Dr. Ndriçim MEHMETI/ Lufta kundër korrupsionit në arsim me metodën “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”

522
Sigal

“Ndjehem mirë sot nëpërmjet këtij aktiviteti që kërkon të konsolidojë demokracinë në vendin tonë nëpërmjet gjithë këtyre ideve që bëjnë thirrje për bashkëpunim për të kundërshtuar me forcë korrupsionin, dhe për të vepruar tani dhe jo nesër. Ky takim, na angazhon dhe më tej për të bërë më të mirën që korrupsioni të luftohet përmes sistemeve të shëndetshme të transparencës dhe llogaridhënies.” Kjo është fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit në konkursin “Korrupsioni na dëmton të gjithëve; së bashku duhet ta luftojmë”. Nga e gjithë fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, më tërhoqi vëmendjen rreshti i fundit: “Ky takim, na angazhon dhe më tej për të bërë më të mirën që korrupsioni të luftohet përmes sistemeve të shëndetshme të transparencës dhe llogaridhënies”. Përtej fjalëve të bukura, që deri tani nuk na mungojnë, besueshmëria rritet kur tregon me shembull, sesi institucioni që ndërmerr nisma të tilla e lufton vetë korrupsionin. Pra pyetja është, sa e shëndetshme, transparente dhe llogaridhënëse ka qenë deri tani veprimtaria e MAS?

-Si funksionon transparenca dhe llogaridhënia në punën e MAS?

Më vjen mirë që më së fundi është kuptuar se korrupsioni nuk luftohet me fjalë, spektakël, apo deklarata televizive. Ky fenomen do transparencë dhe llogaridhënie. Duke u nisur nga këto dy parime të shenjta të demokracisë, atëherë le të shikojmë sa dhe si është përpjekur Ministria e Arsimit të jetë transparente dhe llogaridhënëse. Për shembull: Sa transparente dhe llogaridhënës ishte ristrukturimi i MAS, largimi i njerëzve nga puna, rikthimi i një pjese të tyre; premtimi për t’i rregulluar të tjetër në korrik e kështu me radhë. Pra Ministria duhet t’u shpjegojë, atyre që janë larguar, fëmijëve në radhë të parë (pasi konkursi u bë për nxënësit që të mësojnë të luftojnë korrupsionin), sesi u larguan gjyshër, gjyshet, baballarët, nënat, motrat e tyre, pa asnjë transparencë. Listat u hartuan me një grup njerëzish të ngushtë, të cilët, duhet të ndanin si dikur, veç tanët dhe veç armiqtë. Armiqtë, të listuar si të tillë, duhet t’i gjendej një akuzë, që në këto raste, është vetëm justifikim: Nuk janë tanët, por të PD-së. Kështu që, transparencën e zëvendësoi pretenca në gojën e zyrtarëve më të lartë pranë Ministres, të cilët, deklaronin pa droje korridoreve se “ata që i ka sjellë partia (Partia Demokratike edhe pse së paku për MAS, është e kundërta), të mirat e partisë do të marrin”. Për hir të transparencës: A mund të na thotë kush, se a ishte në përputhje me procedurën e përcaktuar në ligj, i gjithë procesi i të quajturit ristrukturimi administratës dhe institucioneve të varësisë? Edhe sikur individë të veçantë të kenë qenë anëtarë të PD-së, a është spastrimi i kundërshtarëve politik, pjesë e luftës kundër korrupsionit për hir të transparencës? Një pjesë e këtyre punonjësve të lemerisur, nuk lanë gur pa lëvizur për të gjetur kushërinj, krushq, miq e shokë, për të mbajtur vendin e punës. Ndërsa të tjerët, që besuan në zbatimin e kritereve të një sistemi të shëndetshëm të transparencës, meritokracisë dhe respektit ndaj punës së administratës, shpresuan se këto do të ishin kriteret transparente për të qëndruar në punë. Gjithashtu MAS duhet të bëj transparente, sa prej zyrave të drejtuesve të saj të lartë, u rikonstrukturuan në muajin shtator-tetor, me çfarë fondesh dhe kush ishin ata që morën përsipër punimet, çfarë fondesh u përdorën për t’i paguar, njerëzit që bënë punime? A mos vallë këtyre njerëzve u është bërë premtimi, se do të paguhen për punën që bënë, në mënyrë tjetër në mungesë të fondeve? Përgjigjja e këtyre pyetjeve besoj se i bën mirë transparencës.

-Transparenca e ndryshimeve në institucionet e varësisë

Përse u larguan drejtuesit e institucioneve të varësisë në MAS? A ishin të korruptuar, nuk kishin rezultatet në punë, apo se në veprimtarinë e tyre u zbuluan akte korruptive? Këtë nuk e morëm vesh deri më sot dhe me shumë gjasa nuk kemi për ta marrë vesh asnjëherë. Nuk pati asnjë analizë që të tregonte se cilat ishin të metat e deritanishme dhe aq më keq nuk dimë ende se cili është vizoni për të ardhmen e arsimit. Po të shtyhemi më tutje. Sa transparent ishte zgjedhja e drejtuesve të rinj? Cila ishte puna dhe kontributi i tyre i mëparshëm në arsim, për të justifikuar detyrën e marrë? A ka pasur në këto emërime, prapavijë politike apo shpërblim për persona të caktuar? Qoftë edhe një emërim jashtë kritereve të përcaktuar nga ligji (sikundër janë provuar dhjetëra të tillë) është një sinjal i fortë se, në këtë proces, nuk ka pasur asnjë lloj transparence, duke ja lenë vendin akteve korruptive. Më kujtohet në një bisedë për Maturën Shtetërore, të bërë në një televizion, znj. Ministre tha shprehimisht se: “në 2006 kur filloi procesi i Maturës Shtetërore, unë kam qenë drejtoreshë shkolle”. Atëherë e pyes Ministren e Arsimit: Sa prej drejtorëve që ishin në shtator 2013 në qytetin e Tiranës, janë ende sot drejtues të shkollave të mesme në këtë qytet? Sa transparent dhe llogaridhënës ishte procesi i shkarkimit të tyre dhe emërimit të njerëzve të tjerë? Sa prej drejtorëve të rinj, janë produkt i procesit të konkurrimit transparent?

-Transparenca e procesit të Maturës Shtetërore

U tha se, Matura Shtetërore kishte shumë elementë korruptivë, të cilët deformonin rezultatin e nxënësit. Prandaj gjëja e parë që pritej nga drejtuesit e rinj të MAS, ishte domosdoshmëria e një analize të thellë, jo thjesht për të vërtetuar ato që janë thënë për këtë proces, por për të parë se ku ishin të metat dhe çfarë duhet të ndryshonte në një plan afatshkurtër, afatmesëm, dhe afatgjatë. Në vend të kësaj analize, a-priori u deklarua se procesi MSH do të ndryshonte dhe për rrjedhojë të njëjtën gjë do të pësonte edhe i gjithë sistemi i pranimit. Qëllimi i këtyre ndryshimeve u tha se do të ishte zbatimi i një sistemi më transparent, më i kuptueshëm për publikun. Në fakt kjo nuk ndodhi fare. Sistemi u la ai që ishte. Për të mbuluar pamundësinë dhe paaftësinë, për të vërtetuar se MSH kishte dështuar, u deklarua se do të kishte risi në këtë vit, që nuk ishin aplikuar më parë. Deri tani nuk kemi parë asnjë të tillë. Pavarësisht të gjitha këtyre kundërshtive në deklarata, pyetja më e drejtë është sesi do të sigurohet transparenca, llogaridhënia dhe së fundi, si do të arrihet që të kemi një rezultat real siç pretendohet. Kur jemi larg vetëm tre javë nga provimi i parë, i Maturës, askush nuk na ka shpjeguar mekanizmin çudibërës të suksesit të saj. Ndryshimi pa kuptim i datave, të deklarosh si të reja masat e përvitshme, kam përshtypjen se nuk kanë të bëjnë me transparencën. Madje për të qenë transparentë do të pyesja: Ku dhe si do t’i bëjnë provimet nxënësit e ngujuar? Si do të veprohet me maturantë të cilët (nuk ja uroj askujt, por mund të ndodhi), para provimit mund të jenë në institucione e paraburgimit, apo për ata që janë në I.E.V.P. dhe ndjekin shkollën? Përkundër të gjitha këtyre, ende MAS, nuk ka mundur që të nxjerrë të gjithë korpusin e akteve nënligjore për këtë proces. Po marr vetëm një akt të tillë ndërmjet shumë të tjerave: Pse nuk ka dalë ende udhëzimi për shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit? Së paku në faqen zyrtare të MAS dhe AKP, nuk gjen asnjë të dhënë për këtë. Kemi mësuar në kaq vjet demokraci se edhe paaftësia dhe padija janë korrupsion.

-Premtimi i zhdukjes së kurseve private dhe lulëzimi i tyre

Me shumë bujë u tha se, do të zhduken kurset private, si një vatër e korrupsionit. Pa asnjë mëdyshje, fenomeni i kurseve, ka qenë një nga më të shëmtuarit, por edhe më pak i luftuari në arsim. Mirëpo, pas një heshtje për këtë temë, shtypi, vigjilent si gjithnjë, nxori se kurset jo vetëm që lulëzojnë, por edhe janë shtrenjtuar. Pse ka ndodhur ky fenomen këtë vit? Shpjegimet mund të jenë të ndryshme. Nëse do të ishim optimistë sa qeveria, do të thoshim se ka pasur ndikim pranvera ekonomike, rritja e të ardhurave për shkak të uljes së taksave apo edhe vlerësimi pozitiv i ekonomisë nga “Standard and Poors”. Përtej kësaj shakaje, fakt është se s’ka asnjë urdhër, udhëzim apo projekt të veçantë për monitorimin e këtij fenomeni dhe marrjen e masave drastike për reduktimin e tij. Që prej vitit 2010, ka pasur dy urdhra të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, që detajonin sesi shkolla, do të merrte përsipër zhvillimin e orëve të konsultimeve për të gjithë nxënësit maturant dhe nxënësit e klasës së 9-të nga muaji tetor deri në fund të provimeve. Këto dy urdhra nuk ekzistojnë më. Akoma më i  rëndë bëhet vëzhgimi i gazetarit, se fenomeni është shumë i përhapur, por për të nuk flet kush, për shkak të presionit të institucioneve arsimore. Fshehja e probleme, shkon në të kundërt të transparencës, ndërsa përballja me to shkon në kahun e drejtë. Duhet të ishin marrë me kohë masat që shkolla t’i shërbente maturantëve dhe nxënësve të shkollës 9-vjeçare, me ofrimin e të gjitha mundësive për konsultime në të gjitha lëndët, duke lehtësuar ata dhe prindërit nga ankthi i përgatitjes për provime. Kjo ishte dhe një mundësi e mirë, për shndërrimin e shkollës në qendër komunitare në praktikë. Kjo nuk ndodhi dhe nuk ka për të ndodhur, nëse nuk merresh me gjërat thelbësore në arsim, por merresh me shfryrjen e dufeve personale dhe politike. Transparenca dhe llogaridhënia, arrihen vetëm përmes zbatimit të ligjit. Nëse zbatohet ligji, atëherë gjithsekush e sheh këtë dhe nuk ka nevojë për shumë publicitet. Nuk zëvendësohet asnjëherë lufta kundër korrupsionit me spektakël, përpara opinionit dhe të huajve. A duhet të shtojmë më shumë presionin mbi shkollën dhe nxënësit që të jenë të parët shembulli i transparencës, llogaridhënies e luftës kundër korrupsionit?. Padyshim që po. Gjithashtu transparenca, nuk arrihet as me buzëqeshje, as me valle dhe as me përqafime. Ajo do veprime konkrete, që fillojnë nga ata që të rrethojnë e deri tek punonjësi më me pak përgjegjësi Por nuk bëhet lufta kundër korrupsionit duke vepruar me mënyrën “Bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë”.