Dr.Hasan Shkëmbi/ Kërcënimi rus ndaj shteteve nordike

636
Vijon nga numri i kaluar
Nga këndvështrimi gjeostrategjik, ndërhyrja ruse në Ukrainë nuk mund të shihet si një incident i izoluar, por si pjesë e zbatimit të një strategjie të re dhe më të gjerë të Moskës në përpjekjen për rivendosjen e kontrollit rus dhe ndikimin e saj mbi territoret afër kufirit të saj, për të patur një sferë të ndikimit pas rënies së Murit të Berlinit. Duke u bazuar në suksesin në Gjeorgji, Federata Ruse lëvizi në mënyrë agresive në vitin 2014 të pushtojë Krimenë dhe destabilizojë Ukrainën lindore. Trupa ruse mbajnë ende të pushtuara zona të tre vendeve fqinjë, Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Moldavisë. Eshtë e qartë se Rusia është rrezik jo vetëm për shtetet baltike por edhe për sigurinë e gjithë Europës. Në secilin rast, Rusia shfrytëzoi popullsinë etnike ruse për të inkurajuar lëvizjet separatiste, futi paraushtarakët rusë, operativët e inteligjencës, forcat speciale dhe veçanërishtsht forcat konvencionale. Në një skenar hipotetik, paraqitur si një “perspektivë historike” nga Richard D. Hooker, Jr, e konsideron si një lëvizje të mundshme të rusve në të ardhmen edhe kundër shteteve baltike, ku synojnë të zbatojnë skenarë të ngjashëm. Prezenca e NATO-s në Baltik e bën të vështirë dhe ndoshta të pamundur agresionin e pushtimin ushtarak të kë tyre shteteve nga Rusia. Nuk janë kushtet e njëjta me Ukrainën dhe Krimenë . Mendoj se skenari më i mundshëm është gjetja e një cassus belli nga Rusia për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit rus atje për të inkurajuar lëvizjet separatiste të tyre në ndonjë pjesë të territorit kufitar, dhe më pas të justifikojë ndërhyrjen ushtarake dhe pushtimin e këtyre vendeve.
Skenari i dytë
Skenari i dytë mund të jetë shfrytëzimi i ndonjë incidenti afër bazave ushtarake në kufi me Rusinë. Qëllimi i rusisë është të rimarrë ndonjë port të rëndësishëm të Baltikut për të siguruar epërsi gjeostrategjike në këtë rajon. Por edhe ky skenar do të jetë i vështirë pasi NATO ka shtuar prezencën e trupave dhe avionëve të saj në disa porte. Skenari tjetër mund të ishte shkaktimi i ndonjë aksidenti konvencional ose bërthamor gjatë manovrave të trupave ushtarake në Baltik, ku pasojat do të ishin katastrofike dhe me përmasa të mëdha për gjithë Europën. Dihet se teknologjia ruse në fushën e aviacionit dhe nëndetëseve bërthamore është e vjetër dhe aksidentet nuk kanë munguar si ai i Murmanskut me nëndetësen “Kursk”. Nese Rusia do të shkelë vijën e kuqe të NATO-s, dmth. do të sulmojë bazat e saj dhe të tentojë të pushtojë vendet baltike, pasojat do të ishin përsëri të paparashikuara dhe konfrontimi midis aleancës së 28 shteteve dhe Rusisë do të qe i pashmangshëm. Por kjo gjë nuk ka asnjë gjasë të ndodhë për shumë arsye. Përsa i përket kompaktësimit të forcave të NATO-s në këtë rajon, megjithë prezencën në rritje të trupave dhe avionëve të saj në Baltik, ka zëra skeptikë për aftësitë reaguese të pamjaftueshme të saj në rast të një sulmi eventual rus. Gjenerali cek Petr Pavel, i cili në 1qershor 2015 mori funksionet e presidentit të Komitetit ushtarak të NATO-s, ka krahasuar kërcënimin rus si atë të Shtetit Islamik. Rusia është e aftë, thotë ai, të pushtojë vendet baltike dhe kryeqytetin e Ukrainës në dy ditë . Po sipas tij, në kuadrin e një konference “Notre sécurité » në Pragë 2015, u shpreh se “forcat e NATO-s do të jenë të paafta për të zmbrapsur sulmin rus në rast agresioni’’. Po sipas tij, Aleanca ka një difekt të rëndësishëm: procesi kompleks i marrjes së vendimeve. NATO ka 28 vende anëtare, dhe të gjithë duhet të bienë dakord në një marrëveshje të përbashkët. Ndërsa komanda e forcave të armatosura ushtarake ruse është e aftë të marrë vendimet vetëm në pak orë. Pra do të jetë e «vështirë» sipas gjeneralit të NATO-s për të vendosur eventualisht që Aleanca të hyjë në luftë me Rusinë, në një konfrontim të tillë që mund të degjenerojë në një konflikt bërthamor. Por megjithë disavantazhet në marrjen e vendimeve të shpejta në kohë, NATO sot për sot është aleanca mbrojtëse rajonale më e fuqishme në botë dhe me epërsi të madhe në pajisjet teknologjike, krahasuar me çdo ushtri tjetër të një vendi kundërshtar. Kësisoj, ajo është e aftë të përballojë çdo lloj agresioni që mund të drejtohet ndaj vendeve aleate dhe kufijve të BE-së. 
Po siguria e vendeve nordike a është e kërcënuar nga Rusia?
Edhe vendet e tjera të Baltikut janë të ekspozuara nga kërcënimi rus. Fakt është se Rusia dhe vendet perëndimore po përjetojnë krizën e tyre më të keqe që nga fundi i Luftës së Ftohtë, dhe sidomos vendet nordike kur vërehet një rritje e dukshme në veprimtarinë ushtarake ruse në rajon. Ky aktivitet është pasqyruar në rritjen e numrit të shkeljeve të hapësirës ajrore dhe intensifikimin e operacioneve dhe aktiviteteve të monitorimit nga forcat ruse, veçanërisht në rajonin e Baltikut duke përfshirë dhe vendet nordike. Referuar burimeve zyrtare daneze dhe medias ndërkombëtare është konfirmuar se Kremlini pranverën që shkoi ka bërë kërcënime të hapura kundër Danimarkës. Ambasadori rus në Kopenhagen Mikail Vanin deklaroi që nëse Danimarka pranon të bëhet pesë e sistemit raketor së mbrojtjes të NATO-s, luftanijet daneze do të jenë objektiv i raketave tona bërthamore. Në fakt shkallëzimi i kërcënimeve dhe provokimeve ka filluar që viti e kaluar kur disa incidente me avionë rus kanë ndodhur në territorin danez dhe atë suedez. Por këto akte, siç është shprehur gjenerali amerikan Philip Breedlove, komandant suprem i forcave të NATO-s në Evropë, janë një “fushatë frikësimi “ndaj vendeve që e kanë shpallur qëllimin e tyre për të marrë pjesë në sistemin raketor të mbrojtjes ashtu siç nodhi me Rumaninë dhe tani Poloninë. Vëndet nordike më shumë të njohura për modelin e tyre social dhe ekonomik se sa për aftësitë e tyre ushtarake, nisur nga kriza e Ukrainës u detyruan që të rishohin politikën e tyre të mbrojtjes dhe aleancat e tyre në këtë fushë. Ka më shumë se dy shekuj që vendet nordike (Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia) nuk janë konfrontuar me armë. Dhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë në veçanti, baltiku dukej i shndërruar në një det të qetë. Por sulmi rus kundër Ukrainës dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Moska, në mars të vitit 2014, detyroi mbështetësit më të zjarrtë të neutralitetit, Suedinë dhe Finlandën në veçanti, për të pranuar se vendet nordike do të përballen me një mjedis gjithnjë e më të paparashikueshëm. 
Nisur nga deklarat kërcënuese të diplomatit rus në Danimarkë dhe shtimi i incidenteve në hapësirën ajrore të këtij rajoni, në muajin Prill 2015, u zhvillua takimi midis katër ministrave të mbrojtjes dhe ministrit të jashtëm (për Islandën). Dihet se politikat e këtyre vendeve tyre në çështje të sigurisë së jashtme kanë qenë tradicionalisht të ndryshme, si dhe disa janë anëtarë të NATO-s (Danimarka, Islanda, Norvegjia) dhe / ose të BE-së (Danimarka, Finlanda, Suedia). Deri tani të gjithë kishin ndjekur rrugën e tyre. Por me ngjarjet e fundit të gjithë ranë dakord në faktin se paqja në Baltik nuk është e fituar, por edhe në Arktik, në të cilin Danimarka, Norvegjia, Islanda janë fqinjë, ashtu si Rusia. Minisitrat deklaruan se sjellja e Rusisë është sfida më e madhe për sigurinë në Evropë (Le Figaro, 10.4.2015). Perceptimi nga vendet nordike i rritjes së kërcënimeve në mjedisin e tyre ka pasoja për të gjithë Evropën, aq sa i përket fushës së bashkëpunimit të sigurisë sa dhe natyrës së përpjekjeve ku do të drejtohen. Por ky ndryshim do të kufizojë në mënyrë të pashmangshme aftësinë e këtyre vendeve për të marrë pjesë në përpjekjet ndërkombëtare ushtarake larg nga kufijtë e tyre, në Afrikë apo në Lindjen e Mesme. Kjo nuk duhet të shihet si një dëshirë për të shmangur kontributin e tyre në sigurinë ndërkombëtare, por thjesht një shenjë se ata tani e tutje duhet të përballen me sfidat më afër territorit të tyre. Suedia është vendi nordik që ka bërë ndryshim të qartë në sigurinë dhe mbrojtjen. Gjatë viteve 2000, ajo kishte riorientuar ushtrinë e saj për përdorim në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse dhe planet për mbrojtjen e territorit kombëtar të saj kishin mbetur gradualisht jashtë. Finlanda më së paku që ka ndjerë nevojën për të ndryshuar doktrinën e saj të sigurisë dhe të mbrojtjes vitet e fundit. Ajo ka rritur, pra numrin e forcave në dispozicion në një kohë shumë të shkurtër. Në mënyrë të ngjashme, rritja e buxhetit ushtarak ka patur mbështetje të gjerë në parlament. Vazhdimi i një seri të shkeljeve të hapësirës ajrore të vendit, si dhe operacionet e fluturimit kanë rritur vigjilencën e forcave ushtarake finlandeze gjatë vitit të kaluar. Përkeqësimi i situatës së sigurisë që prej krizës së Ukrainës për Norvegjinë nuk ishte surprizë. Zyrtarë të Norvegjisë në kontakte të shpeshta me homologët e tyre rusë i kishin lejuar ata të kuptonin një ndryshim të sjelljes së Moskës nga 2006-7. Norvegjia kishte propozuar në fillim të vitit 2008 që Aleanca duhet të sigurojë kapacitetet për të përballuar kërcënimet e mundshme ndaj kufijve të saj lindorë. Sot, ajo akoma është e shqetësuar se NATO nuk ka përshtatur në mënyrë të mjaftueshme dispozitivin e saj, dhe se të gjithë anëtarët e saj nuk po rrisin aftësitë e tyre ushtarake, dhe nuk kanë vullnetin politik për të financuar dhe vendosur ato për mbrojtjen kolektive (Charly Salonius Pasternak, 2015). Ajo gjithashtu ka frikë se në Norvegji dhe në gjirin e aleatëve të saj, e gjithë shoqëria është e ndjeshme ndaj teknikave të luftës hibride (dezinformacionit, luftës psikologjike, sulmeve ndaj sistemit bankar, kërcënimet mbi furnizimin e sistemeve etj.). Në planin operacional, vendi për vite me radhë, ka përqendruar investimet e saj në kapacitetet ajrore dhe detare të saj. Në Arktik, njësitë e saj ushtarake janë në shërbim 24 orë në 24. Në NATO, forcimi i shtabit të përgjithshëm të përbashkët norvegjez të Bodø dhe pajisjeve para-pozicionuese nga marinsat amerikanë në Trondelag, shihen si përgjigje ndaj ndryshimeve në mjedisin e sigurisë rajonale. Politika e mbrojtjes dhe sigurisë në Danimarkë është një nga konstantet e rralla në politikën e vendit. Anëtarësimi në NATO, si dëshira për të mbajtur marrëdhënie të ngushta (dypalëshe) me SHBA, janë akset qendrore të saj. Danimarka është vendi i vetëm nordik që i përket njëkohësisht NATO dhe në BE, por në cështje të sigurisë dhe politikës së mbrojtjes, Kopenhagen ka zgjedhur për të qëndruar jashtë BE-së, duke thirrur Klauzola opt-out (përjashtim) sipas Traktatit të Mastrihtit në vitin 1993. Bashkëpuni nordik, qoftë bilateral ose përmes NORDEFCO, i intereson më shumë Danimarkës sot, por gjithmonë si një plotësues për pjesëmarrjen e saj në NATO. Deklarata e fundit e pesë minisitrave të vendeve nordike tregoi për një qasje të përbashkët të politikës së këtyre vendeve në cështje të sigurisë së rajonit Baltik. Ata konfirmun se “Bashkëpunimi më i ngushtë në pjesën veriore të Evropës dhe solidariteti me vendet Baltike do të kontribuojë në frocimin e sigurisë në rajonin tonë dhe për të rritur gatishmërinë për incidentet ushtarake që mund të ndodhin” (sipas AFP, 2015).
Sigal