Blerina Braho/ Sa i ndershëm është sistemi ynë arsimor?

669
Sigal

Sistemi arsimor në Shqipëri është reformuar vazhdimisht, pasojë kjo kryesisht e ndryshimeve qeveritare që kanë ndodhur në vend se sa nga qëllimi për rritje të performancës së saj. Reformimi i fundit i rëndësishëm që ndodhi në sistemin parauniversitar ka qenë projekti “Matura Shtetërore”, (brezi i parë që iu nënshtrua këtij projekti ishte matura 2006), i cili fillimisht u konceptua si një projekt për të mposhtur korrupsionin arsimor, që kishte zaptuar shkollat e larta në ato vite. Që prej vitit 2006 vetë Matura Shtetërore ka kaluar çdo vit reformime dhe ndryshime thelbësore në brendësinë e saj, duke sjellë një paqëndrueshmëri dhe konfuzion tek nxënësit e gjimnazeve dhe familjarët e tyre. Reformimi duket se bëhet me qëllimin e mirë për ta perfeksionuar këtë projekt dhe për të rritur cilësinë e arsimit dhe vetë nxënësve që i nënshtrohen këtij testi. Nuk mund ta mohojmë që në pamje të parë duket se, cilësia e nxënësve që kalon këtë test rritet nga viti në vit, por në realitet nuk është kështu. Ashtu siç ndodh që çdo sistemi t’i gjehen hilet për ta bojkotuar dhe devijuar atë nga meritokracia, edhe Maturës Shtetërore i janë gjetur me kohë hilet. Dihet se nota mesatare e tre viteve të gjimnazit luan një rol kryesor në llogaritjen e pikëve totale, të cilat tregojnë orientimin e degës universitare që do të arrihet në finale, dhe asnjë nuk mund ta mohojë që në rrethet jashtë Tiranës dhe disa qyteteve kryesore në vend, nota mesatare manipulohet lehtësisht. Dihet me fakte prej shumë qytetarësh që, një nxënës gjimnazi mjafton të paguajë 500 mijë lekë të vjetra për të ndryshuar amzën e tij ose të gjitha notat që ka marrë gjatë tre viteve të gjimnazit për t’i konvertuar ato në disa “dhjeta” të bukura, të cilat të hapin lehtësisht derën e universitetit që ti dëshiron të ndjekësh. E kundërta ndodh në qytetet kryesore, ku kontrolli është më i rreptë dhe nxënësit luftojnë ndershmërisht për notën dhe rezultatet që marrin. Në shkollat tona nuk ka ndershmëri dhe barazvlefshmëri në notat që merren dhe kjo sigurisht ndikon edhe në përzgjedhjen e degëve universitare, më të mirat dhe e të cilave zihen nga nxnësit me nota fiktive, duke lëne kështu jashtë ata që kanë luftuar realisht për notat e tyre. Pakënaqësitë në mesin e studentëve janë të shumta, të cilët pretendojnë se nuk e dinë se ku të ankohen dhe janë të shqetësuar rreth efekteve që këto nota mund të kenë në ndikimin e tyre në universitete jashtë Shqipërisë. Ky sistem ka qenë shumë i kritikuar edhe për nivelin e lartë të subjektivitet që ka testi (në Letërsi) dhe urdhri i fundit se regjistrimet duhen bërë on-line i ka hapur punë shumë maturantëve duke i djegur shpesh edhe në regjistrimin për shkollën e tyre të preferuar. Të gjitha këto parregullsi dhe pakënaqësi të çojnë tek konkluzioni që Matura Shtetërore dhe pasojat që ajo lë pas duhen riparë me imtësi. Duhet t’i kushtohet vëmendje koeficienteve të të gjitha shkollave, gjimnazet e Tiranës dhe të të gjitha rretheve nuk duhet të kenë të njëjtin koeficient llogaritjeje. Kjo dhe kujdesi për detaje të tjera të Maturës Shtetërore, të cilat specialistët përkatës i dinë më mirë, mbase rregullon raportin meritë-preferencë dege dhe rrit realisht cilësinë e shkollave tona.