Bashkim KOÇI/Thika dhe kallashnikovë

574
Sigal

Besoj se nuk ka mendje të ftohtë, qoftë ky edhe psikanalist i kualifikuar, që të mund të shpjegojë apo justifikojë atë çka po ndodh me ne shqiptarët. Ne, si të na ketë mallkuar kush, kemi marrë thikat në duar e hedhur kallashnikovët krahëqaf, duke qëlluar njëri-tjetrin, duke vënë në shënjestër, pa na i bërë terr syri, jetën e tjetrit. Dhe kjo që na ka ngjarë, është situatë dramatike, e frikshme dhe kambanë shumë e fortë për të ngritur strukturat e shtetit në këmbë. Nuk “po e ngre zërin” ngaqë ndodhi ajo që ndodhi në qytetin e Vlorës, por “kasaphana” e asaj dite, ku humbën tri jetë njerëzish, dy prej të cilëve krejtësisht të pafajshëm, është e fundit e radhës. Nuk kaluan as 24 orë dhe një tjetër “lojë shpatash” me thika ndër duar, plasi brenda familjes në qytetin e Krujës, ku njëri nga familjarët qëlloi e çoi pranë vdekjes babanë dhe vëllanë.

 Statistikat na sjellin shifra të pabesueshme, të frikshme, të cilat të krijojnë bindjen se këtu, në Shqipërinë tonë nuk funksionojnë, në mos nuk ekzistojnë strukturat e shtetit. Ai, pra shteti, është kthyer në palo shtet dhe pa as më të voglin dyshim është bërë rrezik për jetën e cilido qoftë prej nesh, e çdo qytetari. Policia, ajo që merr në mbrojtje jetën e qytetarit, që është garant për të në çdo rrethanë që të ndodhet, pra kudo qoftë, në familje, në plazh, në rrugë, madje edhe në diskotekë, është inekzistente, është “e helmuar gjer në rrënjë”, është bërë njësh me krimin. Dhe këtë e dimë të gjithë, ne që na ka zënë tmerri e ruhemi se dreqi se mos na kap ndonjë plumb kokën, ashtu kot më koti dhe atje ku nuk e presim, por edhe politikanët, ata që po ikin, duke na e lënë një shtet të shkërmoqur dhe të tjerët që po vijnë, për të na “rilindur”. Kjo fjalëza e fundit, pra Rilindja, unë shkronjësi i këtyre radhëve e marr me shumë rezervë, në mos edhe si një demagogji të radhës. E di pse?! Sepse ky grupim politik deri dje ishte në opozitë dhe si i tillë duhet të kish tundur vendin, duhet të kish bërë njërën, të pamundurën për të frenuar e goditur fort  këtë fenomen që na fyer e na ka vënë bojën në sy të Botës. Nuk u falet dhe në një farë mënyre nuk e kanë hallall votën plebishitare që morën më 23 Qershor. Nëse Sali Berisha, ky shkatërrues fenomenal i shtetit, për tetë vjet qeverisje nuk ndërmori asnjë lëvizje ligjore në Parlament (parlament i thënçin sepse vetëm i tillë nuk ishte) për të “çarmatosur” popullin, për të grumbulluar armët, ato që tashmë i kanë krahaqaf edhe kalamajtë e rrugës dhe që po eliminojmë njëri-tjetrin, këtë nuk e bëri as opozita, ajo e cila në shtator do të na drejtojë për katër vitet e ardhshme. Gjithfarë “nismash” u morën e u bënë objekt debatesh në atë palo Parlament. Madje u miratua një ligj i veçantë për vetarmatosjen e deputetëve dhe ministrave, pra morën masa mbrojtëse për kokën e tyre. Por asnjëherë, nuk u dëgjua qoftë edhe një zë i vetëm, për të zgjidhur një hërë e mirë, me Ligj, fatin i njerëzve, të cilët po vriten e po priten, po copëtohen e sakatohen, të gjendur, si të thuash, në një luftë civile të vërtetë.

Pra me çka po them kam mendimin se ky hall i madh që na ka zënë, ne racën më të dashuruar pas armëve (të ftohta, por sidomos ato të zjarrit), nuk është thjeshtë një mangësi e punës së policisë së Shtetit. Policisë, e cila është e strukturuar dhe e përfaqësuar me elementët më skandalozë të mundshëm, kjo amulli i ka dhënë dorë të bëhet “mik” me elementë kriminalë, t’i lehtësohet e të mbulojë përgjegjësitë që mban e që mund dhe duhet të jap llogari. Pra problemi është më i thellë, detyrim i një instance më të lartë, siç është Parlamenti. Kërkon nisma të mëdha ligjore. Pra e thënë me dy fjalë zgjidhja është kjo: me hir apo me pahir duhet të hiqen armët, duhet të vendoset një ligj ashtu si na shkon për shtat ne shqiptarëve.  Nëse do mendohet (dhe kjo ka gjasa të ndodhë), që situatë që përjetojmë zgjidhen duke vënë në krye të Policisë së Shtetit njerëz kompetentë, specialist të zotë dhe profesionistë, duke zëvendësuar ata që “lanë dhitë e u bënë zabitë” me djem e vajza të shkolluar e që “u dhemb shpirti” për gjendjen e krijuar, nuk besoj se i është gjetur ilaçi i duhur. Pra edhe pse është një element shumë i rëndësishëm dhe duhet vlerësuar si i tillë, prapë është dytësore, e paplotë. Është ndoshta një rast i veçantë nga ku duhet vepruar pa hezitim, pa paragjykim e prapamendime, ashtu si u soll shteti komunist për shuarjen e gjakmarrjes gjë që, duam apo nuk duam, pati shumë sukses. Arma në shtëpi, thotë populli, kërkon të marrë një kokë, ose të dikujt që “të bën të ngresh e ta zbrazësh”, ose të të zotit, atij që e mban.

 Ndoshta ka dhe rrugë të tjera që të mund të ndalojnë këtë “luftë pa emër”, e cila po merr jetë njerëzish, po bën dhjetëra e dhjetëra nëna të vënë shaminë e zezë në kokë për faj, jo vetëm për shkak të një të marri nga trutë, por edhe sepse kemi mbi krye një shtet të marrosur. Fenomeni që po trondit shpirtërisht gjithë shoqërinë shqiptare kërkon rilindje, ndoshta  përpara të gjitha problemeve të tjera, qofshin edhe ato ekonomike që po na i lë peshqesh qeveria në ikje.