjësia e tij kur fali një person të dënuar me 23 vite burg, por e atyre që i bënë ish-Presidentit të Republikës kërkesë për të liruar një shkelës të ligjit! Ata kanë gabuar. Ata janë fajtorë. Ndërsa ish-Presidenti i Republikës viktimë e tyre!
Sipas burimeve tashmë të njohura të Guardia di Finanza, Lazarati prodhonte marijuanë me një shifër fitimesh prej 4.5 miliardë Euro në vit, pak më shumë se një e treta e GDP-sw së Shqipërisë. Spartak Ngjela nw njw media shqiptare e kundërshtoi këtë shifër të Guardia di Finanza dhe tha se, përfitimi në vit nga hashashi që prodhohej në Lazarat shkonte në 200 milionë Euro!
Lind pyetja, po përse Avokat Ngjela e ditka më mirë se Guardia di Finanza, një institucion i specializuar që merret me atë punë dhe ka mjete e mundësi hulumtimesh e hetimesh?
Gjithsesi, po të bëjmë disa llogari sipas atyre statistikave që jep Ngjela, për 20 vite, fitimet e hashashit nga Lazarati kanë shkuar në 4 miliardë Euro, ndërsa po t’i referohemi Guardia di Finanza, që është një institucion me besueshmëri të padiskutueshme, këto fitime kanë arritur në 80 miliardë Euro!
Por nëse në Lazarat është mbjellë vetëm 5% e sipërfaqes që prodhon hashash, ashtu si po thuhet sot rëndom, deri edhe në Facebook, dhe 95% e sipërfaqes është tjetërkund, kjo do të thotë se fitimet për 20 vit janë miliarda e miliarda Euro.
Ku është gjithë kjo pasuri? Kush e ka? Ku ka shkuar? Ku është investuar?
Në Shqipëri nuk ka as fabrika dhe as uzina, nuk ka as industri të lehtë dhe as turizëm. Dhe nga e gjitha dhe gjithçka që prodhohet aty, 50% shkon në llogari të informalitetit, d.m.th të tregut të zi. Dhe kjo shifër është shumë e zbutur po t’i referohemi realitetit që e pohojnë vetë biznesmenët shqiptarë, të cilët punojnë në kushte heroike.
Vetëm ky fakt, që është shumë kokëfortë, tregon se ku gjendet sot Shqipëria, një vend ku nuk pranojnë kurrsesi që të investojnë investitorët e huaj.
Për këtë mosprani të investitorëve të huaj u fol për here të parë hapur gjatë pritjes zyrtare, që Kancelaria Merkel i bëri kryeministrit të Shqipërisë, ku ajo tha qartë dhe hapur se, që të vinë investitorët e huaj, duan siguri. Këtë siguri e garanton shteti ligjor. E në Shqipëri shteti ligjor është virtual.
Spartak Ngjela tha se, lazaratasit nuk janë përfituesit të prodhimit. Se ata që i kanë përfituar të mirat e hashashit e Lazaratit janë në Tiranë.
Për policinë e shtetit do të ishte më lehtë se do t’i kishte aty shkelësit e ligjit, po ec e dërgoi para ligjit bosët e hashashit.
Avokati shtoi se, për të zgjidhur këtë katrahurë, Shqipërisë i duhet një institucion si FBI apo Scotland Yard. Problemi është se Shqipërisë i duhen njerëz me integritet, dhe të ndershëm, në çdo segment të shtetit. Diçka që Shqipëria nuk e ka. Sepse nuk funksionon meritokracia. Por interesat klienteliste, që i krijojnë fushe veprimi shkeljes të ligjit.
Prandaj, aksioni antimarijuanë është shumë i vështirë, sepse milionat e marijuanës i kanë përfituar ata që gjatë këtyre 23 viteve nuk e kanë lejuar shtetin të futet në Lazarat!
A nuk duket paradoksale që në Shqipëri paska më të fortë se shteti! Është tabu, por po ta themi shqip, është antiligji më i fortë se shteti! Ose mafia. E njëjta gjë.
Ajo çfarë ka ngjarë në Lazarat këta 23 vjet tregon se shteti është gjunjëzuar përpara bosëve të hashashit, që natyrisht nuk janë lazaratasit.
Hyrja e shtetit në Lazarat është një hap pozitiv, por është vetëm fillimi i fillimit.
Shteti është përpara një misioni shumë të vështirë që ka shumë gjasa të mbetet një mision i pamundur, por megjithatë ekziston mundësia që shteti të triumfojë kundër të keqes që ia ka marrë frymën vendit.
Të gjithë shqiptarët duhet të jenë në anën e shtetit, të shtetit ligjor, sepse vetëm shteti i së drejtës, është aleati i qytetarit, që i garanton qytetarit lirinë e tregut, sigurinë e jetës dhe prosperitetin e mirëqenien. Andaj, të gjithë për shtetin e së drejtës!