Dështim i ideve….jo Establishmenti politik

573
Nga Harilla GOGA
Diplomat në Gjenevë
Siç shpjegon edhe historia politike, epokat e mëdha në qytetërimin perëndimor kanë filluar dhe janë zhvilluar të udhëhequr nga teori, ide dhe shkolla të mendimit filozofik dhe ekonomik-social. Ato, më tej, janë shndërruar në Platforma apo Programe, që janë implementuar nga konkurrenca në fushën politike mes partive politike të krahëve të ndryshme, kryesisht „majtist dhe djathtist“. Për të ardhur në formën që funksionon sot, sistemi i demokracisë (përfaqësuese) ka kaluar në dhjetëra faza zhvillimi, përplasje, ngritje apo ngecje. Meqenëse në thelbin e vete, kultura perëndimore në kuptimin e gjerë të fjalës – si shtrat i cili përcakton cilësinë e sistemit demokratik – gjeneron vazhdimisht ndryshim e lëvizje, ajo, nuk lodhet asnjëherë“ dhe gjendja statike është e huaj për të. Deri tani, historia moderne njeh dy teori dhe dy sisteme të dështuara: Diktaturat e djathta dhe Diktaturat e majta bashkë me teoritë e tyre që mbetën statike deri në rënie. Ndërsa, Demokracia si sistem dhe teoritë e saj duket se janë në gjendje të përballen me sfidat e zhvillimeve të brendshme dhe jashtme. Dhe, pavarësisht nga rezervat që vende apo rajone të ndryshme të botës kanë ndaj saj, sot është vështirë të gjendet ndonjë shoqëri/shtet që refuzon të mbështetet në bazat e saj themelore dmth te pluralizmi politik, shteti i së drejtës, dhe ekonominë e tregut. Faza më interesante e demokracisë është „demokracia liberale“ e instaluar kryesisht në fillim të shekullit XX, dhe që kulmoi me zhvillimet pas Luftës së Dytë Botërore përfshirë epokën e globalizimit që jetojmë sot. 

Fenomenet dhe sfidat:
Dihet që në qendër të sistemit të demokracisë është individi i lirë, në mendim dhe veprim sigurisht në respekt të shtetit të së drejtës, që është në shërbim të tij. Por, ky individ që përfaqëson masën e njerëzve, duket në fakt, konsumator“ i produkteve të sistemit të demokracisë dhe që mund të mbajë qëndrim pranues, refuzues apo protestues në vartësi të, cilësisë dhe sasisë“ së këtyre produkteve, qëndrim ky që manifestohet drejtohet ndaj elitave/establishmentit politik të vendit përkatës. Atij, në përgjithësi, i intereson pak ose aspak teoria idetë nga udhëhiqet politika. Prandaj dhe në vitet e fundit, sidomos pas krizës financiare 2008-2010, establishmenti politik mbetet i gjykuar negativisht nga ky individ konsumator apo elektorat, duke e fajësuar (establishmentin) për paaftësi në përballje me pasojat negative të globalizimit, migracionit dhe sistemit së tregtisë së lirë ndërkombëtare etj. Autorë seriozë dhe analistë të ndryshëm i janë bashkuar kësaj lëvizje duke akuzuar establishmenti por, zgjidhjen e kërkojnë brenda tij dmth brenda programeve e platformave të spektrit politik. E para ishte Greqia, ku elektorati besoi të një Parti jo tradicionale, te ndjekura nga lëvizje të tilla në Itali e Spanjë, në SHBA apo Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe lëvizjet politike me mbështetje të gjerë ta quajmë “anti- BE” në Poloni apo Hungari etj. Më tej akoma, disa studiues flasin për „demokracinë post-Liberale“, por ende pa definuar përmbajtjen e saj. Aktualisht në botë shfaqen ky fenomen: Vendet/politikat që nuk kanë kaluar etapat e demokracisë deri te demokracia e plotë liberale, kanë për tendencë të amplifikojnë (dhe, propagandojnë) dështimet e saj, duke ndërtuar rrugën e tyre drejt një demokracie autoritare. Ndërsa, në vendet e demokracisë perëndimore shquhet elektorati i cili ka për tendencë të shpreh pakënaqësinë duke dënuar politikën tradicionale dhe fajësuar atë për problemet e krijuara (ekonomike, sociale, migratore, terrorizimin) me shpresën se një „politikë e re, e panjohur dhe paprovuar më parë..“ duhet të aplikohet! Vetë krahët e politikës apo dhe të „pavarurit“ vazhdojnë rrugën e tyre, duke dhënë oferta të reja, por në përmbajtje gjithmonë të njohura e të vjetra të frymëzuara nga shkollat filozofike të kaluara… 

Varfëria e ideve: 
Siç u tha më lart, individit i intereson pak ose aspak idetë teoritë“ ku mbështeten Programet politike të partive. Atij i intereson produkti. Po kështu, në vijim të konceptit të mësipërm “se kultura perëndimore gjeneron ndryshime, lëvizje”, rrjedh që politikat e reja potencialisht duhet të ndërtohen bazuar në ide dhe teori të reja si përgjigje ndaj situatave aktuale dhe me vizionin për të ardhmen. Me gjithë përmbajtjen optimiste të kulturës perëndimore, po kalon gati një dekadë dhe kjo kulture vitale në thelb po vuan nga mungesa e ideve dhe teorive të reja në fushën e funksionimit te politikave shtetërorë, efektiviteti i parlamentarizmit, demokracisë përfaqësuese apo direkt, ekonomisë së lirë të tregut dhe proteksionizmit, lirisë së shprehjes/mendimit dhe edukimit, globalizimit dhe përplasjet kulturore e fetare, etj. Në aspektin ekonomik, që është edhe fusha më e ndjeshme për „konsumatorin“, sistemi i ngritur bazohet në themel nga teoritë e fitimit maksimal, konkurrencës dhe falimentimit. Sistemi i tregtisë dhe lëvizjes së lirë të kapitalit ka njësuar tregjet dhe hequr pengesat duke sjell përfitime dhe përhapur zhvillimin dhe teknologjitë e reja, por edhe sjelle dëme ekonomikë-sociale ambientit si për vendet investuese dhe ato pritëse. Por, programet e partive politike, në përballje me këto sfida (të majtët dhe djathtët, apo pavarurit/lëvizjet e reja) duket që kanë në themel teoritë dhe idetë e 100 apo 200 viteve të mëparshme. Varfërinë me ide të reja e vërtetojnë vetë zhvillimet e fundit në vendet që përmendëm më sipër ku politika te caktuara po kërkojnë ti kthehen p.sh proteksionizmit, izolacionizmit dhe tërheqjes nga globalizimi , kur dihet se ato të gjitha kanë treguar se kanë qenë të vlefshme për një kohë të dhënë, dhe nuk mund të ri-aplikohen në kushtet krejt të reja politike, ekonomike e sociale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo, pikërisht tregon mungesën e alternativave politike, dhe vetë këto varfërinë e ideve/teorive të reja mbi te cilat duhet të ngrihen këto alternativa/programe. Në nivel të organizatave ndërkombëtare përfshi në radhë të parë OKB, mund të bëhet i njëjti konstatim: Përveç se janë rritur në numër si pasojë edhe rritjes së marrëdhënieve ndërkombëtare (si zhvillim pozitiv), ato duket se vazhdojnë të funksionojnë “në mënyre konservatore” nën formatin e themelimit të tyre, madje shpesh edhe duke mbivendosur tematikat që trajtojnë mes/me njëra-tjetrën. Reformimi i tyre, mesa duket nuk duhet te jete vetëm një çështje “Building Platforms and Action Plans”, por në radhë të parë çështje përpunimi idesh dhe teori të reja, që rritet efikasiteti i funksionimit të tyre si “qeveri të botës”. 

Një përfundim: Në çdo këndvështrim që të shikohen dhe analizohen situatat e brendshme dhe problemet në vende te ndryshme të botës veçuar ato në demokracitë perëndimore, si dhe ne rrafshin ndërkombëtar te menaxhimit kompleks të marrëdhënieve ndër-shtetërore dhe ndër-rajonale, janë idetë dhe teoritë e reja ato që do të bëjnë të mundur që politika të përballojë këto sfidat te brendshme dhe te jashtme të shoqërive/shteteve, si dhe të ri-formatojë spektrin politik/establishmentet e tyre. Ne nivel ndërkombëtar, ato do të duhet gjithashtu të ideojnë zhvillimet e ardhshme globale në kushtet e reja mbushur me sfida dhe të papritura, me shpresën për të “implementuar SDG dhe 2030 Agenda” për një zhvillim mbarëbotëror paqësor dhe të qëndrueshëm, sa më i drejtë dhe më i ekuilibruar si dhe në përfitime të ndërsjella. 
Sigal