Dr.Dine ABAZAJ/ Më shumë respekt për mjekun

54
Gazeta Telegraf/




Dr. Dine Abazaj



Më shumë vlerësim për profesionin dhe figurën e mjekut


Këto ditë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë humbi jetën një grua e
re dhe fëmija që ajo do të sillte në jetë së afërmi. E sollën familjarët e saj
në urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore, e cila erdhi duke u rënduar në mënyrë
progresive derisa ndërroi jetë brenda një harku kohor afërsisht prej 5-6 orësh
nga mbërritja e saj, pa arritur që të diagnostikohej dhe të merrte ndihmën mjekësore
adekuate, si urgjencë në kohën e duhur, megjithëse për këtë qëllim e me synimin
e vetëm për të shpëtuar jetën e saj dhe të bebes u transportua, në tre spitale
universitare të Tiranës. Debatet ishin dhe janë të shumta këto ditë për të
gjetur shkaqet dhe për t’i venë gishtin fajtorit për këtë fatkeqësi tepër të rëndë
për viktimat që u ndanë nga kjo jetë, familjarët e saj dhe gjithë shoqërinë tonë
që na bën të jemi të keqardhur e të dëshpëruar pa masë. Pyetja shtrohet, pse në
mes të Tiranës ku supozohet të kemi qendër urgjence kombëtare të specializuar,
multidisiplinare dhe efiçiente për t’iu përgjigjur çdo urgjence në kohën e
duhur, u deshën rreth 5-6 orë për t’u diagnostikuar kjo  grua pasi kaloi në 3 qendra spitalore
universitare dhe përfundoi përsëri aty nga u nis e ku nuk ishte vendi i duhur për
të përfituar ndërhyrjen që i nevojitej, ndërsa edhe sikur, ishte tepër vonë dhe
pa shpresë, siç u njoftua.

 


Masa ekstreme ndaj mjekëve

 

Për këtë institucionet dhe organet përgjegjëse le të bëjnë analizat dhe të nxjerrin
përgjegjësitë e tyre, le të marrin masa për të rregulluar sistemin e për të
parandaluar të tilla fatkeqësi në të ardhmen. Kjo është punë dhe përgjegjësi e
tyre. Ajo për çka dua të ndalem në këtë rast, është masa ekstreme e nxituar
ndaj mjekëve, siç ka ndodhur dhe herë të tjera në të tilla raste, ku mjekët
prangosen në mënyrë spektakolare tamam siç mund të trajtohen kriminelët me rrezikshmëri
të lartë shoqërore. Akoma nuk është arritur asnjë përfundim çfarë rëndon mbi këta
mjek. Kemi të bëjmë me një mjekim te pakujdesshëm, kemi të bëjmë me një gabim
mjekësor që gjithsesi do të ishte njerëzor apo kemi të bëjmë me mangësitë e
sistemit në pajisje, në organizim e koordinim të urgjencave mjekësore, në
reformimin dhe mirëmenaxhimin e tij etj? Ajo çka dimë, e rezulton deri tani është
se, mjekët brenda mundësive, dijeve dhe mjeteve që disponojnë kanë bërë sa kanë
ditur e mundur me çfarë kanë pasur në dispozicion, për të shpëtuar jetën e nënës
dhe bebes së saj. Nuk është hera e parë që kemi ngritur zërin e protestës tonë,
kundër masave të tilla ekstreme ndaj mjekëve pa u vërtetuar fajësia e tyre. Nuk
jemi absolutisht për mos ndëshkimin e fajit kur ky vërtetohet, përkundrazi e dënojmë
atë me gjithë ashpërsinë e duhur. Por nuk po dëgjojmë të thuhet një fjalë të
mirë për mjekun, rolin e rëndësishëm që ai luan në të gjithë zhvillimet e
sistemit shëndetësor e mbi të gjitha për rëndësinë dhe vlerat e paçmueshme të
profesionit të tij, në shërbim dhe në mbrojtje të gjësë më të çmuar e më të
shenjtë për një qenie njerëzore siç është shëndeti dhe jeta e tij. Nuk
evidentohen sukseset dhe shembujt pozitive në punën e tyre të përditshme në përballje
me sëmundjen dhe luftën e vështirë, me përkushtim pranë shtratit të sëmurit për
të shëruar e për të shpëtuar jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes. E këto raste
padyshim janë shumë më të mëdha në numër përballë dështimeve, të cilat
reklamohen dhe amplifikohen me shumë bujë duke shkaktuar në këtë rast më tepër efekte
negative sesa dobiprurëse për vet sistemin dhe për bluzat e bardha, të cilat janë
betoni në themelet mbi të cilat ngrihet dhe funksionon ky sistem me sukseset
dhe dështimet e tij. Profesioni i mjekut është një mision human ku mbrojtja e
shëndetit dhe jetës së njeriut, parandalimi i sëmundjeve, trajtimi dhe mirëqenia
e të sëmurit, janë vlera që udhëheqin angazhimin e mjekëve si detyrim madhor
profesional. Cilado qoftë mënyra e ushtrimit, specialiteti apo statusi i tyre,
të gjithë mjekët frymëzohen çdo ditë nga betimi i Hipokratit për t’iu përgjigjur
detyrimit të tyre profesional me përkushtim e në përputhje me standardet që
dikton etika dhe deontologjia mjekësore.

 


Mjekësia jonë ka një histori dhe një traditë që na
frymëzon

 

Mjekësia jonë ka një histori dhe një traditë që na frymëzon dhe na udhëheq
me shembujt e saj. Në themelet e kësaj historie kanë lënë gjurmët e
pashlyeshme, është derdhur mundi, djersa dhe dijet e shumë figurave të shquara
mjekësh të cilët meritojnë të ruhen në memorien e këtij vendi si modele frymëzimi.
Nuk ka arritje në zhvillimin e sistemit tonë shëndetësor e madje edhe shoqëror
ku mjeku të mos ketë lënë gjurmët e veta me punën dhe veprën e tij. Kjo është e
vërteta e historisë së mjekësisë shqiptare jo vetëm e së kaluarës por edhe e
ditëve të sotme. Faktet dhe shembujt që flasin për profesionalizmin, devotshmërinë
dhe patriotizmin e mjekëve janë të gjalla, janë  konkrete. Nuk është e largët tragjedia me
helikopterët në Llogora ku humbën jetën mjekë e personel mjekësor, të cilët
vajtën vullnetarisht për t’iu ardhur në ndihmë të rinjve të aksidentuar me
autobus. Askush nuk i urdhëroi, askush nuk iu vuri gishtin për të vajtur, sepse
nuk qe e nevojshme një gjë e tillë. Ata vajtën vetë vullnetarisht. Është fare i
freskët në kujtesën tonë viti i mbrapshtë  1997 ku i vetmi shërbim që funksionoi në
shtetin shqiptar atë kohë, ishte shërbimi shëndetësor, në një kohë kur shteti kishte
rënë, administrata nuk funksiononte dhe asnjë njeri nuk iu kërkonte llogari e as
i detyronte mjekët dhe personelin tjetër që të shkonim pranë të sëmurëve nën
breshërinë e plumbave që fluturonin mbi kokat e tyre,madje edhe nën kërcënimin
e armëve të banditëve, që e kishin marrë situatën në dorë. Akoma më e freskët  është tragjedia e Gërdecit ku mjekët, shumica
e të cilëve pa i thirrur askush, u gjendën në krye të detyrës dhe ndihmuan e
shpëtuan dhjetëra jetë njerëzish. Shembuj të tjerë ka akoma si këta që përmendëm,
kur mjekët të pa urdhëruar e detyruar nga askush përveçse prej vetëdijes së
tyre të brendshme profesionale, dashurisë për njeriun e  jetës njerëzore që u frymëzon vet profesioni i
tyre, janë gjendur në postet e punës pranë të sëmurëve.

 

Po cili është statusi i mjekut dhe si vlerësohet ai sot në
shoqërinë tonë?

 

Marrëdhëniet mjek-pacient, respekti ndaj mjekut dhe besimi ndaj tij, dikur
kulmore e të mrekullueshme, sot fatkeqësisht janë konvertuar në një krizë të
thellë besimi. E kemi trajtuar edhe më herët këtë temë dhe nuk është ky qëllimi
i këtij shkrimi për të folur për shkaqet e krizës së besimit ndaj sistemit shëndetësor
dhe mjekëve në veçanti, por në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet pa patur
frikë se gabohemi se prejardhja e kësaj të keqeje është vet sistemi në të cilin
po jetojmë ku morali e marrëdhëniet normale njerëzore janë shndërruar në marrëdhënie
interesash dhe paraja, vetëm ajo bën ligjin, ndërsa korrupsioni ka infiltruar në
çdo qelizë të shoqërisë. Vetëm një gjë është më se e sigurt në kontekstin që po
përshkruajmë, këtë situatë nuk e kanë sjellë mjekët. Këta të fundit janë vetëm
viktima të këtij sistemi.

 

Por çfarë po shohim të ndodhë në të vërtetë në realitetin
tonë me mjekun?

 

 

Përgjigja e kësaj pyetje do të ishte kundërpyetja, sa herë na është dashur dhe
po na duhet të protestojmë ne, kundër dhunës fizike të ushtruar ndaj mjekëve,
kundër arrestimeve demonstrative të tyre si në këtë rastin e fundit apo
pezullimeve nga puna me një të rënë të lapsit pa u vërtetuar nga askush fajësia
e tyre? Dashje, pa dashje, mjekët janë bërë sot personazhet më të paragjykuar,
të sulmuar e dhunuar verbalisht dhe fizikisht, jo aq për fajin e tyre sesa për
vështirësitë dhe pamundësitë që hasin ata në ofrimin e shërbimit dhe kujdesit
shëndetësor në gamën dhe cilësinë e pretenduar nga qytetarët. Kjo e tëra për
shkak të dobësive në menaxhimin e sistemit, mangësive në pajisjet e domosdoshme
diagnostikuese, terapeutike etj, që i faturohen mjekut, e për të cilat ai nuk
mban asnjë përgjegjësi. Çfarë përgjegjësi ka mjeku nëse institucioni ku ai
punon keqmenaxhohet nga administratorë jo profesionistë e inkompetentë, të
paaftë dhe të papërgjegjshëm, të cilët në shumë raste nuk kanë asnjë lidhje me
mjekësinë dhe nuk merren as me mjekët e as me të sëmurët. Dhe përsëri këto mangësi
i faturohen në fund të fundit mjekut.

Së fundi, janë mediat të shkruara dhe elektronike të cilat me kronikat
sensacionale amplifikojnë dhe shpërndajnë gjithçka që dëgjojnë të flitet për
ndodhira në institucionet shëndetësore për gabime dhe dështime mjekësh, duke i
paragjykuar ata si vrasës, kriminelë, të korruptuar etj, dhe sensibilizuar kësisoj
negativisht opinionin ndaj mjekëve dhe shërbimeve shëndetësore, çka i shërben
thellimit të krizës së besimit, në vend që të promovojnë shembujt e rastet e
shumta pozitive. Vërtet mjeku ka një mision shumë të rëndësishëm human, ka një
kod e një betim në funksion të përmbushjes së këtij misioni, për të cilat mban
përgjegjësi dhe është i detyruar ti kryej më korrektësi deri në një. Por përpara
se të kërkohet kjo deri në një, duhet ti ofrohen atij mundësitë e ti plotësohen
kushtet deri në një, për realizimin e tyre. Shteti duhet t’iu ofrojë mjekëve
pajisje dhe infrastrukturë të domosdoshme për t’iu përgjigjur denjësisht kërkesave
dhe pritshmërive të të sëmurëve dhe publikut, t’iu ofrohen paga e shpërblime më
dinjitoze në vlerësim të rëndësisë e vlerave të profesionit e përgjegjësive që
mbartin, orëve të gjata të punës, netëve pa gjumë dhe gjendjeve psikoemocionale
që përjetojnë për shkak të natyrës së profesionit të tyre. Anketat publike në
shumë shtete të botës tregojnë se profesioni i mjekut është ndër më të
respektuarit dhe të besuarit.  Ata kryejnë
shërbime të cilat kanë vlera të paçmueshme në ruajtje të shëndetit, shërimin e
sëmundjeve dhe lehtësimin e vuajtjeve për njeriun. Prandaj edhe meritojnë
trajtim e vlerësim më maksimal. Për të kuptuar vlerat dhe rëndësinë që ka roli i
mjekut në zhvillimin e sistemit shëndetësor po sjell disa argumente dhe
arsyetime. Për këdo është e kuptueshme se objektivi final të cilin synon çdo sistem
shëndetësor, i cilitdo vendi, është përmirësimi i cilësisë së kujdesit shëndetësor.

 

Kush e ofron dhe produkt i kujt është kujdesi shëndetësor
dhe nga kush varet cilësia e mirë ose e keqe e tij?

 

Cilësia e kujdesit shëndetësor në fund të fundit është produkt i punës dhe
veprimtarisë së drejtpërdrejtë të mjekut me të sëmurët dhe publikun. Ajo varet
nga përkushtimi, kompetenca, mençuria, profesionalizmi i tij. Sado i
modernizuar dhe i sofistikuar të jetë një sistem në pajisje dhe teknologji, cilësia
e shërbimit që prodhon ai sistem varet nga përdoruesit dhe interpretuesit e këtyre
teknologjive dhe pajisjeve, varet nga aftësitë dhe motivimi, ndërgjegjja,
profesionalizmi i tyre. Këta natyrisht janë mjekët si dhe profesionistët e tjerë
të shëndetit. Në këtë kuptim, në sistemin shëndetësor mund të ndërmerren shumë
reforma, por nëse nuk është mjeku në qendër të këtyre reformave, nëse ato nuk
synojnë vlerësimin, rritjen e integritetit dhe motivimin e mjekut, por përkundrazi
synojnë denigrimin e figurës së tij, do të jenë të pasuksesshme dhe të
destinuara të dështojnë. Evidentimi, vlerësimi dhe nderimi i figurave të
shquara të mjekëve, i sukseseve dhe shembujve pozitiv të tyre që sot janë në
pension ose në krye të detyrës, është një domosdoshmëri që i shërben edukimit
dhe motivimit të mjekëve, rrit besimin e të sëmurëve dhe publikut ndaj këtij
profesioni, përmirëson marrëdhëniet mjek-pacient, zbut krizën e besimit, tashme
prezent, dhe përmirëson në tërësi sistemin dhe cilësinë e tij në shërbim të të
sëmurëve dhe publikut. Pra, po reformimit të thellë dhe mirëmenaxhimit të
sistemit, Jo prangave në duart e mjekëve të pafajshëm, viktima të këtij
sistemi!